Të mençur në mënyrën e tyre
Të mençur në mënyrën e tyre
«TË RRITURIT kanë mençuri, por fëmijët janë të mençur në mënyrën e tyre»,—thotë një fjalë e urtë nigeriane. Edvini, një plak i krishterë në Nigeri, e provoi vërtetësinë e kësaj.
Një ditë, në shtëpinë e tij, nën tavolinë Edvini gjeti një kuti metalike.
«E kujt është kjo?»—i pyeti të tre fëmijët.
«Është e imja»,—u përgjigj Emanueli tetëvjeçar. Pas kësaj, nxitoi të shtonte se ajo kuti e ndryshkur metalike katrore—me sipërfaqe 12 centimetra katrorë e me një të çarë në majë—ishte për kontributet për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait. «Meqë nuk shkoj çdo ditë në Sallën e Mbretërisë,—shpjegoi ai,—vendosa të bëj një kuti, kështu që, sa herë nuk i përdor paratë që më jepni për të blerë diçka për të ngrënë, t’i vë në kuti.»
Babai i Emanuelit kishte në shtëpi një kuti për të kursyer paratë, me qëllim që të ndiqnin kongresin krahinor që mbahej çdo vit. Por, për shkak të një rrethane urgjente familjare, i kishin përdorur paratë që ishin në të. Që të sigurohej se paratë e tij për kontribute nuk do të përdoreshin për ndonjë qëllim tjetër, Emanueli çoi te një saldator një kuti të vjetër teneqeje, që ky ta ngjiste. Kur saldatori e mori vesh përse do të përdorej kutia prej teneqeje, i bëri Emanuelit një kuti nga hekurishtet që kishte aty. Edhe Majkëlli, vëllai pesëvjeçar i Emanuelit, kërkoi një kuti të tillë.
I mahnitur nga ajo që kishin bërë fëmijët, Edvini i pyeti përse i kishin bërë kutitë. Majkëlli u përgjigj: «Unë dua të bëj kontribute!»
Pa dijeninë e prindërve, Emanueli, Majkëlli dhe Ukeji, motra e tyre nëntëvjeçare, nga disa kohë kursenin një pjesë të parave të drekës dhe i vinin në kuti. Nga e kishin marrë këtë ide? Sapo fëmijët arrinin në një moshë që mund të mbanin para, prindërit i kishin mësuar që të hidhnin një sasi parash në kutinë e kontributeve në Sallën e Mbretërisë. Duket qartë se fëmijët e kishin mësuar mirë këtë.
Kur kutitë u mbushën, i çanë dhe i hapën. Gjithsej kursimet ishin 3,13 dollarë (amerikanë), dhe kjo nuk është një sasi e papërfillshme në një vend ku mesatarisht të ardhurat vjetore janë vetëm disa qindra dollarë. Kontribute të tilla vullnetare mbështetin veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait, vepër që tani po kryhet në 235 vende në mbarë botën.