Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Parimet hyjnore mund t’ju sjellin dobi

Parimet hyjnore mund t’ju sjellin dobi

Parimet hyjnore mund t’ju sjellin dobi

PA DYSHIM, e dini se kafshët udhëhiqen nga instinkti. Shumë makineri janë projektuar që të përdoren sipas udhëzimeve. Kurse njerëzit në të vërtetë janë krijuar që të udhëhiqen nga parimet. Si mund të jeni të sigurt për këtë? Po ja, Jehovai, Nismëtari i gjithë parimeve të drejta, kur krijoi njerëzit e parë, njoftoi: «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne.» Krijuesi është frymë, nuk ka trup fizik si ne. Prandaj, jemi sipas «shëmbëlltyrës» së tij në kuptimin që mund të pasqyrojmë personalitetin e tij, duke shfaqur një masë të cilësive të shkëlqyera që ka. Njerëzit kanë aftësinë për ta ndërtuar jetën sipas parimeve, domethënë, sipas asaj që besojnë se është një kod i veprimeve të drejta. Shumë nga këto parime Jehovai ka bërë që të dokumentohen në Fjalën e tij.​—Zanafilla 1:26; Gjoni 4:24; 17:17.

‘Por, Bibla ka me qindra parime,​—mund të thotë dikush.​—Është e pamundur t’i di të gjitha.’ Kjo është e vërtetë. Gjithsesi, shqyrtoni këtë fakt: ndonëse të gjitha parimet hyjnore janë të dobishme, disa kanë më shumë peshë se të tjerat. Këtë mund ta kuptoni nga Mateu 22:37-39, ku Jezui tregoi se ndër urdhërimet dhe parimet përkatëse të Ligjit të Moisiut disa ishin më të rëndësishme se të tjerat.

Cilat janë parimet më me peshë? Parimet më të rëndësishme të Biblës janë ato që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhënien tonë me Jehovain. Nëse i marrim për zemër këto parime, Krijuesi bëhet ndikimi kryesor në busullën tonë morale. Veç kësaj, ka edhe parime që ndikojnë në marrëdhëniet tona me të tjerët. Zbatimi i tyre do të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë unit, sido që ky të përkufizohet.

Le të fillojmë me një nga të vërtetat më të rëndësishme të Biblës. Cila është kjo e vërtetë dhe si ndikon te ne?

«Më i Larti mbi gjithë tokën»

Shkrimet e Shenjta e thonë qartë se Jehovai është Krijuesi ynë i Madh, Perëndia i Plotfuqishëm. Ai nuk mund të barazohet kurrë ose të zëvendësohet me të tjerë. Kjo është një e vërtetë thelbësore e dokumentuar në Bibël.​—Zanafilla 17:1; Predikuesi 12:1.

Një nga shkrimtarët e librit të Psalmeve komentoi për Jehovain: «Vetëm ti je Më i Larti mbi gjithë tokën.» Mbreti i lashtë David shkroi: «E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka.» Po ashtu, profeti i mirënjohur Jeremia u nxit të dokumentonte: «Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri yt është i madh në fuqi.»​—Psalmi 83:18, BR; 1 Kronikave 29:11; Jeremia 10:6.

Si duhet t’i zbatojmë këto të vërteta rreth Perëndisë në jetën e përditshme?

Është e qartë se cili duhet të jetë vërtet kryesor në jetën tonë​—Krijuesi dhe Jetëdhënësi ynë. Atëherë, a nuk do të ishte e përshtatshme t’i bënim ballë çdo prirjeje për të tërhequr vëmendjen te vetja, prirje që te disa mund të jetë më e fortë se te të tjerët? Një parim i mençur udhëheqës është që ‘gjithçka ta bëjmë për lavdi të Perëndisë’. (1 Korintasve 10:31) Profeti Daniel la një shembull të shkëlqyer në këtë fushë.

Dokumentimi historik na thotë se njëherë mbreti Nabukodonosor i Babilonisë ishte i turbulluar nga një ëndërr dhe kërkoi të dinte kuptimin e saj. Ndërkohë që të gjithë të tjerët ishin të pështjelluar, Danieli i tha me saktësi mbretit atë që donte të dinte. A e mbajti vetë Danieli meritën për këtë? Jo, ai i dha lavdi ‘Perëndisë në qiej, i cili është Zbuluesi i sekreteve’. Danieli vazhdoi: «Ky sekret nuk m’u zbulua me anë të ndonjë mençurie që ekziston tek unë më shumë se te ndonjë tjetër i gjallë.» Danieli ishte një njeri me parime. S’është për t’u habitur që në librin e Danielit, tri herë ai përshkruhet si «shumë i dëshirueshëm» në sytë e Perëndisë.​—Danieli 2:28, 30; 9:23; 10:11, 19, BR.

Do t’ju sjellë dobi ta imitoni Danielin. Për të ndjekur shembullin e tij, faktori vendimtar është motivi. Cili duhet ta marrë nderimin për atë që bëni? Pavarësisht se në cilat rrethana ndodheni, keni aftësinë që të veproni në harmoni me këtë parim biblik me rëndësi jetësore: Jehovai është Zotëria Sovran. Nëse veproni kështu, kjo do t’ju bëjë ‘shumë të dëshirueshëm’ në sytë e tij.

Le të shqyrtojmë tani dy parime bazë që mund të na udhëheqin në fushën e marrëdhënieve njerëzore. Duke pasur parasysh theksin gjithnjë e më të përhapur që vihet te vetja, kjo fushë e jetës është veçanërisht një sfidë.

«Me përulësi mendjeje»

Ata që vënë veten e tyre në vend të parë, rrallëherë janë të kënaqur. Shumica duan një jetë gjithnjë e më të mirë dhe e duan tani, në çast. Për ta, modestia është një dobësi. Durimin e shohin si diçka që vetëm të tjerët duhet ta shfaqin. Kur duan të dalin më përpara se të tjerët, çdo gjë është e lejueshme. A mendoni se keni ndonjë mundësi tjetër përveç se të silleni si këta?

Shërbëtorët e Perëndisë e hasin çdo ditë këtë qëndrim, por nuk duhet të ndikojë te ta. Të krishterët e pjekur e pranojnë parimin se «nuk miratohet kush rekomandon vetveten, por ai që rekomandohet nga Jehovai».​—2 Korintasve 10:18.

Do t’ju ndihmojë zbatimi i parimit që gjendet te Filipianëve 2:3, 4. Ky shkrim ju jep zemër që të mos bëni «asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke menduar se të tjerët janë më të lartë se ju». Në këtë mënyrë, do të jeni «duke parë me interes personal jo vetëm çështjet tuaja, por me interes personal edhe ato të të tjerëve».

Një person që kishte qëndrimin e duhur lidhur me vetveten dhe që i bëri një vlerësim të shëndoshë vlerës që kishte si person, ishte Gideoni, një gjykatës ndër hebrenjtë e lashtë. Ai nuk u përpoq të ishte udhëheqës i Izraelit. Mirëpo, kur u caktua të përmbushte atë rol, Gideoni e drejtoi vëmendjen te pavlefshmëria e tij. Shpjegoi: «Familja ime është më e dobëta e Manasit dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim.»​—Gjyqtarët 6:12-16.

Për më tepër, pasi Jehovai i dha një fitore Gideonit, burrat e Efraimit filluan të ziheshin me të. Si reagoi Gideoni? A i ishte rritur rëndësia në sytë e vet, nga fitorja që kishte pasur? Jo. Ai e parandaloi katastrofën, duke dhënë një përgjigje të butë. «Po çfarë kam bërë unë në krahasim me ju?» Gideoni kishte përulësi mendjeje.​—Gjykatësit 8:1-3, BR.

Qartë, ngjarjet që kishin të bënin me Gideonin ndodhën shumë kohë më parë. Megjithatë, ia vlen ta shqyrtojmë këtë tregim. Është e kuptueshme se Gideoni kishte një qëndrim krejt të ndryshëm nga ajo që është shumë e zakonshme sot dhe jetoi në përputhje me këtë qëndrim, për dobinë e tij.

Qëndrimi mbizotërues që përqendrohet te vetvetja mund të na e shtrembërojë pikëpamjen për vlerën që kemi. Parimet biblike e ndreqin këtë shtrembërim, duke na mësuar vlerën e vërtetë që kemi në lidhje me Krijuesin dhe me të tjerët.

Duke ua vënë veshin parimeve biblike, e mposhtim prirjen që ekziston në këtë kohë. Nuk na mashtrojnë më ndjenjat ose personalitetet e ndryshme. Sa më shumë që mësojmë për parimet e drejta, aq më mirë njihemi me Nismëtarin e tyre. Po, ia vlen vërtet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë parimeve hyjnore kur lexojmë Biblën.​—Shih kutinë.

Jehovai i ka bërë njerëzit më të lartë se kafshët, të cilat veprojnë kryesisht nga instinkti. Ndjekja e vullnetit të Perëndisë përfshin të zbatojmë parimet hyjnore. Në këtë mënyrë, mund ta mbajmë në drejtimin e duhur busullën tonë morale, këtë busull që do të na drejtojë në një sistem të ri, të cilin do ta sjellë Perëndia. Bibla na jep arsye që shumë shpejt të presim një sistem të ri mbarëbotëror, në të cilin «ka për të banuar drejtësia».​—2 Pjetrit 3:13.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Disa parime biblike të dobishme

Brenda familjes:

«Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»​—1 Korintasve 10:24.

«Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.»​—1 Korintasve 13:4, 5.

«Secili prej jush, nga ana e vet, ta dojë gruan e tij si veten.»​—Efesianëve 5:33.

«Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj.»​—Kolosianëve 3:18.

«Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.»​—Fjalët e urta 23:22.

Në shkollë, në punë ose në biznes:

«Peshorja e pasaktë është e neveritshme . . . I pabesi realizon një fitim të rremë.»​—Fjalët e urta 11:1, 18.

«Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur.»​—Efesianëve 4:28.

«Nëse ndokush nuk dëshiron të punojë, as të mos hajë!»​—2 Selanikasve 3:10.

«Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain.»​—Kolosianëve 3:23.

«Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»​—Hebrenjve 13:18.

Qëndrimi ndaj pasurisë:

«Ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.»​—Fjalët e urta 28:20.

«Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para.»​—Predikuesi 5:10.

Përcaktimi i vlerës që kemi:

«Të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.»​—Fjalët e urta 25:27.

«Le të të lëvdojë një tjetër dhe jo goja jote.»​—Fjalët e urta 27:2.

«I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë sesa duhet të mendojë.»​—Romakëve 12:3.

«Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, gënjen veten.»​—Galatasve 6:3.

[Figura në faqen 5]

Danieli i dha meritën e duhur Perëndisë

[Figura në faqen 7]

T’i trajtosh të tjerët sipas parimeve hyjnore ndihmon për të pasur marrëdhënie të kënaqshme dhe lumturi

[Burimi i figurës në faqen 7]

U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./Robert Bridges