Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë

Plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë

Plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë

«Perëndia . . . në fakt, na ka kualifikuar aq sa duhet për të qenë administrues të Fjalës.»​—2 KORINTASVE 3:5, 6.

1, 2. Çfarë përpjekjesh për predikim bëhen nganjëherë, por, përse zakonisht dështojnë?

SI DO të ndiheni po t’ju japin një punë për të cilën nuk jeni të kualifikuar? Përfytyroni sikur materialet që ju nevojiten të ndodhen të hapura para jush dhe veglat t’i keni aty afër. Por, nuk keni asnjë ide se si ta bëni këtë punë. Më keq akoma, kjo punë e veçantë është urgjente. Njerëzit i kanë varur shpresat te ju. Sa zhgënjyese do të ishte një gjendje e tillë!

2 Kjo gjendje e vështirë nuk është e gjitha e përfytyruar. Shqyrtoni një shembull. Kohë pas kohe, ndonjë nga kishat e të ashtuquajturit krishterim është përpjekur të organizojë e të kryejë shërbimin shtëpi më shtëpi. Këto përpjekje zakonisht kanë dështuar, duke u shuar brenda disa javësh ose muajsh. Përse? I ashtuquajturi krishterim nuk i ka ndihmuar besimtarët e tij që të kualifikohen për këtë punë. Madje as klerikët nuk janë të kualifikuar për këtë vepër predikimi, shpesh me gjithë vitet e arsimimit nëpër shkolla jofetare e nëpër seminare. Pse mund ta themi këtë gjë?

3. Cila shprehje përdoret tri herë te 2 Korintasve 3:5, 6 dhe çfarë nënkupton?

3 Fjala e Perëndisë e shpjegon se çfarë e kualifikon një predikues të vërtetë të lajmit të mirë të krishterë. Apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Jo se prej vetiu jemi të kualifikuar aq sa duhet për të gjykuar ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por kualifikimi ynë siç duhet vjen nga Perëndia, i cili, në fakt, na ka kualifikuar aq sa duhet për të qenë administrues të Fjalës.» (2 Korintasve 3:5, 6) Vini re shprehjen që përdoret këtu tri herë​—‘të kualifikuar aq sa duhet’. Çfarë nënkupton ajo? Një fjalor, Vine’s Expository Dictionary of Biblical Words, thotë: «Kur përdoret për gjërat, [fjala origjinale greke] do të thotë ‘mjaft’ . . . ; kur përdoret për njerëzit, do të thotë ‘i zoti’, ‘i denjë’.» Kështu, një person që është «i kualifikuar as sa duhet» është i zoti dhe i denjë për të bërë një punë që i jepet. Po, shërbëtorët e vërtetë të lajmit të mirë janë të kualifikuar për ta bërë këtë vepër. Ata janë të zotët, të përshtatshëm ose të denjë për të predikuar.

4. (a) Si e tregon shembulli i Pavlit se kualifikimi për shërbimin e krishterë nuk është i kufizuar vetëm për një pakicë të zgjedhur? (b) Cilat janë tri mënyrat me të cilat na kualifikon Jehovai si administrues të Fjalës?

4 Por, nga vjen ky kualifikim? Nga talentet që kemi? Nga një intelekt më i lartë? Nga një arsimim i specializuar nëpër shkolla me emër? Apostulli Pavël, me sa duket, i kishte të gjitha këto gjëra. (Veprat 22:3; Filipianëve 3:4, 5) Megjithatë, e pranoi me përulësi se kualifikimet e tij si administrues i Fjalës nuk vinin nga shkollat e arsimimit të lartë, por nga Perëndia Jehova. A janë këto kualifikime vetëm për një pakicë të zgjedhur njerëzish? Pavli i shkroi kongregacionit korintas për ‘kualifikimin tonë siç duhet’. Kjo, sigurisht, jep idenë se Jehovai sigurohet që të gjithë shërbëtorët e tij besnikë të jenë të zotët, të aftë për të bërë punën që u ka caktuar të bëjnë. Si i kualifikon Jehovai të krishterët e vërtetë sot? Le të shqyrtojmë tri mënyrat që përdor: (1) Fjalën e tij, (2) frymën e tij të shenjtë dhe (3) organizatën e tij tokësore.

Fjala e Jehovait na kualifikon

5, 6. Çfarë efekti kanë Shkrimet e Shenjta te të krishterët e vërtetë?

5 Së pari, në ç’mënyrë na ndihmon Fjala e Perëndisë që të kualifikohemi si administrues të Fjalës? Pavli shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 3:16, 17) Pra, Shkrimet e Shenjta na ndihmojnë që të bëhemi ‘krejtësisht të zotët, plotësisht të pajisur’ për të kryer ‘veprën e mirë’ të mësimit të njerëzve rreth Fjalës së Perëndisë. Por, ç’mund të thuhet për gjithë ata besimtarë të kishave të të ashtuquajturit krishterim? Ata e kanë Biblën. Si ka mundësi që i njëjti libër disa i ndihmon të bëhen administrues të zotë të Fjalës e disa të tjerë jo? Përgjigjja gjendet në qëndrimin që kemi ndaj Biblës.

6 Mjerisht, shumë veta që shkojnë në kishë nuk e pranojnë mesazhin e Biblës «siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë». (1 Selanikasve 2:13) I ashtuquajturi krishterim ka një histori të turpshme në këtë drejtim. Pasi kalojnë vite të tëra duke studiuar në shkollat teologjike, a pajisen klerikët si mësues të Fjalës së Perëndisë? Në të vërtetë jo. Madje, disa studentë i fillojnë studimet në seminare duke pasur besim në Bibël, por në kohën kur diplomohen janë kthyer në skeptikë. Pas kësaj, në vend që të predikojnë Fjalën e Perëndisë​—në të cilën shumë prej tyre nuk besojnë më​—e drejtojnë shërbimin në fusha të tjera, duke mbajtur anë në debatet politike, duke përkrahur të ashtuquajturin ungjill shoqëror ose duke theksuar filozofitë njerëzore në fjalimet e tyre. (2 Timoteut 4:3) Në dallim nga ata, të krishterët e vërtetë ndjekin shembullin e Jezu Krishtit.

7, 8. Si ndryshonte qëndrimi i Jezuit ndaj Fjalës së Perëndisë nga ai i udhëheqësve fetarë të kohës së tij?

7 Jezui nuk lejoi që udhëheqësit fetarë të kohës së tij t’ia modelonin mënyrën e të menduarit. Si në rastin kur mësonte një grup të vogël, siç ishin apostujt, ashtu edhe kur mësonte turma të mëdha, Jezui i përdorte shumë shkrimet e shenjta. (Mateu 13:10-17; 15:1-11) Kjo praktikë e bëri të dallohej nga udhëheqësit fetarë të asaj kohe. Këta i pengonin me forcë njerëzit e thjeshtë, që të mos i shqyrtonin gjërat e thella të Perëndisë. Në të vërtetë, për një mësues të asaj kohe ishte e zakonshme të besonte se disa pjesë të Biblës ishin tepër të thella e nuk mund t’i diskutonte me askënd, përveçse me nxënësin e tij më të ngushtë, madje edhe në këtë rast, vetëm me zë të ulët e me kokën të mbuluar. Ata udhëheqës fetarë ishin pothuajse po aq besëtytë rreth diskutimit për disa pjesë të Biblës, sa ishin edhe për shqiptimin e emrit hyjnor!

8 Krishti nuk ishte i tillë. Ai besonte se jo vetëm një pakicë e zgjedhur, por të gjithë njerëzit kishin nevojë të shqyrtonin «çdo shprehje që del nga goja e Jehovait». Jezui nuk interesohej që t’ia jepte çelësin e njohurisë vetëm një grupi të zgjedhur dijetarësh. Ai u tha dishepujve: «Atë që unë ju them në errësirë, thuajeni në dritë; dhe atë që dëgjoni të çuçuritet, predikojeni nga tarracat.» (Mateu 4:4; 10:27) Jezui dëshironte me zjarr ta ndante njohurinë e Perëndisë me sa më shumë njerëz që ishte e mundur.

9. Si e përdorin të krishterët e vërtetë Biblën?

9 Fjala e Perëndisë duhet të jetë pika qendrore e mësimit tonë. Për shembull, kur mbajmë një fjalim në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, zakonisht nuk mjafton vetëm që të lexojmë disa vargje të zgjedhura nga Bibla. Mund të jetë e nevojshme ta shpjegojmë, ta ilustrojmë dhe t’i bëjmë zbatim një shkrimi në një kontekst të caktuar. Synimi ynë është që ta nxjerrim mesazhin e Biblës nga faqet e shtypura dhe ta ngulitim në zemrën e dëgjuesve tanë. (Nehemia 8:8, 12) Bibla duhet përdorur edhe kur është e nevojshme të jepen këshilla ose kur jepet disiplinë për të ndrequr. Megjithëse pjesëtarët e popullit të Jehovait flasin gjuhë të ndryshme dhe vijnë nga një shumëllojshmëri formimesh, të gjithë e respektojnë Librin që qëndron mbi çdo libër, Biblën.

10. Çfarë efekti mund të ketë te ne mesazhi i frymëzuar i Biblës?

10 Kur përdoret me një respekt të tillë, mesazhi i Biblës ka fuqi. (Hebrenjve 4:12) I shtyn njerëzit që të bëjnë ndryshime në jetë, si për shembull, të heqin dorë nga praktikat jobiblike të tilla, si: kurvëria, kurorëshkelja, idhujtaria, dehja dhe vjedhja. Ky mesazh ka ndihmuar shumë veta që të zhveshin personalitetin e vjetër dhe të veshin të riun. (Efesianëve 4:20-24) Po, nëse e respektojmë më shumë se çdo mendim ose traditë njerëzore dhe e përdorim me besnikëri, Bibla mund të na ndihmojë që të bëhemi vërtet të zotët, plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë.

Fryma e Jehovait na kualifikon

11. Përse fryma e shenjtë e Jehovait quhet në mënyrë të përshtatshme «ndihmësi»?

11 Së dyti, le të trajtojmë rolin që luan fryma e shenjtë ose forca vepruese e Jehovait për të na bërë plotësisht të pajisur. Nuk duhet të harrojmë kurrë se fryma e Jehovait është forca më e fuqishme që ekziston. Jehovai i ka dhënë fuqi Birit të tij të dashur që ta përdorë këtë forcë të jashtëzakonshme në dobi të të gjithë të krishterëve të vërtetë. Në mënyrë të përshtatshme, Jezui foli për frymën e shenjtë si «ndihmësi». (Gjoni 16:7) Ai i nxiti ithtarët e tij që t’ia kërkonin Jehovait këtë frymë, duke i siguruar se Jehovai do t’ua jepte me bujari.​—Luka 11:10-13; Jakovit 1:17.

12, 13. (a) Përse është e rëndësishme të lutemi që fryma e shenjtë të na ndihmojë në shërbim? (b) Si e treguan farisenjtë se fryma e shenjtë nuk vepronte tek ata?

12 Duhet të lutemi çdo ditë për frymën e shenjtë, veçanërisht që të na ndihmojë në shërbim. Çfarë efekti mund të ketë te ne kjo forcë vepruese? Mund të ndikojë në mendjen e në zemrën tonë, duke na ndihmuar që të ndryshojmë, të rritemi frymësisht dhe të zëvendësojmë personalitetin e vjetër me të riun. (Kolosianëve 3:9, 10) Mund të na ndihmojë të kultivojmë cilësi të çmuara, ngjashëm Krishtit. Shumë prej nesh e dinë përmendësh Galatasve 5:22, 23. Në këto vargje radhiten frytet e frymës së Perëndisë. E para është dashuria. Kjo cilësi është thelbësore për shërbimin tonë. Përse?

13 Dashuria është forca e madhe motivuese. Dashuria për Jehovain dhe për të afërmin i shtyn të krishterët e vërtetë që të shpallin lajmin e mirë. (Marku 12:28-31) Pa këtë dashuri, nuk do të mund të kualifikoheshim vërtet si mësues të Fjalës së Perëndisë. Vini re ndryshimin ndërmjet Jezuit dhe farisenjve. Te Mateu 9:36, për Jezuin thuhet: «Duke parë turmat, ai ndjeu keqardhje për to, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» Çfarë mendonin farisenjtë për njerëzit e thjeshtë? Ata thoshin: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» (Gjoni 7:49) Ata farisenj nuk kishin dashuri për njerëzit, por shumë përbuzje. Qartë, fryma e Jehovait nuk vepronte tek ata.

14. Si duhet të na motivojë shembulli i Jezuit, i cili tregoi dashuri në shërbim?

14 Jezui ndiente dhembshuri për njerëzit. Ishte i vetëdijshëm për dhembjen e tyre. E dinte se ishin të munduar, të keqtrajtuar e të hallakatur, si dele pa bari. Gjoni 2:25 na thotë se Jezui ‘e dinte se ç’kishte brenda njeriut’. Pasi kishte qenë Kryemjeshtri i Jehovait gjatë krijimit, Jezui kishte një kuptueshmëri të thellë për natyrën njerëzore. (Fjalët e urta [Proverbat] 8:30, 31) Kjo kuptueshmëri ia thellonte dashurinë që ndiente. Le të jetë gjithnjë kjo dashuri forca motivuese në veprën tonë të predikimit! Nëse mendojmë se kemi për të përmirësuar në këtë drejtim, le të lutemi për frymën e shenjtë të Jehovait e pastaj të veprojmë në harmoni me lutjet tona. Jehovai do të na përgjigjet. Do të na e dërgojë këtë forcë të pathyeshme që të na ndihmojë të jemi më ngjashëm Krishtit, i cili ishte i kualifikuar në shkallën më të lartë për të predikuar lajmin e mirë.

15. Në ç’mënyrë fjalët e Isaisë 61:1-3 u zbatuan për Jezuin e, në të njëjtën kohë, denoncuan skribët e farisenjtë?

15 Nga vinin kualifikimet e Jezuit? «Fryma e Jehovait është mbi mua»,​—tha ai. (Luka 4:17-21) Po, vetë Jehovai e emëroi Jezuin me anë të frymës së shenjtë. Jezui nuk kishte nevojë për kualifikime të tjera. A ishin emëruar nga fryma e shenjtë udhëheqësit fetarë të kohës së tij? Jo. Nuk ishin as të pajisur për të përmbushur Isainë 61:1-3, të cilën Jezui e lexoi me zë dhe ia zbatoi vetes së tij. Ju lutemi, lexojini ato vargje, që të shihni vetë se skribët dhe farisenjtë hipokritë nuk i kishin kualifikimet e nevojshme. Ata nuk kishin ndonjë lajm të mirë për t’u shpallur të varfërve. Si mund t’u predikonin çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve? Në kuptim frymor, ata vetë ishin të verbër dhe skllevër të traditave të sajuara nga njeriu. Ndryshe nga ata, a jemi ne të kualifikuar për të mësuar njerëzit?

16. Çfarë sigurie mund të ketë populli i Jehovait sot për sa i përket kualifikimit si administrues të Fjalës?

16 Vërtet, ne nuk kemi studiuar në shkollat e arsimit të lartë të të ashtuquajturit krishterim. Nuk jemi emëruar si mësues nga ndonjë seminar teologjik. Atëherë, a na mungojnë kualifikimet? Patjetër që jo! Emërimi ynë si Dëshmitarë të Jehovait vjen nga vetë Jehovai. (Isaia 43:10-12) Nëse lutemi për frymën e tij dhe veprojmë në harmoni me lutjen tonë, kemi kualifikimin më të lartë. Natyrisht, jemi të papërsosur dhe s’mund ta arrijmë plotësisht shembullin që la Mësuesi i Madh, Jezui. Megjithatë, a nuk jemi mirënjohës që Jehovai e përdor frymën e tij për të na kualifikuar dhe për të na pajisur si mësues të Fjalës së tij?

Organizata e Jehovait na kualifikon

17-19. Si na ndihmojnë pesë mbledhjet javore të siguruara nga organizata e Jehovait që të kualifikohemi si administrues të Fjalës?

17 Tani le të shqyrtojmë mënyrën e tretë me anë të së cilës Jehovai na pajis si mësues të Fjalës së tij: kongregacioni ose organizata e tij tokësore, e cila na stërvit që të jemi administrues të Fjalës. Si e bën këtë? Vetëm mendoni për programin mësimor që kemi! Normalisht, në një javë ndjekim pesë mbledhje të krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Mblidhemi në grupe të vogla në Studimin e Librit të Kongregacionit, për të bërë një studim të thellë të Biblës, me anë të një libri që sigurohet nëpërmjet organizatës së Jehovait. Duke dëgjuar e duke komentuar, mësojmë nga njëri-tjetri dhe i japim zemër njëri-tjetrit. Gjithashtu, secili prej nesh merr udhëzime dhe vëmendje nga mbikëqyrësi i studimit të librit. Në Mbledhjen Publike dhe në Studimin e Kullës së Rojës, marrim edhe më shumë ushqim të pasur frymor.

18 Shkolla e Shërbimit Teokratik ka si qëllim të na japë udhëzime se si t’i mësojmë të tjerët. Duke përgatitur fjalime stërvitjeje, mësojmë se si ta përdorim Fjalën e Perëndisë që t’u mësojmë të tjerëve rreth një shumëllojshmërie temash. (1 Pjetrit 3:15) A ju është caktuar ndonjëherë të mbani një fjalim rreth një argumenti që ju dukej mjaft i njohur, por pastaj keni zbuluar se po mësoni diçka të re për të? Një gjë e tillë ndodh shpesh. Asgjë nuk na e përmirëson më shumë njohurinë për një argument, sesa kur ua mësojmë të tjerëve. Edhe kur nuk jemi caktuar për të bërë ndonjë prezantim, prapëseprapë mund të mësojmë se si të jemi mësues më të mirë. Te çdo student vërejmë cilësi të mira dhe mund të mendojmë se si t’i imitojmë këto cilësi.

19 Edhe Mbledhja e Shërbimit ka si qëllim të na pajisë si mësues të Fjalës së Perëndisë. Javë pas jave dëgjojmë fjalime entuziaste, diskutime dhe demonstrime të përshtatshme për shërbimin. Çfarë prezantimi do të përdorim? Si mund të përballojmë sfidat e veçanta në shërbimin tonë publik? Çfarë mënyrash predikimi kemi në dispozicion, në të cilat mund të kemi nevojë të eksplorojmë më tej? Çfarë do të na ndihmojë të jemi mësues më të efektshëm kur bëjmë rivizita dhe drejtojmë studime biblike? (1 Korintasve 9:19-22) Pyetje të tilla trajtohen dhe diskutohen me hollësi në Mbledhjen e Shërbimit. Shumë pjesë të mbledhjes bazohen në artikujt që gjenden te Shërbimi ynë i Mbretërisë, i cili është një mjet tjetër i siguruar për të na pajisur për veprën tonë jetësore.

20. Si mund të nxjerrim plotësisht dobi nga mbledhjet dhe asambletë?

20 Duke u përgatitur për mbledhjet, duke i ndjekur ato dhe duke e zbatuar pastaj në veprën si mësues atë që kemi mësuar, marrim një stërvitje në shkallë të gjerë. Por, nuk mbaron me kaq. Kemi edhe mbledhje më të mëdha, domethënë asamble e kongrese, të cilat kanë si qëllim të na pajisin si mësues të Fjalës së Perëndisë. Sa me padurim presim të dëgjojmë me vëmendje e t’i vëmë në zbatim këto këshilla!​—Luka 8:18.

21. Cila dëshmi tregon se stërvitja jonë ka qenë e efektshme dhe kujt i shkon merita për këtë?

21 A ka qenë e efektshme stërvitja e siguruar nga Jehovai? Le të lëmë të flasin vetë faktet. Çdo vit, qindra mijë njerëz po ndihmohen të mësojnë doktrinat biblike bazë dhe të jetojnë në harmoni me atë që Perëndia kërkon prej tyre. Numri ynë po rritet, por asnjëri nga ne personalisht nuk mund ta marrë meritën për këtë. Duhet t’i shohim gjërat në mënyrë realiste, siç bëri Jezui. Ai tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» Ashtu si apostujt në kohët e hershme, ne jemi në pjesën më të madhe njerëz të thjeshtë e jo shumë të shkolluar. (Gjoni 6:44; Veprat 4:13) Suksesi ynë varet nga Jehovai, i cili i tërheq drejt së vërtetës personat me zemër të ndershme. Pavli e shprehu mirë këtë: «Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdoi ta rriste.»​—1 Korintasve 3:6.

22. Përse asnjëherë nuk duhet të shkurajohemi tepër lidhur me pjesëmarrjen tonë të plotë në shërbimin e krishterë?

22 Po, Perëndia Jehova është i përfshirë në mënyrë aktive në veprën tonë si mësues të Fjalës së tij. Ndoshta ne nuk ndihemi gjithnjë të kualifikuar si mësues. Por të mos harrojmë se është Jehovai ai që i tërheq njerëzit drejt vetes dhe drejt Birit të tij. Është Jehovai që me anë të Fjalës së tij, të frymës së shenjtë dhe të organizatës së tij tokësore na kualifikon që t’u shërbejmë këtyre të sapointeresuarve. Le t’i përgjigjemi stërvitjes së Jehovait, duke i zbatuar gjërat e mira që ai po na siguron tani, për të na bërë plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë!

Si do të përgjigjeshit?

• Si na pajis Bibla për veprën e predikimit?

• Çfarë roli luan fryma e shenjtë për të na kualifikuar si administrues të Fjalës?

• Në cilat mënyra ju ka ndihmuar organizata tokësore e Jehovait që të kualifikoheni si predikues të lajmit të mirë?

• Përse mund të jemi të sigurt kur marrim pjesë në shërbim?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

Si mësues i Fjalës së Perëndisë, Jezui shfaqi dashuri për njerëzit