Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Cila është domethënia e shprehjes «nuk keni rezistuar ende deri në gjak» që gjendet te Hebrenjve 12:4?
Fraza ‘të rezistosh deri në gjak’ nënkupton të arrish deri në pikën më ekstreme që është vdekja, të derdhësh gjak në kuptimin e mirëfilltë.
Apostulli Pavël e dinte se për shkak të besimit, disa të krishterë hebrenj tashmë kishin ‘duruar një betejë të madhe nën vuajtje’. (Hebrenjve 10:32, 33) Kur ka theksuar këtë, duket se Pavli ka përdorur metaforën e një konkurrimi në një garë atletike greke, e cila mund të përfshinte vrapimin, mundjen, boksin, si edhe hedhjen e diskut e të shtizës. Në përputhje me këtë, te Hebrenjve 12:1 i nxiti të bashkëkrishterët: «Le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»
Tri vargje më poshtë, te Hebrenjve 12:4, Pavli mund të ketë kaluar nga përfytyrimi i një gare vrapimi në atë të një ndeshjeje boksi. (Të dyja krahasimet gjenden te 1 Korintasve 9:26.) Boksierët e lashtë i kishin grushtat dhe kyçet e duarve të lidhura me rripa lëkure. Në këto rripa mund të futnin edhe «copa plumbi, hekuri ose metali, të cilat u shkaktonin dëmtime të rënda boksierëve». Ndeshje të tilla mizore shkaktonin gjakderdhje e disa herë edhe vdekjen e lojtarëve.
Sidoqoftë, të krishterët hebrenj kishin shembuj të përshtatshëm të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë, të cilët kishin vuajtur përndjekje e keqtrajtim mizor, madje edhe deri në vdekje, «deri në gjak». Vini re kontekstin në të cilin Pavli e tërhoqi vëmendjen tek ajo që kishin përjetuar njerëzit besnikë në lashtësi:
«U vranë me gurë, u sprovuan, u sharruan copë-copë, vdiqën të therur nga shpata, u sollën lart e poshtë të veshur me lëkurë deleje, me lëkurë dhish, ndërkohë që ishin në nevojë, në shtrëngim, nën keqtrajtim.» Pas kësaj, Pavli e drejtoi vëmendjen te Përsosësi i besimit tonë, te Jezui: «Ai duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.»—Hebrenjve 11:37; 12:2.
Po, shumë veta ‘kishin rezistuar deri në gjak’, domethënë deri në vdekje. Rezistenca e tyre ishte më shumë se një luftë e brendshme kundër mëkatit të mungesës së besimit. Ata kishin qenë besnikë nën një keqtrajtim mizor fizik, duke e mbajtur besnikërinë deri në vdekje.
Ata që ishin më të rinj në kongregacionin e Jerusalemit, ndoshta duke u bërë të krishterë pasi ishte fashitur përndjekja e ashpër e së kaluarës, nuk kishin hasur kurrë sprova të tilla përtej kufijve të arsyes. (Veprat 7:54-60; 12:1, 2; Hebrenjve 13:7) Gjithsesi, edhe sprovat e një natyre më pak të rëndë po i shkurajonin disa, duke i bërë të mos vazhdonin garën. Ata po ‘lodheshin dhe po ligështoheshin në shpirtrat e tyre’. (Hebrenjve 12:3) Duhej të përparonin drejt pjekurisë. Kjo do t’i bënte më të aftë që të duronin çfarëdo që të ndodhte, edhe sikur kjo të përfshinte keqtrajtim fizik deri në pikën ku do t’u duhej të derdhnin gjakun e tyre.—Hebrenjve 6:1; 12:7-11.
Shumë të krishterë në kohët tona kanë ‘rezistuar deri në gjak’, duke u ekzekutuar sepse nuk bënin kompromis me besimin e tyre të krishterë. Në vend që t’i lejojmë fjalët e Pavlit te Hebrenjve 12:4 të na shkaktojnë frikë, mund t’i marrim ato si një tregues se deri në ç’pikë jemi të vendosur të durojmë, për t’i mbetur besnikë Perëndisë. Më pas në të njëjtën letër dërguar hebrenjve, Pavli shkroi: «Le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar, nëpërmjet së cilës t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë.»—Hebrenjve 12:28.