Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Dashuria jonë është thelluar’

‘Dashuria jonë është thelluar’

‘Dashuria jonë është thelluar’

TË PREMTEN, më 31 mars 2001, mali Usu në Hokaido, Japoni, shpërtheu pasi kishte qenë i fjetur për 23 vjet. Mijëra banorë u detyruan të iknin me të shpejtë nga zona e rrezikut. Shumë prej tyre humbën shtëpinë dhe punën, por, lumturisht, asnjeri nuk humbi jetën. Midis atyre të cilëve iu duhej të iknin ishin 46 Dëshmitarë të Jehovait, por, ata nuk u lanë pa ndihmë.

Po atë ditë kur shpërtheu mali, me ndihmën e një mbikëqyrësi udhëtues i krishterë, i cili shërben në atë zonë, u organizua puna për të dhënë ndihmë. S’kaloi shumë dhe ndihmat filluan të vinin nga kongregacionet fqinje. Nën mbikëqyrjen e degës së Japonisë u formua me të shpejtë një komitet ndihme dhe në fondin e ndihmave filluan të vërshonin kontribute nga Dëshmitarët e Jehovait në gjithë Japoninë. Për të mbështetur veprimtaritë frymore, në kongregacionin që ishte prekur më shumë, u dërguan Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Po ashtu, mbikëqyrësi qarkor bëri vizita herë pas here, për të siguruar mbështetje emocionale dhe frymore.

Në atë periudhë të vështirë, Dëshmitarët në zonën e prekur vazhduan t’i mbanin mbledhjet e krishtere, duke përdorur shtëpi private që ndodheshin në një zonë më të sigurt. Kur u anulua urdhri i largimit nga zona ku ndodhej Salla e Mbretërisë, vëllezërit u kthyen dhe e gjetën ndërtesën të anuar, të plasaritur e të dëmtuar. Jo shumë larg Sallës së Mbretërisë, krateri i sapoformuar vazhdonte të nxirrte tym të dendur. Dëshmitarët menduan: ‘A është e mençur të vazhdojmë t’i mbajmë mbledhjet këtu? A mund të meremetohet Salla e Mbretërisë?’

U mor vendimi që të ndërtohej një Sallë e re Mbretërie në një vend më të sigurt aty afër. Komiteti Rajonal i Ndërtimit siguroi ndihmën e nevojshme. Për këtë ndërtesë u përdorën paratë e kontribuara nga Dëshmitarë në të gjithë vendin. Shpejt u sigurua një pjesë toke dhe, falë ndihmës së qindra vullnetarëve, u përfundua një Sallë e re Mbretërie brenda një kohe të shkurtër. Të dielën, më 23 korrik, 75 veta ndoqën mbledhjen e parë që u mbajt në këtë Sallë Mbretërie të sapondërtuar. Shumë të pranishëm nuk i mbanin dot lotët e gëzimit. Kur u dedikua Salla e Mbretërisë në tetor të po atij viti, një nga pleqtë e atij kongregacioni, i prekur, tha: «Shpërthimi i vullkanit shkaktoi vështirësi dhe vuajtje. Megjithatë, kjo ndërtesë na e ka kthyer frikën në gëzim. Dashuria jonë për Jehovain dhe për vëllezërit tanë të dashur të krishterë është thelluar.»

[Burimi i figurës në faqen 19]

Shpërthimi i malit Usu: Fotografi e AP/Koji Sasahara