Drita hyjnore e largon errësirën!
Drita hyjnore e largon errësirën!
«Jehovai është ai që e bën errësirën time të ndriçojë.»—2 SAMUELIT 22:29, BR.
1. Si lidhet drita me jetën?
«PERËNDIA tha: ‘U bëftë drita!’ Dhe drita u bë.» (Zanafilla 1:3) Me këto fjalë domethënëse, tregimi që gjejmë në librin e Zanafillës rreth krijimit e identifikon Jehovain si burimin e dritës, pa të cilën jeta në tokë do të ishte e pamundur. Jehovai është edhe burimi i dritës frymore, e cila është jetësore për të na udhëhequr në rrugën e jetës. (Psalmi 43:3) Mbreti David e tregoi se sa ngushtë lidhet drita frymore me jetën, kur shkroi: «Pranë teje është burimi i jetës dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.»—Psalmi 36:9.
2. Siç e tregoi Pavli, me çfarë lidhet ngushtësisht drita?
2 Rreth 1.000 vjet pas Davidit, apostulli Pavël e përmendi tregimin e krijimit. Duke i shkruar kongregacionit të krishterë në Korint, ai tha: «Perëndia është ai që tha: ‘Le të ndriçojë drita nga errësira.’» Pastaj, Pavli tregoi se drita frymore lidhet ngushtë me njohurinë që vjen nga Jehovai, kur shtoi: «Ai ka ndriçuar në zemrat tona, për t’u dhënë dritë me njohurinë e lavdishme të Perëndisë, nëpërmjet fytyrës së Krishtit.» (2 Korintasve 4:6) Si arrin te ne kjo dritë?
Bibla—Përçuese e dritës
3. Çfarë drite siguron Jehovai me anë të Biblës?
3 Jehovai e përcjell dritën frymore kryesisht nëpërmjet Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. Prandaj, kur e studiojmë Biblën dhe marrim njohuri nga Perëndia, jemi duke lënë që drita e tij të na ndriçojë. Me anë të Biblës, Jehovai hedh dritë mbi qëllimet e tij dhe na tregon se si mund ta kryejmë vullnetin e tij. Kjo i jep qëllim jetës sonë dhe ndihmon për të na plotësuar nevojat frymore. (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:1; Mateu 5:3) Jezui theksoi se duhet të kujdesemi për nevojat tona frymore kur, duke cituar Ligjin e Moisiut, tha: «Është shkruar: ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.’»—Mateu 4:4; Ligji i përtërirë 8:3.
4. Në ç’mënyrë është Jezui «drita e botës»?
4 Jezui lidhet ngushtësisht me dritën frymore. Në të vërtetë, ai foli për veten si «drita e botës» dhe tha: «Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë kurrsesi në errësirë, por do të zotërojë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Kjo shprehje na ndihmon të kuptojmë rolin qendror që ka Jezui për t’i përcjellë njerëzimit të vërtetën nga Jehovai. Në qoftë se duam ta shmangim errësirën dhe të ecim në dritën e Perëndisë, duhet të dëgjojmë gjithçka që thotë Jezui e të ndjekim nga afër shembullin dhe mësimet e tij, të dokumentuara në Bibël.
5. Cilën përgjegjësi patën ithtarët e Jezuit pas vdekjes së tij?
5 Disa ditë para se të vdiste, duke folur përsëri për veten e tij si drita, Jezui u tha dishepujve: «Drita do të jetë mes jush akoma edhe për pak. Ecni sa e keni dritën, që errësira të mos ngadhënjejë mbi ju; dhe ai që ecën në errësirë, nuk e di se ku po shkon. Sa e keni dritën, ushtroni besim në dritën, që të bëheni bij të dritës.» (Gjoni 12:35, 36) Ata që u bënë bij të dritës mësuan «modelin e fjalëve të shëndosha» që gjendet në Bibël. (2 Timoteut 1:13, 14) Më pas, i përdorën këto fjalë të shëndosha për të tërhequr individë të tjerë me zemër të çiltër, duke i nxjerrë nga errësira në dritën e Perëndisë.
6. Cilën të vërtetë themelore për dritën dhe errësirën gjejmë te 1 Gjonit 1:5?
6 Apostulli Gjon shkroi: «Perëndia është dritë dhe nuk ka kurrfarë errësire në unitet me të.» (1 Gjonit 1:5) Vini re dallimin që bëhet këtu ndërmjet dritës dhe errësirës. Drita frymore e ka origjinën te Jehovai, kurse errësira frymore nuk mund të ketë lidhje me Të. Atëherë, kush është burimi i errësirës?
Errësira frymore: Burimi
7. Kush qëndron pas errësirës frymore të botës dhe çfarë ndikimi ka ai?
7 Apostulli Pavël foli për ‘perëndinë e këtij sistemi’. Me këtë shprehje donte të thoshte Satana Djalli. Tha edhe se ky perëndi «ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve, me qëllim që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë». (2 Korintasve 4:4) Shumë veta pohojnë se besojnë te Perëndia e, megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh prej tyre nuk besojnë se ka Djall. Përse? Nuk duan të pranojnë se është e mundur të ekzistojë një fuqi e ligë mbinjerëzore, e cila ndikon në mënyrën e tyre të të menduarit. Sidoqoftë, siç tregon Pavli, Djalli ekziston vërtet dhe ndikon vërtet te njerëzit, me qëllim që të mos shohin dritën e së vërtetës. Fuqia e Satanait për të ndikuar në mënyrën e të menduarit të njerëzve shihet në përshkrimin profetik që bëhet për të si «ai . . . i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Si pasojë e veprimtarisë së Satanait, gjendja e parathënë nga profeti Isaia tani zbatohet për gjithë njerëzimin, përveç atyre që i shërbejnë Jehovait: «Ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt.»—Isaia 60:2.
8. Në cilat mënyra ata që janë në errësirë frymore e tregojnë se janë të çorientuar?
8 Në errësirë të dendur është e pamundur të shohësh gjë. Mund të humbasësh ose të çorientohesh me lehtësi. Në mënyrë të ngjashme, atyre që janë në errësirë frymore u mungon perceptimi dhe s’kalon shumë e çorientohen në kuptimin frymor. Mund ta humbasin aftësinë për të dalluar të vërtetën nga ajo që është e rreme, të mirën nga e keqja. Profeti Isaia foli për ata që janë në errësirë të tillë, kur shkroi: «Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!» (Isaia 5:20) Ata që banojnë në errësirë frymore ndikohen nga perëndia i errësirës, Satana Djalli, e për pasojë janë të ndarë nga burimi i dritës dhe i jetës.—Efesianëve 4:17-19.
Nga errësira në dritë: Sfida
9. Shpjegoni se si keqbërësit ndihen të tërhequr ndaj errësirës, si ndaj asaj të mirëfilltë, ashtu edhe ndaj asaj frymore.
9 Jobi besnik e theksoi se keqbërësit janë të tërhequr ndaj errësirës së mirëfilltë, kur tha: «Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: ‘Askush nuk do të më shohë’ dhe vë një vel mbi fytyrën e tij.» (Jobi 24:15) Veç kësaj, keqbërësit janë edhe në errësirë frymore e kjo errësirë mund të jetë mbytëse. Apostulli Pavël tha se imoraliteti seksual, vjedhja, lakmia, dehja, sharjet dhe zhvatjet janë gjëra të zakonshme tek ata që kanë ngecur në kurthin e kësaj errësire. Por, kushdo që vjen në dritën e Fjalës së Perëndisë mund të ndryshojë. Në letrën e tij drejtuar korintasve, Pavli e bën të qartë se ky ndryshim është i mundur të bëhet. Shumë të krishterë korintas më parë praktikonin vepra të errësirës, por Pavli u tha: «Mirëpo jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe me frymën e Perëndisë tonë.»—1 Korintasve 6:9-11.
10, 11. (a) Si tregoi kujdes Jezui për një njeri të cilit i ktheu shikimin? (b) Përse shumë veta nuk zgjedhin dritën?
10 Kur një person del nga errësira e dendur në dritë, ndoshta do t’i duhet pak kohë që t’i mësohen sytë. Në Betsaidë, Jezui shëroi një të verbër, por me dashamirësi, e bëri këtë në disa faza. «Ai e mori të verbrin prej dore, e çoi jashtë fshatit dhe si pështyu mbi sytë e tij, vuri duart mbi të dhe nisi ta pyeste: ‘A sheh gjë?’ Dhe burri ngriti sytë e zuri të thoshte: ‘Shoh njerëz, sepse vërej ca si pemë, por që po ecin andej-këtej.’ Atëherë, ai vuri përsëri duart mbi sytë e njeriut dhe burri pa qartë, ishte shëruar dhe çdo gjë po e dallonte mirë.» (Marku 8:23-25) Me sa duket Jezui ia ktheu dalëngadalë shikimin atij burri, me qëllim që të mësohej me dritën e fortë të diellit. Mund ta përfytyrojmë se sa i gëzuar ishte ai kur pati mundësi të shihte.
11 Megjithatë, gëzimi i atyre që hap pas hapi ndihmohen të dalin nga errësira frymore në dritën e së vërtetës e tejkalon gëzimin që ndjeu ai burrë. Kur vëmë re gëzimin e tyre, mund të pyesim veten përse nuk tërhiqen më shumë veta drejt dritës. Jezui jep arsyen: «Baza për gjykim është kjo: Drita ka ardhur në botë, por në vend të dritës njerëzit deshën errësirën, sepse veprat e tyre ishin të liga. Sepse ai që praktikon gjëra të poshtra, e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që veprat e tij të mos qortohen.» (Gjoni 3:19, 20) Po, shumë vetave u pëlqen të praktikojnë «gjëra të poshtra»—si imoralitetin, shtypjen, gënjeshtrat, mashtrimin e vjedhjen—dhe errësira frymore e Satanait është një mjedis i përkryer për t’i bërë gjërat ashtu si duan.
Të bëjmë përparim në dritë
12. Në cilat mënyra kemi marrë dobi duke ardhur te drita?
12 Çfarë ndryshimesh kemi parë te vetja që nga koha kur morëm njohurinë për dritën? Nganjëherë është mirë të shohim prapa dhe të shqyrtojmë përparimin frymor që kemi bërë. Çfarë zakonesh të këqija kemi flakur tej? Çfarë problemesh në jetën tonë kemi qenë në gjendje të ndreqim? Si kanë ndryshuar planet tona për të ardhmen? Me forcën nga Jehovai dhe me ndihmën e frymës së tij të shenjtë, mund të vazhdojmë të bëjmë ndryshime në personalitetin tonë dhe në mënyrën e të menduarit, ndryshime që do të tregojnë se po i përgjigjemi dritës. (Efesianëve 4:23, 24) Pavli e shpreh kështu këtë gjë: «Ishit dikur errësirë, por tani jeni dritë në lidhje me Zotërinë. Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës, sepse frytet e dritës përbëhen nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete.» (Efesianëve 5:8, 9) Duke lënë që të udhëhiqemi nga drita e Jehovait kemi një shpresë e një qëllim, si edhe ua bëjmë më të kënaqshme jetën atyre që na rrethojnë. Veç kësaj, sa shumë gëzim i sjellin zemrës së Jehovait këto ndryshime që bëjmë!—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.
13. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dritën e Jehovait dhe çfarë nevojitet për ta bërë këtë?
13 Mirënjohjen për faktin që kemi një jetë më të lumtur e tregojmë duke pasqyruar dritën e Jehovait, domethënë, duke e ndarë me familjarët, miqtë dhe fqinjët atë që kemi mësuar nga Bibla. (Mateu 5:12-16; 24:14) Për ata që nuk pranojnë të dëgjojnë, predikimi ynë së bashku me jetën e krishterë shembullore, bëhet një qortim. Pavli shpjegon: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë; dhe mjaft morët pjesë me ta në veprat e pafrytshme që i përkasin errësirës, por madje më mirë qortojini.» (Efesianëve 5:10, 11) Për t’i ndihmuar të tjerët që të braktisin errësirën dhe të zgjedhin dritën kërkohet guxim nga ana jonë. Ç’është më e rëndësishmja, kërkohet dhembshuri e interesim për të tjerët dhe një dëshirë nga zemra për ta ndarë dritën e së vërtetës me ta, për dobinë e tyre të përjetshme.—Mateu 28:19, 20.
Ruhuni nga dritat që shërbejnë si karrem!
14. Në lidhje me dritën, cilit paralajmërim duhet t’ia vëmë veshin?
14 Për ata që janë në det gjatë orëve kur është errësirë, çfarëdolloj drite është një gjë që mirëpritet. Në kohët e kaluara, në shkëmbinjtë e thepisur të Anglisë ndizeshin zjarre për të treguar se ku mund të strehoheshin anijet nga furtunat. Ekuipazhet e anijeve ishin mirënjohës që këto drita i udhëhiqnin në limane të sigurta. Mirëpo, disa zjarre ishin si karrema. Në vend që të gjenin një liman, shumë anije tërhiqeshin në drejtim të gabuar dhe fundoseshin në brigjet shkëmbore, ku u vidheshin mallrat që mbartnin. Në këtë botë mashtruese duhet të jemi të kujdesshëm që të mos tërhiqemi drejt dritave që shërbejnë si karrema, të cilat mund të na joshin drejt një anijethyerjeje frymore. «Satanai vazhdon të transformohet në engjëll drite»,—na thuhet. Në mënyrë të ngjashme, shërbëtorët e tij, ku përfshihen edhe apostatët, janë «punëtorë mashtrues» që gjithashtu «vazhdojnë të transformohen në shërbëtorë drejtësie». Në qoftë se i marrim në shqyrtim arsyetimet e rreme të këtyre personave, siguria që kemi në Fjalën e së vërtetës të Jehovait, në Bibël, mund të na 2 Korintasve 11:13-15; 1 Timoteut 1:19.
dobësohet dhe besimi mund të vdesë.—15. Çfarë do të na ndihmojë që të qëndrojmë në rrugën që të çon në jetë?
15 Psalmisti shkroi: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Po, ‘rruga e ngushtë që të çon në jetë’ është e ndriçuar mirë nga Perëndia ynë i dashur, Jehovai, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (Mateu 7:14; 1 Timoteut 2:4) Duke i vënë në zbatim ligjet dhe parimet e Biblës do të ruhemi që të mos endemi larg asaj rruge të ngushtë, duke shkuar në shtigjet e errësirës. Pavli shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:16) Dalëngadalë që rritemi frymësisht, mësohemi nga Fjala e Perëndisë. Duke u bazuar në dritën e Fjalës së Perëndisë, mund të qortojmë vetveten ose, po të jetë e nevojshme, mund të na qortojnë barinjtë e dashur në kongregacion. Po ashtu, mund t’i ndreqim gjërat dhe të pranojmë me përulësi disiplinimin në drejtësi, për t’i mbajtur këmbët në rrugën e jetës.
Plot çmueshmëri, të ecim në dritë
16. Si mund të tregojmë çmueshmëri për dritën, këtë masë të mrekullueshme që ka marrë Jehovai?
16 Si mund ta tregojmë çmueshmërinë për dritën, këtë masë të mrekullueshme që ka marrë Jehovai? Kapitulli 9 i Gjonit na thotë se kur Jezui shëroi një njeri që kishte lindur i verbër, ky u ndie i nxitur të shprehte çmueshmërinë e tij. Si e bëri këtë? Shfaqi besim te Jezui si Biri i Perëndisë dhe u tregoi të gjithëve se ishte «profet». Për më tepër, me trimëri foli kundër atyre që përpiqeshin ta nënçmonin mrekullinë që kishte bërë Jezui. (Gjoni 9:17, 30-34) Apostulli Pjetër i quan anëtarët e mirosur të kongregacionit të krishterë një «popull për zotërim të veçantë». Përse? Sepse kanë të njëjtën frymë mirënjohjeje që kishte ai njeri që kishte lindur i verbër e që u shërua. Tregojnë çmueshmëri për Jehovain, Mirëbërësin e tyre, duke ‘shpallur kudo shkëlqesitë e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjetrit 2:9; Kolosianëve 1:13) Ata me shpresë tokësore kanë po atë frymë mirënjohëse dhe i mbështetin vëllezërit e tyre të mirosur për të shpallur publikisht «shkëlqesitë» e Jehovait. Çfarë privilegji të pashoq u jep Perëndia njerëzve të papërsosur!
17, 18. (a) Çfarë përgjegjësie ka çdo individ? (b) Në imitim të Timoteut, cilën gjë inkurajohet çdo i krishterë të shmangë?
17 Është jetësore të kemi çmueshmëri nga zemra për dritën e së vërtetës. Mos harroni se asnjëri nga ne nuk ka lindur me njohuri për të vërtetën! Disa e mësojnë atë kur janë të rritur dhe shumë shpejt e shohin epërsinë që ka drita mbi errësirën. Të tjerë kanë privilegjin e madh të rriten nga prindër me frikë Perëndie. Për këta mund të jetë e lehtë ta marrin si një gjë të zakonshme dritën. Një Dëshmitare, prindërit e së cilës i shërbenin Jehovait që para se të lindte ajo, e pranon se iu desh shumë kohë dhe përpjekje që të kuptonte domethënien dhe rëndësinë e plotë të të vërtetave që i ishin mësuar që nga foshnjëria. (2 Timoteut 3:15) Të rinj a të moshuar, secili prej nesh duhet të kultivojë një çmueshmëri të thellë për të vërtetën që ka zbuluar Jehovai.
18 Të riut Timote i ishin mësuar «shkrimet e shenjta» që nga foshnjëria, por vetëm duke u ushtruar në shërbim fitoi pjekuri si i krishterë. (2 Timoteut 3:15) Më pas ai ishte i aftë të ndihmonte apostullin Pavël, i cili i bëri thirrje: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» Ashtu si Timoteu, të shmangim çdo gjë që mund të na turpërojë ose që mund ta bëjë Jehovain t’i vijë turp për ne.—2 Timoteut 2:15.
19. (a) Ashtu si Davidi, çfarë kemi arsye të themi të gjithë ne? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Kemi çdo arsye për ta lavdëruar Jehovain, i cili na dha dritën e së vërtetës së tij. Ashtu si mbreti David, themi: «Ti je llamba ime, o Jehova, Jehovai është ai që e bën errësirën time të ndriçojë.» (2 Samuelit 22:29, BR) Gjithsesi, nuk guxojmë të bëhemi të vetëkënaqur, pasi kjo mund të na bënte të rrëshqitnim prapë në errësirën nga e cila jemi çliruar. Prandaj, artikulli vijues do të na ndihmojë të përcaktojmë se sa rëndësi i kushtojmë së vërtetës hyjnore në jetën tonë.
Çfarë keni mësuar?
• Si e siguron Jehovai ndriçimin frymor?
• Cilën sfidë paraqet errësira frymore që na rrethon?
• Cilat rreziqe duhet të shmangim?
• Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dritën e së vërtetës?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 8]
Jehovai është burimi i dritës fizike dhe frymore
[Figura në faqen 10]
Ashtu si e shëroi dalëngadalë një njeri të verbër, në të njëjtën mënyrë Jezui na ndihmon që të dalim nga errësira frymore
[Figura në faqen 11]
Mashtrimi nga dritat e rreme të Satanait sjell si pasojë anijethyerje frymore