«Ndoshta do të të dhembë pak»
«Ndoshta do të të dhembë pak»
A I KENI dëgjuar ndonjëherë këto fjalë? Ndoshta ndonjë mjek ose infermiere jua ka thënë para se t’ju bënte ndonjë mjekim që ju ishte rekomanduar.
Ka shumë të ngjarë që të mos i keni bërë bisht këtij mjekimi vetëm për të shmangur dhembjen që e dinit se do t’ju shkaktonte. Përkundrazi, e keni duruar dhembjen, për të nxjerrë më pas dobi për shëndetin. Në raste të jashtëzakonshme, pranimi ose mospranimi i një mjekimi të dhembshëm mund të jetë një çështje për jetë a vdekje.
Ndërkohë që mund të mos kemi gjithnjë nevojë për kujdesin e një mjeku, të gjithë ne si njerëz të papërsosur nuk mund të bëjmë dot pa disiplinën ose ndreqjen, edhe pse, ndonjëherë, ajo mund të jetë e dhembshme. (Jeremia 10:23) Duke theksuar se sa e nevojshme është kjo për fëmijët, Bibla thotë: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.»—Fjalët e urta 22:15.
Në këtë rast, shufra është simbol i autoritetit prindëror. Është e vërtetë se pak fëmijë e pëlqejnë disiplinën. Nëse përfshin ndëshkim të ndonjë lloji, ata mund të mos jenë të kënaqur kur u jepet kjo disiplinë. Megjithatë, prindërit e mençur e të dashur shohin përtej ndjenjave të lënduara të fëmijës, shohin drejt asaj që do të arrijnë me këtë disiplinë. Prindërit e krishterë e dinë se Fjala e Perëndisë ka të drejtë kur thotë: «Asnjë disiplinë kur paraqitet nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim; mirëpo më pas, atyre që janë stërvitur prej saj, u jep fryt paqeje, domethënë, drejtësi.»—Hebrenjve 12:11; Fjalët e urta 13:24.
Sigurisht, nuk janë vetëm fëmijët që kanë nevojë për disiplinë. Edhe të rriturit kanë nevojë për të. Bibla u flet të rriturve kur thotë: «Mbaje disiplinën, mos e lësho, ruaje se ajo është jeta jote.» (Fjalët e urta 4:13, DSF) Po, personat e mençur—të rinj e të moshuar—do ta përqafojnë disiplinën e bazuar në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, sepse, duke bërë kështu, në fund të fundit do të ruajnë jetën e tyre.