Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse u zhduk ajo botë e lashtë?

Përse u zhduk ajo botë e lashtë?

Përse u zhduk ajo botë e lashtë?

PËRMBYTJA mbarëbotërore nuk qe një katastrofë natyrore. Ishte një gjykim nga Perëndia. Paralajmërimi u dha, por në përgjithësi u shpërfill. Përse? Jezui shpjegoi: «Në ato ditë përpara përmbytjes, [njerëzit] hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë, deri ditën që Noeja hyri në arkë; dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë.»​—Mateu 24:38, 39.

Një civilizim i zhvilluar

Në disa drejtime, civilizimi para Përmbytjes kishte përparësi që ne sot nuk i kemi. Për shembull, të gjithë njerëzit flitnin vetëm një gjuhë. (Zanafilla 11:1) Kjo do të ketë ndihmuar për arritjet në art e në shkencë, të cilat kërkojnë përpjekjet e përbashkëta të shumë njerëzve me aftësi të ndryshme. Gjithashtu, jeta e gjatë që kishin shumica e njerëzve atëherë nënkuptonte se mund të vazhdonin të grumbullonin atë që kishin mësuar gjatë shekujve.

Disa pohojnë se jetëgjatësia e njeriut në atë kohë nuk ishte me të vërtetë aq e madhe dhe se vitet që përmenden në tregimin e Biblës në të vërtetë ishin muaj. A është e vërtetë kjo? Shqyrtoni, për shembull, rastin e Mahalalelit. Bibla thotë: «Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi. . . . Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq.» (Zanafilla 5:15-17) Po qe se një vit nënkupton një muaj, Mahalaleli është bërë baba në moshën pesëvjeçare! E vërteta është se njerëzit atëherë ishin më afër forcës së përsosur fizike të Adamit, njeriut të parë. Ata jetonin vërtet me shekuj të tërë. Çfarë arritjesh kishin pasur?

Shumë shekuj para Përmbytjes, popullsia e tokës ishte rritur në masë të tillë, saqë Kaini, bir i Adamit, mundi të ndërtonte një qytet, të cilin e quajti Enok. (Zanafilla 4:17) Gjatë epokave para Përmbytjes, u zhvilluan shumë zeje. Kishte farkëtari për ‘çfarëdo lloj veglash prej bronzi dhe hekuri’. (Zanafilla 4:22) Pa dyshim, këto vegla përdoreshin për ndërtim, për zdrukthëtari, për rrobaqepësi dhe për bujqësi. Për të gjitha këto zanate flitet në tregimet rreth banorëve më të hershëm njerëzorë të tokës.

Njohuria që kishin grumbulluar do t’u kishte dhënë mundësi brezave pasues që të zhvillonin profesione të tilla, si: metalurgjia, agronomia, rritja e deleve dhe e gjedhëve, arti i të shkruarit dhe artet e bukura. Jubali, për shembull, ishte «babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit». (Zanafilla 4:21) Civilizimi u zhvillua gjerësisht. E megjithatë, gjithçka mori fund papritur. Çfarë ndodhi?

Çfarë nuk shkoi siç duhej?

Me gjithë përparësitë e saj, shoqëria e kohës para Përmbytjes pati një fillim të keq. Themeluesi i saj, Adami, ishte një rebel kundër Perëndisë. Kaini, ndërtuesi i qytetit të parë të dokumentuar, vrau vëllanë e tij. S’është shumë për t’u habitur që ligësia u rrit me shpejtësi! Pasojat e trashëgimisë së mangët që u la Adami pasardhësve të tij shtoheshin vazhdimisht.​—Romakëve 5:12.

Ishte e qartë se gjërat po shkonin drejt një kulmi, kur Jehovai vendosi se do ta lejonte këtë gjendje të vazhdonte vetëm për 120 vjet të tjerë. (Zanafilla 6:3) Bibla thotë: «Ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë. . . . Toka ishte . . . plot e përplot me dhunë.»​—Zanafilla 6:5, 11.

Së fundi, Noesë iu tha në mënyrë të qartë se Perëndia do të shkatërronte çdo mish me një përmbytje. (Zanafilla 6:13, 17) Ndonëse Noeja u bë «predikues i drejtësisë», me sa duket, njerëzit e kishin të vështirë ta besonin se çdo gjë përreth tyre do të zhdukej. (2 Pjetrit 2:5) Vetëm tetë veta ia vunë veshin paralajmërimit dhe shpëtuan. (1 Pjetrit 3:20) Përse është e rëndësishme kjo për ne sot?

Çfarë domethënieje ka për ne?

Ne jetojmë në kohë që janë të ngjashme me ato të Noesë. Dëgjojmë vazhdimisht për akte të tmerrshme terrorizmi; për fushata gjenocidi; për vrasje në masë nga njerëz të armatosur, pa ndonjë arsye të dukshme, si edhe për dhunë në familje në një shkallë tronditëse. Toka përsëri është mbushur plot e përplot me dhunë dhe, si më parë, bota është njoftuar për një gjykim që do të vijë. Vetë Jezui tha se do të vinte si Gjyqtari i emëruar nga Perëndia dhe do të ndante njerëzit siç i ndan një bari delet nga cjeptë. Jezui tha se ata që do të jenë të padenjë, «do të shkojnë në këputjen e përhershme». (Mateu 25:31-33, 46) Por, Bibla thotë se kësaj radhe do të ketë miliona të mbijetuar, një shumicë e madhe që adhuron të vetmin Perëndi të vërtetë. Në botën që do të vijë, këta do të gëzojnë jetën në paqe e siguri të përhershme, si kurrë më parë.​—Mikea 4:3, 4; Zbulesa 7:9-17.

Shumë veta tallen me këto pohime biblike dhe me paralajmërimet për veprimin gjykues që do t’i bëjë realitet këto pohime. Por apostulli Pjetër shpjegoi se këta cinikë po shpërfillin faktet. Ai shkroi: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës . . . duke thënë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?’ . . . Sepse, sipas dëshirës së tyre, atyre u shpëton pa vënë re kjo, se kishte qiej që nga kohët e lashta dhe një tokë që qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit me anë të fjalës së Perëndisë; dhe me anë të këtyre, bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji. Por me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të të paperëndishmëve.»​—2 Pjetrit 3:3-7.

Paralajmërimi për këtë ditë gjykimi që do të vijë dhe mesazhi i lajmit të mirë për paqen që do të pasojë po predikohen sot me zell në mbarë botën, në bindje të urdhrit profetik të Jezuit. (Mateu 24:14) Ky paralajmërim nuk duhet nënvlerësuar. Perëndia i Plotfuqishëm e mban fjalën.

Bota që do të vijë

Cila është e ardhmja e njerëzimit, duke pasur parasysh ndryshimin historik që po vjen? Në hyrje të Predikimit të tij të famshëm në Mal, Jezui premtoi: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» Pastaj vazhdoi duke i mësuar dishepujt e tij që t’i luten Perëndisë: «U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 5:5; 6:10) Po, vetë Jezui u mësoi të tjerëve se njerëzimin besnik e pret një e ardhme e mrekullueshme pikërisht këtu në tokë. Ai e quajti këtë ‘përtëritja e krijimit’.​—Mateu 19:28.

Prandaj, kur mendoni për të ardhmen, mos lejoni që tallësit t’ju bëjnë të dyshoni për paralajmërimin e Perëndisë. Vërtet, mjedisi që na rrethon mund të duket i qëndrueshëm dhe bota e sotme ka një histori të gjatë të ekzistencës së saj. Gjithsesi, nuk duhet ta vendosim sigurinë tonë tek ajo. Bota e njerëzimit tashmë është gjykuar. Merrni zemër, pra, nga përmbyllja e letrës së apostullit Pjetër.

«Pasi kështu kanë për t’u shpërbërë të gjitha këto gjëra, ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait . . . Meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që së fundi të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe. . . . Vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht.» (2 Pjetrit 3:11, 12, 14, 18) Prandaj, mësoni nga ajo që ndodhi në ditët e Noesë. Afrojuni Perëndisë. Rrituni në njohurinë e Jezu Krishtit. Kultivoni devocionin hyjnor dhe jini ndër miliona personat që zgjedhin të mbijetojnë fundin e kësaj bote, për të hyrë në botën paqësore që do të vijë.

[Figura në faqen 5]

Punimi i metaleve njihej para Përmbytjes

[Figura në faqen 7]

Një e ardhme e mrekullueshme gjendet para nesh