Si mund ta mbijetoni fundin e kësaj bote?
Si mund ta mbijetoni fundin e kësaj bote?
BIBLA e përshkruan fundin e këtij sistemi të tanishëm si «një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë». (Sofonia 1:15) Sigurisht, kjo nuk është ajo lloj dite që, normalisht, mezi do ta pritnit! E megjithatë, apostulli Pjetër i këshilloi të bashkëkrishterët e tij që ‘të pritnin dhe të mbanin gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait, nëpërmjet së cilës qiejtë, duke qenë në flakë, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shkrihen! Por sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia’.—2 Pjetrit 3:12, 13.
Këtu, Pjetri nuk po fliste për një shkatërrim të qiejve dhe të tokës të mirëfilltë. ‘Qiejtë’ dhe ‘toka’ për të cilët e kishte fjalën Pjetri në këtë kontekst janë simbolikë, pra, përfaqësojnë qeveritë e korruptuara njerëzore dhe shoqërinë e paperëndishme njerëzore në ditët tona. «Dita e Zotit» nuk do të shkatërrojë tokën vetë, por do ‘të shfarosë mëkatarët prej saj». (Isaia 13:9) Kurse, për ata që «psherëtijnë e rënkojnë për të gjitha gjërat e neveritshme» që po kryhen në shoqërinë e sotme të ligë njerëzore, dita e Jehovait do të jetë një ditë shpëtimi.—Ezekieli 9:4, BR.
Atëherë, si mund të shpëtojë një person në ‘ditën e madhe dhe frikësuese të Jehovait’? «Fjala e Jehovait» që iu zbulua njërit prej profetëve të tij, jep përgjigjen për këtë pyetje: «Ka për të ndodhur që kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.» (Joeli 1:1; 2:31, 32, BR) Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë që të mësoni se çfarë do të thotë të thërrasësh emrin e Jehovait.