Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një udhëheqje të mirë: Ku mund ta gjejmë?

Një udhëheqje të mirë: Ku mund ta gjejmë?

Një udhëheqje të mirë: Ku mund ta gjejmë?

«ÇDO shtëpi ndërtohet prej dikujt,​—thotë Bibla,​—por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4; Zbulesa 4:11) Duke qenë se Perëndia i vërtetë, Jehovai, është Krijuesi ynë, ai «e di mirë se si jemi formuar». (Psalmi 103:14, BR) Ka njohuri të plotë për kufizimet dhe për nevojat tona. E duke qenë se është një Perëndi i dashur, dëshiron t’i plotësojë këto nevoja. (Psalmi 145:16; 1 Gjonit 4:8) Nevoja jonë për një udhëheqje të mirë nuk bën përjashtim.

Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai shpalli: «Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ [udhëheqës, BR] dhe komandant të popujve.» (Isaia 55:4) Zgjidhja e krizës së sotme për sa i përket udhëheqjes përfshin të identifikojmë këtë Udhëheqës​—të emëruar nga vetë i Plotfuqishmi​—dhe të pranojmë udhëheqjen e tij. Atëherë, kush është ky Udhëheqës dhe Komandant i parathënë? Cilat janë kualifikimet e tij si udhëheqës? Për ku do të na udhëheqë? Çfarë duhet të bëjmë për të nxjerrë dobi nga udhëheqja e tij?

Vjen Udhëheqësi i premtuar

Rreth 2.500 vjet më parë, engjëlli Gabriel iu shfaq profetit Daniel dhe i tha: «Dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jerusalemi deri te Mesia, princi [Udhëheqësi, BR], do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.»​—Danieli 9:25.

Është e qartë se engjëlli po e njoftonte Danielin për kohën specifike se kur do të vinte Udhëheqësi i zgjedhur nga Jehovai. «Mesia, princi» ose Udhëheqësi do të shfaqej në fund të 69 javëve ose 483 viteve, duke e filluar numërimin nga viti 455 p.e.s., kur doli fjala për rindërtimin e Jerusalemit. * (Nehemia 2:1-8) Çfarë ndodhi në fund të asaj periudhe? Luka, një shkrimtar i Ungjillit, tregon: «Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë [në vitin 29 të e.s.], . . . deklarata e Perëndisë erdhi te Gjoni, biri i Zakarisë, në shkretëtirë. Kështu, ai erdhi në gjithë vendin përreth Jordanit, duke predikuar pagëzimin në simbol të pendimit për faljen e mëkateve.» Në atë kohë, «populli ishte në pritje» të Mesisë, Udhëheqësit. (Luka 3:1-3, 15) Ndonëse te Gjoni erdhën turma njerëzish, nuk ishte ai Udhëheqësi.

Pastaj, aty nga tetori i vitit 29 të e.s., Jezui i Nazaretit erdhi te Gjoni që të pagëzohej. Gjoni dha dëshmi, duke thënë: «E pashë frymën të zbriste nga qielli porsi një pëllumb dhe qëndroi mbi të. As unë nuk e njihja, por pikërisht Ai që më dërgoi për të pagëzuar në ujë, më tha: ‘Ai mbi të cilin sheh të zbresë e të qëndrojë fryma, ky është ai që pagëzon me frymë të shenjtë.’ Dhe unë e kam parë atë dhe kam dhënë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:32-34) Kur u pagëzua, Jezui u bë Udhëheqësi i mirosur, domethënë Mesia ose Krishti.

Po, ‘udhëheqësi dhe komandanti i popujve’ i cili ishte premtuar, doli se ishte Jezu Krishti. Kur i shqyrtojmë cilësitë e tij si udhëheqës, e dallojmë menjëherë se udhëheqja e tij i tejkalon jashtëzakonisht kërkesat e sotme për një udhëheqës ideal.

Mesia​—Një Udhëheqës ideal

Një udhëheqës i mirë jep drejtim të qartë dhe i ndihmon njerëzit që ka nën kujdes të fitojnë forcë dhe aftësi, në mënyrë që t’i zgjidhin me sukses problemet. ‘Kjo është një kërkesë paraprake për një udhëheqës të suksesshëm në shekullin e 21-të’,​—thuhet në librin 21st Century Leadership: Dialogues With 100 Top Leaders. Sa mirë i përgatiti Jezui dëgjuesit e tij për të trajtuar rrethanat e përditshme që mund t’u lindnin! Shqyrtoni vetëm fjalimin e tij më të famshëm: Predikimin në Mal. Fjalët e dokumentuara në kapitujt 5 deri në 7 të Mateut janë plot me këshilla praktike.

Shqyrtoni, për shembull, këshillën e Jezuit për sa i përket zgjidhjes së mospajtimeve personale. Ai tha: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd dhe pastaj, kur të jesh kthyer, ofro dhuratën tënde.» (Mateu 5:23, 24) Të jemi të parët për të bërë paqe me të tjerët ka përparësinë mbi gjithçka, madje edhe mbi kryerjen e një detyre fetare, si paraqitja e dhuratave në altarin e tempullit në Jerusalem, siç e kërkonte Ligji i Moisiut. Përndryshe, aktet e adhurimit janë të papranueshme për Perëndinë. Këshilla e Jezuit është po aq praktike sot, sa ishte edhe shekuj më parë.

Jezui i ndihmoi dëgjuesit e tij edhe që të shmangnin lakun e imoralitetit. Ai i këshilloi: «Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Nuk duhet të kryesh kurorëshkelje.’ Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:27, 28) Sa paralajmërim me vend! Përse duhet t’i hyjmë rrugës drejt kryerjes së kurorëshkeljes, duke vazhduar të mendojmë për të? Jezui tha se nga zemra dalin kurvëria dhe kurorëshkelja. (Mateu 15:18, 19) Bëjmë mirë ta ruajmë zemrën.​—Fjalët e urta 4:23.

Predikimi në Mal përmban, gjithashtu, këshilla të shkëlqyera ku përfshihen: të duam armiqtë, të shfaqim bujari, të kemi pikëpamjen e duhur për gjërat materiale dhe frymore, e gjëra të ngjashme me këto. (Mateu 5:43-47; 6:1-4, 19-21, 24-34) Madje, Jezui u tregoi atyre që e dëgjonin se si të kërkonin ndihmën e Perëndisë, duke u mësuar se si të luteshin. (Mateu 6:9-13) Mesia, Udhëheqësi, i forcon dhe i përgatit ithtarët e tij që të përballojnë problemet e zakonshme për njerëzimin.

Gjashtë herë në Predikimin në Mal, Jezui i fillon pohimet e tij me shprehjen «ju keni dëgjuar se qe thënë» ose «veç kësaj, qe thënë». Por, pastaj, paraqet një ide tjetër, duke thënë, «megjithatë, unë po ju them». (Mateu 5:21, 22, 27, 28, 31-34, 38, 39, 43, 44) Kjo tregon se dëgjuesit e tij ishin mësuar të vepronin në njëfarë mënyre, sipas traditave gojore të farisenjve. Mirëpo, Jezui po u tregonte një udhë të ndryshme, e cila pasqyronte frymën e vërtetë të Ligjit të Moisiut. Kështu, Jezui po paraqiste një ndryshim dhe këtë e bëri në një mënyrë që ua bëri më të lehtë ithtarëve të tij ta pranonin. Po, Jezui i nxiste njerëzit që të bënin ndryshime rrënjësore në jetën e tyre, frymësisht dhe moralisht. Kjo është shenjë e një udhëheqësi të vërtetë.

Një manual mbi administrimin tregon se sa e vështirë është të sjellësh një ndryshim të tillë. Aty thuhet: «Personit [udhëheqësit] që sjell ndryshimin i duhet ndjeshmëria e një punonjësi social, gjykimi i thellë i një psikologu, qëndrueshmëria e një maratonisti, ngulmimi i një qeni bulldog, pavarësia e një eremiti dhe durimi i një shenjtori. Edhe sikur t’i ketë të gjitha këto cilësi, nuk ka asnjë siguri për suksesin.»

«Udhëheqësit duhet të sillen ashtu siç dëshirojnë të sillen ithtarët e tyre»,​—thuhej në një artikull me titull «Udhëheqja: A kanë rëndësi cilësitë?» Në të vërtetë, një udhëheqës i mirë e vë në zbatim atë që predikon. Sa e vërtetë ishte kjo në rastin e Jezu Krishtit! Vërtet, ai u mësonte personave që kishte përreth që të ishin të përulur, por u dha edhe një mësim praktik, duke u larë këmbët. (Gjoni 13:5-15) Nuk është se ai vetëm sa i dërgoi dishepujt të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, por u përpoq vetë fuqimisht në atë vepër. (Mateu 4:18-25; Luka 8:1-3; 9:1-6; 10:1-24; Gjoni 10:40-42) E për sa i përket mënyrës së reagimit ndaj udhëheqjes, Jezui la vetë shembullin. «Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet,​—tha ai për veten e tij,​—por vetëm atë që sheh se bën Ati.»​—Gjoni 5:19.

Shqyrtimi i mësipërm i asaj që tha e që bëri Jezui e tregon qartë se ai është Udhëheqësi ideal. Në të vërtetë, ai i tejkalon të gjitha normat që kanë njerëzit për një udhëheqje të mirë. Jezui është i përsosur. Ai jeton përgjithmonë, duke qenë se pas vdekjes dhe ringjalljes mori pavdekësinë. (1 Pjetrit 3:18; Zbulesa 1:13-18) Cili udhëheqës njerëzor mund të barazohet me këto kualifikime?

Çfarë duhet të bëjmë?

Si Mbreti sundues i Mbretërisë së Perëndisë, Mesia, Udhëheqësi, do të derdhë bekime për njerëzimin e bindur. Lidhur me këtë, Shkrimet premtojnë: «Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:9) «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:11) «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më.» (Mikea 4:4) «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»​—Zbulesa 21:3, 4.

Bota sot po përjeton një krizë për sa i përket udhëheqjes, kurse Jezu Krishti po i udhëheq zemërbutët drejt një bote të re paqësore. Në të, njerëzimi i bindur do të jetë i bashkuar në adhurimin e Perëndisë Jehova dhe do të ecë përpara drejt përsosmërisë. Sa jetësore është që të gjejmë kohë e të marrim njohuri për Perëndinë e vërtetë dhe për Udhëheqësin që ai ka emëruar, si edhe të veprojmë në harmoni me këtë njohuri!​—Gjoni 17:3.

Një nga vlerësimet më të mira që mund t’i bëjmë një personi është ta imitojmë atë. Atëherë, a nuk duhet të përpiqemi të imitojmë Udhëheqësin më të madh në historinë njerëzore, Jezu Krishtin? Si mund ta bëjmë këtë? Çfarë ndikimi do të ketë në jetën tonë pranimi i udhëheqjes së tij? Këto pyetje, si edhe të tjera, do të trajtohen në dy artikujt vijues.

[Shënimi]

[Figura në faqen 4]

Danieli paratha ardhjen e Udhëheqësit të zgjedhur nga Perëndia

[Figurat në faqen 7]

Mësimet e Jezuit i përgatitnin njerëzit që të përballonin problemet e jetës

[Figura në faqen 7]

Jezui do ta udhëheqë njerëzimin e bindur në një botë të re paqësore