Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet që besimi të bazohet tek arsyeja?

A duhet që besimi të bazohet tek arsyeja?

A duhet që besimi të bazohet tek arsyeja?

«Janë jashtëzakonisht të shumtë njerëzit ‘fetarë’, të cilët bëhen fetarë pikërisht që të mos u duhet ta vrasin mendjen»,​—shkruan dekani i një seminari teologjik në Shtetet e Bashkuara. «Ata duan që thjesht ta pranojnë çdo gjë ‘me besim’»,​—shton ai.

ÇFARË nënkupton kjo? Shumica e njerëzve që pohojnë se i përkasin një besimi fetar nuk mendojnë shumë përse besojnë ose nëse ka një bazë të arsyeshme për besimin e tyre. Nuk është për t’u habitur që feja është bërë një argument për të cilin shumë nuk kanë qejf të flasin.

Mjerisht, praktika të tilla, si përdorimi i shëmbëlltyrave fetare dhe përsëritja e lutjeve përmendësh nuk nxitin vënien në punë të arsyes. Përvoja fetare që kanë miliona veta përmblidhet pak a shumë në këto praktika, bashkë me arkitekturën mbresëlënëse, me dritaret e stolisura me xhama me ngjyra, si edhe me muzikën që të bën për vete. Ndonëse disa kisha pohojnë që besimi i tyre bazohet në Bibël, mesazhi i tyre ‘beso te Jezui dhe do të shpëtosh’ nuk i jep rëndësi studimit serioz të Biblës. Të tjerë predikojnë ungjillin shoqëror ose politik. Cilat janë pasojat e gjithë kësaj?

Për gjendjen në Amerikën e Veriut, një shkrimtar për fenë tha: «Krishterimi . . . ka prirjen të jetë sipërfaqësor [dhe] përkrahësit e tij janë shumë pak të arsimuar për besimin e tyre.» Madje, një anketues shkoi deri aty sa i përshkroi Shtetet e Bashkuara si «një komb me analfabetë biblikë». Për të qenë të ndershëm, këto komente do të ishin të vërteta edhe për vende të tjera ku mbizotëron i ashtuquajturi krishterim. Në mënyrë të ngjashme, shumë fe jo të krishtere nuk nxitin arsyetimin, por, në vend të kësaj, e vënë theksin te psaljet, lutjet ritualiste dhe forma të ndryshme meditimi që përfshijnë misticizmin, jo mendimin logjik e ndërtues.

E megjithatë, në jetën e përditshme, po ata njerëz që nuk mendojnë shumë se sa të sakta ose të vërteta janë bindjet e tyre fetare, shpesh mendojnë me shumë kujdes për gjëra të tjera. A nuk ju duket e çuditshme që një person të bëjë kërkime të hollësishme vetëm për të blerë një makinë​—e cila një ditë do të përfundojë në hekurishte,​—kurse për fenë e tij të thotë, ‘po qe se bënte për prindërit e mi, bën edhe për mua’?

Po të jemi vërtet të interesuar që t’i pëlqejmë Perëndisë, a nuk duhet ta shqyrtojmë seriozisht saktësinë e asaj që besojmë për të? Apostulli Pavël foli për disa njerëz fetarë të kohës së tij, të cilët kishin «zell për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Këta njerëz mund të krahasohen me një person që e kanë marrë në punë si bojaxhi, i cili punon shumë për të lyer një shtëpi, por përdor bojëra me ngjyrat e gabuara, pasi nuk ka dëgjuar udhëzimet e pronarit. Bojaxhiu mund të jetë i kënaqur me punën e tij, por, a do ta pranonte atë pronari i shtëpisë?

Çfarë është e pranueshme për Perëndinë, për sa i përket adhurimit të vërtetë? Bibla përgjigjet: «Kjo është e shkëlqyer dhe e pranueshme në sy të Shpëtimtarit tonë, Perëndisë, vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës.» (1 Timoteut 2:3, 4) Disa mund të mendojnë se është e pamundur ta gjesh këtë njohuri në fetë e shumta sot. Por, mendoni: nëse është vullneti i Perëndisë që njerëzit të marrin njohuri të saktë për të vërtetën, a do t’ua fshihte ai këtë njohuri njerëzve, në mënyrë të padrejtë? Sipas Biblës jo, pasi ajo thotë: «Në rast se ti e kërkon [Perëndinë], ai do të të lërë ta gjesh.»​—1 Kronikave 28:9.

Si ua zbulon Perëndia veten atyre që e kërkojnë me të vërtetë? Artikulli vijues do të japë përgjigjen.