Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkojeni Perëndinë me zemër e me mendje

Kërkojeni Perëndinë me zemër e me mendje

Kërkojeni Perëndinë me zemër e me mendje

Krishtërimi i vërtetë inkurajon që të përdorim edhe zemrën, edhe mendjen për të ndërtuar një besim që i pëlqen Perëndisë.

NË TË vërtetë, themeluesi i krishterimit, Jezu Krishti, mësoi se duhet ta duam Perëndinë me «gjithë mendjen» ose intelektin tonë, përveçse me «gjithë zemrën» dhe me «gjithë shpirtin». (Mateu 22:37) Pikërisht, aftësitë mendore duhet të luajnë rol kyç në adhurimin tonë.

Kur i ftonte dëgjuesit e tij që të meditonin për mësimet që u jepte, shpesh Jezui thoshte: «Si mendoni?» (Mateu 17:25; 18:12; 21:28; 22:42) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pjetër u shkroi bashkëbesimtarëve për të ‘zgjuar aftësitë e tyre për të menduar në mënyrë të kthjellët’. (2 Pjetrit 3:1) Misionari i hershëm që udhëtoi më shumë, apostulli Pavël, u bëri thirrje të krishterëve që të përdornin ‘fuqinë e tyre për të arsyetuar’ dhe të ‘provonin për veten e tyre vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë’. (Romakëve 12:1, 2) Të krishterët mund të ndërtojnë një besim që i pëlqen Perëndisë dhe që u bën ballë sprovave që lindin në jetë, vetëm duke bërë një shqyrtim të tillë të plotë e të kujdesshëm të bindjeve të tyre.​—Hebrenjve 11:1, 6.

Për t’i ndihmuar të tjerët që të ndërtonin një besim të tillë, ungjillëzuesit e hershëm të krishterë ‘arsyetonin me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e duke provuar me fragmente të cituara’ gjërat që mësonin. (Veprat 17:1-3) Një trajtim i tillë që bazohet në arsyen solli si pasojë një përgjigje të shkëlqyer nga njerëzit me zemër të ndershme. Për shembull, disa njerëz në qytetin maqedonas të Beresë, «e pranuan fjalën [e Perëndisë] me etjen më të madhe të mendjes, duke i shqyrtuar me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra [që u shpjegonin Pavli dhe shokët e tij] ishin ashtu». (Veprat 17:11) Këtu ka dy gjëra që vlejnë të përmenden. Së pari, bereasit ishin të etur për ta dëgjuar Fjalën e Perëndisë dhe, së dyti, nuk e pranuan verbërisht se ajo që po dëgjonin ishte e saktë, por e ballafaquan me Shkrimet. Me përulësi, misionari i krishterë Luka i lavdëroi bereasit për këtë, duke i quajtur «fisnikë nga mendja». A pasqyroni edhe ju një mendje të tillë fisnike, kur shqyrtoni gjërat frymore?

Mendja dhe zemra bashkëveprojnë

Siç u përmend më parë, adhurimi i vërtetë përfshin edhe mendjen, edhe zemrën. (Marku 12:30) Mendoni përsëri për ilustrimin në artikullin e mëparshëm, me bojaxhiun që leu një shtëpi duke mos përdorur bojërat me ngjyrat e duhura. Po t’i kishte dëgjuar me kujdes udhëzimet e punëdhënësit, mund t’i ishte kushtuar me gjithë zemër punës dhe do të ishte i sigurt se puna e tij do të kishte miratimin e pronarit të shtëpisë. E njëjta gjë zbatohet edhe për adhurimin tonë.

«Adhuruesit e vërtetë,​—tha Jezui,​—do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:23) Kështu, apostulli Pavël shkroi: «Dhe për këtë arsye . . . ne nuk kemi pushuar së luturi për ju e së kërkuari që të jeni të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore, në mënyrë që të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij.» (Kolosianëve 1:9, 10) Kjo ‘njohuri e saktë’ u jep mundësi njerëzve të çiltër që t’i kushtohen me gjithë zemër adhurimit të tyre, me siguri të plotë, sepse ‘adhurojnë atë që e njohin’.​—Gjoni 4:22.

Për këto arsye, Dëshmitarët e Jehovait nuk pagëzojnë fëmijë të vegjël ose njerëz të sapointeresuar, të cilët nuk i kanë studiuar me kujdes Shkrimet. Jezui i porositi ithtarët e tij: «Bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Vetëm pasi të kenë marrë njohuri të saktë të vullnetit të Perëndisë, studentët e sinqertë të Biblës mund të marrin një vendim të bazuar në njohurinë, për çështjen e adhurimit. A po përpiqeni të fitoni një njohuri të tillë të saktë?

Të kuptojmë Lutjen e Zotërisë

Për të parë se sa ndryshe është të kesh njohurinë e saktë të Biblës dhe të kesh një njohuri sipërfaqësore të asaj që thotë ajo, le të shqyrtojmë atë që zakonisht e quajnë lutja Ati ynë ose lutja e Zotërisë. Kjo lutje është dokumentuar te Mateu 6:9-13.

Miliona veta e thonë rregullisht përmendësh në kishë lutjen model të Jezuit. Por sa prej tyre kanë mësuar domethënien e saj, sidomos të pjesës së parë të lutjes, e cila flet për emrin e Perëndisë dhe për Mbretërinë e tij? Këto argumente janë kaq të rëndësishme, saqë Jezui i renditi të parat në lutje.

Lutja fillon: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt», domethënë u bëftë i shenjtë. Vini re se Jezui tha të lutemi që të shenjtërohet emri i Perëndisë. Për shumë njerëz, kjo ngre të paktën dy pyetje: Së pari, cili është emri i Perëndisë? Dhe së dyti, përse ka nevojë të shenjtërohet ai?

Përgjigjen e pyetjes së parë mund ta gjejmë në më shumë se 7.000 vende në Bibël, në gjuhët e saj origjinale. Një vend është Psalmi 83:18, ku thuhet: «Edhe le të njohënë, se vetëmë ti, që ke emërinë Jehovah, je i lartë mbë gjithë dhenë.» (BK) Për sa i përket emrit hyjnor, Jehova, tek Eksodi 3:15 thuhet: «Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë.» * Por, përse emri i Perëndisë, emër që është vetë personifikimi i pastërtisë e i shenjtërisë, ka nevojë të shenjtërohet? Sepse, që nga fillimi i historisë njerëzore, mbi të janë hedhur sharje dhe shpifje.

Në Eden, Perëndia i tha Adamit dhe Evës se do të vdisnin, po të hanin nga fruti i ndaluar. (Zanafilla 2:17) Satanai e kundërshtoi me arrogancë Perëndinë, duke i thënë Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» Në këtë mënyrë, Satanai e akuzoi Perëndinë se gënjente. Por nuk u mjaftua me kaq. Hodhi edhe më shumë sharje mbi emrin e Perëndisë, duke i thënë Evës se Perëndia po i mbante pa të drejtë një njohuri që do të ishte e vlefshme për të. «Por Perëndia e di që ditën që do t’i hani [frytet e pemës së njohjes së të mirës dhe të së keqes], sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» Ç’shpifje!​—Zanafilla 3:4, 5.

Duke ngrënë frutin e ndaluar, Adami dhe Eva morën anën e Satanait. Që nga ajo kohë, shumë njerëz, me ose pa dijeni, e kanë rënduar atë sharje fillestare, duke hedhur poshtë normat e drejta të Perëndisë. (1 Gjonit 5:19) Njerëzit ende shpifin për Perëndinë, duke ia hedhur atij fajin për vuajtjet, edhe sikur këto të vijnë për shkak të rrugëve të tyre të këqija. «Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit»,​—thuhet te Fjalët e urta 19:3. A e kuptoni se përse Jezui, i cili e donte vërtet Atin e tij, u lut për shenjtërimin e emrit të Tij?

«Ardhtë mbretëria jote»

Pasi u lut që të shenjtërohet emri i Perëndisë, Jezui tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:10) Për këtë pjesë, mund të pyesim: Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Çfarë lidhjeje ka ardhja e saj me bërjen e vullnetit të Perëndisë në tokë?

Në Bibël fjala «mbretëri» në thelb do të thotë «sundim nga një mbret». Është logjike, pra, që Mbretëria e Perëndisë duhet të ketë të bëjë me një sundim ose qeveri nga Perëndia, të drejtuar nga një mbret që ai e zgjedh. Ky Mbret s’është askush tjetër përveçse Jezu Krishti i ringjallur, ‘Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve’. (Zbulesa 19:16; Danieli 7:13, 14) Për Mbretërinë mesianike të Perëndisë, të drejtuar nga Jezu Krishti, profeti Daniel shkroi: «Në kohën e këtyre mbretërve [qeverive njerëzore që po sundojnë tani], Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»​—Danieli 2:44.

Po, Mbretëria e Perëndisë do të marrë në dorë kontrollin e plotë të tokës, duke e çliruar nga gjithë të ligjtë dhe duke sunduar «përjetë». Në këtë mënyrë, Mbretëria e Perëndisë është mjeti me anë të të cilit Jehovai e shenjtëron emrin e tij, duke e pastruar nga gjithë sharjet gënjeshtare të Satanait dhe të njerëzve të ligj.​—Ezekieli 36:23.

Si të gjitha qeveritë, Mbretëria e Perëndisë ka nënshtetas. Cilët janë këta? Bibla përgjigjet: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:11) Në mënyrë të ngjashme, Jezui tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» Sigurisht, këta persona kanë njohuri të saktë për Perëndinë, e cila është një kërkesë për të pasur jetën.​—Mateu 5:5; Gjoni 17:3.

Arrini ta përfytyroni të gjithë botën të mbushur me njerëz me zemër e natyrë të butë, të cilët e duan vërtet Perëndinë dhe njëri-tjetrin? (1 Gjonit 4:7, 8) Për këtë u lut Jezui, kur tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» A e kuptoni përse Jezui i mësoi ithtarët e tij që të luten në këtë mënyrë? Ç’është më e rëndësishmja, a e kuptoni se si mund t’ju prekë personalisht përmbushja e kësaj lutjeje?

Miliona njerëz tani po arsyetojnë me anë të Shkrimeve

Jezui paratha zhvillimin e një fushate botërore arsimimi frymor, për të njoftuar Mbretërinë e ardhshme të Perëndisë. Ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi [i botës së tanishme ose i sistemit].»​—Mateu 24:14.

Përreth botës, rreth gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait po e përhapin këtë lajm të mirë te njerëzit e tjerë. Ata ju ftojnë që të mësoni më shumë për Perëndinë dhe për Mbretërinë e tij, duke «i shqyrtuar me kujdes Shkrimet» dhe duke përdorur fuqinë tuaj për të arsyetuar. Kjo do t’jua forcojë besimin dhe do t’i bëjë sytë tuaj të ndriçojnë nga shpresa e jetës në një tokë parajsore. Kjo tokë do të jetë e ‘mbushur me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin’.​—Isaia 11:6-9.

[Shënimi]

^ par. 14 Disa studiues pëlqejnë përkthimin «Jahve» në vend të «Jehova». Nga ana tjetër, shumica e përkthyesve të Biblës në kohët tona e kanë hequr emrin e Perëndisë nga përkthimet e tyre në cilëndo formë që gjendej, duke e zëvendësuar me titujt e përgjithshëm «Zotëri» ose «Perëndi». Për një trajtim të hollësishëm të emrit të Perëndisë, të lutemi shih broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

IMITONI MËSUESIN E MADH

Jezui shpesh mësonte duke u përqendruar në argumente të veçanta biblike. Për shembull, pasi u ringjall, ai u shpjegoi dy dishepujve që ishin të pështjelluar për vdekjen e tij rolin që kishte në qëllimin e Perëndisë. Te Luka 24:27 thuhet: «Duke nisur nga Moisiu dhe të gjithë profetët, u interpretoi në të gjitha Shkrimet gjërat që i përkitnin atij vetë.»

Vini re se Jezui zgjodhi një temë të veçantë,​—‘atë vetë’, Mesinë​—dhe se në trajtimin e tij citoi nga «të gjitha Shkrimet». Me fjalë të tjera, Jezui i lidhi me njëri-tjetrin shkrimet biblike përkatëse si pjesët e një mozaiku, dhe kjo u dha mundësi dishepujve të shihnin një model të qartë të së vërtetës frymore. (2 Timoteut 1:13) Si rrjedhim, ata jo vetëm që u ndriçuan, por edhe u prekën thellësisht. Tregimi na thotë: «I thanë njëri-tjetrit: ‘A nuk digjej zemra jonë ndërsa po na fliste rrugës, ndërsa po na hapte plotësisht Shkrimet?’»​—Luka 24:32.

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen që në shërbimin e tyre të imitojnë metodat e Jezuit. Botimet ndihmëse kryesore që përdorin janë broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Këto botime trajtojnë me dhjetëra argumente interesante biblike, si: «Kush është Perëndia?», «Përse i lejon Perëndia vuajtjet?», «Si mund ta gjesh fenë e vërtetë?», «Këto janë ditët e fundit!» dhe «Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë». Çdo mësim përmban një numër të madh shkrimesh.

Jeni të mirëpritur të takoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose të shkruani në adresën që ndodhet në faqen 2 të kësaj reviste, për të kërkuar një studim biblik pa pagesë të këtyre temave dhe temave të tjera.

[Figura]

Preke zemrën e studentit duke u përqendruar në argumente të veçanta biblike

[Figurat në faqen 7]

A e kuptoni domethënien e lutjes model të Jezuit?

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt . . .»

«Ardhtë mbretëria jote [mesianike] . . .»

«U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë»