Kurrë s’është tepër vonë për të mësuar
Kurrë s’është tepër vonë për të mësuar
KSENIA lindi në vitin 1897. Pati tri vajza dhe një djalë; 15 nipër e mbesa; 25 stërnipër e stërmbesa. Gjatë gjithë jetës bëri atë që prindërit i kishin mësuar të bënte. Ndonëse kishte ardhur në Moskë si refugjate nga Republika Abkaze e copëtuar nga lufta (republikë që ndodhet midis Detit të Zi dhe Kaukazit), ajo ishte më se e kënaqur me jetën e saj e sidomos me atë që e quante besimin e saj të trashëguar.
Në vitin 1993, Meri, një nga vajzat e Ksenias, u bë Dëshmitare e Jehovait. Meri filloi t’i fliste Ksenias për Perëndinë Jehova dhe për Biblën, por ajo nuk donte të dëgjonte. Vazhdonte t’i thoshte së bijës: «Është tepër vonë për mua që të mësoj diçka të re.»
Gjithsesi, vajza e saj Meri, e shoqja e stërnipit, Londa, si edhe stër-stërmbesat Nana dhe Zaza, të cilat ishin bërë Dëshmitare të Jehovait, vazhdonin t’i flitnin për Biblën. Një mbrëmje në vitin 1999, i lexuan Ksenias një shkrim që i preku zemrën. Ky shkrim përmbante fjalët prekëse që Jezui u tha apostujve besnikë kur po themelonte Darkën e Zotërisë. (Luka 22:19, 20) Atë mbrëmje, në moshën 102-vjeçare, Ksenia vendosi të fillonte të studionte Biblën.
«Pasi kisha jetuar 102 vjet,—thotë Ksenia,—më në fund kuptova domethënien e jetës. Tani e kuptoj se nuk ka asgjë më të mirë sesa t’i shërbejmë Perëndisë tonë të mrekullueshëm e të dashur, Jehovait. Jam ende e kthjellët dhe e shëndetshme. Lexoj pa pasur nevojë për syze dhe shoqërohem në mënyrë aktive me familjen.»
Ksenia u pagëzua më 5 nëntor 2000. Ajo thotë: «Tani ia kushtoj jetën Jehovait, për t’i shërbyer me dashuri. Lë revista dhe fletushka kur qëndroj ulur në stacionin e autobusit që është afër shtëpisë sime. Shpesh më vijnë për vizitë kushërinj e unë u flas me lumturi për të vërtetën rreth Jehovait.»
Ksenia mezi pret ditën kur ‘mishi i saj do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ajo do të kthehet në ditët e rinisë së saj’. (Jobi 33:25) Nëse një njëqindvjeçare nuk ndihet tepër e moshuar për të mësuar nga Bibla domethënien e jetës, po ju?