Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse të pagëzohemi?

Përse të pagëzohemi?

Përse të pagëzohemi?

«Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar.»​—MATEU 28:19.

1, 2. (a) Në ç’rrethana janë bërë disa pagëzime? (b) Cilat pyetje lindin për sa i përket pagëzimit?

NË VITET 775-777 të e.s., mbreti frank Karli i Madh i detyroi saksonët që kishte pushtuar të pagëzoheshin në masë. «Ai i detyroi me forcë që të ktheheshin sa për emër në besimin e krishterë»,​—shkroi historiani Xhon Lord. Në mënyrë të ngjashme, pasi u martua me një princeshë ortodokse-greke në vitin 987 të e.s., sundimtari rus Vladimiri I vendosi që nënshtetasit e tij të bëheshin «të krishterë». Ai dekretoi pagëzimin në masë të popullit të tij, qoftë edhe nën kërcënimin e shpatës po të ishte e nevojshme.

2 A ishin të përshtatshme këto pagëzime? A kanë domethënie të vërtetë? A duhet të pagëzohet thjesht kushdo?

Pagëzim: Në ç’mënyrë?

3, 4. Përse spërkatja me ujë ose derdhja e ujit në kokë nuk është një pagëzim i përshtatshëm i krishterë?

3 Kur Karli i Madh dhe Vladimiri I i detyruan njerëzit që të pagëzoheshin, këta sundimtarë nuk po vepronin në harmoni me Fjalën e Perëndisë. Në të vërtetë, nuk ka asnjë dobi kur pagëzimet përfshijnë spërkatjen, derdhjen e ujit mbi kokë ose edhe zhytjen në ujë të individëve të cilëve nuk u është mësuar e vërteta biblike.

4 Shqyrtoni se çfarë ndodhi në vitin 29 të e.s. kur Jezui i Nazaretit shkoi te Gjon Pagëzori. Gjoni po pagëzonte njerëz në lumin Jordan. Ata kishin ardhur vullnetarisht tek ai për t’u pagëzuar. A u thoshte njerëzve thjesht që të qëndronin në Jordan, ndërsa u hidhte në kokë pak ujë nga lumi ose i spërkaste me të? Çfarë ndodhi kur Gjoni pagëzoi Jezuin? Mateu dokumenton se pasi u pagëzua, «Jezui doli menjëherë nga uji». (Mateu 3:16) Ai kishte qenë poshtë nën ujë, sepse ishte zhytur në lumin Jordan. Në mënyrë të ngjashme, eunuku i devotshëm etiopas u pagëzua në «një vend me ujë». Ishin të nevojshme vende të tilla me ujë, sepse pagëzimet e Jezuit dhe të dishepujve të tij përfshinin zhytjen e plotë në ujë.​—Veprat 8:36.

5. Si i pagëzonin të krishterët e hershëm njerëzit?

5 Fjalët greke që përkthehen «pagëzoj», «pagëzim» e kështu me radhë, nënkuptojnë të zhytesh, të kridhesh ose të fundosesh nën ujë. Një fjalor, Smith’s Bible Dictionary, thotë: «Pagëzimi në kuptimin e saktë e të mirëfilltë do të thotë zhytje.» Prandaj, disa përkthime të Biblës përdorin «Gjon Zhytësi» dhe «Gjon kredhësi». (Mateu 3:1, Rotherham; interlineari Diaglott) Në librin e August Neanderit, (History of the Christian Religion and Church, During the Three First Centuries), thuhet: «Fillimisht pagëzimi bëhej duke u zhytur.» Në veprën e famshme franceze Larousse du XXe Siècle (Paris, 1928) komentohet: «Të krishterët e parë pagëzoheshin duke u zhytur, kudo ku kishte ujë.» Po ashtu, në New Catholic Encyclopedia thuhet: «Është e dukshme se pagëzimi në Kishën e hershme bëhej duke u zhytur.» (1967, Vëllimi II, faqja 56) Prandaj, sot, pagëzimi si Dëshmitar i Jehovait është një hap që bëhet vullnetarisht e që përfshin zhytjen e plotë në ujë.

Një arsye e re për t’u pagëzuar

6, 7. (a) Për cilin qëllim i bënte Gjoni pagëzimet? (b) Çfarë kishte të re pagëzimi që bënin ithtarët e Jezuit?

6 Pagëzimet që bënte Gjoni kishin një qëllim të ndryshëm nga pagëzimet që bënin ithtarët e Jezuit. (Gjoni 4:1, 2) Gjoni pagëzonte njerëz si një simbol publik i pendimit të tyre për mëkatet që kishin bërë kundër Ligjit. * (Luka 3:3) Por, në pagëzimin që bënin ithtarët e Jezuit përfshihej diçka e re. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër i nxiti ata që po dëgjonin: «Pendohuni e secili nga ju le të pagëzohet në emrin e Jezu Krishtit për faljen e mëkateve tuaja.» (Veprat 2:37-41) Ndonëse po u drejtohej judenjve dhe prozelitëve, Pjetri nuk po fliste për pagëzimin në simbol të pendimit për mëkatet kundër Ligjit. As nuk donte të thoshte se pagëzimi në emër të Jezuit përfaqëson larjen e mëkateve.​—Veprat 2:10.

7 Në atë rast, Pjetri përdori të parin nga «çelësat e mbretërisë». Për cilin qëllim? Për t’u zbuluar dëgjuesve të tij njohurinë rreth mundësisë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. (Mateu 16:19) Meqë judenjtë e kishin hedhur poshtë Jezuin si Mesi, të pendoheshin e të ushtronin besim tek ai ishte një faktor i ri dhe jetësor për të kërkuar e për të marrë faljen nga Perëndia. Mund ta bënin të njohur para të tjerëve këtë besim duke u zhytur në ujë në emër të Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë, do ta simbolizonin dedikimin e tyre personal ndaj Perëndisë nëpërmjet Krishtit. Të gjithë ata që duan miratimin hyjnor sot, duhet të ushtrojnë një besim të ngjashëm, t’i dedikohen Perëndisë Jehova dhe të bëjnë pagëzimin e krishterë në simbol të dedikimit pa rezerva ndaj Perëndisë Më të Lartë.

Njohuria e saktë është thelbësore

8. Përse pagëzimi i krishterë nuk është për këdo?

8 Pagëzimi i krishterë nuk është për këdo. Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Para se të pagëzohen, njerëzit duhen ‘mësuar që të zbatojnë të gjitha gjërat që Jezui u urdhëroi dishepujve të tij’. Prandaj, pagëzimi me detyrim i atyre që nuk kanë besim të bazuar në njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë nuk ka vlerë dhe është në kundërshtim me urdhrin që u dha Jezui ithtarëve të tij të vërtetë.​—Hebrenjve 11:6.

9. Çfarë do të thotë të pagëzohesh «në emër të Atit»?

9 Çfarë do të thotë të pagëzohesh «në emër të Atit»? Do të thotë që kandidati për pagëzim e pranon pozitën dhe autoritetin e Atit tonë qiellor. Pra, e pranon Perëndinë Jehova si Krijuesin tonë, ‘Më të Lartin në tërë dheun’ dhe Sovranin Universal.​—Psalmi 83:18, BR; Isaia 40:28; Veprat 4:24.

10. Çfarë do të thotë të pagëzohesh ‘në emër të Birit’?

10 Të pagëzohesh ‘në emër të Birit’ do të thotë të pranosh pozitën dhe autoritetin e Jezuit si Biri i vetëmlindur i Perëndisë. (1 Gjonit 4:9) Ata që kualifikohen për pagëzim e pranojnë Jezuin si atë nëpërmjet të cilit Perëndia ka siguruar një «shpërblesë në këmbim të shumë vetave». (Mateu 20:28; 1 Timoteut 2:5, 6) Kandidatët për pagëzim duhet të pranojnë, gjithashtu, ‘pozitën më të lartë’ në të cilën Perëndia e ka ngritur Birin e tij.​—Filipianëve 2:8-11; Zbulesa 19:16.

11. Çfarë nënkupton pagëzimi ‘në emër të frymës së shenjtë’?

11 Cila është domethënia e pagëzimit ‘në emër të frymës së shenjtë’? Kjo tregon se kandidatët për pagëzim e pranojnë që fryma e shenjtë është forca vepruese e Jehovait, e përdorur në mënyra të ndryshme, në harmoni me qëllimin e tij. (Zanafilla 1:2; 2 Samuelit 23:1, 2; 2 Pjetrit 1:21) Ata që kualifikohen për pagëzim e pranojnë se fryma e shenjtë i ndihmon të kuptojnë «gjërat e thella të Perëndisë», të kryejnë veprën e predikimit të Mbretërisë, si edhe të shfaqin frytet e frymës: «dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin».​—1 Korintasve 2:10; Galatasve 5:22, 23; Joeli 2:28, 29.

Rëndësia e pendimit dhe e kthimit në besim

12. Ç’lidhje ka pagëzimi i krishterë me pendimin?

12 Përveç rastit të Jezuit, që ishte njeri pa mëkat, pagëzimi është një simbol i miratuar nga Perëndia, i shoqëruar me pendimin. Kur pendohemi, ndiejmë keqardhje të thellë ose hidhërim për diçka që kemi bërë ose që nuk kemi arritur ta bëjmë. Në shekullin e parë, judenjtë që donin t’i pëlqenin Perëndisë, duhej të pendoheshin për mëkatet që kishin bërë kundër Krishtit. (Veprat 3:11-19) Disa besimtarë johebrenj në Korint u penduan për kurvërinë, idhujtarinë, vjedhjen e për mëkate të tjera të rënda. Për shkak se u penduan, ata u ‘lanë’ në gjakun e Jezuit, u ‘shenjtëruan’ ose u ndanë mënjanë për t’i shërbyer Perëndisë, si edhe u ‘shpallën të drejtë’ në emër të Krishtit e me frymën e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9-11) Pendimi është një hap jetësor për të fituar një ndërgjegje të mirë dhe lehtësimin që jep Perëndia nga faji lidhur me mëkatet.​—1 Pjetrit 3:21.

13. Çfarë përfshin kthimi në besim, në lidhje me pagëzimin?

13 Kthimi në besim duhet të ndodhë më përpara se të pagëzohemi si Dëshmitarë të Jehovait. Kthimi në besim është një veprim i vullnetshëm që bëhet lirisht nga një person i cili ka marrë vendim me gjithë zemër për të ndjekur Krishtin Jezu. Këta individë hedhin poshtë drejtimin e tyre të mëparshëm të gabuar dhe vendosin të bëjnë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. Në Shkrime foljet hebraike dhe greke që lidhen me kthimin në besim kanë kuptimin të prapësohesh, të kthehesh mbrapsht. Ky veprim tregon kthimin te Perëndia, duke u larguar nga një rrugë e gabuar. (1 Mbretërve 8:33, 34) Kthimi në besim kërkon «vepra të denja për pendim». (Veprat 26:20) Kërkon që të braktisim adhurimin e rremë, të veprojmë në harmoni me urdhërimet e Perëndisë dhe t’i japim Jehovait devocion ekskluziv. (Ligji i përtërirë 30:2, 8-10; 1 Samuelit 7:3) Kthimi në besim sjell si pasojë ndryshime në mënyrën e të menduarit, në synimet dhe në karakterin tonë. (Ezekieli 18:31) ‘Kthehemi’ ndërkohë që tiparet e paperëndishme zëvendësohen me personalitetin e ri.​—Veprat 3:19; Efesianëve 4:20-24; Kolosianëve 3:5-14.

Dedikimi me gjithë zemër është jetësor

14. Çfarë nënkupton dedikimi për ithtarët e Jezuit?

14 Pagëzimi i ithtarëve të Jezuit duhet paraprirë edhe nga një dedikim me gjithë zemër ndaj Perëndisë. Dedikimi nënkupton të ndahesh veç për një qëllim të shenjtë. Ky hap është kaq i rëndësishëm, saqë duhet t’ia shprehim Jehovait në lutje vendimin tonë për t’i dhënë atij përgjithmonë devocion ekskluziv. (Ligji i përtërirë 5:9) Sigurisht, nuk i dedikohemi një vepre ose një njeriu, por vetë Perëndisë.

15. Përse kandidatët për pagëzim zhyten në ujë?

15 Kur i dedikohemi Perëndisë nëpërmjet Krishtit, shprehim vendosmërinë që ta përdorim jetën tonë për të kryer vullnetin hyjnor të paraqitur në Shkrime. Në simbol të këtij dedikimi, kandidatët për pagëzim zhyten në ujë, siç u pagëzua Jezui në lumin Jordan për të simbolizuar paraqitjen e tij para Perëndisë. (Mateu 3:13) Është për t’u vënë re se, në atë rast shumë të rëndësishëm, Jezui ishte duke u lutur.​—Luka 3:21, 22.

16. Si mund ta tregojmë në mënyrë të përshtatshme gëzimin, kur shohim njerëz që pagëzohen?

16 Pagëzimi i Jezuit ishte një ngjarje serioze, por e gëzueshme. I tillë është edhe pagëzimi i sotëm i krishterë. Kur shohim ata që simbolizojnë dedikimin e tyre ndaj Perëndisë, mund ta shprehim gëzimin me duartrokitje plot respekt dhe me lavdërime të përzemërta. Por i shmangim brohoritjet, fishkëllimat dhe gjëra të ngjashme me këto, për hir të shenjtërisë së kësaj shprehjeje të besimit. Gëzimin e shprehim në mënyrë dinjitoze.

17, 18. Çfarë ndihmon për të përcaktuar nëse personat kualifikohen për pagëzim?

17 Ndryshe nga ata që i spërkatin foshnjat me ujë ose i detyrojnë masat e njerëzve të painformuar për Biblën që të pagëzohen, Dëshmitarët e Jehovait kurrë nuk shtrëngojnë ndonjë njeri që të pagëzohet. Në të vërtetë, ata nuk i pagëzojnë personat që nuk kualifikohen nga ana frymore. Para se një person të bëhet qoftë edhe një predikues i papagëzuar i lajmit të mirë, pleqtë e krishterë sigurohen se ai i kupton mësimet bazë të Biblës, se jeton në harmoni me to dhe se i jep përgjigje pozitive një pyetjeje si kjo: «A dëshiron vërtet të jesh Dëshmitar i Jehovait?»

18 Në shumicën e rasteve, kur personat marrin pjesë në mënyrë domethënëse në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe shprehin dëshirën për t’u pagëzuar, pleqtë e krishterë bëjnë biseda me ta, për t’u siguruar se janë besimtarë që i kanë bërë një dedikim Jehovait dhe që plotësojnë kërkesat hyjnore për pagëzimin. (Veprat 4:4; 18:8) Përgjigjet që jep vetë personi për më shumë se 100 pyetjet rreth mësimeve biblike, i ndihmojnë pleqtë që të përcaktojnë nëse ai që po përgjigjet i plotëson apo jo kërkesat biblike për pagëzimin. Disa nuk kualifikohen, e prandaj nuk pranohen për pagëzimin e krishterë.

A ka diçka që ju pengon?

19. Sipas Gjonit 6:44, cilët do të jenë bashkëtrashëgimtarët e Jezuit?

19 Shumicës së atyre që i detyruan të pagëzoheshin në masë mund t’u jetë thënë se kur të vdisnin, do të shkonin në qiell. Por, duke folur për ithtarët që do të ndiqnin gjurmët e tij, Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Jehovai ka tërhequr drejt Krishtit 144.000 veta, të cilët do të jenë bashkëtrashëgimtarët e Jezuit në Mbretërinë qiellore. Pagëzimi me detyrim nuk ka shenjtëruar kurrë ndonjë për këtë vend të lavdishëm në rregullin e Perëndisë.​—Romakëve 8:14-17; 2 Selanikasve 2:13; Zbulesa 14:1.

20. Çfarë mund t’i ndihmojë disa persona që nuk janë pagëzuar ende?

20 Sidomos që nga mesi i viteve 30 të shekullit të 20-të, një numër i madh njerëzish që shpresojnë të mbijetojnë ‘shtrëngimin e madh’ dhe të jetojnë përgjithmonë në tokë, u janë shtuar radhëve të ‘deleve të tjera’ të Jezuit. (Zbulesa 7:9, 14; Gjoni 10:16) Ata kualifikohen për pagëzim, sepse e kanë vënë jetën në harmoni me Fjalën e Perëndisë dhe e duan Perëndinë me ‘gjithë zemrën, shpirtin, forcën dhe mendjen e tyre’. (Luka 10:25-28) Disa njerëz e kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait ‘e adhurojnë Perëndinë me frymë dhe të vërtetë’. Megjithatë këta njerëz nuk e kanë ndjekur ende shembullin e Jezuit dhe nuk kanë dhënë dëshmi publike për dashurinë e vërtetë dhe për devocionin ekskluziv ndaj Jehovait, duke u pagëzuar. (Gjoni 4:23, 24; Ligji i përtërirë 4:24; Marku 1:9-11) Lutjet e zjarrta e të veçanta për këtë hap jetësor mund t’u japin këtyre personave nxitjen dhe guximin që të përputhen plotësisht me Fjalën e Perëndisë, t’i bëjnë një dedikim pa rezerva Perëndisë Jehova dhe të pagëzohen.

21, 22. Për cilat arsye disa ngurrojnë të dedikohen e të pagëzohen?

21 Disa ngurrojnë të bëjnë dedikimin dhe pagëzimin, sepse janë kaq të përpirë në çështjet e botës ose duke rendur pas pasurisë, saqë u mbetet pak kohë për gjërat frymore. (Mateu 13:22; 1 Gjonit 2:15-17) Sa të lumtur do të ishin, në qoftë se do t’i ndryshonin pikëpamjet dhe synimet e tyre! Afrimi me Jehovain do t’i pasuronte frymësisht, do t’i ndihmonte të lehtësonin ankthin dhe do t’u sillte paqe e gjithashtu kënaqësinë që vjen si pasojë kur bëhet vullneti i Perëndisë.​—Psalmi 16:11; 40:8; Fjalët e urta (Proverbat) 10:22; Filipianëve 4:6, 7.

22 Të tjerë thonë se e duan Jehovain, por nuk dedikohen e nuk pagëzohen, sepse mendojnë që në këtë mënyrë do t’i shmangen përgjegjësisë. Por secili nga ne duhet t’i japë llogari Perëndisë. E kemi marrë përgjegjësinë që kur kemi dëgjuar fjalën e Jehovait. (Ezekieli 33:7-9; Romakëve 14:12) Si një ‘popull i zgjedhur’, izraelitët e lashtë kishin lindur në një komb të dedikuar ndaj Jehovait e, për këtë arsye, kishin detyrimin për t’i shërbyer me besnikëri në përputhje me kërkesat e tij. (Ligji i përtërirë 7:6, 11) Sot asnjë nuk lind në një komb të tillë, por, nëse e kemi marrë mësimin e saktë biblik, duhet që me besim të veprojmë në përputhje me të.

23, 24. Cilat lloje frike nuk duhet t’i frenojnë njerëzit nga pagëzimi?

23 Frika se nuk kanë njohuri të mjaftueshme mund t’i pengojë disa që të pagëzohen. Megjithatë të gjithë kemi shumë për të mësuar, sepse ‘njerëzit nuk do ta zbulojnë kurrë punën që Perëndia i vërtetë ka bërë nga fillimi në fund’. (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:11, BR) Shqyrtoni rastin e eunukut etiopas. Si prozelit, ai kishte njëfarë njohurie të Shkrimeve, por nuk i përgjigjej dot çdo pyetjeje për qëllimet e Perëndisë. Mirëpo, pasi mësoi për masën që kishte siguruar Jehovai për shpëtim, me anë të flijimit shpërblyes të Jezuit, menjëherë eunuku u pagëzua në ujë.​—Veprat 8:26-38.

24 Disa ngurrojnë t’i dedikohen Perëndisë, pasi kanë frikë se ndoshta nuk e përmbushin dot atë. Monika 17-vjeçare thotë: «Kam ngurruar të pagëzohem nga frika se nuk do të isha në gjendje të jetoja në lartësinë e dedikimit tim.» Megjithatë, nëse besojmë te Jehovai me gjithë zemër, ‘ai do t’i drejtojë shtigjet tona’. Ai do të na ndihmojë që të ‘vazhdojmë të ecim në të vërtetën’ si shërbëtorë të tij besnikë të dedikuar.​—Fjalët e urta 3:5, 6; 3 Gjonit 4.

25. Cila pyetje meriton të shqyrtohet tani?

25 Duke pasur besim të plotë te Jehovai dhe dashuri të sinqertë për të, çdo vit mijëra veta ndihen të nxitur që të bëjnë dedikimin dhe të pagëzohen. Sigurisht, të gjithë shërbëtorët e dedikuar të Perëndisë duan t’i qëndrojnë besnikë atij. Mirëpo, jetojmë në kohë kritike dhe hasim sprova të ndryshme besimi. (2 Timoteut 3:1-5) Çfarë mund të bëjmë për të jetuar në lartësinë e dedikimit që i kemi bërë Jehovait? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 6 Jezui ishte pa mëkat, kështu që nuk u pagëzua në simbol të pendimit. Pagëzimi i tij simbolizonte faktin që po e paraqiste veten para Perëndisë, për të bërë vullnetin e Atit të tij.​—Hebrenjve 7:26; 10:5-10.

A ju kujtohet?

• Si kryhet pagëzimi i krishterë?

• Për cilën njohuri ka nevojë një person, që të pagëzohet?

• Cilët hapa çojnë në pagëzimin e të krishterëve të vërtetë?

• Përse disa ngurrojnë të pagëzohen, por, si mund të marrin ndihmë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 14]

A e dini se çfarë do të thotë të pagëzohesh «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë»?