Perëndia i mirëpret të gjitha kombet
Perëndia i mirëpret të gjitha kombet
NË UDHËTIMIN e tij të parë në Mali, Xhoni u prek nga mikpritja e përzemërt që i tregoi Mamaduja dhe familja e tij. I ulur për tokë dhe duke ngrënë me vështirësi nga një enë e përbashkët, Xhoni pyeste veten se si mund të ndante më mirë me mikpritësin e tij një dhuratë shumë të çmuar, domethënë lajmin e mirë të Mbretërisë nga Fjala e Perëndisë, Bibla. Ndonëse dinte frëngjisht (një gjuhë që flitet në Mali), Xhoni vriste mendjen se si do të mund të komunikonte me një familje që kishte një fe dhe një mënyrë të menduari krejt të ndryshme.
S’është për t’u habitur që Xhoni solli ndër mend tregimin biblik të qytetit të Babelit. Atje Perëndia ia ngatërroi gjuhën popullit rebel. (Zanafilla 11:1-9) Për pasojë, në pjesë të ndryshme të tokës janë formuar popullsi me gjuhë, fe dhe mënyra të menduari të ndryshme nga njëri-tjetri. Sot duke qenë se udhëtimet dhe emigrimi po bëhen gjëra të zakonshme, shumë hasin një sfidë të ngjashme me atë të Xhonit, madje edhe në lagjen ku banojnë: Si ta ndajnë shpresën e tyre të bazuar në Bibël me njerëz të një prejardhjeje tjetër?
Një shembull i lashtë
Ashtu si profetët e tjerë në Izrael, edhe Jonai u drejtohej kryesisht izraelitëve. Ai profetizoi në një kohë kur mbretëria apostate e dhjetë fiseve bënte haptazi praktika që e çnderonin Perëndinë. (2 Mbretërve 14:23-25) Përfytyroni reagimin e Jonait kur mori urdhrin e veçantë për të ikur nga vendlindja e tij e për të shkuar në Asiri, me qëllim që t’u predikonte banorëve të Ninevisë, një popull me kulturë dhe fe tjetër. Ndoshta Jonai as nuk e fliste gjuhën e ninevitëve ose, të paktën, jo rrjedhshëm. Sidoqoftë, me sa duket, Jonait iu duk tepër e madhe sfida, kështu që u arratis.—Jonai 1:1-3.
Është e qartë se Jonai duhej të mësonte se Perëndia Jehova sheh përtej pamjes së jashtme, duke shqyrtuar zemrën. (1 Samuelit 16:7) Pasi me anë të një mrekullie e shpëtoi nga mbytja në det, Jehovai e urdhëroi për së dyti Jonain që t’u predikonte banorëve të Ninevisë. Jonai u bind dhe, si rrjedhim, ninevitët u penduan në masë. Mirëpo Jonai ende nuk kishte pikëpamjen e duhur. Me anë të një mësimi të fuqishëm praktik, Jehovai i mësoi se duhej të ndryshonte qëndrimin e tij. Jehovai e pyeti Jonain: «Mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzet mijë veta që nuk dinë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre?» (Jonai 4:5-11) Ç’të themi për ne sot? Si mund t’i ndihmojmë njerëzit me një prejardhje tjetër?
Mirëpresin samaritanët dhe jojudenjtë
Në shekullin e parë, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që të bënin dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve. (Mateu 28:19) Kjo nuk ishte e lehtë për ta. Dishepujt e Jezuit ishin judenj dhe, ashtu si Jonai, ishin mësuar të flitnin vetëm me njerëzit e së njëjtës kulturë dhe prejardhje. Natyrisht do të ishin ndier nën presion edhe nga paragjykimet e zakonshme të asaj kohe. Megjithatë Jehovai i drejtoi gjërat në mënyrë të tillë që shërbëtorët e tij dalëngadalë të kuptonin se cili ishte vullneti i tij për ta.
Hapi i parë ishte të kapërcenin paragjykimin midis judenjve dhe samaritanëve. Judenjtë nuk kishin të bënin me samaritanët. Megjithatë, në më shumë se një rast, Jezui e përgatiti udhën që në të ardhmen lajmin e mirë ta pranonin edhe samaritanët. Ai e tregoi paanësinë e tij duke folur me një grua samaritane. (Gjoni 4:7-26) Në një rast tjetër, me anë të ilustrimit të samaritanit të mirë, ai i tregoi një judeu fetar se edhe njerëz të tjerë, përveç judenjve, ishin në gjendje të tregonin dashuri për të afërmin. (Luka 10:25-37) Kur erdhi koha që Jehovai të sillte samaritanë në kongregacionin e krishterë, te banorët e Samarisë predikuan Filipi, Pjetri dhe Gjoni, që të tre me origjinë judaike. Mesazhi i tyre solli shumë gëzim në atë qytet.—Veprat 8:4-8, 14-17.
Nëse e kishin të vështirë të donin samaritanët që, fundja, ishin kushërinj të largët të judenjve, për të krishterët judenj duhet të ketë qenë edhe më e vështirë t’u tregonin dashuri të përzemërt jojudenjve ose johebrenjve, të cilët judenjtë i urrenin dhe i përbuznin. Megjithatë, pasi vdiq Jezui, pengesa midis të krishterëve judenj dhe johebrenjve mund të hiqej. (Efesianëve 2:13, 14) Për ta ndihmuar Pjetrin që të pranonte këtë rregull të ri, Jehovai i tregoi një vegim në të cilin i tha që ‘të mos i quante më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar’. Më pas, fryma e Jehovait e çoi te një johebre me emrin Kornel. Kur e kuptoi pikëpamjen e Perëndisë—domethënë që nuk duhet ta quante të ndotur këtë njeri nga kombet, sepse Perëndia e kishte pastruar,—Pjetri tha nën frymëzim: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» (Veprat 10:9-35) Sa u mahnit Pjetri kur Perëndia e tregoi se e pranonte Kornelin dhe familjen e tij, duke derdhur mbi ta frymën e shenjtë!
Pavli—Një enë e zgjedhur për kombet
Shërbimi i Pavlit është një shembull i jashtëzakonshëm se si Jehovai i përgatit gjithnjë e më shumë shërbëtorët e tij që të duan e të ndihmojnë çdo lloj njeriu. Në kohën kur Pavli u kthye në besim, Jezui tha se Pavli do të shërbente si një enë e zgjedhur për t’ua çuar emrin e Tij kombeve. (Veprat 9:15) Më pas, Pavli shkoi në Arabi, ndoshta për të medituar rreth qëllimit të Perëndisë për ta përdorur atë që t’u shpallte lajmin e mirë kombeve.—Galatasve 1:15-17.
Veprat 13:46-48) Jehovai e bekoi veprën që kryente Pavli, dhe kjo ishte dëshmi se apostulli po i bënte gjërat sipas rregullit që kishte vendosur Jehovai. Pavli tregoi se e kuptonte plotësisht pikëpamjen e Jehovait kur me guxim e ndreqi Pjetrin, i cili kishte shfaqur anshmëri, duke shmangur shoqërimin me vëllezërit jojudenj.—Galatasve 2:11-14.
Gjatë udhëtimit të tij të parë misionar, Pavli tregoi zell për t’u predikuar jojudenjve. (Dëshmi të mëtejshme se Perëndia po drejtonte përpjekjet e Pavlit shihen në udhëtimin e dytë misionar që bëri ai, kur fryma e shenjtë e pengoi që të predikonte në provincën romake të Bitinisë. (Veprat 16:7) Me sa duket nuk ishte koha e duhur. Gjithsesi, më vonë, disa banorë të Bitinisë u bënë të krishterë. (1 Pjetrit 1:1) Në një vegim, një maqedonas iu përgjërua Pavlit, duke thënë: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.» Pavli nxori përfundimin se duhej të ndryshonte programin e udhëtimit, në mënyrë që të shpallte lajmin e mirë në atë provincë romake.—Veprat 16:9, 10.
Aftësia e Pavlit për t’u përshtatur u vu vërtet në provë kur u predikoi athinasve. Ligji grek dhe romak e ndalonte futjen e perëndive të huaja dhe të zakoneve të reja fetare. Dashuria që kishte Pavli për njerëzit e shtyu që të shqyrtonte me kujdes praktikat e tyre fetare. Në Athinë, ai vuri re një altar me mbishkrimin «Për një Perëndi të Panjohur». Këtë hollësi e përmendi në veprën e tij të dhënies së dëshmisë. (Veprat 17:22, 23) Një mënyrë vërtet e shkëlqyer për ta paraqitur mesazhin me dashamirësi e me respekt!
Sa i lumtur duhet të ketë qenë Pavli kur shihte frytet e veprës së tij si apostull për kombet! Ai ndihmoi në formimin e kongregacioneve në Korint, Filipi, Selanik dhe në qytete të Galatisë, të përbëra nga shumë të krishterë me origjinë jojudaike. Ndihmoi burra e gra me besim, si: Damarisin, Dionisin, Sergj Palin dhe Titin. Çfarë privilegji ishte për të të shihte njerëz që nuk e njihnin as Jehovain, as Biblën, të pranonin të vërtetën e krishterimit! Për sa i përket rolit të tij për të ndihmuar jojudenjtë që të njihnin të vërtetën, Pavli tha: «Në këtë mënyrë, Romakëve 15:20, 21) A mund të bëjmë edhe ne pjesën tonë për t’u shpallur lajmin e mirë njerëzve që nuk i përkasin kulturës sonë?
në fakt, pata si synim të mos e shpallja lajmin e mirë atje ku emri i Krishtit tashmë ishte përmendur, . . . por ashtu sikurse është shkruar: ‘Ata, të cilëve nuk u është bërë asnjë njoftim në lidhje me të, do të shohin, dhe ata që s’kanë dëgjuar, do të kuptojnë.’» (Ndihmohen të gjithë popujt e tokës
Solomoni iu lut Jehovait për joizraelitët që do të vinin të adhuronin në tempull, në Jerusalem. Ai bëri këtë kërkesë: «Ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd.» (1 Mbretërve 8:41-43) Mijëra lajmëtarë të Mbretërisë në shumë vende sot kanë po këto ndjenja. Ata takojnë njerëz ngjashëm ninevitëve, të cilët, në kuptimin frymor, «nuk dijnë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre». Veç kësaj, predikuesit e Mbretërisë janë të zellshëm për të marrë pjesë në përmbushjen e profecive që flasin për mbledhjen e adhuruesve të vërtetë nga shumë kombe.—Isaia 2:2, 3; Mikea 4:1-3.
Ashtu si njerëz nga i ashtuquajturi krishterim kanë pranuar mesazhin e shpresës që përmban Bibla, edhe njerëz me prejardhje të tjera fetare po bëjnë kështu. Si duhet të ndikojë kjo te ju personalisht? Bëni një vetëshqyrtim me ndershmëri. Nëse mendoni se paragjykimi ju është rrënjosur thellë, largojeni atë me anë të dashurisë. * Mos i hidhni poshtë njerëzit të cilët Perëndia është i gatshëm t’i pranojë.—Gjoni 3:16.
Përgatituni mendërisht para se të flitni me njerëz nga një prejardhje tjetër. Njihuni me bindjet e tyre, me interesat që kanë, me mënyrën se si mendojnë dhe më pas kërkoni një bazë të përbashkët. Shfaqni mirësi dhe dhembshuri ndaj të tjerëve. Shmangni debatet, jini elastikë dhe pozitivë. (Luka 9:52-56) Duke bërë kështu, do t’i pëlqeni Jehovait, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:4.
Sa të kënaqur jemi që në kongregacionet tona kemi njerëz nga një shumëllojshmëri prejardhjesh! (Isaia 56:6, 7) Sa e kënaqshme është sot të dëgjojmë jo vetëm emra si Albana, Sokol, Genti dhe Dritan, por edhe emra të tjerë, si Mamadu, Jegan, Reza dhe Çan. Vërtet, para nesh «është hapur një derë e gjerë që çon në aktivitet». (1 Korintasve 16:9) Të përfitojmë nga mundësitë që na paraqiten, për të dhënë ftesën e bërë nga Perëndia i paanshëm, Jehovai, për të mirëpritur njerëz nga të gjitha kombet!
[Shënimi]
^ par. 19 Shih Zgjohuni!, tetor-dhjetor 1996, faqet 4-7, «Mure që pengojnë komunikimin».
[Figurat në faqen 23]
Pavli ua përhapi lajmin e mirë njerëzve kudo që ishin, duke u përshtatur
. . . në Athinë
. . . në Filipi
. . . ndërsa udhëtonte