Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrini zgjuar, ecni përpara me guxim!

Rrini zgjuar, ecni përpara me guxim!

Rrini zgjuar, ecni përpara me guxim!

Raport për mbledhjet speciale

KUSH, me të drejtë, mund ta mohojë se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»? Si Dëshmitarë të Jehovait ne nuk jemi të imunizuar ndaj presioneve që vijnë për shkak se jetojmë në «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) Por e kuptojmë se njerëzit kanë nevojë për ndihmë. Ata nuk e kuptojnë domethënien e ngjarjeve botërore. Kanë nevojë për ngushëllim e për shpresë. Cili është kryesisht roli ynë në ndihmën që u japim njerëzve?

Perëndia na ka dhënë urdhrin që të ndajmë me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë. (Mateu 24:14) Njerëzit duhet të dinë se kjo Mbretëri qiellore është e vetmja shpresë për njerëzimin. Megjithatë mesazhi ynë nuk pritet gjithnjë mirë. Në disa vende, vepra jonë ka qenë e ndaluar dhe vëllezërit i kanë përndjekur. Mirëpo ne nuk dorëzohemi. Me besim të plotë te Jehovai, jemi të vendosur të rrimë zgjuar e të vazhdojmë të ecim përpara me guxim, duke e shpallur lajmin e mirë pa pushim.​—Veprat 5:42.

Kjo vendosmëri e patundur ishte e dukshme në mbledhjet speciale që u mbajtën në tetor të vitit 2001. Të shtunën, më 6 tetor, në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Xhersit, Nju-Xhersi, në Shtetet e Bashkuara u mbajt mbledhja vjetore e Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. * Ditën vijuese, u mbajtën mbledhje shtesë në katër vende, tri në Shtetet e Bashkuara dhe një në Kanada. *

Në komentet hyrëse që bëri në mbledhjen vjetore, drejtuesi Samuel F. Herd, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, përmendi Psalmin 92:1, 4 e pastaj u shpreh: «Ne duam të tregohemi mirënjohës.» Me të vërtetë, arsyet përse duhet të jemi mirënjohës u bënë të qarta nga pesë raportet përreth botës.

Raporte nga të katër anët

Vëllai Alfred Kuaki raportoi për përparimin e veprës së predikimit në Ganë, e cila më parë njihej si Bregu i Artë. Për vite me radhë, vepra jonë në këtë vend ka qenë e ndaluar. Njerëzit pyetnin: «Përse ju kanë ndaluar? Çfarë keni bërë?» Vëllai Kuaki shpjegoi se kjo hapte mundësi për të dhënë dëshmi. Në vitin 1991, kur u hoq ndalimi, në Ganë kishte 34.421 Dëshmitarë të Jehovait. Në gusht të vitit 2001, totali ishte 68.152 Dëshmitarë, një rritje me 98 për qind. Po bëhen plane për të ndërtuar një Sallë Asamblesh me 10.000 vende. Është e qartë se vëllezërit tanë frymorë në Ganë po e shfrytëzojnë në maksimum lirinë e tyre fetare.

Me gjithë trazirat politike, vëllezërit tanë në Irlandë po marrin pjesë aktivisht në shërbim dhe respektohen për qëndrimin e tyre asnjanës. Piter Endrjusi, koordinatori i Komitetit të Degës, tha se Irlanda ka 115 kongregacione të ndara në 6 qarqe. Vëlla Endrjusi tregoi një përvojë për Liamin, një djalë dhjetëvjeçar i cili jep dëshmi me guxim në shkollë. Liami u shpërndau 25 shokëve e shoqeve të klasës, si edhe mësueses së tij Libri im i tregimeve biblike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Liami donte të pagëzohej, por dikush komentoi se mos ishte shumë i vogël për t’u pagëzuar. Liami u përgjigj: «Ajo që duhet ta përcaktojë këtë nuk është mosha ime, por dashuria që kam për Jehovain. Pagëzimi im do ta tregojë se sa shumë e dua.» Synimi i Liamit është të bëhet misionar.

Në vitin 1968, në Venezuelë kishte 5.400 lajmëtarë të lajmit të mirë. Por tani ka më shumë se 88.000, siç komentoi Stefan Johansoni, koordinatori i Komitetit të Degës. Veç kësaj, ka mundësi për rritje të mëtejshme, sepse në vitin 2001 Përkujtimin e ndoqën 296.000 veta. Në dhjetor të vitit 1999, shira të rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitje toke, të cilat sollën si pasojë vdekjen e 50.000 njerëzve, duke përfshirë edhe disa Dëshmitarë. Një Sallë Mbretërie ishte e mbushur me baltë deri gjysmë metri larg tavanit. Kur dikush sugjeroi që ndërtesa të braktisej, vëllezërit iu përgjigjën: «Në asnjë mënyrë! Kjo është Salla jonë e Mbretërisë dhe nuk duam ta braktisim tani.» Iu futën punës, duke hequr tonelata me baltë, gurë dhe mbeturina të tjera. Ndërtesa u rimodelua dhe vëllezërit thonë se tani është më e bukur sesa ishte para katastrofës.

Vëlla Denton Hopkinsoni, koordinatori i Komitetit të Degës në Filipine, tha se atje fliten 87 gjuhë dhe dialekte. Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, botimi i plotë i Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta u prezantua në tri gjuhët kryesore të vendit: cebuane, iloko dhe tagaloge. Vëlla Hopkinsoni tregoi përvojën e një djali nëntëvjeçar që kishte lexuar librin Lajmi i mirë që të bën të lumtur, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Kishte marrë botime të tjera nga dega dhe i kishte lexuar edhe ato, por familja e kundërshtonte. Vite më vonë, kur ishte në shkollën mjekësore, i telefonoi degës dhe kërkoi një studim biblik. U pagëzua në vitin 1996 dhe shpejt hyri në shërbimin e plotkohor. Tani shërben së bashku me të shoqen në zyrën e degës.

«Porto-Rikoja po merret me tregtinë e ‘eksportit të Dëshmitarëve’»,​—shpjegoi Ronald Parkini, koordinatori i Komitetit të Degës. Në ishull ka rreth 25.000 lajmëtarë dhe numri ka mbetur i njëjtë për vite të tëra. Përse? Është përllogaritur se Porto-Rikoja «eksporton» rreth 1.000 lajmëtarë në vit për në Shtetet e Bashkuara, shumë prej të cilëve transferohen për arsye ekonomike. Vëlla Parkini foli për vendimin historik që mori një gjykatë, vendim që kishte të bënte me Luisin, një Dëshmitar 17-vjeçar me leucemi. Duke qenë se Luisi nuk pranoi gjak, rasti i tij u çua në gjyq. Gjykatësja donte të fliste me të personalisht, kështu që e vizitoi në spital. Luisi e pyeti: «Përse, nëse unë do të bëja një krim të rëndë, do të më gjykonit si të isha i rritur, por kur dua t’i bindem Perëndisë, më trajtoni si një të mitur?» Gjykatësja u bind se ai ishte një i mitur i pjekur dhe ishte në gjendje të vendoste vetë.

Pas raporteve nga vende të largëta, Herold Korkerni, nga Komiteti i Degës i Shteteve të Bashkuara, drejtoi intervista me katër shërbëtorë të Jehovait nga shumë kohë. Artur Bonoja ka kaluar 51 vjet në shërbimin e plotkohor dhe tani shërben në Komitetin e Degës në Ekuador. Anxhelo Katanzaroja ka kaluar 59 vjet në shërbimin e plotkohor, shumicën e të cilëve si mbikëqyrës udhëtues. Riçard Abrahamsoni u diplomua në Shkollën e Galaadit në vitin 1953 dhe pati privilegjin të mbikëqyrte veprën në Danimarkë për 26 vjet, para se të kthehej në Bethelin e Bruklinit. Në fund, të gjithë u kënaqën kur dëgjuan 96-vjeçarin Keri U. Barber. I pagëzuar në vitin 1921, vëlla Barberi ka kaluar 78 vjet në shërbimin e plotkohor dhe ka qenë anëtar i Trupit Udhëheqës që nga viti 1978.

Fjalime nxitëse

Mbledhja vjetore përfshinte një seri fjalimesh që të vinin në mendime. Vëlla Robert U. Uollëni foli rreth temës «Një popull për emrin e tij». Ne jemi populli që mban emrin e Perëndisë dhe gjendemi në më shumë se 230 vende. Jehovai na ka dhënë «një të ardhme dhe një shpresë». (Jeremia 29:11) Duhet të vazhdojmë të shpallim Mbretërinë e Perëndisë, duke ndarë me të tjerët mesazhin e mrekullueshëm të ngushëllimit dhe të lehtësimit. (Isaia 61:1) «Ditë për ditë,​—përfundoi vëlla Uollëni,​—le të vazhdojmë të jetojmë në lartësinë e emrit me të cilin thirremi, Dëshmitarë të Jehovait!»​—Isaia 43:10.

Pjesa e fundit e programit ishte një simpozium i mbajtur nga tre anëtarë të Trupit Udhëheqës. Simpoziumi titullohej «Tani është koha për të ndenjur zgjuar, për të qëndruar të patundur e për t’u bërë të fuqishëm».​—1 Korintasve 16:13.

Së pari, vëlla Stiven Leti foli rreth temës «Rrini zgjuar në këtë orë të vonë». Vëlla Leti shpjegoi se gjumi i mirëfilltë është një dhuratë dhe na rigjallëron. Kurse gjumi frymor nuk është kurrë i mirë. (1 Selanikasve 5:6) Atëherë, si mund të rrimë zgjuar frymësisht? Vëlla Leti theksoi tri «ilaçe» frymore: (1) Të kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë. (1 Korintasve 15:58) (2) Të jemi të vetëdijshëm për nevojën tonë frymore. (Mateu 5:3) (3) T’i mirëpresim këshillat e bazuara në Bibël, me qëllim që të veprojmë me mençuri.​—Fjalët e urta 13:20.

Vëlla Teodor Xharazi mbajti një fjalim nxitës të titulluar «Qëndroni të patundur nën sprova». Duke iu drejtuar shkrimit të Zbulesës 3:10, ai pyeti: «Cila është ‘ora e sprovës’?» Kjo sprovë vjen «në ditën e Zotërisë», ditë në të cilën jemi tani. (Zbulesa 1:10) Sprova vërtitet rreth çështjes kryesore: a jemi në anën e Mbretërisë së vendosur të Perëndisë apo në anën e sistemit të lig të Satanait? Derisa të mbarojë kjo orë e sprovës, do të hasim me siguri sprova ose vështirësi. A do t’i mbetemi besnikë Jehovait dhe organizatës së tij? ‘Do të na duhet ta shfaqim secili individualisht këtë besnikëri’,​—komentoi vëlla Xharazi.

Në fund vëlla Xhon E. Barri foli rreth temës «Bëhuni të fuqishëm si persona frymorë». Duke folur për Lukën 13:23-25, ai komentoi se duhet të përpiqemi fuqimisht që ‘të hyjmë nga dera e ngushtë’. Shumë nuk arrijnë të hyjnë, sepse nuk janë mjaft ngulmues sa të bëhen të fuqishëm. Për t’u bërë të krishterë tërësisht të rritur, duhet të mësojmë t’i zbatojmë parimet biblike në të gjitha fushat e jetës. Vëlla Barri nxiti: «Jam i sigurt se jeni të një mendimi me mua që tani është koha (1) për të mbajtur Jehovain në vend të parë; (2) për t’u bërë të fuqishëm dhe (3) për t’u përpjekur fuqimisht që të kryejmë vullnetin e Jehovait. Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje të hyjmë nga dera e ngushtë, e cila çon në jetën e mrekullueshme të pafundme.»

Ndërsa mbyllej mbledhja vjetore, kishte një pyetje që nuk kishte marrë ende përgjigje: Cili është shkrimi i vitit për vitin e shërbimit 2002? Kjo pyetje mori përgjigje ditën vijuese.

Mbledhje shtesë

Të dielën në mëngjes, të gjithë ishin në pritje kur filloi programi i mbledhjes shtesë. Si fillim u bë përmbledhja e artikullit të Kullës së Rojës për javën, e ndjekur nga një paraqitje e shkurtër e disa pikave kryesore të mbledhjes vjetore. Më pas, të gjithë patën kënaqësinë të dëgjonin një fjalim rreth shkrimit të vitit për vitin 2002: «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28) Fjalimi bazohej në artikujt e studimit, të botuar më vonë në Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 2001.

Pas kësaj, disa që kishin qenë delegatë në Kongreset speciale «Mësues të Fjalës së Perëndisë» në Francë e në Itali, në gusht të vitit 2001, ndanë me të tjerët përshtypjet e tyre. * Në fund, si pika kryesore e programit të ditës, u mbajtën dy fjalime të fundit nga oratorë vizitues nga Betheli i Bruklinit.

Fjalimi i parë titullohej «Me guxim, të besojmë te Jehovai në këto kohë kritike». Oratori zhvilloi pikat kryesore vijuese: (1) Besimi me guxim te Jehovai ka qenë gjithnjë jetësor për popullin e Perëndisë. Bibla përmban shumë shembuj të atyre që shfaqën guxim e besim përballë kundërshtimit. (Hebrenjve 11:1–12:3) (2) Jehovai siguron një bazë të fortë që të besojmë tek ai plotësisht. Veprat dhe Fjala e tij na sigurojnë se ai kujdeset për shërbëtorët e tij dhe nuk do t’i harrojë kurrë. (Hebrenjve 6:10) (3) Guximi dhe besimi nevojiten në mënyrë të veçantë sot. Siç paratha Jezui, ne jemi «objekt urrejtjeje». (Mateu 24:9) Që të qëndrojmë, kemi nevojë për mbështetje në Fjalën e Perëndisë, për siguri se fryma e tij është me ne dhe për guxim që të vazhdojmë të shpallim lajmin e mirë. (4) Shembujt tregojnë se po hasim kundërshtim pikërisht tani. Të gjithë u prekën thellë kur oratori tregoi se çfarë kanë duruar vëllezërit tanë në Armeni, në Francë, në Gjeorgji, në Kazakistan, në Rusi dhe në Turkmenistan. Tani është vërtet koha që të tregojmë se kemi guxim dhe besim te Jehovai!

Oratori i fundit zhvilloi temën «Të ecim përpara të bashkuar me organizatën e Jehovait». Fjalimi trajtoi disa pika që ishin shumë të kohës. (1) Ecja përpara e popullit të Jehovait vërehet gjerësisht. Vepra jonë e predikimit dhe kongreset që mbajmë, tërheqin vëmendjen e njerëzve. (2) Jehovai ka themeluar një organizatë që është e bashkuar. Në vitin 29 të e.s., Jezui u miros me frymën e shenjtë, me qëllim që të sillte në familjen e bashkuar të Perëndisë «të gjitha gjërat»​—ata me shpresën qiellore, si edhe ata me shpresën tokësore. (Efesianëve 1:8-10) (3) Kongreset janë një shfaqje e jashtëzakonshme e unitetit ndërkombëtar. Kjo ishte shumë e qartë në kongreset speciale të mbajtura në Francë e në Itali në gusht të vitit të kaluar. (4) Në Francë e në Itali u miratua një rezolutë nxitëse. Oratori lexoi disa pjesë nga kjo rezolutë nxitëse. Rezoluta e plotë gjendet më poshtë.

Në përfundim të fjalimit të fundit, oratori vizitues lexoi një njoftim prekës të përgatitur nga Trupi Udhëheqës. Pjesërisht, në të thuhej: «Tani është koha për të ndenjur zgjuar e për të qëndruar vigjilentë, duke dalluar se si zhvillohen ngjarjet në skenën botërore. . . . Duam t’ju përcjellim interesin e dashur që ka Trupi Udhëheqës për ju e për gjithë popullin e Perëndisë. Jehovai ju bekoftë me bollëk, ndërkohë që bëni me gjithë shpirt vullnetin e tij!» Populli i Jehovait, kudo që ndodhet, është i vendosur të rrijë zgjuar në këto kohë kritike dhe të vazhdojë të ecë përpara me guxim, së bashku me organizatën e bashkuar të Jehovait.

[Shënimet]

^ par. 5 Për të ndjekur programin e mbledhjes vjetore ishin lidhur me lidhje elektronike disa vende, kështu që numri i të pranishmëve ishte gjithsej 13.757 veta.

^ par. 5 Mbledhjet shtesë u mbajtën në Long-Biç, Kaliforni; në Pontiak, Miçigan; në Juniondejl, Nju-Jork dhe në Hamilton, Ontario. Numri i të pranishmëve, duke përfshirë edhe ata që ishin lidhur me lidhje elektronike në vende të tjera, ishte gjithsej 117.885 veta.

^ par. 23 Tri kongrese speciale u mbajtën në Francë: në Paris, në Bordo dhe në Lion. Në Itali, delegatët nga Shtetet e Bashkuara u caktuan në Romë e në Milano, ndonëse u mbajtën gjithsej nëntë kongrese njëkohësisht.

[Kutia dhe figurat në faqet 29-31]

Rezolutë

Në gusht të vitit 2001, në Francë e në Itali u mbajtën Kongrese speciale «Mësues të Fjalës së Perëndisë». Në këto kongrese, u paraqit një rezolutë nxitëse. Më poshtë vijon teksti i kësaj rezolute.

«SI DËSHMITARË TË JEHOVAIT, të gjithë ne që jemi të mbledhur në këtë kongres ‘Mësues të Fjalës së Perëndisë’ jemi arsimuar nga një mësim që është shumë i dobishëm. Burimi i këtij mësimi është identifikuar qartësisht. Mësimi nuk buron nga origjina njerëzore. Vjen nga Ai që përshkruhet nga profeti i lashtë Isaia si ‘Mësuesi i Madh’. (Isaia 30:20, BR) Shikoni se çfarë na kujton Jehovai në Isainë 48:17: ‘Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për dobinë tënde, Ai që të bën të shkelësh në rrugën në të cilën duhet të ecësh.’ (BR) Si e kryen ai këtë? Mënyra kryesore është nëpërmjet librit më të përkthyer dhe më të qarkulluar në gjithë botën, Biblës. Brenda saj na thuhet me fjalë të pagabueshme: ‘I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.’​—2 Timoteut 3:16.

Sot, njerëzimi ka nevojë urgjente për këtë mësim të dobishëm. Po përse? Duke shqyrtuar skenën hutuese e të ndryshueshme të botës, çfarë pranojnë njerëzit me arsye? Thjesht këtë: edhe pse miliona njerëz janë mësuar në sistemet arsimuese të botës, ka një mungesë të trishtueshme të vlerave reale, si edhe një dështim për të dalluar të mirën nga e keqja. (Isaia 5:20, 21) Mungesa e njohurisë biblike është me bollëk. Ndërkohë që teknologjia jep mundësi për të marrë një lumë informacionesh me anë të kompjuterëve, ku gjenden përgjigjet e pyetjeve jetësore si: Cili është qëllimi i jetës? Si duhet t’i kuptojmë ngjarjet e kohës sonë? A ka një shpresë të fortë për të ardhmen? Paqja e siguria, a do të bëhen realitet ndonjëherë? Veç kësaj, nëpër raftet e bibliotekave gjenden miliona faqe në vepra referimi që mbulojnë pothuajse çdo fushë të zhvillimit njerëzor. Gjithsesi njerëzimi përsërit gabimet e të kaluarës. Kriminaliteti ngjitet në qiell. Sëmundjet që njëherë mendohej se ishin zhdukur, kthehen prapë, kurse të tjera, si SIDA, përhapen në mënyrë alarmuese. Jeta familjare shpërbëhet me një shpejtësi marramendëse. Ndotja shkatërron mjedisin. Terrorizmi dhe armët për shfarosjen në masë të popullsisë kërcënojnë paqen dhe sigurinë. Problemet pa zgjidhje vazhdojnë të grumbullohen. Cili është roli i duhur që duhet të kemi ne për të ndihmuar njerëzimin në këtë kohë kritike? A ka ndonjë mësim që shpjegon shkakun e gjendjes së vështirë të njerëzimit dhe që jo vetëm tregon rrugën për një jetë më të mirë tani, por që ofron gjithashtu një shpresë të gjallë dhe të sigurt për të ardhmen?

Urdhri që kemi marrë nga Shkrimet është që të ‘shkojmë e të bëjmë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që Krishti urdhëroi’. (Mateu 28:19, 20) Ky urdhër u dha nga Jezu Krishti pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, kur mori çdo autoritet në qiell dhe në tokë. Kjo tejkalon çdo veprimtari që nxitet nga njerëzit. Nga pikëpamja e Perëndisë, urdhri ynë, i cili përqendrohet mbi nevojat frymore të atyre që kanë etje për drejtësinë, ka përparësinë kryesore. Kemi arsye të bazuara fort në Shkrime për ta marrë seriozisht këtë urdhër.

Kjo kërkon që ta mbajmë këtë vepër të parën në jetën tonë. Me bekimin dhe me ndihmën e Perëndisë, vepra do të kryhet, edhe përballë një morie ndikimesh shpërqendruese, përballë pengesave dhe forcave kundërshtuese nga elementë fetarë dhe politikë, që kanë si synim të pengojnë përparimin e këtij programi të mësimit rreth botës. Jemi të sigurt dhe kemi besim se kjo vepër do të vazhdojë të lulëzojë dhe të arrijë përfundimin e saj madhështor. Përse mund të jemi kaq të sigurt? Sepse Zotëria Jezu Krisht premtoi se do të jetë me ne në shërbimin që Perëndia na dha, deri në përfundim të këtij sistemi.

Për njerëzimin e dëshpëruar s’mbetet edhe shumë kohë. Urdhri ynë duhet plotësuar para se të vijë fundi përfundimtar. Prandaj, ne, si Dëshmitarë të Jehovait miratojmë këtë rezolutë:

Së pari: si shërbëtorë të dedikuar, jemi të vendosur të mbajmë interesat e Mbretërisë në radhë të parë në jetën tonë dhe të vazhdojmë të rritemi frymësisht. Për këtë qëllim, lutja jonë është në harmoni me fjalët e Psalmit 143:10: ‘Mësomë të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.’ (BR) Kjo kërkon që të jemi studentë të mirë, duke u përpjekur të lexojmë Biblën çdo ditë dhe të bëjmë studim e kërkim personal. Që përparimi ynë të bëhet i dukshëm para të gjithëve, do të bëjmë çdo përpjekje të arsyeshme për t’u përgatitur dhe për të nxjerrë plotësisht dobi nga mësimi teokratik që jepet në mbledhjet e kongregacionit, në asambletë qarkore dhe në kongreset krahinore, kombëtare dhe ndërkombëtare.​—1 Timoteut 4:15; Hebrenjve 10:23-25.

Së dyti: që të jemi të mësuar nga Perëndia, do të ushqehemi vetëm në tryezën e tij dhe do të zbatojmë me kujdes paralajmërimin e Biblës për mësimet mashtruese të demonëve. (1 Korintasve 10:21; 1 Timoteut 4:1) Në mënyrë të veçantë, do të kujdesemi që të shmangim elementët dëmtues që përfshijnë gënjeshtrat fetare, arsyetimet e kota, zvetënimet e turpshme seksuale, epideminë e pornografisë, zbavitjet degraduese, si edhe çdo gjë që nuk është ‘në harmoni me mësimet e shëndetshme’. (Romakëve 1:26, 27; 1 Korintasve 3:20; 1 Timoteut 6:3; 2 Timoteut 1:13) Nga respekti për ‘dhuratat në njerëz’, të cilët janë të kualifikuar për të mësuar atë që është e shëndetshme, do t’i respektojmë vërtet përpjekjet e tyre dhe do të bashkëpunojmë me ta me gjithë zemër, për të ruajtur normat frymore e morale të pastra e të drejta që janë në Fjalën e Perëndisë.​—Efesianëve 4:7, 8, 11, 12; 1 Selanikasve 5:12, 13; Titit 1:9.

Së treti: si prindër të krishterë, me gjithë zemër do të përpiqemi t’i mësojmë fëmijët tanë jo vetëm me fjalë, por edhe me shembullin tonë. Dëshira jonë kryesore është t’i ndihmojmë ata që nga foshnjëria që të ‘mësojnë shkrimet e shenjta, që të bëhen të mençur për shpëtim’. (2 Timoteut 3:15) Do të mbajmë mirë në mendje se, kur i rritim në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait, jemi duke u dhënë mundësinë më të mirë për të provuar vërtetësinë e premtimit hyjnor se ‘do t’u vejë mbarë dhe do të qëndrojnë gjatë mbi tokë’.​—Efesianëve 6:1-4.

Së katërti: kur hasim ankthe ose probleme serioze, në radhë të parë ‘kërkesat do t’ia bëjmë të njohura Perëndisë’, duke qenë të sigurt se ‘paqja e Perëndisë që tejkalon çdo mendim njerëzor’ do të na ruajë. (Filipianëve 4:6, 7) Meqë jemi nën zgjedhën e Krishtit, do të gjejmë freskim. Duke e ditur që Perëndia kujdeset për ne, nuk do të ngurrojmë ta hedhim gjithë ankthin mbi të.​—Mateu 11:28-30; 1 Pjetrit 5:6, 7.

Së pesti: si shprehje të mirënjohjes sonë ndaj Jehovait për privilegjin që kemi si mësues të Fjalës së tij, do të ripërtërijmë përpjekjet tona për ta ‘përdorur drejt fjalën e së vërtetës’ dhe për të ‘kryer plotësisht shërbimin tonë’. (2 Timoteut 2:15; 4:5) E kemi më se të qartë se çfarë përfshihet, prandaj dëshira jonë e zemrës është që të kërkojmë personat që e meritojnë dhe të kultivojmë farën e mbjellë. Përveç kësaj, do ta zbukurojmë mësimdhënien tonë duke drejtuar më shumë studime biblike me efektshmëri. Kjo do të na vërë më në harmoni me vullnetin e Perëndisë që ‘njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës’.​—1 Timoteut 2:3, 4.

Së gjashti: gjatë shekullit të kaluar dhe deri në këtë shekull, në shumë vende Dëshmitarët e Jehovait kanë përjetuar forma të ndryshme kundërshtimi dhe përndjekjeje. Por Jehovai ka provuar që është me ne. (Romakëve 8:31) Fjala e Tij e pagabueshme na siguron se ‘asnjë armë e sajuar kundër nesh’ për të na penguar, për të na ngadalësuar ose për të ndalur predikimin tonë të Mbretërisë dhe veprën tonë të mësimit, nuk do të ketë sukses. (Isaia 54:17) Në kohë të favorshme a në kohë të vështirë, nuk mund të pushojmë së foluri të vërtetën. Vendimi ynë është që të plotësojmë urgjentisht urdhrin që kemi marrë për të predikuar dhe për të mësuar. (2 Timoteut 4:1, 2) Synimi ynë është të ndajmë sa më shumë të jetë e mundur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me persona të çdo kombi. Kështu ata do të vazhdojnë të kenë mundësi të mësojnë për mënyrën se si mund të fitojnë jetën e përhershme në një botë të re të drejtë. Si një grup i bashkuar mësuesish të Fjalës së Perëndisë, vendosmëria jonë është të vazhdojmë të ndjekim shembullin e Mësuesit të Madh, Jezu Krishtit, dhe të pasqyrojmë cilësitë e tij të perëndishme. Gjithë këtë do ta bëjmë për nder dhe lavdi të Mësuesit tonë të Madh dhe Jetëdhënësit, Perëndisë Jehova.

Të gjithë të pranishmëve në këtë kongres, që pranojnë miratimin e kësaj rezolute, ju lutem të thoni PO!»

Kur 160.000 të pranishmëve në tri kongreset në Francë dhe 289.000 të pranishmëve në nëntë vende në Itali iu bë ftesa përmbyllëse e rezolutës, një «Po» gjëmuese u dëgjua në gjuhët e shumta të përfaqësuara nga delegatët.