Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me zemër të palëkundur

Vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me zemër të palëkundur

Vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me zemër të palëkundur

«Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi, zemra ime është e palëkundur.»​—PSALMI 57:7, BR.

1. Përse mund të kemi të njëjtën bindje si ajo e Davidit?

JEHOVAI mund të na bëjë që të jemi të palëkundur në besimin e krishterë, në mënyrë që të kapemi fort pas krishterimit të vërtetë si shërbëtorë të tij të dedikuar. (Romakëve 14:4) Prandaj mund të kemi të njëjtën bindje si ajo e psalmistit David, i cili u ndie i nxitur të këndonte: «Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi.» (Psalmi 108:1, BR) Në qoftë se e kemi zemrën të palëkundur, do të motivohemi që ta përmbushim dedikimin tonë ndaj Perëndisë. Gjithashtu, duke i kërkuar atij drejtim e forcë, mund të mbetemi të palëkundur, të patundur në vendosmëri e në bindje, si mbajtës të integritetit «duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».​—1 Korintasve 15:58.

2, 3. Cila është domethënia e thirrjeve të Pavlit, të dokumentuara te 1 Korintasve 16:13?

2 Në thirrjet që u drejtoi ithtarëve të Jezuit në Korintin e lashtë​—por që sigurisht zbatohen edhe për të krishterët sot​—apostulli Pavël tha: «Rrini zgjuar, qëndroni të patundur në besim, silluni si burrat, bëhuni të fuqishëm.» (1 Korintasve 16:13) Në greqisht, secila nga këto folje të urdhërores është në kohën e tashme, duke nxitur, pra, një veprim të vazhdueshëm. Cila është domethënia e kësaj këshille?

3 Mund të ‘rrimë zgjuar’ frymësisht duke iu kundërvënë Djallit dhe duke qëndruar afër Perëndisë. (Jakovit 4:7, 8) Mbështetja te Jehovai na jep mundësi që t’i mbajmë të forta radhët tona dhe të ‘qëndrojmë të patundur në besimin e krishterë’. Ne, duke përfshirë edhe gratë e shumta që kemi mes nesh, ‘sillemi si burrat’, duke i shërbyer me guxim Perëndisë si lajmëtarë të Mbretërisë. (Psalmi 68:11) ‘Bëhemi të fuqishëm’ duke i kërkuar vazhdimisht Atit tonë qiellor forcë që të bëjmë vullnetin e tij.​—Filipianëve 4:13.

4. Çfarë çoi në pagëzimin tonë si të krishterë?

4 Qëndrimin tonë në anën e besimit të vërtetë e morëm kur i bëmë një dedikim pa rezerva Jehovait dhe e simbolizuam atë duke iu nënshtruar zhytjes në ujë. Por, çfarë çoi në pagëzimin tonë? Së pari, morëm njohuri të saktë për Fjalën e Perëndisë. (Gjoni 17:3) Kjo na e ndërtoi besimin dhe na nxiti të pendoheshim, duke shfaqur keqardhje të vërtetë për shkeljet e së kaluarës. (Veprat 3:19; Hebrenjve 11:6) Më pas u kthyem në besim, sepse u larguam nga praktikat e gabuara për të bërë një jetë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Romakëve 12:2; Efesianëve 4:23, 24) Kjo u pasua nga një dedikim me gjithë zemër ndaj Jehovait në lutje. (Mateu 16:24; 1 Pjetrit 2:21) I kërkuam Perëndisë një ndërgjegje të mirë dhe u pagëzuam në simbol të dedikimit tonë ndaj tij. (1 Pjetrit 3:21) T’i mbajmë në mend këto hapa do të na ndihmojë që të mbetemi të përqendruar mbi nevojën për përpjekje të vazhdueshme që të jetojmë në lartësi të dedikimit tonë dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me zemër të palëkundur.

Vazhdojeni kërkimin për njohuri të saktë

5. Përse duhet të vazhdojmë të marrim njohuri biblike?

5 Për të jetuar në lartësinë e dedikimit tonë ndaj Perëndisë, duhet të vazhdojmë të fitojmë njohurinë biblike që na e ndërton besimin. Sa të kënaqur ishim për ushqimin frymor që merrnim, kur njohëm fillimisht të vërtetën e Perëndisë! (Mateu 24:45-47) Ato «vakte» ishin të shijshme dhe na ushqyen mirë frymësisht. Tani është thelbësore të vazhdojmë të marrim ushqim frymor të pasur në vlera ushqyese, me qëllim që të mbajmë një zemër të palëkundur si shërbëtorë të dedikuar të Jehovait.

6. Si mund të keni marrë ndihmë për të zhvilluar në zemër mirënjohjen për të vërtetën biblike?

6 Nevojiten përpjekje për të fituar njohuri të mëtejshme nga Shkrimet. Është si të kërkosh thesare të fshehura, pra, diçka që kërkon shumë përpjekje. Por, ama, sa shpërblyese është të gjejmë «vetë njohurinë e Perëndisë»! (Proverbat [Fjalët e urta] 2:1-6, BR) Kur e studiuat fillimisht Biblën me një lajmëtar të Mbretërisë, ai ose ajo mund të ketë përdorur librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Mund të keni kaluar mjaft kohë duke trajtuar çdo kapitull, ndoshta më shumë se një seancë studimi. Keni nxjerrë dobi nga leximi dhe shqyrtimi i shkrimeve të cituara. Nëse e kishit të vështirë të kuptonit një pikë, jua shpjegonin. Ai ose ajo që drejtonte studimin biblik përgatitej mirë, lutej për frymën e Perëndisë dhe ju ndihmoi të zhvillonit në zemër mirënjohjen për të vërtetën.

7. Ç’gjë e kualifikon një person për t’u mësuar të tjerëve të vërtetën e Perëndisë?

7 Kjo përpjekje ishte me vend, pasi Pavli shkroi: «Kushdo, të cilit i mësohet gojarisht fjala, le të marrë pjesë në të gjitha gjërat e mira bashkë me atë që e jep një mësim të tillë gojor.» (Galatasve 6:6) Këtu, teksti grek tregon që mësimet e Fjalës së Perëndisë nguliteshin thellë në mendjen dhe në zemrën e atij ‘i cili mësohej gojarisht’. Fakti që ju kanë mësuar në këtë mënyrë, ju kualifikon që edhe ju vetë të jeni mësues për të tjerë. (Veprat 18:25) Për t’i qëndruar besnikë dedikimit tuaj, duhet të ruani shëndetin dhe palëkundshmërinë frymore, duke e studiuar vazhdimisht Fjalën e Perëndisë.​—1 Timoteut 4:13; Titit 1:13; 2:2.

Kujtoni pendimin dhe kthimin tuaj në besim

8. Si mund të mbajmë një sjellje të perëndishme?

8 A ju kujtohet lehtësimi që provuat kur mësuat të vërtetën, u penduat dhe pastaj ndiet faljen e Perëndisë, të bazuar te besimi në flijimin shpërblyes të Jezuit? (Psalmi 32:1-5; Romakëve 5:8; 1 Pjetrit 3:18) Sigurisht, nuk doni t’i riktheheni një jete mëkatare. (2 Pjetrit 2:20-22) Ndër të tjera, lutjet e rregullta që i bëni Jehovait do t’ju ndihmojnë të mbani një sjellje të perëndishme, të jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj dhe të vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me besnikëri.​—2 Pjetrit 3:11, 12.

9. Pasi jeni larguar nga praktikat mëkatare, cilin drejtim duhet të ndiqni?

9 Pasi jeni kthyer në besim, duke u larguar nga praktikat mëkatare, vazhdoni të kërkoni ndihmën e Perëndisë për ta mbajtur të palëkundur zemrën. Ç’është e vërteta, ju po shkonit në rrugën e gabuar, por u konsultuat me një hartë të besueshme dhe filluat të udhëtonit në rrugën e duhur. Mos e humbni rrugën tani. Vazhdoni të mbështeteni në udhëheqjen e Perëndisë dhe jini të vendosur të qëndroni në rrugën që të çon drejt jetës.​—Isaia 30:20, 21; Mateu 7:13, 14.

Mos e harroni kurrë dedikimin dhe pagëzimin tuaj

10. Cilat pika duhet të mbajmë në mend lidhur me dedikimin tonë ndaj Perëndisë?

10 Mbani në mend se i bëtë një dedikim Jehovait në lutje, me synimin që t’i shërbenit atij me besnikëri në përjetësi. (Judës 20, 21) Dedikimi nënkupton një veçim ose ndarje mënjanë për një qëllim të shenjtë. (Levitiku 15:31; 22:2) Dedikimi juaj nuk ishte as një marrëveshje e përkohshme, as një zotim para njerëzve. Ishte një dedikim i përhershëm ndaj Sovranit Universal dhe, jetesa në lartësinë e këtij dedikimi, kërkon që t’i mbeteni besnikë Perëndisë për gjithë jetën. Po, ‘jetojmë a vdesim, ne i përkasim Jehovait’. (Romakëve 14:7, 8) Lumturia jonë varet nga nënshtrimi ndaj vullnetit të tij dhe nëse vazhdojmë t‘i shërbejmë me zemër të palëkundur.

11. Përse duhet ta kujtoni pagëzimin tuaj dhe domethënien e tij?

11 Kujtoni gjithnjë pagëzimin tuaj në simbol të dedikimit me gjithë zemër që i bëtë Perëndisë. Nuk ishte një pagëzim me detyrim, sepse vendimin e morët ju vetë. A jeni të vendosur tani që ta ushtroni vullnetin tuaj në harmoni me vullnetin hyjnor për pjesën tjetër të jetës? I kërkuat Perëndisë një ndërgjegje të mirë dhe u pagëzuat në simbol të dedikimit tuaj ndaj tij. Mbajeni këtë ndërgjegje të mirë duke e përmbushur dedikimin tuaj dhe bekimi i pasur i Jehovait do të mbetet te ju.​—Fjalët e urta 10:22.

Vullneti juaj luan një rol

12, 13. Si lidhet vullneti ynë me dedikimin dhe pagëzimin?

12 Dedikimi dhe pagëzimi u kanë sjellë vërtet bekime të mëdha miliona njerëzve anembanë tokës. Kur e simbolizojmë dedikimin tonë ndaj Perëndisë me pagëzimin në ujë, vdesim për sa i përket mënyrës së mëparshme të jetesës, por jo për sa i përket vullnetit tonë. Si besimtarë të informuar siç duhet, ne, në të vërtetë, ushtruam vullnetin tonë kur iu dedikuam Perëndisë në lutje dhe u pagëzuam. Dedikimi dhe pagëzimi kërkojnë që të përcaktojmë se cili është vullneti i Perëndisë e, më pas, vullnetarisht të zgjedhim që ta kryejmë atë. (Efesianëve 5:17) Në këtë mënyrë imitojmë Jezuin, i cili e ushtroi vullnetin e tij kur i vuri mënjanë veglat e zdrukthëtarit, u pagëzua dhe iu përkushtua plotësisht kryerjes së vullnetit të Atit të tij qiellor.​—Psalmi 40:7, 8; Gjoni 6:38-40.

13 Perëndia Jehova vuri si qëllim që Biri i tij të bëhej «i përsosur me anë të vuajtjeve». Prandaj, Jezui duhej të përdorte vullnetin e tij, me qëllim që t’u qëndronte këtyre vuajtjeve me besnikëri. Për këtë qëllim, ai «me klithma të forta dhe lot . . . ofroi përgjërime si edhe kërkesa . . . dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia». (Hebrenjve 2:10, 18; 5:7, 8) Nëse shfaqim një frikë të ngjashme përnderuese ndaj Perëndisë, edhe ne me siguri do të ‘dëgjohemi’ dhe mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na bëjë të palëkundur si Dëshmitarë të tij të dedikuar.​—Isaia 43:10.

Mund të mbani një zemër të palëkundur

14. Përse duhet ta lexojmë Biblën përditë?

14 Çfarë do t’ju ndihmojë të mbani një zemër të palëkundur e, kështu, të jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj ndaj Perëndisë? Lexojeni Biblën përditë, duke pasur si synim të merrni gjithnjë e më shumë njohuri për Fjalën e Perëndisë. Kjo është diçka që «skllavi i besueshëm dhe i matur» na nxit vazhdimisht të bëjmë. Kjo këshillë jepet sepse jetesa në lartësinë e dedikimit tonë kërkon që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën e Perëndisë. Në qoftë se organizata e Jehovait me dashje do të përkrahte mësime të rreme, Dëshmitarëve të Jehovait dhe atyre të cilëve ata u predikojnë nuk do t’u jepej kurrë këshilla për të lexuar Biblën.

15. (a) Çfarë duhet të shqyrtohet kur merren vendime? (b) Përse mund të thuhet se puna në botë është një veprimtari jokryesore për një të krishterë?

15 Kur të merrni vendime, shqyrtoni gjithnjë se si mund të ndikojnë ato në përmbushjen e dedikimit që i keni bërë Jehovait. Kjo mund të lidhet me punën që bëni. A përpiqeni të bëni që ajo t’ju ndihmojë të çoni përpara adhurimin e vërtetë? Në përgjithësi, punëdhënësit vërejnë se të krishterët e dedikuar janë të besueshëm dhe të palodhur. Gjithsesi, ata vërejnë edhe se Dëshmitarët e Jehovait nuk i bren ambicia për të çarë përpara në botë dhe nuk konkurrojnë me të tjerët për të pasur vendin e punës më fitimprurës. Kjo sepse synimi i Dëshmitarëve nuk është arritja e pasurisë, e famës, e autoritetit ose e pushtetit. Për ata që po jetojnë në lartësinë e dedikimit të tyre ndaj Perëndisë, gjëja më e rëndësishme është të kryejnë vullnetin hyjnor. Një punë në botë që u jep mundësi të kenë gjërat e domosdoshme të jetës është një veprimtari jokryesore, një punë me rëndësi dytësore. Ashtu si apostulli Pavël, karriera ose puna e tyre kryesore është shërbimi i krishterë. (Veprat 18:3, 4; 2 Selanikasve 3:7, 8; 1 Timoteut 5:8) A i mbani interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën tuaj?​—Mateu 6:25-33.

16. Çfarë mund të bëjmë nëse ankthi i tepërt po na e bën të vështirë të jetojmë në lartësinë e dedikimit tonë ndaj Perëndisë?

16 Para se të mësonin të vërtetën, disa mund të kenë qenë pothuajse të mbytur nga ankthet e ndryshme. Por, sa iu mbush zemra me gëzim, mirënjohje dhe dashuri për Perëndinë, kur përqafuan shpresën e Mbretërisë! Meditimi për bekimet që kanë pasur që nga ajo kohë mund t’i ndihmojë fare mirë që të jetojnë në lartësinë e dedikimit të tyre ndaj Jehovait. Nga ana tjetër, ç’të themi nëse tani ankthi i tepërt për problemet e zakonshme të jetës në këtë sistem kërcënon ta mbytë ‘fjalën e Perëndisë’, ashtu si gjembat mund t’i pengojnë filizat që të arrijnë pjekurinë dhe të japin fryte? (Luka 8:7, 11, 14; Mateu 13:22; Marku 4:18, 19) Nëse ndjeni se kjo gjë po fillon të ndodhë me ju ose me familjen tuaj, hidheni ankthin mbi Jehovain dhe lutjuni që t’ju ndihmojë të rriteni në dashuri e në çmueshmëri. Nëse e hidhni barrën tuaj mbi të, ai do t’ju mbështetë dhe do t’ju japë forcë që të vazhdoni t’i shërbeni të lumtur e me zemër të palëkundur.​—Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7; Zbulesa 2:4.

17. Si mund t’i përballojmë sprovat e rënda?

17 Vazhdoni t’i luteni rregullisht Perëndisë Jehova, siç u lutët kur i bëtë atij dedikimin. (Psalmi 65:2) Kur tundoheni për të bërë të keqen ose kur hasni një sprovë të rëndë, kërkoni udhëheqjen e Perëndisë dhe ndihmën e tij për të ndjekur këtë udhëheqje. Mos harroni nevojën për të pasur besim, sepse dishepulli Jakov shkroi: «Nëse ndonjërit nga ju i mungon mençuria [për të përballuar një sprovë], le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar; e do t’i jepet. Por le të vazhdojë t’ia kërkojë me besim, pa dyshuar aspak, sepse ai që dyshon është si një dallgë deti e shtyrë nga era dhe e hedhur andej-këtej. Në fakt, ai njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai; ai është një njeri i pavendosur, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij.» (Jakovit 1:5-8) Nëse një sprovë na duket tepër e rëndë, mund të jemi të sigurt për këtë: «Asnjë tundim nuk ju ka zënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit. Por Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

18. Çfarë mund të bëjmë nëse një mëkat i rëndë i fshehur po na dobëson vendosmërinë për të jetuar në lartësinë e dedikimit ndaj Jehovait?

18 Po sikur një mëkat i rëndë i fshehur të jetë duke ju trazuar ndërgjegjen dhe duke jua dobësuar vendosmërinë për të jetuar në lartësinë e dedikimit tuaj ndaj Perëndisë? Nëse jeni të penduar, mund të gjeni ngushëllim duke ditur se Jehovai ‘nuk do ta përçmojë zemrën e thyer dhe të penduar’. (Psalmi 51:17) Kërkoni ndihmën e pleqve të dashur të krishterë, duke e ditur se ata, në imitim të Jehovait, nuk do ta trajtojnë si pa shumë rëndësi dëshirën tuaj që të rivendosni një marrëdhënie të mirë me Atin tuaj qiellor. (Psalmi 103:10-14; Jakovit 5:13-15) Pastaj, me një forcë frymore të rigjallëruar dhe me një zemër të palëkundur, do të jeni në gjendje të bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja dhe do të keni mundësi të jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj ndaj Perëndisë.​—Hebrenjve 12:12, 13.

Vazhdoni të shërbeni me zemër të palëkundur

19, 20. Përse është jetësore që të vazhdojmë të jetojmë në lartësinë e dedikimit tonë?

19 Në këto kohë kritike, duhet të punojmë shumë që të jetojmë në lartësinë e dedikimit tonë dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë me zemër të palëkundur. Jezui tha: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:13) Meqë po jetojmë në «ditët e fundit», fundi mund të vijë në çdo kohë. (2 Timoteut 3:1) Për më tepër, asnjëri prej nesh nuk mund të jetë i sigurt nëse do të jetë gjallë nesër. (Jakovit 4:13, 14) Prandaj, është jetësore që të vazhdojmë të jetojmë sot në lartësinë e dedikimit tonë.

20 Apostulli Pjetër e theksoi këtë në letrën e tij të dytë. Ai tregoi se ashtu si të paperëndishmit morën fund në Përmbytje, kështu toka simbolike ose shoqëria e ligë njerëzore, do të shkatërrohet gjatë ‘ditës së Jehovait’. Prandaj, Pjetri bëri thirrje: «Ç’lloj personash duhet të jeni ju në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor!» Gjithashtu, i nxiti: «Të dashur, duke pasur këtë njohuri që më përpara, ruhuni që të mos tërhiqeni [nga mësuesit e rremë dhe nga njerëzit e paperëndishëm] dhe të mos bini nga palëkundshmëria juaj.» (2 Pjetrit 3:5-17) Sa e trishtueshme do të ishte sikur një person i pagëzuar të dilte nga rruga dhe ta përfundonte jetën e tij ose të saj si një person që nuk arriti të mbante një zemër të palëkundur!

21, 22. Si kanë dalë të vërteta fjalët e Psalmit 57:7 në rastin e Davidit dhe në rastin e të krishterëve të vërtetë?

21 Vendosmëria për të jetuar në lartësinë e dedikimit tuaj ndaj Perëndisë fare mirë mund të forcohet, nëse mbani në mend ditën e lumtur kur u pagëzuat dhe nëse kërkoni ndihmën e Perëndisë, me qëllim që fjalët e veprat tuaja ta gëzojnë zemrën e tij. (Fjalët e urta 27:11) Jehovai nuk e zhgënjen kurrë popullin e tij dhe, patjetër, edhe ne duhet t’i qëndrojmë besnikë atij. (Psalmi 94:14) Ai tregoi mëshirë e keqardhje për Davidin, duke ua prishur planet armiqve dhe duke e çliruar atë. Mirënjohës për këtë, Davidi shpalli patundshmërinë ose palëkundshmërinë e dashurisë që ndiente për Çliruesin e tij. Thellësisht i prekur, ai këndoi: «Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi, zemra ime është e palëkundur. Unë do të këndoj dhe do të luaj melodi.»​—Psalmi 57:7, BR.

22 Ashtu si Davidi, të krishterët e vërtetë nuk janë lëkundur nga devocioni i tyre ndaj Perëndisë. Me zemër të palëkundur, meritën për çlirimin dhe për mbrojtjen e tyre ata ia japin Jehovait, të cilit me gëzim i këndojnë lavdi. Nëse zemra juaj është e palëkundur, do të jetë e mbështetur te Perëndia dhe me ndihmën e tij, do të jeni në gjendje të përmbushni dedikimin tuaj. Po, ju mund të jeni si «i drejti» për të cilin psalmisti këndoi: «Ai nuk do të ketë frikë as nga lajmet e këqija. Zemra e tij është e palëkundur, e mbështetur te Jehovai.» (Psalmi 112:6, 7, BR) Me besim te Perëndia dhe me mbështetje të plotë tek ai, mund të jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj dhe të vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me zemër të palëkundur.

A ju kujtohet?

• Përse duhet të vazhdojmë të marrim njohuri të saktë për Biblën?

• Përse duhet të mbajmë në mend pendimin dhe kthimin tonë në besim?

• Si nxjerrim dobi duke kujtuar dedikimin dhe pagëzimin tonë?

• Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me zemër të palëkundur?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 18]

A po e ruani shëndetin frymor duke e lexuar Fjalën e Perëndisë përditë?

[Figura në faqen 18]

Ta bëjmë shërbimin e krishterë veprën tonë kryesore, na ndihmon t’i shërbejmë Jehovait me zemër të palëkundur