A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë programi personal që lidhet me Predikimin në Mal mund të përdorni për të lehtësuar stresin?
Çdo ditë mund të lexoni një nga mësimet bazë që Jezuit dha në atë predikim ose në ndonjë vend tjetër në Ungjijtë. Duke medituar për atë mësim dhe duke u përpjekur ta zbatoni personalisht, ka të ngjarë që të jeni më të lumtur dhe më pak të stresuar.—15/12, faqet 12-14.
• Cilat janë tri arsye të vlefshme përse pleqtë e kongregacionit duhet t’i stërvitin shërbëtorët ndihmës që të mbajnë përgjegjësi shtesë?
Për shkak të rritjes së numrit të Dëshmitarëve të Jehovait, ka nevojë për më shumë burra përgjegjës që t’i ndihmojnë të sapopagëzuarit të bëjnë përparim. Mosha e shkuar ose problemet shëndetësore e kufizojnë atë që mund të bëjnë tani disa që kanë shërbyer si pleq nga shumë kohë. Gjithashtu, disa pleq të aftë po mbajnë përgjegjësi të tjera përveç atyre në kongregacionin ku shërbejnë, kështu që mund të mos jenë në gjendje të bëjnë aq shumë sa më parë në kongregacionin e tyre.—1/1, faqja 29.
• Në ç’mënyrë njerëzit besojnë në perëndi që nuk janë realë?
Shumë njerëz adhurojnë perënditë e fesë së tyre, por këta mund të jenë thjesht perëndi pa jetë që nuk mund të shpëtojnë asnjë ashtu si nuk mundi Baali në ditët e Elijas. (1 Mbretërve 18:26, 29; Psalmi 135:15-17) Të tjerë adhurojnë personalitete të spektaklit ose personazhe sporti, të cilët nuk mund të sigurojnë ndonjë shpresë të vërtetë për të ardhmen. Në dallim me këta perëndi, Jehovai ekziston me të vërtetë dhe i përmbush qëllimet e tij.—15/1, faqet 3-5.
• Çfarë mund të mësojmë nga reagimi i Kainit ndaj paralajmërimit të Perëndisë?
Perëndia na ka dhënë vullnet të lirë dhe mund të zgjedhim të bëjmë atë që është e drejtë në vend që të mos pranojmë të bëjmë të mirën, sikurse veproi Kaini. Tregimi biblik bën të qartë edhe se Jehovai i ekzekuton me të vërtetë gjykimet e tij ndaj të papenduarve.—15/1, faqet 22-23.
• Përse pastërtia është veçanërisht e rëndësishme tani?
Me ndryshimin e mënyrës së jetesës në shoqëri, shumë njerëz kalojnë më pak kohë për të pastruar shtëpinë e tyre, sesa ishte e zakonshme më parë. Shpërfillja e pastërtisë për sa i përket ushqimit dhe ujit mund të paraqesë rreziqe për shëndetin. Përveç pastërtisë fizike Bibla thekson që t’i kushtojmë vëmendje pastërtisë frymore, morale dhe mendore.—1/2, faqet 3-6.
• Për dëshmitarët e kohës para krishterimit, Pavli tha se ‘nuk do të bëheshin të përsosur pa ne’. Në ç’mënyrë? (Hebrenjve 11:40)
Gjatë Mijëvjeçarit që po vjen, Krishti dhe vëllezërit e tij të mirosur, që shërbejnë si mbretër dhe priftërinj në qiell, do të vënë në zbatim për të ringjallurit dobitë e shpërblesës. Në këtë mënyrë, besimplotë të tillë, si ata që radhiten në kapitullin 11 të Hebrenjve, ‘do të bëhen të përsosur’.—1/2, faqja 23.
• Çfarë donte të thoshte Pavli kur u shkroi hebrenjve se «nuk keni rezistuar ende deri në gjak»? (Hebrenjve 12:4)
Ai donte t’u thoshte që të rezistonin deri në vdekje. Historia kishte shembuj të atyre që kishin qëndruar besnikë deri në vdekje. Edhe pse hebrenjtë të cilëve u shkroi Pavli nuk ishin vënë në sprovë deri në atë pikë, ata kishin nevojë të përparonin drejt pjekurisë, duke ndërtuar besimin e tyre për të duruar çfarëdolloj gjëje që mund të vinte.—15/2, faqja 29.
• Pse është më mirë që të mos themi se Jehovai e zbut drejtësinë e tij me mëshirën?
Në disa gjuhë, «të zbutësh» mund të nënkuptojë të heqësh ashpërsinë ose të frenosh. Jehovai është një Perëndi edhe i drejtësisë, edhe i mëshirës e kur i shfaq këto cilësi, të dyja janë në harmoni me njëra- tjetrën. (Eksodi 34:6, 7; Ligji i përtërirë 32:4; Psalmi 116:5; 145:9) Drejtësia e Jehovait nuk ka nevojë të zbutet me mëshirën.—1/3, faqja 30.
• A është e përshtatshme për të krishterin që të balsamosë trupin e një të afërmi të vet të vdekur?
Balsamimi është një mënyrë për të ruajtur kufomën. Disa persona në lashtësi e ndoqën këtë praktikë për arsye fetare. Kjo nuk do të vlente për adhuruesit e vërtetë. (Predikuesi 9:5; Veprat 24:15) Balsamimi thjesht do të vononte atë që është e pashmangshme, kthimin e trupit në pluhur. (Zanafilla 3:19) Por nuk do të përbënte asnjë problem nëse ligji e kërkonte balsamimin, nëse disa anëtarë të familjes do ta dëshironin atë ose nëse ai do të ishte i nevojshëm sepse disave do t’u duhej të udhëtonin shumë për të qenë në funeral.—15/3, faqet 29-31.
• Cilët shembuj biblikë na mësojnë se Perëndia i mirëpret njerëzit nga të gjitha kombet?
Jehovai dërgoi profetin Jona të paralajmëronte ninevitët dhe e nxiti atë që të pranonte pendimin e tyre. Me fjalët dhe me shembullin e tij, Jezui inkurajoi shfaqjen e dashurisë ndaj samaritanëve. Si apostulli Pjetër, ashtu edhe apostulli Pavël luajtën një rol të rëndësishëm për t’u çuar lajmin e mirë johebrenjve. Nga shembuj të tillë, mund të vërejmë nevojën për të bërë përpjekje që të ndihmojmë njerëzit me prejardhje të ndryshme.—1/4, faqet 21-24.