Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Empatia​—Një çelës për mirëdashjen dhe dhembshurinë

Empatia​—Një çelës për mirëdashjen dhe dhembshurinë

Empatia​—Një çelës për mirëdashjen dhe dhembshurinë

«PËR aq kohë sa mund të lehtësojmë dhembjen e dikujt tjetër, jeta nuk është e kotë»,​—shkroi Helen Kelleri. Patjetër që Kelleri e kuptonte se ç’ishte dhembja emocionale. Kur ishte 19-muajshe, një sëmundje e la atë plotësisht të verbër dhe të shurdhër. Por një mësuese e dhembshur i mësoi Helenës të shkruante dhe të lexonte në gjuhën braile dhe më vonë të fliste.

Mësuesja e Kellerit, Ana Sulivani, gjithashtu, e njihte shumë mirë zhgënjimin që provohet kur lufton me një mangësi fizike. Ajo vetë ishte gati e verbër. Por Ana me durim gjeti një mënyrë për të komunikuar me Helenën, duke i «gërmëzuar» shkronjat në dorën e Helenës. E frymëzuar nga empatia që tregoi mësuesja e saj, Helena vendosi ta dedikonte jetën për të ndihmuar të verbrit dhe të shurdhrit. Pasi e kishte kapërcyer me përpjekje të mëdha problemin e saj fizik, ajo ndiente empati e dhembshuri për ata që gjendeshin në rrethana të ngjashme. Donte t’i ndihmonte ata.

Ka të ngjarë që ta keni vërejtur se në këtë botë egoiste është e lehtë të ‘mbyllësh derën e dhembshurive të buta’ dhe të mos i përfillësh nevojat e të tjerëve. (1 Gjonit 3:17) Nga ana tjetër, të krishterët janë urdhëruar që ta duan të afërmin e të kenë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin. (Mateu 22:39; 1 Pjetrit 4:8) Por ka mundësi që të jeni të vetëdijshëm për këtë të vërtetë: megjithëse kemi plotësisht ndër mend ta duam njëri-tjetrin, shpesh nuk u japim rëndësi mundësive për të lehtësuar dhembjet e të tjerëve. Kjo mund të jetë thjesht sepse nuk jemi të vetëdijshëm për nevojat e tyre. Empatia është çelësi që mund të hapë derën drejt mirëdashjes dhe dhembshurisë.

Çfarë është empatia?

Një fjalor thotë se empatia është «të bashkohesh me dhe të kuptosh situatën, ndjenjat dhe motivet e një tjetri». Është përshkruar edhe si aftësia për ta vënë veten në vendin e tjetrit. Pra, empatia kërkon së pari që ne t’i kuptojmë rrethanat e dikujt tjetër dhe së dyti të provojmë të njëjtat ndjenja që ato rrethana kanë shkaktuar tek ai person. Po, empatia përfshin të ndiejmë dhembjen e një personi tjetër në zemrën tonë.

Fjala «empati» nuk shfaqet në Bibël, por Shkrimet i referohen kësaj cilësie në mënyrë të tërthortë. Apostulli Pjetër i këshilloi të krishterët që të tregonin «ndjenja të përbashkëta, duke pasur përzemërsi vëllazërore, duke qenë zemërdhembshur». (1 Pjetrit 3:8) Fjala greke e përkthyer «ndjenja të përbashkëta» fjalë për fjalë do të thotë «të vuash bashkë me një tjetër» ose «të kesh dhembshuri». Apostulli Pavël këshilloi për shfaqjen e ndjenjave të ngjashme kur i nxiti të bashkëkrishterët të ‘gëzojnë me ata që gëzojnë; të qajnë me ata që qajnë’. Pavli shtoi: «Mendoni për të tjerët njësoj si për veten tuaj.» (Romakëve 12:15, 16) A nuk do të ishit në të njëjtin mendim se do të ishte pothuajse e pamundur të donim të afërmin tonë si veten, nëse nuk do ta vinim veten në vendin e tij?

Gati kushdo ka njëfarë empatie të natyrshme. Kush nuk është prekur kur ka parë fëmijë që vdesin urie ose refugjatë të shqetësuar; pamje që të drithërojnë zemrën? Cila nënë e dashur mund t’i shpërfillë qarjet me dënesë të fëmijës së saj? Por jo të gjitha vuajtjet mund të kuptohen lehtë. Sa e vështirë është të kuptohen ndjenjat e dikujt që po vuan nga depresioni, nga një problem fizik jo shumë e dukshme ose edhe nga një problem me të ushqyerin, nëse nuk i kemi kaluar kurrë vetë këto probleme! Sidoqoftë, Shkrimet tregojnë se mund dhe duhet të zhvillojmë ndjenja të përbashkëta ndaj atyre që kanë rrethana të ndryshme nga tonat.

Shembuj biblikë të empatisë

Jehovai është shembulli kryesor i empatisë. Edhe pse është vetë i përsosur, ai nuk pret nga ne që të jemi të përsosur, «sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur». (Psalmi 103:14; Romakëve 5:12) Për më tepër, meqë është i vetëdijshëm për kufizimet tona, ai ‘nuk lejon që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’. (1 Korintasve 10:13) Me anë të shërbëtorëve dhe frymës së tij, ai na ndihmon të gjejmë rrugëdaljen.​—Jeremia 25:4, 5; Veprat 5:32.

Jehovai e ndien personalisht dhembjen që ndien populli i tij. Ai u tha judenjve që ishin kthyer nga Babilonia: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8, BR) Tepër i vetëdijshëm për empatinë e Perëndisë, shkrimtari biblik Davidi i tha: «Vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?» (Psalmi 56:8) Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai kujton, si të ishin të shkruara në një libër, lotët që derdhin shërbëtorët e tij besimplotë ndërsa luftojnë për të mbajtur integritetin e tyre!

Ashtu si Ati i tij qiellor, Jezu Krishti është i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Kur shëroi një burrë të shurdhër, e mori veçmas, në mënyrë që shërimi me anë të mrekullisë të mos e vinte shumë në siklet a ta frikësonte atë. (Marku 7:32-35) Në një rast tjetër, Jezui vuri re një vejushë që do të varroste djalin e saj të vetëm. Menjëherë e ndjeu dhembjen që ajo provonte, iu afrua kortezhit të funeralit dhe e ringjalli djalin.​—Luka 7:11-16.

Pasi Jezui u ringjall, kur iu shfaq Saulit në rrugën për në Damask, i bëri të ditur atij se përndjekja e egër që i bënte dishepujve, ndikonte te vetë Jezui. Ai i tha: «Jam Jezui, të cilin ti po e persekuton.» (Veprat 9:3-5) Vetë Jezui ndiente dhembjen që provonin dishepujt e tij, si një nënë e cila ndien dhembjen e fëmijës së saj të sëmurë. Në mënyrë të ngjashme, si Kryeprifti ynë qiellor, Jezui ‘bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë’ që kemi ose sipas versionit të Rotherhamit, ai ka «ndjenja të përbashkëta me dobësitë tona».​—Hebrenjve 4:15.

Apostulli Pavël mësoi të ishte i ndjeshëm ndaj vuajtjeve dhe ndjenjave të të tjerëve. Ai pyeti: «Kush është i dobët dhe unë nuk jam i dobët? Kush është penguar dhe unë nuk jam përvëluar?» (2 Korintasve 11:29) Kur një engjëll me anë të një mrekullie e çliroi Pavlin dhe Silën nga prangat në një burg në Filipi, menjëherë Pavlit i vajti në mendje të informonte gardianin që askush nuk ishte arratisur. Ai me empati ndjeu se gardiani mund të kryente vetëvrasje. Pavli e dinte se sipas një zakoni romak, një gardian ndëshkohej rëndë nëse ndonjë i burgosur arratisej, veçanërisht nëse ishte udhëzuar për ta ruajtur në siguri të plotë. (Veprat 16:24-28) Veprimi jetëshpëtues e dashamirës i Pavlit i bëri përshtypje gardianit dhe së bashku me ata të shtëpisë së vet ndërmorën hapa për t’u bërë të krishterë.​—Veprat 16:30-34.

Si të kultivojmë empati?

Shkrimet vazhdimisht na nxitin të imitojmë Atin tonë qiellor dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, kështu që empatia është një cilësi që kemi nevojë ta zhvillojmë. Si mund ta bëjmë këtë? Ka tri mënyra kryesore me anë të të cilave mund ta mprehim ndjeshmërinë tonë ndaj nevojave dhe ndjenjave të të tjerëve: duke dëgjuar, duke vëzhguar dhe duke përfytyruar.

Të dëgjojmë. Duke dëgjuar me kujdes, mësojmë se çfarë problemesh hasin të tjerët. Dhe sa më mirë të dëgjojmë, aq më shumë ka të ngjarë që ata të na hapin zemrën dhe të na shfaqin ndjenjat e tyre. Miriami shpjegon: «Mund të flas me një plak vetëm nëse jam e sigurt që ai do të më dëgjojë. Dua të di nëse ai me të vërtetë e kupton problemin tim. Siguria ime ndaj tij rritet kur ai më bën pyetje zhbiruese që tregojnë se më ka dëgjuar me kujdes për ato që i kam treguar.»

Të vëzhgojmë. Jo çdokush do të na tregojë hapur se si ndihet ose çfarë po kalon. Sidoqoftë, një vëzhgues i mprehtë e sheh kur një i bashkëkrishterë duket i trishtuar, kur një adoleshent bëhet jo komunikues ose kur një shërbëtor i zellshëm humb entuziazmin. Kjo aftësi për ta kuptuar një problem në fazat e tij të hershme është jetësore për prindërit. Maria vëren: «Nuk e di se si, por mamaja ime e di si ndihem para se të flas me të, kështu është më e lehtë për mua të flas hapur me të për problemet e mia.»

Të përdorim imagjinatën. Mënyra më e mirë për ta nxitur empatinë është të pyesim veten: ‘Nëse do të isha unë në këtë rrethanë, si do të ndihesha? Si do të reagoja? Për çfarë do të kisha nevojë?’ Tre ngushëlluesit e rremë të Jobit treguan se ishin të paaftë për ta vënë veten në vendin e tij. Si rrjedhim, ata e dënuan atë për mëkate imagjinare që pretendonin se ai duhej të kishte kryer.

Njerëzit e papërsosur shpesh e kanë më të lehtë të gjykojnë gabimet, sesa të kuptojnë ndjenjat. Megjithatë, nëse përpiqemi fort të përfytyrojmë dëshpërimin e personit që vuan, kjo do të na ndihmojë të kemi të njëjtat ndjenja me të, në vend që ta dënojmë. Huani, një plak me përvojë komentoi: «Jap këshilla shumë më të mira kur dëgjoj me kujdes dhe përpiqem ta kuptoj të gjithë situatën para se të filloj të jap sugjerime për diçka.»

Botimet e shpërndara nga Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar shumë persona në këtë drejtim. Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! kanë trajtuar probleme të vështira siç janë depresioni dhe abuzimi ndaj fëmijëve. Ky informacion në kohën e duhur i ndihmon lexuesit të jenë më të ndjeshëm ndaj ndjenjave të atyre që vuajnë në mënyra të tilla. Po ashtu libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike ka ndihmuar shumë prindër që të kuptojnë problemet e fëmijëve të tyre.

Empatia ndihmon në veprimtaritë e krishtere

Pak nga ne do ta shpërfillnin gjendjen e vështirë të një fëmije që po vdes urie, nëse do të kishin ushqim të mjaftueshëm për t’i dhënë. Empatia do të na ndihmojë të kuptojmë gjithashtu gjendjen frymore të një personi. Bibla na tregon për Jezuin: «Duke parë turmat, ai ndjeu keqardhje për to, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» (Mateu 9:36) Miliona njerëz sot janë në një gjendje frymore të ngjashme dhe kanë nevojë për ndihmë.

Si në ditët e Jezuit, mund të na duhet të kapërcejmë edhe sot paragjykimet ose tradita të ngulitura thellë, me qëllim që të prekim zemrat e disa njerëzve. Një lajmëtar që tregon empati përpiqet fort për të gjetur një themel të përbashkët ose të flasë për tema që u interesojnë njerëzve, në mënyrë që ta bëjë mesazhin e tij më tërheqës. (Veprat 17:22, 23; 1 Korintasve 9:20-23) Veprimet mirëdashëse, të motivuara nga empatia mund t’i bëjnë dëgjuesit tanë më të prirur për ta pranuar mesazhin e Mbretërisë, siç ishte në rastin e gardianit në Filipi.

Empatia është shumë e çmuar pasi na ndihmon që të mos i vëmë re mangësitë e të tjerëve brenda kongregacionit. Nëse përpiqemi fort t’i kuptojmë ndjenjat e një vëllai që na ka ofenduar, pa dyshim, do ta kemi më të lehtë për ta falur. Ka mundësi që edhe ne të kishim reaguar në të njëjtën mënyrë, po të ishim në të njëjtën rrethanë dhe po të kishim të njëjtat përvoja personale si ai. Empatia e shtyn Jehovain që të ‘mos harrojë që ne jemi pluhur’, kështu, pra, a nuk duhet që empatia të na nxitë t’i mbajmë parasysh papërsosmëritë e të tjerëve dhe të ‘falim bujarisht njëri-tjetrin’?​—Psalmi 103:14; Kolosianëve 3:13.

Nëse do të na duhej të jepnim ndonjë këshillë, ndoshta do ta bënim këtë në një mënyrë më dashamirëse, po të kuptonim ndjenjat dhe sedrën e atij që ka gabuar. Një plak i krishterë që tregon empati i kujton vetes: ‘Edhe unë mund ta kisha bërë këtë gabim. Mund të kisha qenë unë në situatën e tij.’ Si rrjedhim, Pavli këshillon: «Përpiquni ta ndreqni një njeri të tillë me një frymë butësie, ndërkohë që je vigjilent për veten, nga frika se mos tundohesh edhe ti.»​—Galatasve 6:1.

Empatia mund të na nxitë edhe që të japim ndihmë praktike, nëse është brenda mundësive tona për ta bërë një gjë të tillë, edhe pse një i bashkëkrishterë mund të ngurrojë për ta kërkuar. Apostulli Gjon shkruan: «Si qëndron dashuria e Perëndisë në atë që ka mjetet e jetesës së kësaj bote e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij që ka nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta? . . . Le të duam, jo me fjalë e as me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»​—1 Gjonit 3:17, 18.

Që të duam «me vepra e të vërtetë», së pari kemi nevojë të kuptojmë nevojat e veçanta të vëllezërve tanë. A jemi të kujdesshëm për të vënë re nevojat e të tjerëve, me qëllimin për t’i ndihmuar ata? Ja çfarë do të thotë të shfaqësh empati.

Të kultivojmë ndjenja të përbashkëta

Nga natyra ndoshta mund të mos jemi persona që shfaqim empati, por mund ta kultivojmë këtë ndjenjë. Nëqoftëse dëgjojmë më me vëmendje, po të jemi më të mprehtë për të vëzhguar dhe në rast se e përfytyrojmë veten në rrethanat e një tjetri më shpesh, empatia jonë do të rritet. Si pasojë, do të ndihemi të shtyrë për t’u treguar më shumë dashuri, mirëdashje dhe dhembshuri fëmijëve tanë, të bashkëkrishterëve dhe fqinjëve tanë.

Mos lejoni kurrë që egoizmi të mbytë ndjenjën tuaj të empatisë. Pavli shkroi: «Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.» (Filipianëve 2:4; Dio) E ardhmja jonë e përhershme varet nga empatia që tregon Jehovai dhe Kryeprifti i tij, Jezu Krishti. Pra kemi një detyrim moral për të kultivuar këtë cilësi. Empatia që shfaqim do të na japë forcë për t’u bërë shërbëtorë më të mirë dhe prindër më të mirë. Mbi të gjitha, empatia do të na ndihmojë të zbulojmë se «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh».​—Veprat 20:35.

[Figura në faqen 25]

Empatia përfshin që të vëzhgojmë me kujdes nevojat e të tjerëve, me qëllimin për t’i ndihmuar ata

[Figura në faqen 26]

A mund të mësojmë të shfaqim empatinë që një nënë e dashur ndien natyrshëm për fëmijën e saj?