Kur është e mençur të ikësh?
Kur është e mençur të ikësh?
BOTA e sotme shpesh karakterizohet nga një frymë trimërie prej kokëkrisuri, nga konflikte ose nga situata tunduese. Atë person që ikën nga një rrethanë zakonisht e quajnë të dobët ose burracak. Madje mund ta bëjnë edhe objekt talljeje.
Megjithatë, Bibla e thotë qartë se ka disa raste kur të largohesh është gjëja më e mençur dhe e guximshme. Në vërtetim të kësaj, para se t’i dërgonte dishepujt e tij në shërbim, Jezu Krishti u tha: «Kur t’ju persekutojnë në një qytet, ikni në një tjetër.» (Mateu 10:23) Po, dishepujt e Jezuit duhej të përpiqeshin të iknin nga persekutuesit e tyre. Nuk duhej të bënin asgjë të ngjashme me një kryqëzatë, duke u përpjekur t’i kthenin të tjerët me forcë në besim. Ata kishin një mesazh paqeje. (Mateu 10:11-14; Veprat 10:34-37) Kështu, në vend që të lejonin t’u ndizej zemërimi, të krishterët duhej të iknin, duhej t’i largoheshin burimit të provokimit. Duke bërë kështu, ruanin një ndërgjegje të mirë si dhe marrëdhënien e tyre të çmuar me Jehovain.—2 Korintasve 4:1, 2.
Një rast i kundërt me këtë gjendet në librin biblik të Proverbave. Aty flitet për një të ri i cili, i gjendur përballë tundimit, në vend që të largohej shkoi pas një prostitute «si një ka që shkon në thertore». Pasoja? Katastrofë, sepse iu dorëzua tundimit që kishte të bënte me vetë jetën e tij.—Fjalët e urta 7:5-8, 21-23.
Çfarë do të bënit nëse do të gjendeshit përballë tundimit për të kryer imoralitet seksual ose do të hasnit ndonjë rrezik tjetër të mundshëm? Sipas Fjalës së Perëndisë, veprimi më i përshtatshëm është që të largohemi, të largohemi menjëherë nga ajo rrethanë.—Fjalët e urta 4:14, 15; 1 Korintasve 6:18; 2 Timoteut 2:22.