Lavdërojnë Perëndinë në malet filipinase
Lavdërojnë Perëndinë në malet filipinase
Nëse mendoni për Filipinet si një komb ishullor, keni të drejtë. Por, është gjithashtu edhe një vend me male hijerënda. Për Dëshmitarët e Jehovait predikimi në qytetet dhe në vendet fushore ka qenë pak a shumë i lehtë dhe frytdhënës. Kurse situata në rajonet malore është krejt tjetër.
MALET madhështore të vendit shfaqen qartë duke bërë një kontrast me plazhet me rërë, me shkëmbinjtë koralorë, me fshatrat ku qëndrojnë peshkatarët dhe me qytetet e zhurmshme në rrafshnaltat e ishullit. Malet paraqesin gjithashtu një pengesë të vështirë për predikimin e ‘lajmit të mirë’ të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:14.
Ishujt Filipine gjenden në një vend gjeografik ku përplasen dy pllaka tektonike. Ngjeshja e tokës në këtë zonë ka bërë të mundur krijimin e vargmaleve të thepisura në ishujt më të mëdhenj. Të më shumë se 7.100 ishujt që përbëjnë Filipinet gjenden në pjesën perëndimore të të ashtuquajturës «unaza e zjarrtë» në Paqësor. Për këtë arsye, kudo në këta ishuj ka vullkane që kontribuojnë në formimin e peizazhit malor. Një terren i tillë i thyer i ka izoluar malësorët. Të shkosh tek ata është e vështirë pasi relativisht pak rrugë janë të përshtatshme për mjete të motorizuara.
Edhe pse përballen me këto vështirësi, Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë nevojën për të arritur «njerëz të çdo lloji». (1 Timoteut 2:4) Pra, Dëshmitarët në Filipine kanë punuar në harmoni me frymën e Isaisë 42:11, 12, ku thuhet: «Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve. Le t’i japin lavdi Zotit, le të shpallin lëvdimin e tij në ishuj.»
Përpjekje të fuqishme për t’u dëshmuar njerëzve në male filluan më shumë se 50 vjet më parë. Pas Luftës II Botërore, misionarët ndihmuan për t’i dhënë një nxitje veprës. Shumë banorë vendas e përqafuan të vërtetën biblike dhe ata nga ana e tyre, ndihmuan të përhapej kjo e vërtetë në fshatrat që gjendeshin lart në male. Kjo solli fryte të shkëlqyera. Për shembull, në malet e Kordilierës Qendrore
në veri të Lusonit, ka rreth 6.000 lajmëtarë të lajmit të mirë. Shumica e tyre janë vendas, duke përfshirë këtu popujt ibaloi, ifugao dhe kalinga.Megjithatë, mbeten ende vende në male që janë të vështira për të shkuar. Njerëzit që jetojnë atje nuk janë harruar. Si është bërë e mundur të takoheshin disa prej tyre dhe cili ka qenë reagimi?
Besimi i sinqertë i zë vendin traditës
Në ishullin verior të Lusonit, rajoni malor i provincës së Abras banohet nga tingianët. Ky emër mund ta ketë pasur origjinën nga fjala e hershme malaje tinggi që do të thotë «mal». Me të vërtetë një emër shumë i përshtatshëm. Njerëzit gjithashtu i referohen vetes dhe gjuhës së tyre si itneg. Ata besojnë në një perëndi të quajtur Kabunian dhe jeta e përditshme ndikohet tepër nga besëtytnitë. Për shembull, nëse një person që po planifikon të shkojë diku teshtin, ky është një ogur i keq. Ai duhet të presë për nja dy orë që të largohet ndikimi i keq.
Në vitin 1572, spanjollët futën katolicizmin, por nuk arritën t’u mësonin tingianëve krishterimin e vërtetë. Ata që u bënë katolikë vazhduan me besimin e tyre te Kabuniani dhe ndoqën zakonet e vendit. Njohuria e saktë e Biblës arriti për herë të parë te këta njerëz në vitet 30 të shekullit të 20-të, kur Dëshmitarët e Jehovait filluan të shpërndanin mesazhin e Mbretërisë në ato male. Shumë tingianë të sinqertë që atëherë kanë filluar të lavdërojnë Jehovain «nga maja e maleve».
Për shembull, Lingbaoani më parë ishte një udhëheqës fisi i respektuar në zonën e tij. Ishte tepër i zhytur në kulturën tingiane. «I ndiqja me besnikëri zakonet tingiane. Nëse një person vritej, pas varrimit kryenim një valle dhe u binim gongeve. Madje flijonim kafshë. Besonim te Kabuniani dhe unë nuk e njihja Perëndinë e Biblës.»
Këto i bënte edhe pse ishte një katolik sa për emër.Dëshmitarë të Jehovait shkuan të predikonin në atë vend. Ata takuan Lingbaoanin dhe e inkurajuan të lexonte Biblën. Ai kujton: «Ishte Bibla që më bindi se Jehovai është Perëndia i vërtetë.» Më pas një Dëshmitar studioi Biblën me të dhe Lingbaoani mori vendimin t’i shërbente Perëndisë së vërtetë. I braktisi zakonet e mëparshme, duke përfshirë edhe pozitën e tij si udhëheqës fisi, një veprim që e zemëroi priftin vendas dhe shokët e mëparshëm të Lingbaoanit. Sidoqoftë, Lingbaoani ishte i vendosur të ndiqte të vërtetat që kishte gjetur në Bibël. Tani shërben si plak kongregacioni.
Shtatë ditë e gjashtë net
Edhe pse në disa pjesë të Abras tani dëgjohet gati rregullisht lajmi i mirë, pjesë të tjera janë larg dhe vetëm me raste arrihet të jepet dëshmi. Ca kohë më parë, u bë një përpjekje për të shkuar në një nga këto zona. Një grup prej 35 Dëshmitarësh u nisën për të predikuar në një territor të pacaktuar në Tineg, Abra, një vend që nuk ishte vizituar për 27 vjet.
Udhëtimi për këtë ekspeditë predikimi u bë në këmbë për një periudhë që zgjati shtatë ditë. Përfytyroni të kapërceni ura të varura dhe lumenj të thellë. Përfytyroni të ecni me orë të tëra nëpër kreshtat e maleve duke mbajtur në shpinë gjërat e nevojshme—e gjithë kjo për t’u predikuar lajmin e mirë atyre që rrallë e dëgjojnë atë. Katër nga gjashtë netët e udhëtimit i kaluan duke fjetur jashtë në mal në qiell të hapur.
Edhe pse Dëshmitarët e guximshëm të ekspeditës kishin marrë me vete ca ushqim, nuk mund të merrnin mjaftueshëm për të gjithë udhëtimin. Sidoqoftë, kjo nuk përbënte një problem pasi njerëzit ishin më se të lumtur t’i shkëmbenin ushqimet me botimet e bazuara në Bibël. Dëshmitarët morën prodhime ferme, peshk dhe mish dreri me bollëk. Edhe pse patën disa vështirësi, grupi tha: «Këto sakrifica u shpërblyen me gëzimin e madh që provuam.»
Gjatë shtatë ditëve, këta shërbëtorë dhanë dëshmi në dhjetë fshatra, duke shpërndarë 60 libra, 186 revista, 50 broshura dhe shumë fletushka. Ata u demonstruan studime biblike 74 grupeve me njerëz. Në qytetin e Tinegut, me kërkesën e zyrtarëve vendas dhe të disa qytetarëve të shquar, u mbajt një mbledhje me 78 të pranishëm tamam si në një kongregacion. Pjesa më e madhe e të pranishmëve ishin mësues dhe policë. Shpresohet se edhe më shumë tingianë do të bashkohen me ata që «lëshojnë britma» duke lavdëruar Jehovain nga maja e maleve.
Diçka më e mirë se ari
Më në jug të Filipineve janë disa ishuj ku spanjollët gjetën ar. Kjo bëri që të lindte emri Mindoro, një shkurtim i shprehjes spanjolle mina de oro ose «minierë ari». Sidoqoftë, tani në këta ishuj po gjendet diçka më e mirë se ari. Po gjenden njerëz që dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë së vërtetë, Jehovait.
Rreth 125.000 banorë indigjenë të quajtur mangianë banojnë thellë në brendësi të pyjeve të Mindoros. Ata bëjnë një jetë të thjeshtë,
të veçuar nga të tjerët dhe kanë gjuhën e tyre. Shumica janë animistë e politeistë dhe besojnë në frymëra të ndryshme në natyrë.Me raste, kur kanë mungesa të ushqimit ose të furnizimeve të tjera, disa mangianë zbresin në zonat bregdetare për të kërkuar punë. Kështu ndodhi me Pailingun, i cili është nga një nëngrup i mangianëve, i quajtur batangan. Ai u rrit mes popullit të tij në pyjet malore dhe përkrahte besimet e praktikat e batanganëve. Veshja e zakonshme ishte një copë e thjeshtë rreth ijeve. Për të pasur të korra të mbara, tradita batangane kërkonte që adhuruesit të vritnin një pulë, ta linin gjakun të rridhte në ujë ndërsa ata luteshin.
Pailingu nuk i ndoqi më ato tradita. Përse? Kur zbriti në zonat fushore, filloi të punonte me disa familje të Dëshmitarëve të Jehovait. Një nga këto familje shfrytëzoi këtë rast për t’ia bërë të njohur Pailingut të vërtetën e Biblës. Ai reagoi mirë dhe me të vërtetë kuptoi vlerën e asaj që po mësonte rreth qëllimit të Jehovait për njeriun dhe për tokën. Ata bënë rregullime që ai të shkonte në shkollën fillore, si dhe të studionte Biblën. Pailingu u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në moshën 24-vjeçare. Në moshën 30-vjeçare, kur ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme, e bëri shkollën territorin e tij të predikimit. Tani e thërrasin Rolando (një emër i zonave fushore).
Nëse e takoni Rolandon do të shikoni një predikues të qeshur të veshur mirë, i cili shërben në kohë të plotë dhe është shërbëtor ndihmës në një nga kongregacionet në Mindoro. Kohët e fundit Rolandoja u kthye në male jo për t’u bashkuar me batanganët në traditat e tyre, por për të ndarë me ta të vërtetat jetëdhënëse të Biblës.
Mezi presin të kenë një Sallë Mbretërie
Provinca e Bukidnonit,—që do të thotë «malësorë» në gjuhën cebuane—gjendet në ishullin jugor të Mindanaos. Kjo është një zonë me male, gryka të thikëta, lugina lumenjsh dhe pllaja. Toka pjellore bën të rriten ananasë, misër, kafe, oriz dhe banane. Atje jetojnë fiset malësore talandig dhe higaonon. Edhe këta njerëz kanë nevojë të mësojnë për Jehovain. Kohët e fundit, afër qytetit të Talakagit, kjo mundësi u krijua në një mënyrë shumë interesante.
Dëshmitarët që shkuan në malësi gjetën një klimë të ftohtë, por një mirëseardhje të ngrohtë. Vendasit pohonin se besonin në Perëndinë e Plotfuqishëm, në Atin, por nuk e dinin emrin e tij. Meqenëse ata e kalonin pjesën më të madhe të kohës në pyje, kjo ishte hera e parë që takonin Dëshmitarët e Jehovait. Atyre iu bë e njohur emri i Perëndisë, si dhe qëllimi i tij i mrekullueshëm në lidhje me Mbretërinë. Njerëzit ishin të kënaqur, kështu u vendos që në fshatin e tyre të bëheshin vizita të tjera.
Pasuan disa vizita. Si pasojë, vendasit ofruan një vend për një «shtëpi» për Dëshmitarët e Jehovait. Dëshmitarët e pranuan me kënaqësi ofertën. Vendi ishte në majën e kodrës më të lartë të zonës, me pamje nga rruga. Ndërtesa u ndërtua me dru, bambu dhe gjethe palme. Projekti përfundoi në tre muaj e dhjetë ditë. Tabela «Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait» ishte e dukshme përpara ndërtesës. Mendoni pak! U ndërtua një Sallë Mbretërie para se të formohej një kongregacion!
Që nga ajo kohë atje u vendos me banim një plak kongregacioni i cili është shërbëtor në kohë të plotë, si dhe një shërbëtor ndihmës. Së bashku me Dëshmitarët nga vendet fqinje, ata punuan për të formuar një kongregacion. Kjo u bë realitet në gusht të vitit 1998. Një kongregacion i vogël po e përdor plotësisht këtë Sallë Mbretërie, duke i ndihmuar malësorët që të mësojnë të vërtetat e Biblës.
Me të vërtetë, Jehovai ka përdorur në mënyrë të fuqishme shërbëtorët e tij të gatshëm në Filipine për të përhapur të vërtetën e Mbretërisë edhe në malet ku është e vështirë për të shkuar. Na vjen në mend Isaia 52:7, që thotë: «Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira.»
[Hartat në faqen 11]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
ABRA
MINDORO
BUKIDNON
[Burimi]
Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figurat në faqen 10]
Predikimi në male përfshin ngjitjen për orë të tëra në një terren të thepisur
[Figura në faqen 10]
Pagëzimi në një përrua malor