Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ligjet hyjnore janë për dobinë tonë

Ligjet hyjnore janë për dobinë tonë

Ligjet hyjnore janë për dobinë tonë

«Sa shumë e dua ligjin tënd!»​—PSALMI 119:97.

1. Cili është qëndrimi mbizotërues për sa i përket bindjes ndaj ligjeve hyjnore?

SOT bindja ndaj ligjeve hyjnore nuk është një gjë e zakonshme. Shumë vetave u duket e pakuptimtë t’i nënshtrohen një autoriteti më të lartë të padukshëm. Jetojmë në një epokë relativizmi moral, një epokë me kufij të paqartë ndërmjet së drejtës dhe së gabuarës e në të cilën gjërat nuk dallohen më qartë a janë të drejta ose të gabuara. (Fjalët e urta [Proverbat] 17:15; Isaia 5:20) Si një tregues i mënyrës së zakonshme të të menduarit në shumë shoqëri jofetare, në një anketë të kohëve të fundit u vërejt se «shumica e amerikanëve duan ta vendosin vetë se çfarë është e drejtë, e mirë dhe domethënëse». Ata parapëlqejnë të mos kenë «asnjë Perëndi të rreptë, asnjë rregull të rreptë, asnjë epror që të jetë më i rreptë se ta nga ana morale ose nga anë të tjera». Një sociolog komentoi se sot «pritet që gjithkush ta vendosë vetë se çfarë do të thotë të bësh një jetë të mirë e të virtytshme». Ai vazhdoi: «Çdo formë e autoritetit më të lartë duhet t’i përshtatë urdhrat e veta sipas nevojave të njerëzve të thjeshtë.»

2. Si lidhet ngushtësisht me bekimin dhe me miratimin hyjnor rasti i parë kur ligji përmendet në Bibël?

2 Meqë kaq shumë njerëz e vënë në dyshim vlerën e ligjeve të Jehovait, ne e kemi të nevojshme ta përforcojmë bindjen se normat hyjnore janë për dobinë tonë. Është me interes të shqyrtojmë tregimin në të cilin ligji përmendet për herë të parë në Bibël. Te Zanafilla 26:5 lexojmë fjalët e Perëndisë: «Abrahami . . . respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia.» Këto fjalë u thanë shekuj më përpara se Jehovai t’u jepte pasardhësve të Abrahamit një kod të hollësishëm ligjor. Si ia shpërbleu Perëndia Abrahamit bindjen që tregoi, duke përfshirë edhe bindjen ndaj ligjeve të Tij? Perëndia Jehova i premtoi: «Në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës.» (Zanafilla 22:18, DSF) Pra, bindja ndaj ligjeve hyjnore lidhet ngushtësisht me bekimin dhe me miratimin hyjnor.

3. (a) Cilën ndjenjë shprehu një psalmist për ligjin e Jehovait? (b) Cilat pyetje meritojnë vëmendjen tonë?

3 Një nga psalmistët, ndoshta një princ i Judës dhe mbret i ardhshëm, shprehu një ndjenjë që zakonisht nuk lidhet me ligjin. Ai i tha Perëndisë: «Sa shumë e dua ligjin tënd!» (Psalmi 119:97) Ky nuk ishte vetëm një shpërthim ndjenjash. Ishte shprehje e dashurisë për vullnetin e Perëndisë të paraqitur në ligjin e tij. Edhe Jezu Krishti, Biri i përsosur i Perëndisë, kishte ndjenja të ngjashme. Fjalët e Jezuit u përshkruan në mënyrë profetike: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time.» (Psalmi 40:8; Hebrenjve 10:9) Ç’të themi për ne? A gjejmë gëzim duke bërë vullnetin e Perëndisë? A jemi të bindur për vlerën praktike dhe për dobitë që sjellin ligjet e Jehovait? Çfarë vendi zë bindja ndaj ligjeve të Perëndisë në adhurimin tonë, në jetën e përditshme, në vendimet që marrim dhe në marrëdhëniet me të tjerët? Që të arrijmë ta duam ligjin hyjnor, është e rëndësishme të kuptojmë përse Perëndia ka të drejtën të formulojë ligje dhe të kërkojë zbatimin e tyre.

Jehovai​—Ligjvënësi legjitim

4. Përse Jehovai është Ligjvënësi më i lartë e legjitim?

4 Duke qenë Krijuesi, Jehovai është Ligjvënësi më i lartë e legjitim në univers. (Zbulesa 4:11) Profeti Isaia deklaroi: «Zoti është ligjvënësi ynë.» (Isaia 33:22) Ai ka vendosur ligjet fizike që drejtojnë krijimin me jetë e pa jetë. (Jobi 38:4-38; 39:1-12; Psalmi 104:5-19) Si krijesë e Perëndisë, njeriu është i nënshtruar ndaj ligjeve fizike të Jehovait. Po ashtu, ndonëse është një qenie me vullnet të lirë dhe i aftë të arsyetojë vetë, njeriu është i lumtur vetëm kur u nënshtrohet vullnetarisht ligjeve morale dhe frymore të Perëndisë.​—Romakëve 12:1; 1 Korintasve 2:14-16.

5. Si del i vërtetë parimi i Galatasve 6:7 për sa u përket ligjeve hyjnore?

5 Siç e dimë, ligjet fizike të Jehovait janë të pashkelshme. (Jeremia 33:20, 21) Në qoftë se një njeri shkon kundër ndonjë ligji fizik, siç është ligji i rëndesës, do të ketë pasoja për këtë. Në mënyrë të ngjashme, ligjet morale të Perëndisë janë të pandryshueshme dhe asnjë nuk mund t’i anashkalojë ose t’i shkelë e të mbetet pa u ndëshkuar. Ato zbatohen po me aq forcë sa edhe ligjet e tij fizike, ndonëse pasojat mund të mos jenë po aq të menjëhershme. «Perëndia nuk vihet në lojë. Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»​—Galatasve 6:7; 1 Timoteut 5:24.

Shtrirja e ligjit të Jehovait

6. Çfarë përfshijnë ligjet hyjnore?

6 Një shprehje e spikatshme e ligjit hyjnor ishte Ligji i Moisiut. (Romakëve 7:12) Me kalimin e kohës, Perëndia Jehova e zëvendësoi Ligjin e Moisiut me «ligjin e Krishtit». * (Galatasve 6:2; 1 Korintasve 9:21) Si të krishterë nën «ligjin e përsosur që i përket lirisë», e kuptojmë se Perëndia nuk i kufizon udhëzimet e tij vetëm për disa fusha të jetës sonë, si për shembull për bindjet doktrinale ose ritet ceremoniale. Normat e tij kanë të bëjnë me të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë çështjet familjare, marrëdhëniet në punë, sjelljen ndaj atyre të seksit të kundërt, qëndrimet ndaj të bashkëkrishterëve dhe pjesëmarrjen në adhurimin e vërtetë.​—Jakovit 1:25, 27.

7. Jepni shembuj të disa ligjeve të rëndësishme hyjnore.

7 Për shembull, Bibla thotë: «As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Korintasve 6:9, 10) Po, kurorëshkelja dhe kurvëria nuk janë thjesht «histori dashurie». Aktet homoseksuale nuk janë thjesht «një stil jete i ndryshëm». Këto janë shkelje të ligjit të Jehovait. Të tilla janë edhe gjëra si vjedhja, gënjeshtrat dhe shpifja. (Psalmi 101:5; Kolosianëve 3:9; 1 Pjetrit 4:15) Jakovi e dënoi veprimin e të shiturit mend dhe Pavli na këshilloi që të shmangim të folurën pa mend dhe shakatë e ndyra. (Efesianëve 5:4; Jakovit 4:16) Për të krishterët, të gjitha këto norma sjelljeje janë pjesë e ligjit të përsosur të Perëndisë.​—Psalmi 19:7.

8. (a) Çfarë natyre ka ligji i Jehovait? (b) Cila është domethënia bazë e fjalës hebraike për ‘ligj’?

8 Rregulla të tilla themelore në Fjalën e Jehovait zbulojnë se ligji i tij është shumë më tepër sesa vetëm një listë me norma të ftohta e të rrepta. Ky ligj përbën bazën për një jetë të drejtpeshuar e të frytshme, pasi ndikon për mirë në gjithë sjelljen tonë. Ligji hyjnor është ndërtues, etik dhe ndriçues. (Psalmi 119:72) Fjala ‘ligj’ që përdori psalmisti është përkthyer nga fjala hebraike tohrah. Një studiues biblik thotë: «Kjo fjalë vjen nga një folje që do të thotë të drejtosh, të udhëheqësh, të synosh, të çosh përpara. Pra, domethënia . . . e saj do të ishte normë sjelljeje.» Për psalmistin, ligji ishte një dhuratë nga Perëndia. A nuk duhet ta vlerësojmë edhe ne në mënyrë të ngjashme ligjin, duke e lejuar që të modelojë mënyrën tonë të të jetuarit?

9, 10. (a) Përse kemi nevojë për drejtim të besueshëm? (b) Vetëm në cilën mënyrë mund të kemi një jetë të kënaqshme e të suksesshme?

9 Të gjitha krijesat kanë nevojë për drejtim të besueshëm dhe për udhëheqje të sigurt. Kjo është e vërtetë për Jezuin e për engjëjt e tjerë, të cilët janë më të lartë se njeriu. (Psalmi 8:5; Gjoni 5:30; 6:38; Hebrenjve 2:7; Zbulesa 22:8, 9) Nëse këto krijesa të përsosura mund të nxjerrin dobi nga udhëheqja hyjnore, aq më shumë vlen kjo për njerëzit e papërsosur. Historia njerëzore dhe përvoja jonë personale kanë provuar vërtetësinë e pohimit të profetit Jeremia: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»​—Jeremia 10:23.

10 Në qoftë se dëshirojmë të kemi një jetë të kënaqshme e të suksesshme, duhet t’i drejtohemi Perëndisë për udhëheqje. Mbreti Solomon e kuptoi se sa e rrezikshme është të jetojmë sipas normave tona personale, të pavarur nga udhëheqja hyjnore: «Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.»​—Fjalët e urta 14:12.

Arsye për të çmuar ligjin e Jehovait

11. Përse duhet të kemi dëshirë ta kuptojmë ligjin e Perëndisë?

11 Është mirë që të kultivojmë një dëshirë të thellë për të kuptuar ligjin e Jehovait. Psalmisti e shprehu këtë dëshirë të zjarrtë, kur tha: «Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.» (Psalmi 119:18) Sa më shumë ta njohim Perëndinë dhe udhët e tij, aq më e thellë do të jetë kuptueshmëria jonë për vërtetësinë e fjalëve të Isaisë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia!» (Isaia 48:17, 18) Jehovai dëshiron shumë që populli i tij t’i shmangë gjëmat dhe ta gëzojë jetën, duke u kushtuar vëmendje urdhërimeve të tij. Le të shqyrtojmë disa arsye kryesore për të cilat duhet ta çmojmë ligjin e Perëndisë.

12. Në ç’mënyrë njohuria që ka Jehovai për ne e bën Ligjvënësin më të mirë?

12 Ligji hyjnor vjen nga Ai që na njeh më mirë se kushdo. Duke qenë se Jehovai është Krijuesi ynë, është logjike që ai t’i njohë njerëzit me imtësi. (Psalmi 139:1, 2; Veprat 17:24-28) Miqtë e ngushtë, të afërmit, e madje edhe prindërit nuk na njohin dot aq mirë sa Jehovai. Madje, Perëndia na njeh edhe më mirë sesa e njohim ne vetveten! Bërësi ynë ka një kuptueshmëri të pakrahasueshme për nevojat tona frymore, emocionale, mendore dhe fizike. Kur e drejton vëmendjen ndaj nesh, ai shfaq një kuptueshmëri të thellë për formimin tonë, për dëshirat dhe për synimet tona. Jehovai i kupton kufizimet tona, por njeh edhe mundësinë që kemi për të bërë të mirën. Psalmisti thotë: «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» (Psalmi 103:14) Pra, mund të kemi një ndjenjë sigurie frymore ndërsa përpiqemi të ecim në ligjin e tij, duke iu nënshtruar vullnetarisht udhëheqjes hyjnore.​—Fjalët e urta 3:19-26.

13. Përse mund të jemi të sigurt se Jehovai ka për zemër interesat tona më të mira?

13 Ligji hyjnor vjen nga Ai që na do. Perëndia interesohet thellësisht për mirëqenien tonë të përhershme. A nuk dha ai, me një kosto të madhe për veten, Birin e tij si «shpërblesë në këmbim të shumë vetave»? (Mateu 20:28) A nuk ka premtuar Jehovai se ‘nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’? (1 Korintasve 10:13) A nuk na siguron Bibla se ai ‘interesohet për ne’? (1 Pjetrit 5:7) Askush nuk interesohet me dashuri më tepër se Jehovai që t’u sigurojë udhëzime të dobishme krijesave njerëzore. Ai e di se çfarë është mirë për ne dhe ku qëndron kufiri midis lumturisë dhe pikëllimit. Edhe pse jemi të papërsosur dhe bëjmë gabime, nëse ndjekim drejtësinë, na e tregon dashurinë në mënyra që do të sjellin si pasojë jetë dhe bekime.​—Ezekieli 33:11.

14. Në cilën mënyrë të rëndësishme ndryshon ligji i Perëndisë nga idetë njerëzore?

14 Ligji i Perëndisë është i pandryshueshëm dhe kjo na jep siguri. Në kohët e turbullta në të cilat jetojmë, Jehovai është një shkëmb qëndrueshmërie, i cili ekziston nga përjetësia në përjetësi. (Psalmi 90:2) Ai tha për veten: «Unë jam Jehovai, s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:6, BR) Normat e Perëndisë, të dokumentuara në Bibël, janë plotësisht të besueshme, ndryshe nga idetë njerëzore, të cilave s’mund t’u zësh besë sepse janë gjithnjë në ndryshim. (Jakovi 1:17) Për shembull, për vite me radhë psikologët përkrahnin idenë se fëmijët duheshin rritur në mënyrë toleruese, por më vonë disa prej tyre ndërruan mendje dhe pranuan se këshilla e tyre ishte e gabuar. Normat dhe udhëzimet që jep bota për këtë çështje lëvizin sa andej-këtej, si të shtyra nga era, kurse Fjala e Jehovait është e palëkundshme. Për shekuj të tërë, Bibla ka siguruar këshilla se si të rriten fëmijët me dashuri. Apostulli Pavël shkroi: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Sa siguruese është që të dimë se mund të mbështetemi në normat e Jehovait, pasi ato nuk do të ndryshojnë!

Bekime për ata që u binden ligjeve të Perëndisë

15, 16. (a) Çfarë do të vijë si pasojë, nëse zbatojmë normat e Jehovait? (b) Si mund të bëhet e dukshme se ligjet e Perëndisë janë një udhëheqje e shëndoshë në martesë?

15 Nëpërmjet profetit të tij Isaia, Perëndia tha: «Fjala ime që del nga goja ime . . . do të ketë sukses të sigurt.» (Isaia 55:11, BR) Po kaq e sigurt është se nëse përpiqemi me zell të ndjekim normat që gjenden në Fjalën e tij, do të kemi sukses, do të bëjmë të mirën dhe do të gjejmë lumturi.

16 Shqyrtoni se si ligjet e Perëndisë janë një udhëheqje e shëndoshë për një martesë të suksesshme. «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë,​—shkroi Pavli,​—dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Bashkëshortët duhet të kenë respekt e dashuri për njëri-tjetrin: «Secili prej jush, nga ana e vet, ta dojë gruan e tij si veten; nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Lloji i dashurisë që nevojitet është përshkruar te 1 Korintasve 13:4-8, ku thuhet: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.» Një martesë e karakterizuar nga kjo lloj dashurie nuk do të marrë fund ose të shuhet.

17. Çfarë dobish vijnë kur zbatojmë normat e Jehovait lidhur me përdorimin e alkoolit?

17 Një tregues tjetër se normat e Jehovait janë dobiprurëse është fakti se ai e dënon dehjen. Nuk miraton qoftë edhe ‘dhënien pas verës së shumtë’. (1 Timoteut 3:3, 8; Romakëve 13:13) Shumë veta që shpërfillin normat e Perëndisë për këtë çështje vuajnë nga sëmundje që shkaktohen ose që keqësohen nga të pirët e tepërt. Duke shpërfillur këshillën e Biblës për të qenë të përkorë, disa e kanë bërë zakon të pinë me tepri, sepse kjo «i ndihmon të çlodhen». Problemet që vijnë nga të pirët me tepri janë të shumta, duke përfshirë: humbjen e respektit, acarimin e marrëdhënieve familjare ose prishjen e familjeve, paratë e çuara dëm dhe humbjen e punës. (Fjalët e urta 23:19-21, 29-35) A nuk janë një mbrojtje normat e Jehovait lidhur me përdorimin e alkoolit?

18. A janë praktike ligjet e Perëndisë për çështjet financiare? Shpjegoni.

18 Normat e Perëndisë kanë dalë praktike edhe në çështjet financiare. Bibla i nxit të krishterët që të jenë të ndershëm e të punojnë pa u lodhur. (Luka 16:10; Efesianëve 4:28; Kolosianëve 3:23) Duke qenë se të krishterët ndjekin këtë këshillë, shumë prej tyre janë ngritur në përgjegjësi ose kanë arritur të ruajnë vendin e punës, kur të tjerët i kanë pezulluar nga puna. Një person ka dobi nga ana financiare edhe kur shmang zakone e vese të tilla jobiblike, si bixhozi, duhani dhe abuzimi me drogën. Pa dyshim, mund t’ju vijnë në mend edhe shembuj të tjerë që tregojnë se sa praktike nga ana ekonomike janë normat e Perëndisë.

19, 20. Përse është e mençur që t’i pranojmë e t’u përmbahemi ligjeve hyjnore?

19 Është e lehtë që njerëzit e papërsosur të largohen nga ligjet dhe normat e Perëndisë. Mendoni për izraelitët në malin Sinai. Perëndia u tha: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve.» Ata iu përgjigjën: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.» Mirëpo, sa i kundërt ishte drejtimi që zgjodhën të ndiqnin! (Eksodi [Dalja] 19:5, 8; Psalmi 106:12-43) Ndryshe nga ata, le t’i pranojmë e më pas t’u përmbahemi normave të Perëndisë!

20 Drejtimi i mençur e që të bën të lumtur është të qëndrojmë fort pas ligjeve të pashoqe që Jehovai i ka siguruar si udhëheqje për ne në jetë. (Psalmi 19:7-11) Për ta bërë me sukses këtë, kemi nevojë edhe që të kuptojmë vlerën e parimeve hyjnore. Kjo është tema që do të trajtojë artikulli vijues.

[Shënimi]

^ par. 6 Për një trajtim të hollësishëm të ‘ligjit të Krishtit’, shih Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1996, faqet 14-24.

A ju kujtohet?

• Përse mund të kemi besim se ligjet e Perëndisë janë për dobinë tonë?

• Për cilat arsye duhet ta çmojmë ligjin e Jehovait?

• Në cilat mënyra janë dobiprurëse ligjet e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Abrahami u bekua me bollëk sepse iu bind ligjit të Jehovait

[Figurat në faqen 15]

Ankthet e jetës së sotme të ethshme i shpërqendrojnë shumë veta nga ligji hyjnor

[Figura në faqen 17]

Sikurse një far që gjendet mbi një masiv shkëmbor, ligji hyjnor është i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm