Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A është e përshtatshme t’i lutemi Perëndisë pa thënë diçka të tillë, si «në emër të Jezuit»?

Bibla tregon se të krishterët që dëshirojnë t’i luten Jehovait duhet ta bëjnë këtë në emër të Jezuit. Jezui u tha dishepujve: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» Pastaj shtoi: «Çfarëdo që të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj, që Ati të marrë lavdi në lidhje me Birin. Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.»​—Gjoni 14:6, 13, 14.

Duke folur për pozitën e veçantë të Jezuit, në Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature thuhet: «Objekti i lutjes është vetëm Perëndia, nëpërmjet Jezu Krishtit si Ndërmjetës. Prandaj, të gjitha lutjet drejtuar shenjtorëve ose engjëjve janë jo vetëm të kota, por edhe blasfemuese. Çdo adhurim i krijesave, sado të lartësuara të jenë këto krijesa, është idhujtari dhe ndalohet rreptësisht në ligjin e shenjtë të Perëndisë.»

Ç’të themi nëse dikush, pasi ka kaluar një përvojë shumë shpërblyese thotë «faleminderit, o Jehova» pa shtuar «në emër të Jezuit»? A do të ishte e papërshtatshme kjo? Jo medoemos. Mendoni sikur një i krishterë të hasë një rrezik të papritur dhe të thërrasë: «O Jehova, më ndihmo!» Vështirë që Perëndia të mos pranonte ta ndihmonte këtë shërbëtor ngaqë nuk tha «në emër të Jezuit».

Nga ana tjetër, është për t’u përmendur se thjesht të flasësh me zë, sikur edhe me Perëndinë, nuk përbën në vetvete një lutje. Për shembull, pasi Jehovai e gjykoi sepse kishte vrarë të vëllanë, Abelin, Kaini tha: «Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë.» (Zanafilla 4:13, 14) Ndonëse Kaini ia drejtoi fjalët e tij Jehovait, ky shpërthim emocional ishte një ankesë për pasojat e hidhura të mëkatit.

Bibla na thotë: «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» T’i drejtohemi të shkujdesur Më të Lartit, sikur të ishte një njeri i thjeshtë, do të tregonte me siguri mungesë përulësie. (Jakovit 4:6; Psalmi 47:2; Zbulesa 14:7) Po ashtu, do të ishte mungesë respekti ta dinim atë që thotë Fjala e Perëndisë për rolin e Jezuit e, megjithatë, qëllimisht të luteshim pa pranuar Jezu Krishtin.​—Luka 1:32, 33.

Kjo nuk do të thotë se Jehovai pret që të përdorim ndonjë stil të veçantë ose ndonjë formulë kur lutemi. Një faktor kyç është gjendja e zemrës së personit. (1 Samuelit 16:7) Në shekullin e parë të erës sonë një centurion romak me emrin Kornel «i bënte përgjërime Perëndisë vazhdimisht». Korneli, një johebre i parrethprerë, nuk i ishte dedikuar Jehovait. Ndonëse vështirë se ai i bënte lutjet në emër të Jezuit, këto lutje ‘u ngjitën si një kujtim përpara Perëndisë’. Përse? Sepse «ai që shqyrton zemrat» pa që Korneli ishte «njeri i devotshëm dhe që i frikësohej Perëndisë». (Veprat 10:2, 4; Proverbat [Fjalët e urta] 17:3, BR) Pasi mori njohuri për «Jezuin që ishte nga Nazareti», Korneli mori frymën e shenjtë dhe u bë dishepull i pagëzuar i Jezuit.​—Veprat 10:30-48.

Si përfundim, nuk u përket njerëzve të vendosin se cilat lutje dëgjon Perëndia. Në qoftë se ndodh që një i krishterë në një rast i shpreh diçka Perëndisë dhe harron të përdorë një shprehje të tillë, si «në emër të Jezuit», nuk ka nevojë që ta rëndojë veten me faj. Jehovai i njeh plotësisht kufizimet tona dhe dëshiron të na ndihmojë. (Psalmi 103:12-14) Mund të jemi të sigurt që në qoftë se ushtrojmë besim te ‘Biri i Perëndisë . . . çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon’. (1 Gjonit 5:13, 14) Megjithatë, në mënyrë të veçantë kur përfaqësojnë të tjerët në lutje publike, të krishterët e vërtetë e pranojnë rolin që sipas Shkrimeve Jezui ka në qëllimin e Jehovait. Prandaj me bindje përpiqen ta nderojnë Jezuin duke ia drejtuar lutjet Perëndisë nëpërmjet tij.