Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndihemi të sigurt tani: Të jemi të sigurt përgjithmonë

Të ndihemi të sigurt tani: Të jemi të sigurt përgjithmonë

Të ndihemi të sigurt tani: Të jemi të sigurt përgjithmonë

PËRSE siguria është shpesh e vështirë për ta gjetur e, edhe nëse e gjejmë, është e përkohshme? A mund të ndodhë që ndjenja jonë e sigurisë të bazohet tek imagjinata, domethënë në atë që shpresojmë të arrijmë e jo në atë që është e arritshme? Një iluzion i tillë mund të bëjë që të jetosh si në një botë ëndrrash.

Imagjinata bën që mendja të shkëputet nga realiteti i jetës me pasiguritë e saj dhe të shkojë në një vend të bukur, të sigurt, duke lënë përjashta çdo gjë që mund ta prishë këtë ëndërr. Megjithatë, shpesh problemet e botës reale papritur ndërhyjnë në këtë botë ëndrrash dhe pa mëshirë e shkatërrojnë ndjenjën e mirëqenies, duke e kthyer ëndërrimtarin në realitetin objektiv.

Le të shqyrtojmë një fushë ku njerëzit kërkojnë siguri: vendbanimi. Për shembull, një qytet i madh mund të duket premtues, duke krijuar në mendje imazhe kënaqësie, paga të larta dhe banesa shumë cilësore. Po, kjo mund të duket se ofron një siguri të pritur prej kohësh. Por, a është realist një përfytyrim i tillë?

Vendbanimi: Qytet i madh apo ëndërr e madhe?

Në vendet në zhvillim, joshja nga një qytet i madh bëhet më e fortë nëpërmjet reklamave të cilat mund t’i tundojnë ata që kanë një imagjinatë aktive. Organizatat që sponsorizojnë këto reklama nuk janë medoemos të interesuara në sigurinë tuaj, por më shumë në shitjet e tyre. Ata i mbulojnë problemet e botës reale me skena të arritjeve që përshkruajnë siguri. Kështu sigurinë e lidhin me produktin që reklamojnë dhe me qytetin e madh.

Shqyrtoni shembullin e mëposhtëm. Në një qytet të Afrikës Perëndimore zyrtarët vendosën tabela të mëdha ku tregohej qartë se në të vërtetë pirja e duhanit është njësoj si të çosh dëm paratë e fituara me shumë mundim. Kjo ishte pjesë e një fushate për të paralajmëruar banorët e atij qyteti kundër pirjes së duhanit. Prodhuesit dhe shitësit e cigareve u kundërpërgjigjën duke vendosur tabela të projektuara me zgjuarsi, në të cilat shfaqeshin duhanpirës në skena tërheqëse lumturie dhe suksesi. Përveç kësaj, një firmë cigaresh i veshi disa nga punonjësit e saj me uniforma të bukura dhe me kapele bejzbolli të modës për t’u shpërndarë cigare të rinjve në rrugë, duke e nxitur secilin që «ta provonte». Shumë nga këta të rinj vinin nga fshati dhe, duke mos qenë në dijeni për metodat mashtruese të reklamave, u gënjyen nga kjo ftesë. Ata u bënë duhanpirës të fortë. Këta të rinj nga fshati kishin ardhur në qytet për të kërkuar sigurinë, me qëllim që të mbështetnin familjet ose të çanin përpara nga ana financiare. Në vend të kësaj po e çonin dëm pjesën më të madhe të parave që mund ta kishin përdorur për qëllime më të mira.

Reklamat që portretizojnë një jetë të suksesshme në qytetin e madh nuk vijnë gjithmonë nga tregtarët. Mund të vijnë edhe nga goja e njerëzve që janë transferuar në një qytet të madh dhe që ndihen ngushtë për t’u kthyer në shtëpinë e tyre në fshat. Duke mos dashur të duken dështakë, ata mburren për pasurinë dhe arritjet e supozuara që kanë në qytet. Sidoqoftë, një shqyrtim më nga afër i kushteve që pretendojnë se kanë zbulon se stili i jetesës së tyre të tanishme nuk ka ndonjë përmirësim nga jeta që bënin më parë në fshat. Po luftojnë financiarisht si shumica e banorëve të tjerë të qytetit.

Veçanërisht në qytete të mëdha, ndodh që të sapoardhurit të cilët kërkojnë siguri bien pre e njerëzve të paskrupull. Përse? Në përgjithësi, ata nuk kanë pasur kohë për të zhvilluar miqësi të ngushta dhe janë larg anëtarëve të familjes. Kështu që s’kanë asnjë që t’i këshillojë e që mund t’i ndihmojë të shmangin grackat e jetës materialiste të qytetit.

Zhozueja nuk ra në kurthin e pirjes së duhanit. Për më tepër, arriti të kuptonte se kërkesat e jetës së qytetit ishin tepër të larta për t’i plotësuar me sukses. Në rastin e tij, shumë-shumë, e vetmja gjë që qyteti mund t’i ofronte me të vërtetë ishin ëndrrat e mëdha të paplotësuara. E kuptoi që nuk kishte siguri të vërtetë në qytet, pasi thjesht nuk i përkiste atij vendi. Ndjenja e zbrazëtisë, e inferioritetit dhe e dështimit e mposhtën dhe përfundimisht ai e gëlltiti krenarinë e tij e u kthye në fshat.

Kishte pasur frikë se do ta vinin në lojë. Por në vend të kësaj, familja e tij dhe miqtë e vërtetë i uruan mirëseardhjen në shtëpi me krahë hapur. Falë ngrohtësisë që i dha familja, mjedisit që njihte në fshat dhe falë dashurisë së miqve në kongregacionin e krishterë, ai shpejt u ndie më i sigurt se në qytetin e madh, ku ëndrrat e shumë vetave kthehen në makthe. Për habinë e tij, duke punuar shumë me babanë e vet në ara, në të vërtetë pati për vete dhe për familjen të ardhura më të larta sesa të ardhurat që do të kishte në qytet.

Paraja: Ku qëndron problemi i vërtetë?

A do t’ju japë paraja një ndjenjë sigurie? Lizi nga Kanadaja pohon: «Si e re që isha, besoja se paraja të sillte çlirim nga ankthet.» Ajo u dashurua me një njeri i cili ishte i sigurt nga ana ekonomike. Nuk kaloi shumë dhe u martuan. A ndihej e sigurt ajo? Lizi vazhdon: «Kur u martova kishim një shtëpi të bukur e dy makina dhe gjendja jonë financiare na jepte liri për të gëzuar pothuajse çdo gjë për sa i përket gjërave materiale, udhëtimit dhe zbavitjeve. Por çuditërisht ende bëhesha merak për paratë.» Ajo shpjegon arsyen: «Kishim shumë gjëra që mund t’i humbitnim. Me sa duket sa më shumë të kesh, aq më pak ndihesh i sigurt. Paraja nuk na çliroi nga ankthi ose nga shqetësimi.»

Nëse ju duket që nuk keni mjaft para për të qenë të sigurt, pyetni veten: ‘Ku qëndron problemi i vërtetë? A është me të vërtetë mungesa e parave apo është mungesa e administrimit të mençur të parave?’ Duke medituar për të kaluarën e saj, Lizi thotë: «Tani e kuptoj që burimi i problemeve të familjes sime kur isha fëmijë ishte administrimi i keq i parave. Blinim me kredi dhe si pasojë gjithmonë kishim një borxh që na qëndronte si çekan në kokë. Kjo sillte ankth.»

Megjithatë sot Lizi dhe burri i saj ndihen shumë më të sigurt, edhe pse kanë më pak para. Kur mësuan të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, ata pushuan së dëgjuari kërkesat joshëse për paratë dhe filluan të dëgjonin mençurinë e Perëndisë, duke përfshirë këto fjalë: «Por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe.» (Fjalët e urta 1:33) Ata donin që jeta e tyre të kishte më shumë kuptim, sesa mund t’i jepte një llogari e madhe bankare. Sot, si misionarë në një vend të largët, Lizi dhe burri i saj janë duke u mësuar njerëzve pa dallim të pasur e të varfër se Perëndia Jehova së shpejti do të sjellë siguri të vërtetë në mbarë tokën. Kjo veprimtari sjell kënaqësi dhe qëndrueshmëri të thellë të cilat burojnë nga një qëllim shumë i lartë dhe nga vlera të pakrahasueshme, jo nga fitimi financiar.

Mbani në mend këtë të vërtetë themelore: të jesh i pasur para Perëndisë ka shumë më tepër vlerë, sesa të zotërosh pasuri materiale. Kudo në Shkrimet e Shenjta, theksi është vënë jo në zotërimin e pasurive materiale, por në pasjen e një qëndrimi të mirë para Jehovait, qëndrim që mund ta mbajmë duke bërë vazhdimisht me besim vullnetin hyjnor. Krishti Jezu na inkurajoi të jemi ‘të pasur kundrejt Perëndisë’ dhe të grumbullojmë një ‘thesar në qiej’.​—Luka 12:21, 33.

Pozita në shoqëri: Ku do të arrini?

Nëse tundoheni që të mendoni se ngjitja e shkallëve të pozitës në shoqëri është rruga drejt sigurisë, pyetni veten: ‘Cili nga ata që po ngjiten në këtë shkallë e ka arritur tamam sigurinë e vërtetë? Edhe sa më lart duhet të ngjitem për ta arritur atë?’ Një karrierë e sukseshme mund t’ju japë një ndjenjë të rreme të sigurisë, duke ju çuar në zhgënjim ose dhe më keq, në një rënie shkatërrimtare.

Përvojat reale tregojnë se një emër i mirë para Perëndisë të jep shumë më tepër siguri sesa një emër para njerëzve. Vetëm Jehovai mund t’u japë njerëzve dhuratën e jetës së përhershme. Kjo do të thotë që emri ynë do të shkruhet jo në ndonjë regjistër të personaliteteve, por në librin e jetës që ka Perëndia.​—Eksodi 32:32; Zbulesa 3:5.

Duke i lënë mënjanë mendimet ëndërrimtare, si e vlerësoni gjendjen tuaj të tanishme dhe çfarë mund të pritni ndershmërisht nga e ardhmja? Askush nuk i ka të gjitha. Siç tha një i krishterë i mençur: «M’u desh të mësoja se në jetë nuk mund të kesh kurrë këtë EDHE atë, por këtë OSE atë.» Ndaloni për një çast dhe lexoni kutinë «E tregojnë në Benin».

Tani përgjigjjuni këtyre pyetjeve: Cili është një pikësynim ose një qëllim i rëndësishëm në jetën time? Cila është rruga më e drejtpërdrejtë për të arritur atje? Mos ndoshta jam në një rrugë të tërthortë, të gjatë e të pasigurt dhe ajo që dua me të vërtetë e që është vërtet e mundur ndoshta arrihet me një rrugë më pak të ndërlikuar?

Pasi dha këshilla për vlerën relative të gjërave materiale në krahasim me vlerën e gjërave frymore, Jezui tha që ta mbanim syrin ‘të thjeshtë’. (Mateu 6:22) Ai e bëri të qartë se gjërat kryesore në jetë janë vlerat dhe synimet frymore që përqendrohen në emrin e Perëndisë dhe në Mbretërinë e tij. (Mateu 6:9, 10) Gjërat e tjera janë më pak të rëndësishme ose, si të thuash, jashtë fokusit ku jemi përqendruar.

Shumë kamera sot i fokusojnë automatikisht gjërat afër dhe larg. A jeni të prirur të bëni si ato? A e vendosni në fokusin tuaj​—domethënë e bëni të rëndësishme, të dëshirueshme dhe të arritshme me anë të ëndërrimeve​—pothuajse çdo gjë që shihni? Edhe nëse kjo është pjesërisht e vërtetë, synimi kryesor për të krishterët, pra Mbretëria, mund të humbasë lehtë në një lëmsh me përfytyrime të tjera, ku secila konkurron për të tërhequr vëmendjen tuaj. Këshilla e fortë e Jezuit ishte: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:33.

Të sigurt tani dhe përgjithmonë

Të gjithë mund të ëndërrojmë gjëra më të mira për veten dhe për njerëzit tanë të dashur. Megjithatë, fakti që jemi të papërsosur, që jetojmë në një botë të papërsosur dhe që kemi një jetëgjatësi të kufizuar na detyron t’i kufizojmë gjërat që shpresojmë në të vërtetë të arrijmë. Një shkrimtar i Biblës shpjegoi mijëra vjet më parë: «Pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të shquar, as favori atyre që janë të shkathët, por të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.»​—Predikuesi 9:11.

Ndonjëherë, jemi kaq të përfshirë në rutinën e lodhshme të jetës saqë harrojmë të shohim tablonë më të përgjithshme, domethënë se kush jemi dhe çfarë na nevojitet me të vërtetë me qëllim që të ndiejmë siguri të vërtetë. Shqyrtoni këto fjalë mençurie të shkruara kohë më parë: «Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, farë përfitimi s’do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi. Për punëtorin është i këndshëm gjumi si në hëngërt pak si në hëngërt shumë; kurse ngopja e të pasurit, pasanikun nuk e lë të flejë.» (Predikuesi 5:10, 12; DSF) Po, ku mund të gjendet siguria?

Nëse situata jonë është disi e ngjashme me ëndrrën jorealiste të Zhozuesë, a mund t’i ndryshojmë planet? Ata që na duan me të vërtetë do të na mbështetin, sikurse bëri familja e Zhozuesë dhe miqtë në kongregacionin e krishterë. Mund të gjejmë më shumë siguri në një mjedis të thjeshtë së bashku me ata që na duan, sesa në një qytet me ata që mund të përpiqen të përfitojnë nga ne.

Nëse tashmë kemi shumë para, si Lizi dhe burri i saj, a mund ta rregullojmë mënyrën tonë të jetesës që të japim më shumë kohë dhe energji për të ndihmuar njerëzit, qofshin këta të pasur ose të varfër, që të mësojnë rreth Mbretërisë, mjetit për të fituar sigurinë e vërtetë?

Nëse jeni duke ngjitur shkallët e pozitës në shoqëri ose të karrierës, ndoshta doni të reflektoni ndershmërisht për atë që po ju motivon të bëni një gjë të tillë. Kuptohet, disa lehtësira personale mund t’i shtojnë kënaqësi jetës. Megjithatë, a jeni në gjendje të mbani në radhë të parë Mbretërinë, mjetin kryesor për të arritur siguri të qëndrueshme? Kujtoni fjalët e Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Nëse angazhoheni në veprimtari të ndryshme në kongregacionin e krishterë, do të provoni një siguri shpërblyese.

Ata që vendosin besim të plotë te Jehovai dhe te Mbretëria e tij gëzojnë një siguri që ua ngroh zemrën tani dhe mezi presin sigurinë e plotë në të ardhmen. Psalmisti tha: «Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi. Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri.»​—Psalmi 16:8, 9.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

E tregojnë në Benin

Kjo histori është treguar mijëra herë në variante të shumta. Kohët e fundit, një fshatar i moshuar nga Benini, në Afrikën Perëndimore, u tregoi disa të rinjve këtë variant të historisë siç gjendet më poshtë.

Një peshkatar kthehet në shtëpi me kanoen e tij dhe takon një specialist të huaj në fushën e biznesit që po shërben në këtë vend në zhvillim. Specialisti e pyet peshkatarin se pse ishte kthyer kaq shpejt. Ai i përgjigjet se mund të kishte qëndruar më gjatë, por tashmë kishte zënë mjaft peshq për të plotësuar nevojat e familjes së tij.

«Po mirë, si e kalon gjithë kohën?»​—e pyet specialisti.

Peshkatari i përgjigjet: «Peshkoj nga pak. Luaj me fëmijët e mi. Kur është vapë, të gjithë marrim një sy gjumë. Në mbrëmje hamë darkë bashkë. Më vonë, mblidhem me miqtë për të dëgjuar muzikë e kështu me radhë.»

Specialisti e ndërpret: «Dëgjo, unë jam diplomuar në universitet dhe i kam studiuar këto gjëra. Dua të të ndihmoj. Duhet të kalosh më shumë kohë duke peshkuar. Do të fitosh më shumë para dhe shpejt do të jesh në gjendje të blesh një varkë më të madhe sesa kjo kanoe. Me një varkë më të madhe do të fitosh edhe më shumë dhe shpejt do të mund të ndërtosh disa barka peshkimi.»

«Po më pas?»​—pyet peshkatari.

«Më pas, në vend që ta shesësh peshkun nëpërmjet një ndërmjetësi, mund të lidhesh drejtpërdrejt me fabrikën ose mund të hapësh vetë një ndërmarrje për përpunimin e peshkut. Do të jesh në gjendje të ikësh nga fshati dhe të shpërngulesh në Kotonou, në Paris ose në Nju-Jork dhe të drejtosh gjithçka nga atje. Madje, mund të mendosh edhe që ta vendosësh gjithë veprimtarinë tënde në bursë dhe të fitosh miliona.»

«Sa do të zgjaste e gjithë kjo?»​—pyet peshkatari.

«Ndoshta 15 ose 20 vjet»,​—i përgjigjet specialisti.

«Po pastaj?»​—vazhdon peshkatari.

«Pikërisht në këtë pikë jeta fillon të bëhet interesante,​—shpjegon specialisti.​—Atëherë mund të tërhiqesh. Mund të largohesh nga zhurmat dhe rrëmuja e qytetit dhe të shkosh në një fshat të largët.»

«Po pastaj?»​—pyet peshkatari.

«Pastaj do të kesh kohë të peshkosh nga pak, të luash me fëmijët e tu, të marrësh një sy gjumë kur të jetë vapë, të hash darkë me familjen dhe të mblidhesh me miqtë për të dëgjuar muzikë.»

[Figurat në faqen 7]

A sjell siguri ngritja në pozitë?

[Figurat në faqen 8]

Të bashkëkrishterët janë me të vërtetë të interesuar për sigurinë tuaj