Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e llogaritni koston?

A e llogaritni koston?

A e llogaritni koston?

JEZU KRISHTI u ofroi dishepujve të tij shpresën e jetës së përhershme, por i nxiti edhe që të llogaritnin koston e të qenët një i krishterë. Ai e ilustroi këtë pikë duke pyetur: «Cili nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë e llogarit shpenzimet [ose llogarit koston], për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» (Luka 14:28) Për çfarë kostoje e kishte fjalën Jezui?

Të gjithë të krishterët ndeshin sprova, disa prej të cilave edhe të rënda. (Psalmi 34:19; Mateu 10:36) Si rrjedhim duhet të jemi të përgatitur mendërisht e frymësisht, me qëllim që të mos habitemi kur hasim kundërshtime ose probleme të tjera. Ne tashmë duhet t’i kemi përfshirë këto sfida në koston e të qenët një dishepull i Krishtit, duke ditur se shpërblimi,​—shpëtimi nga mëkati e nga vdekja​—është shumë më i vlefshëm se çdo gjë që sistemi i tanishëm mund të na ofrojë. Po, asgjë që Perëndia lejon, madje as vdekja, nuk mund të na dëmtojë përgjithmonë nëse vazhdojmë t’i shërbejmë atij.​—2 Korintasve 4:16-18; Filipianëve 3:8.

Si mund të bëhet besimi ynë shumë i fortë? Besimi ynë bëhet më i fortë sa herë që marrim një vendim të saktë, sa herë që marrim një qëndrim të patundur në favor të parimeve të krishtere ose sa herë që kryejmë një veprim në harmoni me vullnetin e Perëndisë, veçanërisht kur jemi nën presion për të bërë të kundërtën. Kur personalisht provojmë bekimin e Jehovait si pasojë e drejtimit tonë besnik në jetë, besimi ynë forcohet dhe thellohet. Në këtë mënyrë, ndjekim shembullin e Jezuit, të dishepujve të tij të parë dhe të të gjithë burrave besnikë e grave besnike të cilët në periudha të ndryshme të historisë, me saktësi ‘llogaritën koston’ për t’i shërbyer Perëndisë.​—Marku 1:16-20; Hebrenjve 11:4, 7, 17, 24, 25, 32-38.