Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjymtimet nuk njohin kufi

Gjymtimet nuk njohin kufi

Gjymtimet nuk njohin kufi

KRISTIANI, i cili jeton në një vend afrikan, u rrëmbye nga ushtarët që u përpoqën ta detyronin të futej në ushtri. Por, në bazë të ndërgjegjes së tij të stërvitur nga Bibla, ai nuk pranoi. Atëherë ushtarët e çuan në një kamp ushtarak, ku pasi e rrahën për katër ditë, një prej tyre e qëlloi me plumb në këmbë. Kristiani ia doli mbanë të shkonte deri në spital, por u desh t’i pritej këmba që poshtë gjurit. Në një vend tjetër afrikan, rebelët e armatosur u kanë prerë gjymtyrët edhe fëmijëve të vegjël. Veç kësaj, që nga Kamboxhia e deri në Ballkan, që nga Afganistani e deri në Angolë, minat tokësore vazhdojnë të sakatojnë dhe të gjymtojnë të rinj dhe të moshuar pa dallim.

Dëmtime shkaktojnë edhe aksidentet e sëmundjet si diabeti. Edhe lëndët toksike në mjedisin rrethues mund të çojnë në gjymtime. Në disa lagje afër një qyteti në Evropën Lindore, për shembull, një numër fëmijësh kanë lindur pa pjesën e poshtme të një krahu. Kanë vetëm një cung të shkurtër poshtë bërrylit. Provat tregojnë për një dëmtim gjenetik të shkaktuar nga ndotja kimike. Njerëz të tjerë të panumërt i kanë të gjitha gjymtyrët e tyre, por gjithsesi janë të paaftë për shkak të paralizës ose të ndonjë sëmundjeje tjetër. Me të vërtetë gjymtimet nuk njohin kufi.

Cilido qoftë shkaku, gjymtimet mund të jenë ligështuese. Xhuniori humbi pjesën nga gjuri e poshtë të këmbës së majtë në moshën 20-vjeçare. Ai më vonë tha: «Kisha shumë vështirësi emocionale. Qaja shumë kur mendoja se nuk do ta kisha kurrë më këmbën. Nuk dija çfarë të bëja. Isha i pështjelluar.» Sidoqoftë, me kalimin e kohës, qëndrimi i Xhuniorit ndryshoi dukshëm. Ai filloi të studionte Biblën dhe mësoi gjëra që jo vetëm e kanë ndihmuar të përballojë humbjen, por gjithashtu, i kanë dhënë një shpresë të mrekullueshme për një të ardhme të lumtur pikërisht këtu në tokë. Nëse keni ndonjë gjymtim, a do të dëshironit të kishit një shpresë të tillë?

Nëse po, atëherë ju lutemi të lexoni artikullin vijues. Ju sugjerojmë t’i kërkoni shkrimet biblike në Biblën tuaj, kështu që mund të shihni vetë çfarë ka ndër mend të bëjë Krijuesi për ata që mësojnë rreth qëllimit të tij dhe e vënë jetën e tyre në harmoni me të.