Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kemi rrënjosur dashurinë për Jehovain në zemrat e fëmijëve tanë

Kemi rrënjosur dashurinë për Jehovain në zemrat e fëmijëve tanë

Jetëshkrim

Kemi rrënjosur dashurinë për Jehovain në zemrat e fëmijëve tanë

TREGUAR NGA VERNER MATSENI

Disa vjet më parë djali im i madh, Hans-Verneri më dha një Bibël. Brenda kapakut të librit shkroi: «I dashur baba, Fjala e Jehovait vazhdoftë të na udhëheqë si familje në udhën e jetës! Me mirënjohje, biri yt i madh.» Prindërit e kuptojnë se si këto fjalë ta mbushin zemrën me mirënjohje dhe me gëzim. Në atë kohë nuk e dija se çfarë lloj sfidash do të na duhej ende të përballonim si familje.

LINDA në vitin 1924 në Halstenbek, afro 20 kilometra larg portit gjerman të Hamburgut. Më rriti mamaja dhe gjyshi. Duke qenë se kisha bërë një stazh pune si mekanik, në vitin 1942 më thirrën në Vermakt, në forcat e armatosura. Ajo që kam kaluar gjatë Luftës II Botërore kur luftoja në frontin rus, është shumë e tmerrshme për ta përshkruar me fjalë. Më zunë ethet e tifos por, pas kurimit më dërguan përsëri në front. Në janar të vitit 1945 isha në Lodz të Polonisë, ku u plagosa rëndë dhe më çuan në një spital ushtarak. Isha ende atje kur mbaroi lufta. Në spital, e më vonë në kampin e të burgosurve në Noingam, kisha kohë për t’i menduar gjërat thellë. Më shqetësonin këto pyetje: A ka me të vërtetë një Perëndi? Nëse po, pse i lejon gjithë këto mizori?

Pak kohë pasi dola nga kampi i të burgosurve, në shtator të vitit 1947, u martova me Karlën. Ishim rritur në të njëjtin qytet, por, ndërsa Karla ishte katolike, feja nuk kishte luajtur asnjë rol gjatë rritjes sime. Prifti që na martoi sugjeroi që të paktën çdo mbrëmje të thoshim së bashku Lutjen e Zotërisë. Bëmë siç na tha ai, pa ditur me të vërtetë për çfarë po luteshim.

Një vit më vonë na lindi Hans-Verneri. Gati në të njëjtën kohë, Vilhelm Ahrensi, një koleg pune, më njohu me Dëshmitarët e Jehovait. Ai më tregoi nga Bibla se luftërat një ditë do të marrin fund. (Psalmi 46:9) Në vjeshtën e vitit 1950 ia dedikova jetën Jehovait dhe u pagëzova. Çfarë gëzimi provova kur një vit më vonë edhe gruaja ime e dashur u pagëzua!

I rritim fëmijët në rrugët e Jehovait

Lexova në Bibël se martesa është themeluar nga Jehovai. (Zanafilla 1:26-28; 2:22-24) Duke qenë afër Karlës në lindjen e fëmijëve tanë​—Hans-Vernerit, Karl-Hajnzit, Mikaelit, Gabrielës dhe Tomasit​—angazhimi im për të qenë një bashkëshort dhe një baba i mirë u forcua. Unë dhe Karla drithëroheshim për lindjen e secilit nga fëmijët tanë.

Kongresi i vitit 1953 i Dëshmitarëve të Jehovait në Nurenberg, ishte një rast historik për familjen tonë. Të premten pasdite, gjatë fjalimit «Të rritim fëmijët në shoqërinë e botës së re» oratori tha diçka që ne kurrë nuk e kemi harruar: «Trashëgimia më e madhe që mund t’u lëmë fëmijëve tanë është dëshira për të qenë shërbëtorë të Perëndisë.» Me ndihmën e Jehovait, unë dhe Karla dëshironim të bënim pikërisht atë gjë. Por si?

Si fillim, e bëmë zakon që çdo ditë të luteshim së bashku si familje. Kjo u nguliti në mendje fëmijëve rëndësinë e lutjes. Çdo fëmijë e mësoi që në moshë të vogël që ne luteshim gjithmonë para se të hanim. Edhe kur ishin foshnja, sapo shihnin shishen e tyre me biberon, ulnin kokën e vogël dhe shtrëngonin doçkat e tyre. Në një rast ishim të ftuar në një dasmë te të afërmit e gruas, të cilët nuk ishin Dëshmitarë. Pas ceremonisë, prindërit e nuses i ftuan mysafirët në shtëpi për një koktej të vogël. Të gjithë donin të fillonin të hanin menjëherë. Por Karl-Hajnzi, që atëherë ishte 5 vjeç, mendoi se kjo nuk ishte e përshtatshme. Ai tha: «Ju lutem, bëni në fillim një lutje.» Mysafirët panë atë, pastaj neve dhe në fund të zotin e shtëpisë. Për të shmangur ndonjë situatë të sikletshme, sugjerova që të bëja një lutje falënderimi për ushqimin, të cilën i zoti i shtëpisë e pranoi.

Kjo ngjarje më solli në mend fjalët e Jezuit: «Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ti ke sjellë lëvdim.» (Mateu 21:16) Jemi të sigurt që lutjet tona të përzemërta e të rregullta i ndihmuan fëmijët ta shihnin Jehovain si Atin e tyre të dashur qiellor.

Përgjegjësia jonë para Jehovait

Për t’u mësuar fëmijëve të donin Perëndinë kërkohej gjithashtu, lexim dhe studim i rregullt i Fjalës së tij. Duke pasur këtë në mendje, kishim një studim familjar çdo javë, në përgjithësi të hënave në mbrëmje. Meqë më i madhi dhe më i vogli nga fëmijët kanë një diferencë moshe prej 9 vjetësh, fëmijët kishin nevoja shumë të ndryshme, kështu që jo gjithmonë mund të trajtonim të njëjtin material me çdonjërin prej tyre.

Për shembull, për fëmijët e moshës parashkollore mësimi ishte mjaft elementar. Karla shqyrtonte me ta vetëm një shkrim biblik ose përdorte ilustrimet në botimet biblike. Ruaj ende kujtime të bukura të kohëve kur fëmijët më të vegjël na zgjonin herët në mëngjes duke u ngjitur në krevat për të na treguar ilustrimet e tyre të preferuara në librin Bota e re. *

Karla u bë mjeshtre për t’u mësuar me durim fëmijëve arsyet e shumta që kemi për ta dashur Jehovain. Kjo mund të tingëllojë një gjë e thjeshtë e që bëhet menjëherë, por në të vërtetë, fizikisht dhe emocionalisht ishte pothuajse një punë në kohë të plotë si për Karlën, edhe për mua. Megjithatë nuk u dorëzuam. Donim të punonim me zemrën e tyre të brishtë para se njerëz të tjerë që nuk e njihnin Jehovain të fillonin të ndikonin tek ata. Për këtë arsye ngulmonim që fëmijët të ishin të pranishëm në studimin familjar sapo arrinin moshën që mund të qëndronin ulur.

Si prindër, Karla dhe unë kuptuam rëndësinë e dhënies së shembullit të duhur për fëmijët tanë për sa i përket adhurimit. Edhe nëse ishim duke ngrënë, duke punuar në kopsht ose duke bërë një shëtitje, përpiqeshim të forconim marrëdhënien e çdo fëmije me Jehovain. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Morëm masa që çdo fëmijë të kishte Biblën e tij që kur ishte i vogël. Për më tepër, kur merrnim revistat shkruaja emrin e çdo anëtari të familjes në kopjen personale. Kështu, fëmijët mësuan të veçonin secili literaturën e tij. Na lindi ideja që t’u caktonim fëmijëve për të lexuar artikuj të veçantë nga Zgjohuni!. Të dielën, pas drekës, ata na shpjegonin se si e kishin kuptuar materialin.

U kushtuam fëmijëve vëmendjen që u nevojitej

Natyrisht, gjërat nuk shkonin gjithmonë vaj. Ndërsa fëmijët rriteshin, kuptuam se për të rrënjosur dashuri në zemrën e tyre, kërkohej të dinim çfarë kishin tashmë në zemër. Kjo nënkuptonte t’i dëgjonim. Ndonjëherë fëmijët kishin diçka për t’u ankuar, kështu unë e Karla uleshim dhe i bisedonim gjërat shtruar me ta. Vendosëm të linim mënjanë një gjysmë ore të veçantë në fund të studimit familjar. Secili mund të fliste hapur për të treguar çfarëdolloj gjëje që ai ose ajo mendonte.

Për shembull, Tomasi dhe Gabriela, dy më të vegjlit, mendonin se si prindër po mbanim me hatër vëllanë e tyre më të madh. Në një nga këto raste pas studimit, ata na u hapën e thanë: «Babi, mendojmë se ti e mami e lini Hans-Vernerin të bëjë si të dojë.» Në fillim nuk mund t’u besoja veshëve. Megjithatë, pasi e pamë çështjen në mënyrë objektive, Karla dhe unë pranuam që fëmijët kishin njëfarë të drejte. Kështu, u përpoqëm më shumë që t’i trajtonim të gjithë fëmijët njësoj.

Ndonjëherë, nxitohesha kur i ndëshkoja fëmijët ose i ndëshkoja pa të drejtë. Në raste të tilla neve si prindër na duhej të mësonim të kërkonim falje. Pasi e bënim këtë gjë, i afroheshim Jehovait në lutje. Ishte e rëndësishme që fëmijët të kuptonin se babai i tyre ishte i gatshëm t’i kërkonte falje Jehovait dhe atyre, fëmijëve. Si rrjedhim kishim një marrëdhënie të ngrohtë dhe miqësore me ta. Shpesh na thoshin: «Jeni miqtë tanë më të mirë.» Kjo na bënte shumë të lumtur.

Duke i bërë gjërat së bashku si familje forcohet uniteti. Për ta arritur këtë, secilit i kishim caktuar punë shtëpie. Hans-Verneri ishte caktuar të shkonte në dyqane dhe të bënte pazarin një herë në javë, punë që normalisht kërkonte që t’i jepnim para dhe një listë të gjërave që do të blinte. Një javë nuk i dhamë ndonjë listë, as para. Kur e pyeti të ëmën për to, ajo i tha se nuk kishim më para. Fëmijët filluan të pëshpëritnin mes tyre dhe secili mori kutinë e kursimeve dhe e zbrazi mbi tavolinë. «Mami, tani mund të bëjmë pazarin!»​—thirrën njëzëri. Vërtet, fëmijët mësuan se si mund t’ia dilnin mbanë në një nevojë të ngutshme, dhe kjo e bëri familjen edhe më të bashkuar.

Duke u rritur, djemtë filluan të interesoheshin për vajzat. Për shembull, Tomasit filloi t’i pëlqente shumë një Dëshmitare që ishte 16 vjeçe. I shpjegova se nëse mendonte seriozisht për atë vajzë, duhej të ishte gati që të martohej me të dhe të mbante përgjegjësitë për një grua dhe për fëmijët. Tomasi e kuptoi se nuk ishte gati për t’u martuar, pasi ishte vetëm 18 vjeç.

Bëjmë përparim si familje

Që kur ishin ende në moshë të njomë, njëri pas tjetrit, fëmijët u regjistruan në Shkollën e Shërbimit Teokratik. I dëgjonim me kujdes fjalimet që u kishin caktuar dhe merrnim zemër, sepse shikonim dashurinë që kishin për Perëndinë. Mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë, të cilët me raste qëndronin te ne, na tregonin përvoja personale nga jeta e tyre ose na i lexonin nga Bibla. Këta burra dhe gratë e tyre ndihmuan që të kultivohej një dashuri për shërbimin e plotë kohor në zemrat e pjesëtarëve të familjes sonë.

Mezi i pritnim kongreset. Ato ishin një faktor kyç në përpjekjet tona për të rrënjosur te fëmijët tanë dëshirën për të qenë shërbëtorë të Perëndisë. Për fëmijët ishte një çast i veçantë kur vinin distinktivët para se të udhëtonim për në vendin e kongresit. U prekëm kur Hans-Verneri u pagëzua në moshën dhjetëvjeçare. Disa mendonin se ishte shumë i ri për t’ia dedikuar jetën Jehovait, por në moshën 50-vjeçare ai më tregoi se sa mirënjohës ishte që i kishte shërbyer Jehovait për 40 vjet.

U treguam fëmijëve se një marrëdhënie personale me Jehovain është e rëndësishme, por nuk i detyruam për dedikimin. Megjithatë ishim shumë të kënaqur kur edhe të tjerët bënë përparim deri në pagëzim, atëherë kur ata u ndien gati për ta bërë një gjë të tillë.

Mësuam t’i hidhnim barrët tona mbi Jehovain

U gëzuam jashtë mase, kur në vitin 1971, Hans-Verneri u diplomua si anëtar i klasës së 51-të të shkollës Biblike Watchtower të Galaadit dhe u caktua të shërbente si misionar në Spanjë. Një nga një, edhe fëmijët e tjerë shërbyen për një farë kohe si shërbëtorë në kohë të plotë dhe kjo na solli shumë gëzim si prindër. Afërsisht në këtë kohë, Hans-Verneri më dha Biblën që përmendet në fillim të këtij artikulli. Gëzimi ynë si familje na dukej se ishte i plotë.

Më vonë kuptuam se kishim nevojë të kapeshim edhe më fort pas Jehovait. Përse? Sepse pamë disa nga fëmijët tanë të rritur të hasnin probleme që e vunë seriozisht në provë besimin e tyre. Për shembull, vajzës sonë të dashur Gabrielës nuk iu ndanë kurrë vuajtjet. Në vitin 1976 ajo u martua me Lotarin. Pak pas martesës ai u sëmur. Ndërkohë që dobësohej gjithnjë e më shumë, Gabriela u kujdes për të derisa ai vdiq. Të shikosh një anëtar të shëndetshëm të familjes që sëmuret dhe vdes na e bëri edhe më real faktin se sa shumë kemi nevojë për dorën e dashur të Jehovait.​—Isaia 33:2.

Privilegje në organizatën e Jehovait

Kur u caktova si shërbëtor i kongregacionit (të quajtur sot mbikëqyrës drejtues) në vitin 1955, nuk ndihesha gati për të marrë atë përgjegjësi. Më duhej të punoja shumë dhe e vetmja mënyrë për t’i plotësuar siç duhet përgjegjësitë ishte të çohesha disa herë që në orën katër të mëngjesit. Gruaja dhe fëmijët ishin një mbështetje e madhe, duke bërë kujdes që të mos më shqetësonin në mbrëmje atëherë kur kisha ende gjëra për të bërë.

Sidoqoftë, si familje kalonim së bashku sa më shumë kohë të lirë që të ishte e mundur. Ndonjëherë punëdhënësi im më jepte makinën që ta nxirrja familjen shëtitje atë ditë. Fëmijët kënaqeshin shumë në rastet kur studionim Kullën e Rojës në pyll. Gjithashtu, bënim ngjitje në mal, ndonjëherë duke kënduar këngë që i shoqëroja me fizarmonikën time, ndërsa ecnin mes pyjeve.

Në vitin 1978, u caktova zëvendësmbikëqyrës qarkor (shërbëtor udhëtues). I merakosur u luta: «Jehova nuk mendoj se jam në gjendje ta përmbush këtë detyrë. Por nëse ti do që unë ta provoj, atëherë do të bëj më të mirën.» Dy vjet më vonë, në moshën 54-vjeçare, ia lashë biznesin e vogël që kisha djalit më të vogël, Tomasit.

Fëmijët tani ishin të gjithë të rritur, dhe kjo më dha mua dhe Karlës mundësinë për të bërë më shumë për Jehovain. Po atë vit, u caktova si mbikëqyrës qarkor në një pjesë të Hamburgut dhe në të gjithë Shlezvig-Holstajnin. Për shkak të përvojës që kishim në rritjen e një familjeje, ishim në gjendje të shfaqnim kuptueshmëri të veçantë ndaj prindërve dhe fëmijëve të tyre. Shumë nga vëllezërit na quanin prindërit e tyre qarkorë.

Pas 10 vjetësh që më shoqëroi në veprën e qarkut, Karlës iu desh të operohej. Dhe në të njëjtin vit mjekët zbuluan se unë kisha tumor në kokë. Kështu lashë shërbimin si mbikëqyrës qarkor dhe bëra operacionin në tru. Kaluan tre vjet para se të isha përsëri në gjendje të punoja si zëvendësmbikëqyrës qarkor. Tani Karla dhe unë jemi në të 70-at dhe nuk shërbejmë më në veprën udhëtuese. Jehovai na ndihmoi të kuptonim se nuk kishte asnjë kuptim të vazhdonim të mbanim një privilegj që nuk isha më në gjendje për ta plotësuar.

Duke hedhur vështrimin mbrapa në kohë, Karla dhe unë i jemi mirënjohës Jehovait që na ka ndihmuar të rrënjosim dashurinë për të vërtetën në zemrat e fëmijëve tanë. (Fjalët e urta 22:6) Gjatë viteve, Jehovai na ka drejtuar dhe na ka stërvitur, duke na ndihmuar që t’i përmbushnim përgjegjësitë tona. Edhe pse mund të jemi të moshuar dhe të dobët fizikisht, dashuria jonë për Jehovain është aq e freskët dhe e gjallë, siç ka qenë gjithnjë.​—Romakëve 12:10, 11.

[Shënimi]

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk është në dispozicion.

[Figura në faqen 26]

Me familjen, duke ecur përgjatë lumit Elbë, në Hamburg, në vitin 1965

[Figura në faqen 28]

Disa anëtarë të familjes në kongresin ndërkombëtar në Berlin, në vitin 1998

[Figura në faqen 29]

Me gruan time, Karla