Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush do të mbijetojë në ditën e Jehovait?

Kush do të mbijetojë në ditën e Jehovait?

Kush do të mbijetojë në ditën e Jehovait?

«Po vjen dita që djeg si furrë.»​—MALAKIA 4:1.

1. Si e përshkruan Malakia fundin e këtij sistemi të lig?

PROFETI Malakia u frymëzua nga Perëndia që të dokumentonte profeci për ngjarje frikësuese që do të ndodhin në të ardhmen shumë të afërt. Këto ngjarje do të prekin çdo person në tokë. Te Malakia 4:1 parathuhet: «‘Ja, po vjen dita që djeg si furrë, dhe gjithë jomodestët e të gjithë ata që bëjnë ligësi kanë për t’u bërë si kashta. Dita që po vjen do t’i përpijë me siguri’,​—ka thënë Jehovai i ushtrive,​—‘aq sa nuk do t’u lërë as rrënjë, as degë.’» Sa i plotë do të jetë shkatërrimi i këtij sistemi të lig? Do të jetë si një pemë së cilës i janë shkulur rrënjët, në mënyrë që të mos rritet më kurrë.

2. Si e përshkruajnë disa shkrime ditën e Jehovait?

2 Ju mund të pyetni: Cilën ‘ditë’ po parathotë profeti Malakia? Është e njëjta ditë për të cilën flitet tek Isaia 13:9, ku thuhet: «Ja, po vjen vetë dita e Jehovait, mizore si me tërbim, edhe me zemërim të zjarrtë, me qëllim që ta bëjë vendin objekt habie dhe të shfarosë prej tij mëkatarët e vendit.» (BR) Sofonia 1:15 jep këtë përshkrim: «Ajo ditë është një ditë furie, një ditë ankthi e angështie, një ditë shtrëngate e shkretimi, një ditë errësire e zymtësie, një ditë resh e terri të zi.»​—BR.

«Shtrëngimi i madh»

3. Ç’është «dita e Jehovait»?

3 Në përmbushjen kryesore të profecisë së Malakisë, «dita e Jehovait» është një periudhë kohore e karakterizuar nga «shtrëngimi i madh». Jezui paratha: «Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk ka ndodhur që nga fillimi i botës e deri tani, jo, as nuk do të ndodhë përsëri.» (Mateu 24:21) Mendoni për vuajtjet që tashmë ka parë kjo botë, sidomos që nga viti 1914! (Mateu 24:7-12) Mjaft të mendojmë se vetëm Lufta II Botërore mori më shumë se 50 milionë jetë. Megjithatë, «shtrëngimi i madh» do të ketë katastrofa para të cilave këto vuajtje do të duken të papërfillshme. Kjo ngjarje, e njëjtë me ditën e Jehovait, përfundon me Harmagedonin, duke u dhënë fund ditëve të fundit të këtij sistemi të lig.​—2 Timoteut 3:1-5, 13; Zbulesa 7:14; 16:14, 16.

4. Kur të përfundojë dita e Jehovait, çfarë do të ketë ndodhur?

4 Kur të përfundojë ajo ditë e Jehovait, bota e Satanait dhe përkrahësit e saj do të jenë shfarosur. E para që do të shkatërrohet do të jetë gjithë feja e rreme. Më pas, gjykimi i Jehovait do të shprehet kundër sistemeve ekonomike dhe politike të Satanait. (Zbulesa 17:12-14; 19:17, 18) Ezekieli profetizon: «Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit.» (Ezekieli 7:19) Lidhur me atë ditë, te Sofonia 1:14 thuhet: «Dita e Zotit është e afërt, është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe.» Duke pasur parasysh atë që Bibla thotë për ditën e Jehovait, duhet të jemi të vendosur të veprojmë në harmoni me kërkesat e drejta të Perëndisë.

5. Çfarë provojnë ata që i frikësohen emrit të Jehovait?

5 Pasi parathotë se çfarë do t’i bëjë dita e Jehovait botës së Satanait, Malakia 4:2 dokumenton fjalët e Jehovait: «Për ju që i frikësoheni emrit tim do të shkëlqejë me siguri dielli i drejtësisë, me shërim në krahët e tij; dhe në të vërtetë do të dilni e do të rrihni dheun me thundra si viça të majmur.» «Dielli i drejtësisë» është Jezu Krishti. Ai është drita frymore e botës. (Gjoni 8:12) Jezui shkëlqen duke bërë shërime​—së pari shërime frymore, të cilat po i përjetojmë sot, dhe pastaj shërime të plota fizike në botën e re. Siç thotë Jehovai, të shëruarit do të ‘dalin e do të rrahin dheun me thundra si viça të majmur’ që janë të ngazëllyer dhe të kënaqur për çlirimin nga izolimi.

6. Cilin kremtim fitoreje do të gëzojnë shërbëtorët e Jehovait?

6 Çfarë do të ndodhë me ata që shpërfillin kërkesat e Jehovait? Te Malakia 4:3 thuhet: «‘Ju [shërbëtorët e Perëndisë] me siguri do t’i shkelni të ligjtë, sepse ata do të bëhen si pluhur nën tabanët e këmbëve tuaja ditën kur të veproj’,​—ka thënë Jehovai i ushtrive.» Adhuruesit njerëzorë të Perëndisë nuk do të marrin pjesë në shkatërrimin e botës së Satanait. Në vend të kësaj, në mënyrë të figurshme ata i ‘shkelin me këmbë të ligjtë’ duke marrë pjesë në kremtimin e fitores, kremtim që vjen pas ditës së Jehovait. Një kremtim madhështor u bë pas shkatërrimit të ushtrive të faraonit në Detin e Kuq. (Eksodi [Dalja] 15:1-21) Heqja e Satanait dhe e botës së tij në shtrëngimin e madh do të pasohet në mënyrë të ngjashme nga një kremtim fitoreje. Besnikët që do të mbijetojnë në ditën e Jehovait do të thërrasin: «Le të jemi plot hare e të ngazëllojmë për shpëtimin që vjen prej tij!» (Isaia 25:9, BR) Çfarë ngazëllimi do të jetë kur sovraniteti i Jehovait të shfajësohet dhe kur toka të pastrohet e të bëhet një banesë paqësore!

I ashtuquajturi krishterim imiton Izraelin

7, 8. Përshkruani gjendjen frymore të Izraelit në ditët e Malakisë.

7 Personat që hyjnë në një marrëdhënie të miratuar me Jehovain janë ata që i shërbejnë atij, në dallim nga personat që nuk i shërbejnë. Po kështu ishte kur e shkroi Malakia librin e tij. Në vitin 537 p.e.s., një mbetje e Izraelit u rivendos pas 70 vjetësh robërie në Babiloni. Megjithatë, gjatë shekullit që vijoi, kombi i rivendosur filloi të shkiste në apostazi dhe në ligësi. Pjesa më e madhe e popullit po çnderonte emrin e Jehovait; po shpërfillte ligjet e tij të drejta; po ndotte tempullin e tij, duke sjellë për flijim kafshë të verbra, të çala e të sëmura; si edhe po divorcoheshin nga gratë e rinisë së tyre.

8 Për pasojë, Jehovai u tha: «Unë do t’ju afrohem për gjykimin dhe do të bëhem një dëshmitar i shpejtë kundër shtriganëve, kundër kurorëshkelësve, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që ia bëjnë me hile punëtorit me mëditje, që ia bëjnë me hile të vesë dhe djalit pa baba, që përzënë banorin e ardhur, ndërkohë që nuk kanë pasur frikë prej meje, . . . sepse unë jam Jehovai; s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:5, 6) Megjithatë, Jehovai u drejtoi një ftesë të gjithëve atyre që do t’i linin udhët e këqija: «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju.»​—Malakia 3:7.

9. Në ç’mënyrë profecitë e Malakisë patën një përmbushje të parë?

9 Këto fjalë patën një përmbushje edhe në shekullin e parë të erës sonë. Një mbetje e hebrenjve i shërbeu Jehovait dhe u bë pjesë e një ‘kombi’ të ri, të përbërë nga të krishterë të mirosur me frymë, komb i cili me kohë përfshiu edhe johebrenj. Por pjesa më e madhe e Izraelit natyror e hodhi poshtë Jezuin. Për këtë arsye, Jezui i tha atij kombi të Izraelit: «Ja, shtëpia juaj ju është braktisur.» (Mateu 23:38; 1 Korintasve 16:22) Në vitin 70 të e.s., siç u paratha te Malakia 4:1, një ‘ditë . . . që djeg si furrë’ erdhi mbi Izraelin natyror. Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan dhe raportohet që më shumë se një milion njerëz vdiqën si pasojë e zisë së bukës, e luftimeve për pushtet dhe e sulmeve të ushtrive romake. Megjithatë, ata që i shërbenin Jehovait shpëtuan nga ai shtrëngim.​—Marku 13:14-20.

10. Në ç’mënyrë njerëzit në përgjithësi dhe kleri imitojnë Izraelin e shekullit të parë?

10 Njerëzimi dhe në veçanti i ashtuquajturi krishterim ka imituar kombin e Izraelit të shekullit të parë. Udhëheqësit dhe njerëzit në përgjithësi në të ashtuquajturin krishterim parapëlqejnë bindjet e tyre fetare në vend të të vërtetave të Perëndisë që mësoi Jezui. Veçanërisht klerikët kanë faj. Ata ngulin këmbë të mos e përdorin emrin e Jehovait, madje e heqin nga versionet e tyre të Biblës. E çnderojnë Jehovain me mësime jobiblike, siç janë doktrinat pagane të mundimit të përjetshëm në ferrin e zjarrtë, Triniteti, pavdekësia e shpirtit dhe evolucioni. Në këtë mënyrë i heqin Jehovait lavdërimin që meriton, siç bënin priftërinjtë në ditët e Malakisë.

11. Si e tregojnë fetë e botës se kujt i shërbejnë në të vërtetë?

11 Në vitin 1914, kur filluan ditët e fundit, fetë e kësaj bote, të udhëhequr nga ato që pohojnë se janë të krishtere, e treguan se kujt i shërbenin në të vërtetë. Në të dyja luftërat botërore, ato i nxitnin anëtarët e tyre të shkonin të luftonin për çështjet kombëtare, edhe nëse kjo nënkuptonte që të vritnin njerëz të fesë së tyre. Fjala e Perëndisë i identifikon qartë ata që i binden dhe ata që nuk i binden Jehovait: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk do vëllanë e tij. Sepse lajmi që keni dëgjuar që nga fillimi është ky: Duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin; jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij.»​—1 Gjonit 3:10-12.

Përmbushen profecitë

12, 13. Cilat profeci kanë përmbushur shërbëtorët e Perëndisë në kohën tonë?

12 Kur përfundoi Lufta I Botërore në vitin 1918, shërbëtorët e Jehovait mund ta shihnin se Perëndia e kishte dënuar të ashtuquajturin krishterim dhe gjithë pjesën tjetër të fesë së rreme. Që atëherë, personave me zemër të drejtë iu drejtua thirrja: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj. Sepse mëkatet e saj janë grumbulluar deri në qiell dhe Perëndia ka sjellë ndër mend veprat e saj të padrejtësisë.» (Zbulesa 18:4, 5) Ata që dëshironin t’i shërbenin Jehovait filluan të pastroheshin nga gjurmët e fesë së rreme dhe nisën të predikonin në mbarë botën lajmin e mirë të Mbretërisë që ishte vendosur, një vepër që do të përfundojë para fundit të këtij sistemi të lig.​—Mateu 24:14.

13 Në këtë mënyrë u përmbush profecia e Malakisë 4:5, ku Jehovai thoshte: «Ja, unë po ju dërgoj profetin Elija para se të vijë dita e madhe dhe që ngjall frikë e Jehovait.» Kjo profeci pati një përmbushje të parë në veprën e Gjon Pagëzorit, i cili ishte përfaqësuar nga Elija. Gjoni bëri një vepër si ajo e Elijas kur pagëzoi judenjtë që ishin penduar për mëkatet e tyre kundër besëlidhjes së Ligjit. Ç’është më e rëndësishme, Gjoni ishte pararendësi i Mesisë. Por, vepra e Gjonit ishte vetëm një përmbushje fillestare e profecisë së Malakisë. Duke folur për Gjonin si Elija i dytë, Jezui tregoi se do të kishte në të ardhmen një vepër tjetër të ‘Elijas’.​—Mateu 17:11, 12.

14. Cila vepër jetësore duhet bërë para se të përfundojë ky sistem?

14 Profecia e Malakisë tregonte se kjo vepër e madhe e Elijas do të bëhej përpara ‘ditës së madhe e që ngjall frikë të Jehovait’. Kjo ditë përfundon me luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm, në Harmagedon, e cila po afrohet me shpejtësi. Kjo do të thotë se fundi i këtij sistemi të lig dhe fillimi i Mbretërimit mijëvjeçar të Mbretërisë qiellore të Perëndisë me Jezu Krishtin në fron, do të paraprihej nga një vepër që përkonte me veprimtarinë e Elijas. Në vërtetim të kësaj profecie, përpara se Jehovai të shkatërrojë këtë sistem të lig, klasa e Elijas në ditët tona, e mbështetur nga miliona të bashkëkrishterë me shpresë tokësore, po kryejnë me entuziazëm veprën e rivendosjes së adhurimit të pastër. Këtë e bëjnë duke lartësuar emrin e Jehovait dhe duke u mësuar të vërtetat biblike atyre që janë ngjashëm deleve.

Jehovai i bekon shërbëtorët e tij

15. Si i kujton Jehovai shërbëtorët e tij?

15 Jehovai i bekon ata që i shërbejnë. Te Malakia 3:16 thuhet: «Në atë kohë, ata që i frikësoheshin Jehovait folën me njëri-tjetrin, secili me shokun e tij, dhe Jehovai vazhdoi t’u kushtonte vëmendje dhe të dëgjonte. Dhe një libër kujtimi filloi të shkruhej para tij për ata që i frikësoheshin Jehovait dhe për ata që mendonin për emrin e tij.» Që nga Abeli e në vazhdim, Perëndia po shkruan në një libër, si të thuash, emrat e atyre që do t’i kujtojë duke u dhënë jetën e përhershme. Këtyre Jehovai u thotë: «Sillni gjithë të dhjetat në depo, që të ketë ushqim në shtëpinë time; dhe më vini në provë, ju lutem, në lidhje me këtë, . . . nëse nuk do të hap për ju portat e qiejve dhe, në të vërtetë, të derdh mbi ju një bekim, derisa të mos ketë më nevojë.»​—Malakia 3:10.

16, 17. Si e ka bekuar Jehovai popullin e tij dhe veprën e tyre?

16 Jehovai i ka bekuar me të vërtetë ata që i shërbejnë. Si? Së pari, u jep kuptueshmëri më të madhe për qëllimet e tij. (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18; Danieli 12:10) Së dyti, u jep fryte të mahnitshme në veprën e predikimit. Shumë njerëz me zemër të çiltër janë bashkuar me ta në adhurimin e vërtetë dhe të gjithë përbëjnë «një shumicë të madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, . . . dhe vazhdojnë të thërrasin me zë të fortë, duke thënë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë i cili rri ulur mbi fron dhe Qengjit.’» (Zbulesa 7:9, 10) Kjo shumicë e madhe është shfaqur në mënyrë të mrekullueshme dhe ata që i shërbejnë Jehovait në mënyrë aktive tani janë mbi gjashtë milionë në më shumë se 93.000 kongregacione anembanë tokës.

17 Bekimi i Jehovait shihet edhe në faktin që Dëshmitarët e Jehovait shtypin botimet biblike më të shpërndara në gjithë historinë. Në këtë kohë, çdo muaj prodhohen 90 milionë kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!; Kulla e Rojës në 144 gjuhë dhe Zgjohuni! në 87. Libri që përdorej për studimin biblik E vërteta që të çon në jetën e përjetshme (anglisht), botuar në vitin 1968, arriti një qarkullim prej më shumë se 107 milionë kopjesh në 117 gjuhë. Libri Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë, që doli në vitin 1982, pati më shumë se 81 milionë kopje në 131 gjuhë. Libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme, i cili doli në vitin 1995, deri tani ka arritur të shtypet në më shumë se 85 milionë kopje në 154 gjuhë. Broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?, e botuar në vitin 1996, deri tani ka një shpërndarje prej 150 milionë kopjesh në 244 gjuhë.

18. Edhe pse ka kundërshtim, përse gëzojmë mirëqenie frymore?

18 Këtë mirëqenie frymore e kemi gëzuar me gjithë kundërshtimin më të ashpër e më të gjatë nga bota e Satanait. Kjo tregon vërtetësinë e Isaisë 54:17, ku thuhet: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre vjen nga unë,​—thotë Zoti.» Sa ngushëlluese është për shërbëtorët e Jehovait të dinë se përmbushjen kryesore Malakia 3:17 e gjen tek ata: «‘Ata do të bëhen me siguri të mitë’,​—ka thënë Jehovai i ushtrive,​—‘ditën kur do të prodhoj një pronë të veçantë.’»

I shërbejmë Jehovait me gëzim

19. Si dallohen ata që i shërbejnë Jehovait nga ata që nuk i shërbejnë atij?

19 Me kalimin e kohës, dallimi ndërmjet shërbëtorëve besimplotë të Jehovait dhe atyre që janë në botën e ligë të Satanait po bëhet gjithmonë e më i theksuar. Malakia 3:18 paratha: «Ju do ta shihni me siguri edhe një herë dallimin midis të drejtit dhe të ligut, midis atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i ka shërbyer atij.» Një nga dallimet e shumta është se ata që i shërbejnë Jehovait e bëjnë këtë me shumë gëzim. Një ndër arsyet për këtë është shpresa e mrekullueshme që kanë. Ata kanë siguri të plotë te Jehovai kur thotë: «Ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj.»​—Isaia 65:17, 18; Psalmi 37:10, 11, 29; Zbulesa 21:4, 5.

20. Përse jemi një popull i gëzuar?

20 Ne besojmë në premtimin e Jehovait se populli i tij besnik do të mbijetojë në ditën e Tij të madhe dhe do të hyjë në botën e re. (Sofonia 2:3; Zbulesa 7:13, 14) Ndonëse për shkak të pleqërisë, sëmundjeve ose aksidenteve disa mund të vdesin para se të ndodhë kjo, Jehovai jep fjalën e tij se do t’i ringjallë që t’u japë jetën e përhershme. (Gjoni 5:28, 29; Titit 1:2) Prandaj, edhe pse që të gjithë kemi problemet dhe sfidat tona, ndërsa i afrohemi kësaj dite të Jehovait, kemi çdo arsye për të qenë populli më i gëzuar në mbarë faqen e dheut.

Si përgjigjeni?

• Ç’është «dita e Jehovait»?

• Si e imitojnë fetë e botës Izraelin e lashtë?

• Cilat profeci përmbushin shërbëtorët e Jehovait?

• Si e ka bekuar Jehovai popullin e tij?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Jerusalemi i shekullit të parë ‘u dogj si furrë’

[Figurat në faqen 23]

Jehovai kujdeset për ata që i shërbejnë

[Figurat në faqen 24]

Për shkak të shpresës së tyre të mrekullueshme, shërbëtorët e Jehovait janë vërtet të gëzuar