Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Kur Gjoni pa ‘shumicën e madhe’ që bënte shërbim të shenjtë në tempullin e Jehovait, në cilën pjesë të tempullit po bëhej ky shërbim?—Zbulesa 7:9-15.
Është e arsyeshme të themi se shumica e madhe e adhuron Jehovain në një nga oborret tokësore të tempullit të tij të madh frymor, e në mënyrë të veçantë në oborrin që përkon me oborrin e jashtëm të tempullit të Solomonit.
Në të kaluarën, është thënë se shumica e madhe gjendet në një barasvlerës frymor ose në një antitip të Oborrit të Johebrenjve, i cili ekzistonte në ditët e Jezuit. Megjithatë, me kërkime të mëtejshme janë zbuluar të paktën pesë arsye për të cilat nuk është kështu. Së pari, jo të gjitha veçoritë e tempullit të Herodit kanë një antitip në tempullin e madh frymor të Jehovait. Për shembull, tempulli i Herodit kishte një Oborr të Grave dhe një Oborr të Izraelit. Në Oborrin e Grave mund të hynin edhe burrat, edhe gratë, kurse në Oborrin e Izraelit lejoheshin vetëm burrat. Në oborret tokësore të tempullit të madh frymor të Jehovait, burrat e gratë nuk janë të ndarë në adhurimin e tyre. (Galatasve 3:28, 29) Prandaj, në tempullin frymor nuk ka barasvlerës të Oborrit të Grave dhe të Oborrit të Izraelit.
Së dyti, në planet arkitekturore të siguruara në mënyrë hyjnore për tempullin e Solomonit ose edhe në vizionin e tempullit të Ezekielit nuk kishte Oborr të Johebrenjve. Nuk kishte të tillë as në tempullin që rindërtoi Zorobabeli. Prandaj nuk ka arsye për të menduar se Oborri i Johebrenjve duhet të ketë një barasvlerës në rregullimin e tempullit të madh frymor të Jehovait për adhurimin, sidomos kur shqyrtojmë pikën e mëposhtme.
Së treti, Oborrin e Johebrenjve e ndërtoi mbreti edomit Herodi, për të lartësuar veten e tij dhe për të fituar pëlqimin e Romës. Herodi e nisi meremetimin e tempullit të Zorobabelit ndoshta në vitin 18 ose 17 p.e.s. The Anchor Bible Dictionary shpjegon: «Shijet klasike të fuqisë perandorake në Perëndim [Romës] . . . kërkonin një tempull më të madh në krahasim me ata që ekzistonin në qytetet lindore.» Megjithatë, përmasat e vetë tempullit tashmë ishin vendosur. Fjalori shpjegon: «Ndonëse vetë Tempulli duhej të kishte të njëjtat përmasa si pararendësit e tij [i Solomonit dhe i Zorobabelit], Mali i Tempullit i kishte mundësitë për zgjerim.» Prandaj, Herodi e zgjeroi zonën e tempullit, duke shtuar atë që në kohët tona është quajtur Oborri i Johebrenjve. Përse një ndërtim me prejardhje të tillë duhej të kishte një antitip në rregullimin e tempullit frymor të Jehovait?
Së katërti, pothuajse kushdo—të verbrit, të çalët dhe johebrenjtë e parrethprerë—mund të hynte në Oborrin e Johebrenjve. (Mateu 21:14, 15) Vërtet, oborri shërbeu për shumë johebrenj të parrethprerë që dëshironin t’i bënin blatime Perëndisë. Pikërisht atje Jezui iu drejtua disa herë turmave dhe dy herë dëboi këmbyesit e parave dhe tregtarët, duke thënë se e kishin çnderuar shtëpinë e Atit të tij. (Mateu 21:12, 13; Gjoni 2:14-16) Megjithatë, The Jewish Encyclopedia thotë: «Ky oborr i jashtëm, në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk ishte pjesë e Tempullit. Toka e tij nuk ishte e shenjtë dhe në të mund të hynte kushdo.»
Së pesti, fjala greke (hieron) e përkthyer «tempull» e cila përdoret për Oborrin e Johebrenjve Mateu 27:5, 51; Luka 1:9, 21; Gjoni 2:20.
«ka të bëjë me gjithë kompleksin, jo në mënyrë të veçantë me vetë ndërtesën e Tempullit»,—thotë A Handbook on the Gospel of Matthew, nga Barkli M. Njuman dhe Filip S. Stajn. Në dallim me këtë, fjala greke (naos) e përkthyer «tempull» në vegimin e Gjonit për shumicën e madhe është më specifike. Në kontekstin e tempullit të Jerusalemit, ajo pothuajse gjithnjë ka të bëjë me të Shenjtën e të Shenjtave, me ndërtesën e tempullit ose me rrethinat e tij. Disa herë është përthyer ‘shenjtërore’.—Pjesëtarët e shumicës së madhe ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Jezuit. Ata janë të pastër frymësisht, pasi i kanë «larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». Prandaj janë shpallur të drejtë, me mundësinë për t’u bërë miq të Perëndisë dhe për të mbijetuar shtrëngimin e madh. (Jakovit 2:23, 25) Në shumë mënyra, ata janë si prozelitët në Izrael, të cilët i nënshtroheshin besëlidhjes së Ligjit dhe adhuronin bashkë me izraelitët.
Sigurisht, ata prozelitë nuk shërbenin në oborrin e brendshëm, ku priftërinjtë kryenin detyrat e tyre. Po ashtu, pjesëtarët e shumicës së madhe nuk janë në oborrin e brendshëm të tempullit të madh frymor të Jehovait, oborr i cili paraqet gjendjen si bij të përsosur e të drejtë të pjesëtarëve të ‘priftërisë së shenjtë’ të Jehovait kur janë ende në tokë. (1 Pjetrit 2:5) Por, siç i tha Gjonit plaku qiellor, shumica e madhe është vërtet në tempull, jo jashtë zonës së tempullit, në ndonjë lloj Oborri frymor të Johebrenjve. Çfarë privilegji që është ky! E sa mirë thekson nevojën që secili prej nesh të mbajë pastërtinë frymore e morale në çdo kohë!
[Diagrami dhe figura në faqen 31]
(Për tekstin e formatuar, shih botimin)
Tempulli i Solomonit
1. Ndërtesa e tempullit
2. Oborri i brendshëm
3. Oborri i jashtëm
4. Shkallët për në oborrin e tempullit