Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e ndihmoi një bir babanë e tij?

Si e ndihmoi një bir babanë e tij?

Si e ndihmoi një bir babanë e tij?

XHEJMSI nga Anglia, i cili është në fillim të të 30-ave, ka paaftësi të rënda mendore dhe autizëm të lehtë. Megjithatë, për shumë vjet ai ka ndjekur mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait me mamanë dhe motrën e tij. Por i ati nuk kishte treguar kurrë shumë interes për bindjet e tyre. Një mbrëmje pas një mbledhjeje ku u prezantua një demonstrim që tregonte se si të ftojmë një të afërm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, Xhejmsi shkoi me të shpejtë në dhomën e tij. E shqetësuar, nëna e tij e ndoqi dhe e gjeti duke kërkuar me furi nëpër numrat e vjetër të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Zgjodhi njërën ku paraqitej një kopje e ftesës për Përkujtimin, në faqen e fundit, dhe u turr drejt të atit. Tregoi me gisht në fillim figurën dhe pastaj babanë e tij dhe tha: «Ti!» Nëna dhe babai panë njëri-tjetrin të mahnitur kur kuptuan se Xhejmsi po e ftonte të atin në Përkujtim. Babai i tha se ndoshta do të ishte i pranishëm.

Në mbrëmjen e Përkujtimit, Xhejmsi shkoi në sirtarin e rrobave të të atit, zgjodhi një palë pantallona, ia çoi atij dhe i bëri shenjë që t’i vishte. I ati iu përgjigj që nuk do të vinte në mbledhje. Kështu Xhejmsi dhe nëna e tij u nisën vetëm për në Sallën e Mbretërisë.

Megjithatë, pak kohë më vonë Xhejmsi filloi të bëhej gjithnjë e më i pabindur kur e ëma përpiqej që ta bënte gati për të shkuar në mbledhjet e kongregacionit, duke zgjedhur të rrinte në shtëpi me të atin. Më pas, një të diel në mëngjes, Xhejmsi nuk pranoi përsëri të bashkëpunonte kur e ëma po përpiqej ta bënte atë gati për në mbledhje. Për habinë e saj, i shoqi u kthye nga Xhejmsi dhe i tha: «Xhejms, po të shkoj unë në mbledhje sot, do të shkosh edhe ti?» Fytyra e Xhejmsit u çel. Ia hodhi duart në qafë të atit dhe i tha: «Po!» Që të tre u nisën për në Sallën e Mbretërisë.

Që prej asaj dite, babai i Xhejmsit vazhdoi të ndiqte të gjitha mbledhjet e së dielës dhe shpejt tha se nëse do të bënte përparim, do të ndiqte edhe mbledhjet e tjera. (Hebrenjve 10:24, 25) Bëri tamam kështu dhe dy muaj më vonë filloi të studionte Biblën rregullisht. Përparoi shpejt, duke bërë pa ngurrim ndryshimet e nevojshme në jetën e tij dhe s’kaloi shumë e filloi të merrte pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë. Një vit pasi filloi të studionte Biblën, ia dedikoi jetën Jehovait dhe e simbolizoi këtë me zhytjen në ujë. Tani shërben si një shërbëtor ndihmës në kongregacionin e tij. Sot, të gjithë në familje i shërbejnë Jehovait të bashkuar.