Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kemi nevojë të dimë se kush është Perëndia

Kemi nevojë të dimë se kush është Perëndia

Kemi nevojë të dimë se kush është Perëndia

A NUK emocionoheni kur shikoni qiellin e mbushur plot me yje në një natë pa re? A nuk është e këndshme aroma e luleve shumëngjyrëshe? A nuk kënaqeni duke dëgjuar këngët e zogjve dhe fëshfëritjen e gjetheve nga një puhizë e lehtë? Dhe sa magjepsëse janë balenat e fuqishme dhe krijesat e tjera që mbushin detin! Për të mos folur pastaj për njerëzit të pajisur me ndërgjegje dhe me një tru jashtëzakonisht të ndërlikuar. Si e shpjegoni ekzistencën e të gjitha gjërave të mrekullueshme që na rrethojnë?

Disa besojnë se e gjithë kjo është produkt i rastësisë së verbër. Por, nëse është kështu, pse njerëzit janë të vetëdijshëm për ekzistencën e Perëndisë? Pse një kombinim i rastësishëm i substancave të ndryshme kimike do të prodhonte krijesa me një nevojë frymore?

«Feja është e rrënjosur thellë në natyrën njerëzore dhe përjetohet në çdo nivel të gjendjes ekonomike dhe të formimit arsimor.» Kjo thënie përmblidhte kërkimin që profesor Alistër Hardi paraqiti në librin e tij The Spiritual Nature of Man (Natyra frymore e njeriut). Gjatë kohëve të fundit, eksperimente në lidhje me trurin kanë bërë që disa shkencëtarë neurologë të sugjerojnë se njerëzit mund të jenë «të programuar gjenetikisht» me aftësinë për të praktikuar fenë. Libri i titulluar Is God the Only Reality? (Është Perëndia realiteti unik?) vëren: «Kërkimi fetar për domethënie . . . është përvoja e zakonshme në çdo kulturë dhe në çdo epokë që nga lindja e njerëzimit.»

Shqyrtoni se çfarë përfundimi nxori një njeri i arsimuar rreth 2.000 vjet më parë. Ai shkroi: «Çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Në të vërtetë, që në vargun e parë në Bibël pohohet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»​—Zanafilla 1:1.

Megjithatë, kush është Perëndia? Njerëzimi është i përçarë lidhur me këtë pyetje. Kur u pyet se kush është Perëndia, një adoleshent japonez me emrin Joshi u përgjigj: «Nuk jam i sigurt. Unë jam budist dhe s’më është dukur e rëndësishme të dija kush është Perëndia.» Sidoqoftë, Joshi pranoi se vetë Buda adhurohet si perëndi nga shumë njerëz. Niku, një biznesmen në të 60-at, beson te Perëndia dhe e mendon atë si një forcë të gjithpushtetshme. Kur iu kërkua të shpjegonte se çfarë dinte për Perëndinë, pas një heshtjeje të gjatë Niku u përgjigj: «Kjo është një pyetje shumë e vështirë, miku im. Gjithçka që mund të them është se ka një Perëndi. Ai ekziston.»

Disa njerëz ‘adhurojnë dhe i shërbejnë krijesës në vend të Krijuesit’. (Romakëve 1:25, Dio) Miliona veta adhurojnë paraardhësit e tyre të vdekur, duke besuar se Perëndia është shumë i largët e nuk mund t’i afrohen dot. Në fenë hinduiste ka shumë perëndi dhe perëndesha. Hyjni të ndryshme, të tillë si Zeusi dhe Hermesi, adhuroheshin në ditët e dishepujve të Jezu Krishtit. (Veprat 14:11, 12) Shumë nga kishat e të ashtuquajturit krishterim mësojnë se Perëndia është një Trinitet, që përbëhet nga Perëndia Atë, Perëndia Bir dhe Perëndia Shpirti i Shenjtë.

Në të vërtetë, Bibla thotë se «ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’». Por, ajo shton: «Faktikisht për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati, prej të cilit janë të gjitha gjërat.» (1 Korintasve 8:5, 6) Po, ka vetëm një Perëndi të vërtetë. Por, kush është ai? Ç’pamje ka? Është e rëndësishme që t’i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve. Vetë Jezui i tha në lutje Atij: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Ka arsye për të besuar se mirëqenia jonë e përhershme varet nga njohja e së vërtetës rreth Perëndisë.

[Figura në faqen 3]

Si shpjegohet ekzistenca e tyre?

[Burimi]

Balena: Me mirësjellje nga Tourism Queensland

[Burimi i figurës në faqen 2]

KOPERTINA: Index Stock Photography © 2002