Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është Perëndia?

Kush është Perëndia?

Kush është Perëndia?

«PERËNDI është emri që i jepet zakonisht burimit të fuqisë më të madhe në univers dhe atij ndaj të cilit drejtohet devocioni fetar»,​—thotë The Encyclopedia Americana. Termi «Perëndi» përcaktohet si qenia më e lartë e mbinatyrshme. Cila është natyra e një qenieje të tillë që të ngjall frikë e nderim?

Perëndia është një forcë abstrakte apo një person real? A ka një emër? A është ai një trinitet, siç besojnë shumë veta? Si mund ta njohim Perëndinë? Bibla jep përgjigje të vërteta dhe të kënaqshme për këto pyetje. Në të vërtetë, na nxit ta kërkojmë Perëndinë, duke na thënë: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.»​—Veprat 17:27.

Një forcë abstrakte apo një person real?

Shumë veta që besojnë te Perëndia e mendojnë atë si një forcë, jo si një person. Për shembull, në disa kultura, perënditë i kanë barazuar me forcat e natyrës. Disa veta që kanë shqyrtuar prova të mbledhura nga kërkimet shkencore për strukturën e universit dhe natyrën e jetës në tokë, kanë nxjerrë përfundimin se duhet të ketë një Shkak të Parë. Sidoqoftë, ata ngurrojnë t’i bashkangjitin një personalitet këtij Shkaku.

Megjithatë, a nuk tregon kompleksiteti i krijimit se Shkaku i Parë duhet të ketë pasur një mençuri të jashtëzakonshme? Mençuria kërkon një mendje. Mendja e jashtëzakonshme, që është përgjegjëse për gjithë krijimin, i përket personit të Perëndisë. Po, Perëndia ka një trup, jo fizik si i yni, por një trup frymor. Bibla thotë: «Nëse ka trup fizik, ka edhe frymor.» (1 Korintasve 15:44) Duke shpjeguar natyrën e Perëndisë, Bibla e thotë qartë: «Perëndia është frymë.» (Gjoni 4:24) Një frymë ka një formë jete që ndryshon shumë nga e jona dhe është e padukshme për sytë njerëzorë. (Gjoni 1:18) Ka edhe krijesa frymore të padukshme. Ata janë engjëj​—«bijtë e Perëndisë»​—Jobi 1:6; 2:1.

Meqenëse Perëndia është një person që nuk është i krijuar dhe ka një trup frymor, është e logjikshme që të ketë një vend ku banon. Duke folur për sferën frymore, Bibla na tregon që qiejt janë ‘vendbanimi’ i Perëndisë. (1 Mbretërve 8:43) Gjithashtu, shkrimtari biblik Pavli tha: ‘Krishti hyri në vetë qiellin që të paraqitet për ne përpara personit të Perëndisë.’​—Hebrenjve 9:24.

Fjala «frymë» është përdorur në Bibël edhe në një kuptim tjetër. Duke iu drejtuar Perëndisë në lutje, psalmisti tha: «Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen.» (Psalmi 104:30) Kjo frymë nuk është vetë Perëndia, por një forcë që Perëndia dërgon ose përdor, për të kryer çfarëdolloj gjëje që dëshiron. Me anë të saj, Perëndia krijoi qiejt fizikë, tokën dhe gjithë gjallesat. (Zanafilla 1:2; Psalmi 33:6) Fryma e tij quhet fryma e shenjtë. Perëndia e përdori frymën e tij të shenjtë për të frymëzuar njerëzit që shkruan Biblën. (2 Pjetrit 1:20, 21) Pra, fryma e shenjtë është forca vepruese e padukshme që Perëndia përdor për të përmbushur qëllimet e tij.

Perëndia ka një emër të pashoq

Shkrimtari biblik Aguri pyeti: «Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit?» (Fjalët e urta 30:4) Në thelb, Aguri po pyeste: ‘A e di emrin ose linjën familjare të ndonjë njeriu që të ketë bërë këto gjëra?’ Vetëm Perëndia e ka fuqinë të kontrollojë forcat e natyrës. Edhe pse krijimi është një provë e fuqishme që Perëndia ekziston, ai nuk zbulon gjë rreth emrit të Perëndisë. Në të vërtetë, ne kurrë nuk do të mund ta njihnim emrin e Perëndisë nëse vetë ai nuk do të na e kishte zbuluar. Dhe e ka bërë këtë. «Unë jam Jehovai​—thotë Krijuesi​—ky është emri im.»​—Isaia 42:8, BR.

Emri i pashoq i Perëndisë, Jehova, gjendet afro 7.000 herë vetëm në Shkrimet Hebraike. Jezu Krishti ua bëri të njohur këtë emër të tjerëve dhe e lavdëroi para tyre. (Gjoni 17:6, 26) Ky emër gjendet në librin e fundit të Biblës si pjesë e shprehjes «Aleluja» që do të thotë «lëvdoni Jah». «Jah» është forma e shkurtuar e «Jehova». (Zbulesa 19:1-6, Dio) Por shumë Bibla moderne rrallë e përdorin këtë emër. Shpesh në to përdoret fjala «ZOTËRI» ose «PERËNDI», e shkruar e gjitha me shkronja të mëdha për ta dalluar nga titujt e zakonshëm «Zotëri» dhe «Perëndi». Disa studiues mendojnë se emri hyjnor mund të jetë shqiptuar Jahve.

Pse ka pikëpamje të tilla të ndryshme rreth emrit të Personit më të madh në univers? Problemi doli shekuj më parë, kur judenjtë për shkak të bestytnive pushuan së shqiptuari emrin hyjnor dhe filluan të vinin fjalën hebreje «Zotëri Sovran» kudo që gjenin emrin hyjnor kur lexonin Shkrimet. Meqenëse hebraishtja biblike shkruhej pa zanore, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur me saktësi se si i shqiptonin shkronjat që përbënin emrin hyjnor Moisiu, Davidi dhe të tjerët në kohët e hershme. Sidoqoftë, shqiptimi në shqip Jehova është përdorur për shekuj dhe ekuivalenti i saj në shumë gjuhë është i pranuar gjerësisht sot.​—Psalmi 83:18 botim i Shoqërisë Biblike për n’ingli dhe jashtë Korçë 1928.

Edhe pse ka njëfarë pasigurie se si shqiptohej emri i Perëndisë në hebraishten e lashtë, domethënia e tij nuk është mister. Emri i tij do të thotë: «Ai shkakton të bëhet». Perëndia Jehova, pra, e identifikon veten si Ai që e përmbush qëllimin e tij. Ai gjithmonë shkakton që qëllimet dhe premtimet e tij të bëhen realitet. Vetëm Perëndia i vërtetë, i cili ka fuqinë për ta bërë këtë, mund ta mbajë me të drejtë këtë emër.​—Isaia 55:11.

Pa dyshim, emri Jehova shërben për ta dalluar Perëndinë e Plotfuqishëm nga gjithë perënditë e tjera. Ja përse ai emër shfaqet kaq shpesh në Bibël. Ndonëse shumë përkthime nuk e përdorin emrin hyjnor, Psalmi 83:18 thotë qartë: «Ti, emri i të cilit është Jehova, vetëm ti je Më i Larti mbi gjithë tokën.» (BR) Gjatë shërbimit të tij, Jezu Krishti i mësoi ithtarët e tij: «Ju, pra, duhet të luteni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:9) Pra, duhet ta përdorim emrin e Perëndisë kur lutemi, kur flasim për të dhe kur e lëvdojmë atë para të tjerëve.

A është Jezui Perëndi?

Vetë Perëndia Jehova nuk lë dyshime për identitetin e Birit të tij. Tregimi i Ungjillit të Mateut thotë se pasi Jezui u pagëzua, «pati një zë nga qiejt që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.’» (Mateu 3:16, 17) Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Por, disa njerëz fetarë thonë se Jezui është Perëndi. Të tjerët thonë se Perëndia është një Trinitet. Sipas këtij mësimi «Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi e megjithatë nuk janë tre Perëndi, por një Perëndi.» Besohet se këta të tre «janë njësoj të përhershëm e të barabartë». (The Catholic Encyclopedia). A janë të sakta pikëpamje të tilla?

Në lidhje me Jehovain, Shkrimet e frymëzuara thonë: «Nga koha e pacaktuar deri në kohë të pacaktuar ti je Perëndi.» (Psalmi 90:2, BR) Ai është ‘Mbreti i përjetësisë’, pra, pa fillim ose fund. (1 Timoteut 1:17) Jezui, nga ana tjetër, është «i parëlinduri i gjithë krijimit», «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Kolosianëve 1:13-15; Zbulesa 3:14) Duke iu drejtuar Perëndisë si Atit të tij, Jezui tha: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Jezui gjithashtu, shpjegoi se disa gjëra as ai e as engjëjt nuk i dinin, por i dinte vetëm Perëndia. (Marku 13:32) Për më tepër, Jezui iu lut Atit të tij, duke i thënë: «Le të bëhet jo vullneti im, por i yti.» (Luka 22:42) Kujt po i lutej nëse nuk ishte duke iu lutur një Personi më të lartë se ai? Përveç kësaj, ishte Perëndia ai që e ringjalli Jezuin nga vdekja, nuk ishte vetë Jezui.​—Veprat 2:32.

Pra, Shkrimet thonë se Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm dhe Jezui është Biri i tij. Ata të dy nuk ishin të barabartë me njëri-tjetrin para se Jezui të vinte në tokë ose gjatë jetës së tij në tokë, as nuk u bë i barabartë me Atin e tij pasi u ringjall në qiell. (1 Korintasve 11:3; 15:28) Siç e kemi parë, i ashtuquajturi personi i tretë i Trinitetit, fryma e shenjtë, nuk është një person. Përkundrazi, është një forcë që Perëndia e përdor për të kryer çfarëdolloj gjëje që ai dëshiron. Triniteti, atëherë, nuk është një mësim biblik. * Bibla thotë: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.»​—Ligji i përtërirë 6:4, BR.

Ta njohim më mirë Perëndinë

Që ta duam Perëndinë e t’i japim përkushtim ekskluziv që meriton, kemi nevojë që ta njohim siç është ai në të vërtetë. Si mund ta njohim më mirë Perëndinë? Bibla thotë: «Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje dhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij.» (Romakëve 1:20) Një mënyrë për të njohur Perëndinë më mirë është duke vëzhguar dhe duke medituar me çmueshmëri për gjërat që ka krijuar.

Megjithatë, krijimi nuk na tregon gjithçka që kemi nevojë të dimë rreth Perëndisë. Për shembull, për të kuptuar se është një Person frymor real me një emër të pashoq, kemi nevojë të kërkojmë në Bibël. Në të vërtetë, mënyra më e mirë për ta njohur më mirë Perëndinë është të studiojmë Biblën. Në Shkrime, Jehovai na tregon shumë më tepër se çfarë lloj Perëndie është. Gjithashtu na zbulon qëllimet e tij dhe na arsimon në udhët e tij. (Amosi 3:7; 2 Timoteut 3:16, 17) Sa të kënaqur mund të jemi që Perëndia dëshiron që ne ‘të arrijmë në njohurinë e saktë të së vërtetës’, kështu që mund të nxjerrim dobi nga masat e tij të dashura! (1 Timoteut 2:4) Pra, le të bëjmë çdo përpjekje për të mësuar gjithçka që mundemi rreth Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 19 Për një shqyrtim të hollësishëm të kësaj teme, shih broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 5]

Perëndia përdori frymën e tij të shenjtë për të krijuar tokën dhe për të frymëzuar njerëzit të shkruanin Biblën

[Figura në faqen 5]

Një zë nga qielli tha: «Ky është Biri im»

[Figura në faqen 7]

Jezui iu lut Perëndisë, Personit më të lartë se ai

[Figura në faqen 7]

Jezui ua bëri të njohur emrin e Perëndisë të tjerëve

[Figurat në faqen 7]

Ne mund ta njohim më mirë Perëndinë