Paradoksi i Tertulianit
Paradoksi i Tertulianit
‘ÇFARË ngjashmërie mund të ketë ndërmjet të krishterit dhe filozofit; ndërmjet atij që e shtrembëron të vërtetën dhe atij që e nxjerr në dritë dhe e mëson atë? Ç’përputhje ka ndërmjet shkollës filozofike dhe kishës?’ Këto pyetje të guximshme i ngriti Tertuliani, një shkrimtar në shekullin e dytë dhe të tretë të erës sonë. Ai u bë i njohur si «një nga burimet më pjellore të historisë së kishës dhe të doktrinave të cilat mësoheshin në kohën e tij». Pothuajse asnjë veçori e jetës fetare nuk i shpëtonte vëmendjes së tij.
Ndoshta Tertuliani njihet më tepër për pohimet e tij paradoksale ose kontradiktore në dukje, si: «Pra, Perëndia është veçanërisht i madh atëherë kur është i vogël.» «[Vdekja e Birit të Perëndisë] duhet besuar me çdo kusht, sepse është absurde.» «[Jezui] u varros dhe u ngrit përsëri; kjo është e sigurt sepse është e pamundur.»
Megjithatë paradoksin e Tertulianit nuk e përbëjnë vetëm pohimet e tij. Ndonëse kishte si qëllim që shkrimet e tij të mbronin të vërtetën e të mbështetnin integritetin e kishës dhe doktrinat e saj, ai faktikisht i shtrembëroi mësimet e vërteta. Ndihmesa kryesore që i dha të ashtuquajturit krishterim u bë e njohur si një teori në bazë të së cilës më vonë shkrimtarët ndërtuan doktrinën e Trinitetit. Për të fituar kuptueshmëri të thellë se si ndodhi kjo, le të shqyrtojmë së pari diçka për Tertulianin.
«E pamundur të rrijë indiferent»
Për jetën e Tertulianit dihet shumë pak. Shumica e studiuesve janë të mendimit se ai lindi rreth vitit 160 të e. s. në Kartagjenë, në Afrikën e Veriut. Me sa duket, ishte i arsimuar mirë dhe plotësisht i familjarizuar me shkollat kryesore filozofike të asaj kohe. Duket se ajo që e tërhoqi drejt krishterimit ishte gatishmëria e atyre që deklaroheshin të krishterë që të vdisnin për besimin e tyre. Për martirizimin e krishterë ai pyeti: «Cili nga ata që meditojnë rreth tij nuk është i nxitur që të pyesë se çfarë përmban në thelb? Cili, pasi ka bërë kërkime, nuk i përqafon doktrinat tona?»
Pasi u kthye sa për emër në besimin e krishterë, Tertuliani u bë një shkrimtar novator me një talent të veçantë për të bërë pohime të shkurtra e të mprehta. «[Ai] zotëronte një aftësi që rrallëherë e gjen te teologët,—komenton libri Etërit e Kishës.—Për të është e pamundur të rrijë indiferent.» Një studiues tha: «Tertuliani [kishte] një dhunti për fjalët në vend të fjalive dhe është shumë më e lehtë të kuptohen pohimet e tij të mprehta, sesa të ndiqen argumentimet që bën. Ndoshta kjo është arsyeja për të cilën komentet e tij citohen shpesh, por nuk citohen edhe aq shpesh pjesë më të gjata të tij.»
Në mbrojtje të krishterimit
Vepra më e famshme e Tertulianit është Apologji, e parë si një nga veprat më të fuqishme letrare në mbrojtje të krishterimit formal. U shkrua gjatë një kohe kur të krishterët ishin shpesh viktima të turmave me njerëz me besëtytni. Tertuliani u doli në mbrojtje këtyre të krishterëve dhe kundërshtoi trajtimin e paarsyeshëm që u bëhej. Ai tha: «[Kundërshtarët]
mendojnë se të krishterët janë shkaku i çdo gjëme publike dhe i çdo fatkeqësie të popullit. . . . Po qe se Nili nuk del nga shtrati për të vaditur fushat, po qe se moti nuk ndryshon, po qe se ka një tërmet, një zi buke, një murtajë, menjëherë dëgjohet thirrja: ‘Hidhini të krishterët te luani!’»Edhe pse shpesh të krishterët i akuzonin për tradhti ndaj shtetit, Tertuliani u përpoq të tregonte se në të vërtetë ata ishin shtetasit më të besueshëm në perandori. Pasi e tërhoqi vëmendjen te disa përpjekje që ishin bërë për të përmbysur qeverinë, ai u kujtoi kundërshtarëve të tij se këta komplotues kishin dalë nga radhët e paganëve, jo nga të krishterët. Tertuliani theksoi se kur vriteshin të krishterët, humbjen e vërtetë e pësonte shteti.
Vepra të tjera të Tertulianit flitnin për mënyrën e krishterë të të jetuarit. Për shembull, në veprën e tij On the Shows, Tertuliani jepte këshilla për të mos qenë të pranishëm në disa vende zbavitjesh, lojërash pagane dhe shfaqjesh teatrale. Me sa duket, kishte të sapokthyer në besim të cilëve nuk u dukej kontradiktore të mblidheshin për të mësuar Biblën dhe pastaj të shkonin të ndiqnin lojërat pagane. Duke u përpjekur të nxiste aftësinë e tyre për të menduar, Tertuliani shkroi: «Sa gjë e shëmtuar është të shkosh nga kisha e Perëndisë drejt e në kishën e djallit, nga qielli në një thark derrash.» Ai tha: «Atë që e hidhni poshtë si veprim, nuk duhet ta mirëpritni si fjalë.»
E shtrembëron të vërtetën, ndërsa ishte duke e mbrojtur
Esenë e tij me titull Against Praxeas (Kundër Praksit) Tertuliani e fillon me fjalët: «Djalli e ka sfiduar dhe e ka kundërshtuar të vërtetën në mënyra të ndryshme. Disa herë, synimi i tij ka qenë ta shkatërrojë të vërtetën duke e mbrojtur atë.» Në këtë ese, burri me emrin Praksi nuk identifikohet me qartësi, por Tertuliani kundërshtoi mësimet e Praksit lidhur me Perëndinë dhe me Krishtin. Praksin ai e shihte si një vegël të Satanait, që në mënyrë të fshehtë po përpiqej të korruptonte krishterimin.
Një çështje thelbësore ndërmjet atyre që pohonin se ishin të krishterë në atë kohë ishte marrëdhënia që ekzistonte ndërmjet Perëndisë dhe Krishtit. Disa prej tyre, sidomos ata me prejardhje greke, e kishin të vështirë të pajtonin besimin te një Perëndi i vetëm me rolin e Jezuit si Shpëtimtar dhe Shpengues. Praksi u përpoq ta zgjidhte dilemën e tyre duke mësuar se Jezui ishte veçse një shfaqje tjetër e Atit dhe se nuk kishte ndryshim ndërmjet Atit dhe Birit. Kjo teori, e njohur si modalizmi, pretendon se Perëndia e shfaqi veten «si Ati në Krijim dhe në dhënien e Ligjit, si Biri në Jezu Krishtin dhe si Fryma e Shenjtë pas ngjitjes së Krishtit në qiell».
Tertuliani tregoi se Shkrimet bënin një dallim të qartë ndërmjet Atit dhe Birit. Pasi citoi 1 Korintasve 15:27, 28 ai arsyetoi: «Ai që nënshtroi (çdo gjë) dhe Ai të cilit iu nënshtruan ato duhet të jenë medoemos dy Qenie të ndryshme.» Tertuliani e tërhoqi vëmendjen te vetë fjalët e Jezuit: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Duke përdorur pjesë të Shkrimeve Hebraike si Psalmi 8:5, ai tregoi se si e përshkruan Bibla faktin që Biri është «më i ulët». «Pra, Ati është i ndarë veç nga Biri, duke qenë më i madh se Biri,—përfundoi Tertuliani.—Sikurse Ai që lind është një, Ai që është i lindur është një tjetër; gjithashtu, Ai që dërgon është një dhe Ai që dërgohet është një tjetër; prapëseprapë, Ai që bën është një dhe Ai nëpërmjet të cilit gjëja është bërë është një tjetër.»
Tertuliani e shihte Birin si më të ulët se Ati. Mirëpo, në përpjekjet për t’iu kundërpërgjigjur modalizmit, ai shkoi «përtej gjërave që janë shkruar». (1 Korintasve 4:6) Duke u përpjekur në mënyrë të gabuar të provonte hyjninë e Jezuit me anë të një teorie tjetër, Tertuliani shpiku formulën «një substancë e vetme në tre persona». Duke përdorur këtë koncept, ai u përpoq të tregonte se Perëndia, Biri i tij dhe fryma e shenjtë ishin tre persona të veçantë që ekzistonin në një substancë të vetme hyjnore. Në këtë mënyrë Tertuliani u bë i pari që përdori formën latine të fjalës «trinitet» për Atin, Birin dhe frymën e shenjtë.
Ruhuni nga filozofia e botës
Si ia arriti Tertuliani të shpikte teorinë e «një substance të vetme në tre persona»? Përgjigjen e gjejmë në një paradoks tjetër të këtij njeriu, në pikëpamjen që kishte ai për filozofinë. Tertuliani e quante filozofinë «‘doktrinat’ e njerëzve dhe ‘të demonëve’». E kritikonte hapur përdorimin e filozofisë për të mbështetur të vërtetat e krishtere. «Qëndroni larg çfarëdo përpjekjeje për të prodhuar një krishterim të ndotur nga përbërje stoike, platonike dhe dialektike»,—thoshte ai. E megjithatë vetë Tertuliani e përdorte lirshëm filozofinë e botës kur ishte në përputhje me idetë e tij.—Kolosianëve 2:8.
Një vepër referimi thotë: «Teologjia trinitare kishte nevojë për ndihmën e koncepteve dhe të kategorive heleniste, për zhvillimin dhe shprehjen e saj.» Po ashtu, libri The Theology of Tertullian komenton: «[Ishte] një gërshetim i çuditshëm i ideve dhe termave ligjorë e filozofikë, gërshetim që i dha mundësi Tertulianit ta paraqiste doktrinën trinitare në një formë që, me gjithë kufizimet dhe papërsosmërinë e saj, siguroi strukturën për paraqitjen e mëvonshme të kësaj doktrine në Këshillin e Nicesë.» Kështu, formula e Tertulianit—tre persona në një substancë të vetme hyjnore—luajti një rol kryesor në përhapjen e gabimeve fetare në gjithë të ashtuquajturin krishterim.
Tertuliani i akuzoi të tjerët se po e shkatërronin të vërtetën, ndërsa përpiqeshin ta mbronin atë. Por në mënyrë ironike, duke përzier të vërtetën biblike të frymëzuar nga Perëndia me filozofinë njerëzore, ai ra në të njëjtën grackë. Prandaj, le ta marrim për zemër paralajmërimin biblik që të mos ‘u kushtojmë vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese dhe mësimeve të demonëve’!—1 Timoteut 4:1.
[Figurat në faqet 29, 30]
Tertuliani e kritikonte filozofinë, por e përdori atë për të mbështetur idetë e tij
[Burimi]
Faqet 29 dhe 30: © Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris
[Figura në faqen 31]
Të krishterët e vërtetë nuk e përziejnë të vërtetën biblike me filozofinë njerëzore