Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A do të ishte e përshtatshme që një i krishterë i vërtetë të ndiqte një ceremoni funerali ose martese në kishë?

Pjesëmarrja jonë në çfarëdolloj forme të fesë së rreme është e papëlqyeshme për Jehovain dhe duhet shmangur. (2 Korintasve 6:14-17; Zbulesa 18:4) Ceremonia e funeralit në kishë është një shërbim fetar që mund të përfshijë një fjalim ku mbrohen ide të tilla jobiblike si pavdekësia e shpirtit dhe shpërblimi në qiell për të gjithë njerëzit e mirë. Mund të përfshijë edhe praktika të tilla si bërjen e shenjës së kryqit dhe pjesëmarrjen në lutjen që bën prifti. Lutjet dhe praktika të tjera fetare që janë në kundërshtim me mësimin biblik mund të jenë pjesë edhe e një ceremonie martesore në kishë. Duke qenë në një grup ku të gjithë të tjerët marrin pjesë në një veprim të fesë së rreme, një i krishterë mund ta ketë të vështirë ta kundërshtojë presionin që të marrë pjesë edhe ai. Sa e pamençur është që ta vëmë veten përballë këtij presioni!

Po në rastin kur një i krishterë ndihet i detyruar të ndjekë një ceremoni funerali ose martese të mbajtur në kishë? Bashkëshorti jobesimtar, për shembull, mund t’i kërkojë të shoqes që është e krishterë ta shoqërojë në një rast të tillë. A mund ta shoqërojë ajo, duke qëndruar thjesht si vëzhguese? Për të respektuar dëshirat e të shoqit gruaja mund të vendosë të shkojë me të, duke mbajtur vendosmërinë për të mos marrë pjesë në ndonjë ceremoni fetare. Nga ana tjetër, mund të vendosë të mos shkojë, duke arsyetuar se presioni emocional i shkaktuar nga rrethanat mund të jetë shumë i fortë duke i shkaktuar ndoshta që të bëjë kompromis me parimet hyjnore. Vendimi i përket asaj. Patjetër që do të dojë të jetë e vendosur në zemrën e saj, që të mund të ketë një ndërgjegje të pastër.​—1 Timoteut 1:19.

Sidoqoftë, do të ishte në dobinë e saj t’i shpjegonte të shoqit se ndërgjegjja nuk e lejon që të marrë pjesë në ndonjë ceremoni fetare ose të këndojë bashkë me të tjerët a të ulë kokën kur të bëhet lutja. I bazuar në shpjegimin e saj, i shoqi mund të nxjerrë përfundimin se prania e gruas së tij mund të krijonte një rrethanë që do të ishte e pakëndshme për burrin. Mund të zgjedhë të shkojë vetëm, i shtyrë nga dashuria për të shoqen, nga respekti për bindjet e saj ose nga dëshira për të shmangur një situatë të sikletshme. Por nëse ai ngul këmbë që gruaja ta shoqërojë, ajo mund të shkojë si vëzhguese e thjeshtë.

Një gjë që nuk duhet harruar është ndikimi që mund të ketë te bashkëbesimtarët fakti që ndjekim një shërbesë në një ndërtesë fetare. A mund të dëmtojë ndoshta ndërgjegjen e disave? A mund t’ua dobësojë qëndrueshmërinë ndaj përfshirjes në idhujtari? «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme,​—këshillon apostulli Pavël,​—në mënyrë që të jeni të patëmetë e të mos pengoni të tjerë deri në ditën e Krishtit.»​—Filipianëve 1:10.

Nëse në një ceremoni të tillë është përfshirë një i afërm i ngushtë, presionet nga familja mund të jenë edhe më të mëdha. Sidoqoftë, një i krishterë duhet të peshojë me kujdes të gjithë faktorët që përfshihen. Në disa rrethana, ai ose ajo mund të nxjerrë përfundimin se nuk do të lindin vështirësi nëse merr pjesë si vëzhgues në një ceremoni funerali ose martese në kishë. Mirëpo, rrethanat mund të jenë të tilla që, duke marrë pjesë, dëmi i mundshëm për ndërgjegjen e vetë personit ose për atë të të tjerëve do të ishte më i madh sesa dobitë e mundshme që do të vinin duke qenë të pranishëm atje. Cilado qoftë rrethana, i krishteri duhet të sigurohet se vendimi nuk do ta pengojë që të mbajë një ndërgjegje të mirë para Perëndisë dhe para njerëzve.