Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rritja e jashtëzakonshme kërkon zgjerim të shpejtë

Rritja e jashtëzakonshme kërkon zgjerim të shpejtë

«Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»

Rritja e jashtëzakonshme kërkon zgjerim të shpejtë

«EJANI tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj»,​—tha Jezu Krishti. (Mateu 11:28) Çfarë ftese që të ngroh zemrën nga Kreu i kongregacionit të krishterë! (Efesianëve 5:23) Kur meditojmë për këto fjalë, nuk mund të rrimë pa vlerësuar thellë një burim jetësor freskimi, pra, shoqërinë me vëllezërit tanë frymorë dhe motrat tona frymore në mbledhjet e krishtere. Jemi me siguri në një mendje me psalmistin, i cili këndoi: «Sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!»​—Psalmi 133:1.

Me të vërtetë, shoqëria që kemi në këto mbledhje adhurimi është më e mira dhe atmosfera frymore është e sigurt dhe e këndshme. Me të drejtë, pra, një e krishterë në moshë të re tha: «Jam në shkollë gjithë ditën dhe ajo më lodh. Kurse mbledhjet janë si një oaz në shkretëtirë, ku freskohem për të përballuar ditën tjetër të shkollës.» Një e re nigeriane vërejti: «Kam parë se shoqërimi i ngushtë me të tjerët që e duan Jehovain më ndihmon t’i qëndroj afër atij.»

Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait përmbushin një nevojë të madhe si qendra të adhurimit të vërtetë në vendin ku ndodhen. Në shumicën e vendeve, në Sallën e Mbretërisë mbahen mbledhje të paktën dy herë në javë dhe studentët biblikë inkurajohen t’i ndjekin ato sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të nxjerrin dobi nga shoqëria freskuese që gjejnë në to.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Një nevojë urgjente

Megjithatë, ia vlen të përmendet se jo të gjithë Dëshmitarët e Jehovait kanë një Sallë Mbretërie të përshtatshme. Rritja e jashtëzakonshme e lajmëtarëve të Mbretërisë në mbarë botën ka krijuar një nevojë urgjente. Mijëra Salla Mbretërie nevojiten ende, veçanërisht në vendet në zhvillim.​—Isaia 54:2; 60:22.

Sa për ta ilustruar: në kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos kishte vetëm dhjetë Salla Mbretërie për 290 kongregacione. Në këtë vend kishte nevojë urgjente për më shumë Salla Mbretërie. Në Angolë shumica e kongregacioneve po i bëjnë mbledhjet në vende të hapura, sepse ka një numër të kufizuar Sallash të Mbretërisë. Probleme të ngjashme ekzistojnë në shumë vende të tjera.

Prandaj, që nga viti 1999 janë bërë përpjekje në mënyrë të organizuar për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, në vende ku ka të ardhura të pakta. Për të dhënë ndihmë në projektet e ndërtesave në këto vende, Dëshmitarë me përvojë kanë ofruar vullnetarisht shërbimet e tyre. Kur këto përpjekje kombinohen me frymën e gatshme dhe me praninë e vullnetarëve vendas, rezultatet janë shumë inkurajuese. Nga ana e tyre Dëshmitarët vendas po nxjerrin dobi nga stërvitja që marrin. E gjithë kjo ndihmon për të plotësuar nevojat për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në shtetet e tyre përkatëse.

Për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, është siguruar ndihmë praktike duke përdorur një metodë elastike që përfshin edhe teknikat e materialet vendase. Qëllimi nuk është vetëm të plotësohet nevoja shumë e madhe për Salla Mbretërie, por edhe që të zhvillohet një program për mirëmbajtjen e tyre të përshtatur me rrethanat vendase.​—2 Korintasve 8:14, 15.

Zhvillime freskuese

Cili është efekti i këtyre përpjekjeve për të siguruar vende për adhurim? Në fillim të vitit 2001, në një raport nga Malavia thuhej: «Ajo që është kryer në këtë vend është me të vërtetë mbresëlënëse. Në dy muajt që do të vijojnë, do të përfundojmë Salla të tjera Mbretërie.» (Figura 1 dhe 2) Në Togo, muajt e fundit vullnetarët mundën të ndërtonin një numër Sallash të thjeshta të Mbretërisë. (Figura 3) Puna e shkëlqyer nga vullnetarët e gatshëm po ndihmon, gjithashtu, për të siguruar Salla të përshtatshme Mbretërie në Meksikë, Brazil dhe vende të tjera.

Kongregacionet vërejnë se, kur ndërtohet një Sallë Mbretërie, banorët vendas e kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait kanë ndër mend të rrinë aty. Shumë veta, me sa duket, kishin ngurruar të shoqëroheshin me Dëshmitarët e Jehovait derisa nuk ishte siguruar një vend i përshtatshëm adhurimi. Kongregacioni Nafisi në Malavi raporton: «Tani që kemi një Sallë të përshtatshme Mbretërie, kjo gjë po jep një dëshmi të shkëlqyer. Si rrjedhim, është e lehtë të fillojmë studime biblike.»

Anëtarët e kongregacionit Krake në Benin duruan shumë tallje në të kaluarën sepse Salla e mëparshme e Mbretërisë ishte primitive në krahasim me disa kisha. (Figura 4) Tani kongregacioni ka një Sallë të re Mbretërie të shkëlqyer, që e paraqet adhurimin e vërtetë në një mënyrë modeste, por me dinjitet. (Figura 5) Ky kongregacion kishte 34 lajmëtarë të Mbretërisë me një numër mesatar prej 73 të pranishmish në mbledhjen e së dielës, por dedikimin e Sallës së Mbretërisë e ndoqën 651 veta. Shumica e tyre ishin banorë të qytetit, të cilëve u bëri përshtypje të madhe kur panë se Dëshmitarët mundën të ndërtonin një sallë në një kohë të shkurtër. Duke medituar për zhvillimet e kaluara në lidhje me këtë, dega e Zimbabves shkroi: «Brenda një muaji pasi ndërtojmë një Sallë të re Mbretërie, numri i të pranishmëve zakonisht dyfishohet.»​—Figurat 6 dhe 7.

Pa dyshim, Sallat e shumta të reja të Mbretërisë ndihmojnë për të siguruar vende për freskimin frymor të të krishterëve të dedikuar dhe të njerëzve të interesuar. «Ndiejmë gëzim të madh,​—tha një Dëshmitar në Ukrainë, pasi kongregacioni vendas filloi të përdorte Sallën e re të Mbretërisë.​—Pamë me sytë tanë se si e ndihmon Jehovai popullin e tij. Tani na është forcuar së tepërmi siguria se Jehovai do të vazhdojë të na ndihmojë.»

[Kutia dhe figurat në faqet 10, 11]

Mbështetja bujare vlerësohet

Dëshmitarët e Jehovait ngazëllohen kur shohin përparimin e shpejtë që është bërë për të plotësuar nevojën urgjente për Salla të reja Mbretërie përreth globit. Rritja e vazhdueshme e numrit të adhuruesve të Jehovait në vende të ndryshme, kërkon që në të ardhmen të ndërtohen shumë Salla të reja Mbretërie. Për shembull, gjatë vitit të shërbimit 2001, mesatarisht, çdo javë janë formuar 32 kongregacione të reja. Këto kongregacione kanë nevojë për vende ku të mblidhen dhe të adhurojnë Perëndinë.

Mund të lindë pyetja: «Si i financojmë projekte të tilla si ndërtimi i Sallave të reja të Mbretërisë, veçanërisht në vendet ku vëllezërit kanë të ardhura të kufizuara financiare?» Përgjigjja lidhet si me mbështetjen hyjnore, ashtu edhe me bujarinë njerëzore.

Në përputhje me premtimin e vet, Jehovai derdh frymën e shenjtë mbi shërbëtorët e tij, duke u dhënë mundësi «të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët». (1 Timoteut 6:18) Fryma e Perëndisë i nxit Dëshmitarët e Jehovait që ta përkrahin veprën e predikimit të Mbretërisë me çdo mënyrë, pra, duke dhënë kohën, energjinë, punën e tyre dhe burime të tjera për veprimtaritë e krishtere.

Dëshmitarët dhe personat e tjerë që ndihmojnë financiarisht në punën e ndërtimit dhe të zgjerimit te veprës i motivon një frymë bujare. Përveçse ndihmojnë për të mbuluar shpenzimet e zakonshme të kongregacionit të tyre, ata kontribuojnë për punën e ndërtimit në vende të tjera të botës.

Në çdo kongregacion, ka kuti me shënimin e dukshëm «Kontribute për veprën mbarëbotërore​—Mateu 24:14». Aty, individët mund të kontribuojnë vullnetarisht nëse e dëshirojnë një gjë të tillë. (2 Mbretërve 12:9) Çmohen të gjitha kontributet, të mëdha dhe të vogla. (Marku 12:42-44) Këto fonde përdoren sipas nevojës në shumë mënyra, duke përfshirë edhe ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Fonde të tilla nuk përdoren për të paguar administratorë me pagesë, sepse Dëshmitarët e Jehovait nuk kanë të tillë.

A e përmbushin qëllimin e tyre kontributet për veprën mbarëbotërore? Po, patjetër. Dega në Liberi​—një vend i shkatërruar nga lufta civile​—raporton se shumica e Dëshmitarëve vendas janë të papunë dhe hasin probleme të rënda financiare. Si mund të gjejë populli i Jehovait në këtë shtet vende të përshtatshme adhurimi? Zyra e degës vëren: «Kontributet bujare të vëllezërve në vende të tjera do të përdoren për të financuar veprën. Çfarë rregullimi i mençur dhe i dashur!»

Edhe vëllezërit vendas kontribuojnë, ndonëse kanë të ardhura të kufizuara. Nga Sierra-Leone, një vend afrikan, raportohet: «Vëllezërit vendas mbështetin përpjekjet që po bëhen për këtë vepër dhe janë të lumtur të ofrojnë ndihmën e tyre dhe çfarëdolloj kontributesh financiare që munden, për të mbështetur ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.»

Në thelb, kjo punë ndërtimi i sjell lavdi Jehovait. Vëllezërit nga Liberia thonë me entuziazëm: «Ndërtimi i vendeve të përshtatshme të adhurimit në gjithë vendin, do t’u tregojë njerëzve se adhurimi i vërtetë është i qëndrueshëm në këtë vend dhe do t’i japë dinjitet e do ta stolisë emrin e madh të Perëndisë tonë.»