Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I shpërblyer duke praktikuar përkushtimin hyjnor

I shpërblyer duke praktikuar përkushtimin hyjnor

Jetëshkrim

I shpërblyer duke praktikuar përkushtimin hyjnor

TREGUAR NGA UILLIAM AJHINORIA

U zgjova në mes të natës nga rënkimi i zakonshëm i babait. Ai po rrokullisej mbi dysheme duke mbajtur stomakun me dorë. Mamaja, motra ime më e madhe dhe unë, u mblodhëm rreth tij. Kur u duk se dhimbja u pakësua, ai u ul ndenjur, psherëtiu dhe tha: «Vetëm Dëshmitarët e Jehovait kanë paqe mbi këtë tokë.» Ky koment qe i çuditshëm, por më bëri shumë përshtypje, sepse nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për Dëshmitarët e Jehovait. Pyesja veten se çfarë donte të thoshte.

AJO ngjarje ndodhi në vitin 1953, kur isha 6 vjeç. Bëja pjesë në një familje poligame në Iuosa, një fshat bujqësor në mes të Nigerisë Perëndimore. Isha fëmija i dytë, por djali i parë i familjes që përbëhej nga 3 gratë e babait dhe 13 fëmijë. Jetonim në shtëpinë prej balte të gjyshit, shtëpi që kishte katër dhoma dhe çati prej kashte. Familja përfshinte gjithashtu gjyshen dhe tre vëllezërit e babait, si dhe familjet e tyre.

Në fëmijëri, jeta ime ishte e mjerë. Ajo që e bënte të tillë ishte sidomos shëndeti i dobët i babait. Ai kishte dhimbje kronike stomaku, të cilat zgjatën deri në vdekjen e tij, shumë vite më vonë. Sëmundja e tij e panjohur s‘deshi t’ia dinte për gjithë mjekimet tradicionale dhe me barëra mjekësore, që mund të paguante një familje fshatare afrikane. Kalonim shumë net duke qarë pranë babait, kur ai rrokullisej mbi dysheme nga dhimbjet e forta, derisa gjeli këndonte në mëngjes. Shpesh ai udhëtonte me mamanë në kërkim të një kure për sëmundjen e tij, duke më lënë mua bashkë me vëllezërit dhe motrat nën kujdesin e gjyshes.

Familja jonë mbahej gjallë duke kultivuar dhe duke shitur zhardhokë jamsi, maniokë dhe arra kola, bimë që rriten në Afrikë. Gjithashtu, punonim nga pak për mbledhjen e lëngut të kauçukut nga pemët me qëllim që të shtonim të ardhurat tona të pakta. Si ushqim bazë kishim zhardhokë jamsi. Hanim jams në mëngjes, jams të shtypur në drekë dhe përsëri jams në darkë. Me raste, ndryshonte diçka kur hanim gjethe delli të pjekura.

Një pjesë e rëndësishme e jetës sonë ishte adhurimi i të parëve. Familja u ofronte atyre ushqim mbi shkopinj, mbi të cilat ishin lidhur guaska molusqesh. Edhe babai adhuronte një idhull për të larguar frymërat e liga dhe shtrigat.

Kur isha 5 vjeç, u zhvendosëm përkohësisht nga fshati ynë në një fermë bujqësore rreth 11 kilometra larg. Atje babai u sëmur me drakunkulozë, që vjen nga një lloj krimbi. Kjo sëmundje qe një vuajtje shtesë për sëmundjen që kishte në stomak. Ai s’punonte dot gjatë ditës dhe dhimbjet e barkut e torturonin gjatë natës. Unë mora sëmundjen e pleshtit të rërës, një lloj tifoje. Për pasojë, jetonim me lëmoshat që na jepte farefisi. U kthyem përsëri në fshatin tonë Iuosa, me qëllim që të mos vdisnim në mjerim. Babai dëshironte që unë, djali i parë, të bëhesha më shumë sesa një bujk që mezi ia del të mbahet gjallë. Ai mendonte se një arsimim i mirë do të më jepte mundësinë që ta rritja nivelin e jetesës së familjes dhe do të më ndihmonte që të rritja vëllezërit dhe motrat.

Njohja me fe të ndryshme

Pasi u kthyem në fshat, kisha mundësi të filloja shkollimin. Kjo bëri që të njihesha me fetë e të ashtuquajturit krishterim. Në vitet 50 të shekullit të 20-të, ishte e vështirë që një arsimim perëndimor të ishte i ndarë nga feja e padronëve kolonialë. Meqë ndoqa një shkollë fillore katolike, kjo do të thoshte se duhej të isha katolik.

Në vitin 1966, kur mbusha 19 vjeç, u pranova në shkollën e mesme të pelegrinëve baptistë në qytetin e Iuohinmit, rreth 8 kilometra larg Iuosas. Atje arsimimi im fetar ndryshoi. Meqenëse tani po ndiqja një shkollë protestante, priftërinjtë katolikë më ndaluan që të merrja pjesë në meshën e së dielës.

Pikërisht gjatë kohës që kalova në këtë shkollë baptiste u njoha për herë të parë me Biblën. Edhe pse vazhdoja të shkoja në kishën katolike, e lexoja Biblën vetë çdo të diel pas shërbesës së kishës katolike. Mësimet e Jezu Krishtit më mahnitnin, duke ngjallur tek unë dëshirën për të bërë një jetë kuptimplotë me përkushtim ndaj Perëndisë. Sa më shumë e lexoja Biblën, aq më shumë më neveriste hipokrizia e disa udhëheqësve fetarë dhe stili imoral i jetës së shumë prej atyre që ishin besimtarë të thjeshtë. Ajo ç’ka shihja ndër ata që e quanin veten të krishterë, ishte aq e ndryshme nga ajo që mësuan dhe bënë Jezui dhe dishepujt e tij.

Disa ngjarje më tronditën në mënyrë të veçantë. Në një rast, kur shkova në dyqanin e katekistit për të blerë rruzare, pashë të varur në shtalkën e derës së dyqanit një hajmali të kultit të fetisheve. Një herë tjetër, drejtori i shkollës baptiste u përpoq që të abuzonte me mua seksualisht. Më pas mora vesh se ai ishte homoseksual dhe kishte abuzuar me të tjerë. I bluaja në mendje këto gjëra, duke pyetur veten: ‘A i miraton Perëndia të gjitha fetë në të cilat anëtarët dhe madje edhe udhëheqësit e tyre nuk japin llogari për mëkate të rënda?’

Ndryshoj fenë

Megjithatë, më pëlqente shumë ajo që lexoja në Bibël dhe vendosa që të vazhdoja ta lexoja atë. Pikërisht atëherë fillova të mendoja për fjalët e babait rreth 15 vjet më parë: «Vetëm Dëshmitarët e Jehovait kanë paqe mbi këtë tokë.» Por, kisha frikë sepse të rinjtë Dëshmitarë në shkollën time i tallnin dhe nganjëherë i ndëshkonin, ngaqë nuk rrinin me ne në shërbimet fetare të mëngjesit. Pastaj, disa nga bindjet e tyre dukeshin edhe të çuditshme. Për shembull, e kisha të vështirë ta besoja se vetëm 144.000 veta do të shkonin në qiell. (Zbulesa 14:3) Meqë dëshiroja të shkoja në qiell, pyesja veten nëse ky numër ishte plotësuar përpara se të lindja unë.

Ishte e dukshme se Dëshmitarët ishin të ndryshëm me sjelljen dhe qëndrimin e tyre. Ata nuk përfshiheshin në veprimtaritë imorale dhe të dhunshme të të rinjve të tjerë në shkollë. Për mua, ata ishin me të vërtetë të ndarë nga bota, ashtu siç kisha lexuar në Bibël se duhet të jenë ata që praktikojnë fenë e vërtetë.​—Gjoni 17:14-16; Jakovit 1:27.

Vendosa që të shqyrtoja më tepër. Në shtator të vitit 1969, arrita të siguroja librin «E vërteta që të çon në jetën e përhershme». Muajin tjetër, një pionier, siç quhet një shërbëtor i plotkohor i Dëshmitarëve të Jehovait, filloi të studionte me mua. I frymëzuar nga studimi im i parë, fillova të lexoja librin E vërteta një të shtunë në mbrëmje dhe e mbarova pasditen e ditës tjetër. Menjëherë, fillova t’u tregoja shokëve të mi studentë gjërat e mrekullueshme që kisha lexuar. Studentët dhe mësuesit menduan se besimi që sapo kisha gjetur po më bënte të çmendur. Por unë e dija se nuk po çmendesha.​—Veprat 26:24.

Lajmi se po predikoja një fe të re iu dha prindërve të mi. Ata kërkuan që të kthehesha menjëherë në shtëpi, me qëllim që të siguroheshin se çfarë problemi kisha. Nuk kisha asnjë të cilit mund t’i drejtohesha për një këshillë, meqenëse të gjithë Dëshmitarët kishin shkuar në njërin nga kongreset e tyre krahinore në Ilesha. Kur u ktheva në shtëpi, mamaja dhe të afërmit e tjerë më bombarduan me pyetje dhe kritika. U përpoqa sa munda që të mbroja atë që po mësoja nga Bibla.​—1 Pjetrit 3:15.

Xhaxhai im, pasi u përpoq pa sukses që të provonte se Dëshmitarët e Jehovait ishin mësues të rremë, ndërroi taktikë. Ai m’u lut: «Mos harro se ti shkove në shkollë që të marrësh një arsimim. Nëse i lë studimet dhe shkon në predikim, nuk do ta përfundosh dot arsimimin tënd. Pra, përpara se të futesh në këtë fenë e re, përse nuk pret derisa ta mbarosh shkollën?» Në atë kohë, kjo m’u duk e logjikshme, kështu që e ndërpreva studimin me Dëshmitarët.

Në dhjetor të vitit 1970, menjëherë pasi mora diplomën, shkova drejt e në Sallën e Mbretërisë dhe që atëherë kam vazhduar të shkoj në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Më 30 gusht të vitit 1971 u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Perëndisë. Kjo gjë tronditi jo vetëm prindërit e mi, por edhe gjithë fshatin. Ata thanë se i kisha zhgënjyer, sepse isha i pari në Iuosa ose përreth saj që kisha marrë një shkollim shtetëror. Shumë veta kishin shpresa të mëdha te mua. Ata shpresonin se do ta përdorja arsimimin tim për të përmirësuar fshatin.

Pasojat e ndërrimit të fesë

Familja ime dhe burrat më të moshuar të fshatit dërguan një delegacion që të përpiqeshin të më bindnin që të hiqja dorë nga besimi. Përpjekjet e tyre u shoqëruan me mallkime. Ata thanë: «Nëse nuk e lë këtë fe, nuk do të të shkojë mbarë. S’do të gjesh punë. S’do të ndërtosh një shtëpi tënden. Nuk do të mund të martohesh e të krijosh familje.»

Në kundërshtim me profecitë e tyre ogurzeza, dhjetë muaj pasi mbarova shkollën, gjeta një punë si mësues. Në tetor të vitit 1972 u martova me gruan time të dashur, Veronikën. Më vonë, mora specializim nga qeveria si specialist për zgjerimin bujqësor. Bleva makinën time të parë dhe fillova të ndërtoja shtëpinë. Më 5 nëntor të vitit 1973 na lindi vajza e parë, Viktoria dhe në vitet që pasuan lindën Lidia, Uillfredi dhe Xhoana. Në vitin 1986 na lindi djali i vogël, Mikea. Të gjithë kanë treguar se janë fëmijë të çmuar, një trashëgimi nga Jehovai.​—Psalmi 127:3.

Duke menduar për jetën time, mund të them se të gjitha mallkimet e banorëve të fshatit u kthyen në bekime. Për këtë arsye, vajzës sime të parë i vura emrin Viktoria (Fitore). Kohët e fundit, banorët e fshatit më shkruan sa vijon: «Të lutemi, duam që të vish në shtëpi dhe të marrësh pjesë në zhvillimin e fshatit tonë, duke qenë se Perëndia po të bekon.»

I rritim fëmijët në udhën hyjnore

Së bashku me gruan e dinim se nuk mund ta ndërthurnim përgjegjësinë për të rritur fëmijë, që na e kishte dhënë Perëndia, me kërkimin e pasurive materiale. Prandaj, kemi mësuar që të kënaqemi me një jetë të thjeshtë. Na pëlqen më shumë që të jetojmë në këtë mënyrë, në vend që të përballemi me pasojat e mundshme nga zgjedhja e një stili të ndryshëm jete.

Në anët tona është e zakonshme që të jetojnë disa familje në një ndërtesë, duke përdorur të njëjtën banjo, pajisje kuzhine e kështu me radhë. Ishim të lumtur që në çdo qytet ku unë transferohesha si nëpunës i qeverisë, kishim mundësi të merrnim me qira vetëm shtëpi më vete. Është e vërtetë që këto ishin më të kushtueshme, por duke pasur banesa të tilla, fëmijët tanë ishin më pak të ekspozuar ndaj ndikimeve jo të shëndetshme. Falënderoj Jehovain që gjatë viteve kemi qenë në gjendje t’i rritim fëmijët tanë në një mjedis të shëndetshëm frymor.

Veç kësaj, gruaja ime ka qëndruar në shtëpi që të jetë pranë fëmijëve dhe të kujdeset për ta. Kur vij nga puna, përpiqemi që t’i bëjmë gjërat së bashku si familje. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë si një skuadër. Kjo përfshin studimin familjar të Biblës, përgatitjen për mbledhjet e kongregacionit dhe ndjekjen e tyre, pjesëmarrjen në shërbimin e krishterë, si dhe veprimtaritë shoqërore.

Jemi përpjekur që të ndjekim këshillën e Ligjit të përtërirë 6:6, 7, që i nxit prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre jo vetëm në shtëpi, por në çdo rast. Kjo ka bërë që fëmijët t’i kërkojnë shoqëritë brenda organizatës e jo jashtë. Ata kanë mësuar nga shembulli ynë se si t’i dallojnë shoqëritë, sepse Veronika dhe unë nuk kalojmë tepër kohë në shoqëri me ata që nuk kanë bindjet tona.​—Fjalët e urta 13:20; 1 Korintasve 15:33.

Pa dyshim që udhëheqja dhe mësimdhënia jonë nuk kanë qenë të vetmet ndikime pozitive në jetën e fëmijëve tanë. Shtëpia jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për të krishterët e zellshëm, shumë prej të cilëve janë shërbëtorë udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait. Koha që këta të krishterë të pjekur kanë kaluar me familjen tonë, u ka dhënë fëmijëve mundësinë që të vëzhgojnë dhe të mësojnë nga mënyra e tyre vetëmohuese e jetës. Kjo e ka përforcuar mësimdhënien tonë dhe fëmijët e kanë bërë të tyren të vërtetën biblike.

I shpërblyer për shkak të përkushtimit ndaj Perëndisë

Sot unë, gruaja dhe katër nga fëmijët tanë jemi që të gjithë në shërbimin e plotkohor. Unë fillova si pionier në vitin 1973. Gjatë viteve, për shkak të rrethanave ekonomike më është dashur ta ndërpres nganjëherë shërbimin e plotkohor. Herë pas here kam pasur edhe privilegjin të marr pjesë në mësimdhënien për Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë, e cila siguron stërvitje për Dëshmitarët e Jehovait që janë mbikëqyrës të krishterë. Tani kam privilegjin që të shërbej në një Komitet të Lidhjes me Spitalet, si dhe të jem mbikëqyrësi i qytetit Uhonmora.

Dy vajzat e mia të mëdha, Viktoria dhe Lidia, janë martuar me pleq të shkëlqyer të krishterë dhe janë të lumtura. Së bashku me burrat, ato po shërbejnë si anëtarë të zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Igeiduma, Nigeri. Djali ynë i madh, Uillfredi, shërben si shërbëtor ndihmës, ndërsa më i vogli, Mikea, herë pas here shërben si pionier ndihmës. Në vitin 1997, Xhoana mbaroi shkollën e mesme dhe filloi shërbimin si pioniere e rregullt.

Një përvojë shpërblyese e jetës sime vazhdon të jetë ndihma që u jap të tjerëve për t’i shërbyer Perëndisë Jehova. Midis tyre përfshihen edhe disa nga anëtarët e farefisit. Babai im bëri përpjekje që t’i shërbente Jehovait, por e frenoi praktika e poligamisë. Që kur isha i ri, i kam dashur njerëzit. Kur shoh të tjerët që vuajnë, më duket sikur problemet e mia janë më pak të rëndësishme. Mendoj se ata e vënë re që kam dëshirë të sinqertë për t’i ndihmuar, dhe kjo gjë bën që ta kenë më të lehtë të flasin me mua.

Njëri nga ata që ndihmova për të njohur qëllimet e Perëndisë është një i ri i ngujuar në shtrat. Ai punonte për një kompani elektrike, kur gjatë punës e zuri korrenti dhe e paralizoi nga kraharori e poshtë. Pranoi një studim biblik dhe dalëngadalë reagonte ndaj asaj që mësonte. Kur u pagëzua më 14 tetor të vitit 1995, në një përrua pranë shtëpisë sonë, për të ishte hera e parë pas 15 vjetësh, që po lëvizte nga shtrati. Tha se kjo ishte dita më e lumtur e jetës së tij. Tani është një shërbëtor ndihmës në kongregacion.

Mund të them se nuk më vjen keq që rreth 30 vjet më parë zgjodha t’i shërbej Jehovait bashkë me popullin e tij të kushtuar e të bashkuar. Midis tyre kam parë dashuri të vërtetë në veprim. Edhe sikur shpresa e jetës së përhershme të mos përfshihej në shpërblimin që do t’i japë Jehovai shërbëtorëve të tij të besueshëm, përsëri unë do të dëshiroja një jetë me përkushtim ndaj Perëndisë. (1 Timoteut 6:6; Hebrenjve 11:6) Ky përkushtim i dha formë dhe qëndrueshmëri jetës sime, duke më sjellë mua dhe familjes time gëzim, kënaqësi dhe lumturi.

[Figura në faqen 25]

Me gruan dhe fëmijët në vitin 1990

[Figura në faqen 26]

Me gruan, fëmijët e mi dhe dy dhëndurët