Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim më nga afër i disa miteve rreth vdekjes

Një vështrim më nga afër i disa miteve rreth vdekjes

Një vështrim më nga afër i disa miteve rreth vdekjes

PËRGJATË historisë, njeriu ka qenë i pështjelluar dhe i frikësuar para perspektivës së errët të vdekjes. Për më tepër, frika ndaj vdekjes është shtuar më shumë nga një përzierje idesh të rreme fetare, zakonesh të përhapura dhe bindjesh personale të ngulitura thellë. Problemi është se frika nga vdekja mund të na pengojë ta gëzojmë jetën dhe mund të gërryejë besimin se jeta ka domethënie.

Feja më e përhapur është veçanërisht fajtore për nxitjen e një sërë mitesh të përhapura rreth vdekjes. Duke i shqyrtuar disa nga këto nën dritën e së vërtetës biblike, shikoni nëse mënyra se si e mendoni vdekjen mund të bëhet e qartë.

Miti 1: Vdekja është fundi i natyrshëm i jetës.

«Vdekja . . . është një pjesë thelbësore e jetës sonë»,​—thuhet në librin Death​—The Final Stage of Growth (Vdekja​—Faza e fundit e rritjes). Komente si ky pasqyrojnë besimin se vdekja është normale, fundi i natyrshëm i të gjitha organizmave të gjallë. Si rrjedhim, një besim i tillë ka bërë të përhapet një filozofi nihiliste dhe ka bërë që shumë veta të kenë një sjellje egoiste.

Por a është vdekja me të vërtetë fundi i natyrshëm i jetës? Jo të gjithë studiuesit mendojnë kështu. Për shembull, Kalvin Harli, një biolog i cili studion procesin e plakjes te njerëzit, tha në një intervistë se nuk beson që njerëzit «janë programuar për të vdekur». Imunologu Uilliam Klark, vërejti: «Vdekja nuk është ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme me jetën.» Gjithashtu, Simor Benzer nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni i menduar thotë se «plakja mund të përshkruhet më mirë jo si një orë, por si një seri ngjarjesh që ne shpresojmë t’i ndryshojmë».

Kur shkencëtarët studiojnë se si është projektuar njeriu, mbeten të habitur. Ata zbulojnë se njerëzit janë krijuar me veçori e aftësi të tilla që i tejkalojnë në një masë të madhe nevojat e jetëgjatësisë 70-80-vjeçare. Për shembull, shkencëtarët kanë zbuluar se truri i njeriut ka një aftësi tepër të madhe për të mbajtur mend. Një kërkues llogariti se truri ynë mund të mbajë informacione që «do të mbushnin afërsisht njëzet milionë volume, aq libra sa gjenden në bibliotekat më të mëdha të botës». Disa neuroshkencëtarë janë të mendimit se në një kohëzgjatje mesatare të jetës, një person përdor vetëm 1/100 e 1 përqindshit (0,0001) të kapacitetit të trurit të tij të fuqishëm. Është me vend të pyesim: Përse e kemi trurin me një kapacitet kaq të madh kur shfrytëzojmë vetëm një pjesëz shumë të vogël të tij në një jetëgjatësi mesatare?

Shqyrtoni gjithashtu, sa në mënyrë jo të natyrshme reagojnë njerëzit ndaj vdekjes! Për pjesën më të madhe të njerëzve vdekja e bashkëshortes, e bashkëshortit ose e një fëmije mund të jetë përvoja më tronditëse e jetës. Gjendja emocionale e njerëzve shpesh është e trazuar për një kohë të gjatë pas vdekjes së një personi shumë të dashur. Edhe ata që pohojnë se vdekja është e natyrshme për njerëzit, e kanë të vështirë ta pranojnë idenë se vdekja e tyre do të jetë fundi i gjithçkaje. Në revistën British Medical Journal (Revista mjekësore britanike) thuhej se «specialistët në përgjithësi janë të mendimit se çdo njeri dëshiron të jetojë sa më gjatë të jetë e mundur».

Duke pasur parasysh reagimin e përgjithshëm të njeriut ndaj vdekjes, potencialin e tij të mahnitshëm për të mbajtur mend e për të mësuar dhe dëshirën e zjarrtë të brendshme për të jetuar në përjetësi, a nuk është e qartë se njeriu u krijua për të jetuar? Në të vërtetë, Perëndia i krijoi njerëzit jo që të kishin si fund të natyrshëm vdekjen, por me perspektivën për të jetuar pafundësisht. Vëreni çfarë të ardhme i vuri përpara Perëndia çiftit të parë njerëzor: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Sa e ardhme e mrekullueshme që do të zgjaste përgjithmonë!

Miti 2: Perëndia i merr njerëzit me anë të vdekjes që të jenë me të.

Një nënë 27-vjeçare, e cila po vdiste duke lënë mbrapa tre fëmijë iu shpreh një murgeshe katolike: «Mos më thuaj tani se ky është vullneti i Perëndisë për mua. . . . Zemërohem kur dikush ma thotë një gjë të tillë.» E megjithatë kjo është ajo që shumë fe mësojnë rreth vdekjes, pra, që Perëndia i merr njerëzit që të jenë afër tij.

A është Krijuesi vërtet kaq mizor që me pandjeshmëri do të na shkaktonte vdekjen, duke e ditur se kjo na copëton zemrat? Jo, Perëndia i Biblës nuk është i tillë. Sipas 1 Gjonit 4:8, «Perëndia është dashuri». Vëreni që nuk thuhet se Perëndia ka dashuri ose se Perëndia është i dashur, por thotë se Perëndia është dashuri. Dashuria e Perëndisë është kaq e fortë, kaq e pastër, kaq e përsosur, dhe kaq thellë e përshkon ajo personalitetin e veprimet e tij, saqë Perëndia mund të quhet me të drejtë si vetë mishërimi i dashurisë. Ky nuk është një Perëndi që i merr njerëzit me anë të vdekjes për të qenë afër tij.

Feja e rreme ka bërë që shumë njerëz të jenë të pështjelluar në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e të vdekurve. Qielli, ferri, purgatori, limboja–këto dhe vende të tjera të ndryshme janë nga të pakuptueshme deri në plotësisht tmerruese. Bibla, nga ana tjetër, na tregon se të vdekurit janë të pavetëdijshëm; ata janë në një gjendje që mund të krahasohet fare mirë me gjumin. (Predikuesi 9:5, 10; Gjoni 11:11-14) Kështu, nuk duhet të shqetësohemi për atë që na ndodh pas vdekjes, ashtu si nuk shqetësohemi kur shikojmë dikë që po bën një gjumë të thellë. Jezui foli për një kohë kur «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore» do të «dalin» për të filluar një jetë të re në një tokë parajsore.​—Gjoni 5:28, 29; Luka 23:43.

Miti 3: Perëndia i merr fëmijët e vegjël që të bëhen engjëj.

Elizabeta Kybler-Rosi, e cila studioi individë me sëmundje vdekjeprurëse, përmendi një tjetër pikëpamje të përhapur që kanë njerëzit fetarë. Duke përshkruar një ngjarje të vërtetë, ajo tha se është «e pamend t’i thuash një vajze të vogël që ka humbur vëllanë e saj pasi Perëndia i do djemtë e vegjël kaq shumë sa e mori Xhonin e vogël në qiell». Një thënie e tillë krijon përshtypje të gabuar për Perëndinë dhe nuk pasqyron personalitetin e tij dhe mënyrën se si vepron ai. Dr. Kybler-Ros vazhdon: «Kur kjo vajzë e vogël u rrit e u bë grua nuk arriti kurrë ta largonte zemërimin ndaj Perëndisë. Kjo gjë e bëri të kalonte në depresion kur humbi djalin e saj të vogël tri dekada më vonë.»

Pse Perëndia do të rrëmbente një fëmijë për të pasur një engjëll tjetër​—sikur Perëndia të kishte më shumë nevojë për atë fëmijë sesa kanë nevojë prindërit e tij? Nëse do të ishte e vërtetë që Perëndia i merr fëmijët, a nuk do ta bënte kjo gjë atë një Krijues jo të dashur, egoist? Në kundërshtim me një pikëpamje të tillë, Bibla thotë: «Dashuria është nga Perëndia.» (1 Gjoni 4:7) A do të shkaktonte Perëndia i dashurisë një humbje që edhe njerëzit me një ndjenjë të pakët humanizmi nuk do ta pranonin?

Atëherë, përse vdesin fëmijët? Një pjesë e përgjigjes që jep Bibla gjendet te Predikuesi 9:11: «Të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë.» Dhe Psalmi 51:5 na tregon se të gjithë ne jemi të papërsosur, mëkatarë, që nga çasti i ngjizjes dhe sot të gjithë njerëzit vdesin nga shkaqe të gjithfarëllojshme. Ndonjëherë vdekja godet që para lindjes, duke bërë që një fëmijë të lindë i vdekur. Në raste të tjera, fëmijët vdesin për shkak të rrethanave tragjike ose aksidenteve. Perëndia nuk është përgjegjës për ngjarje të tilla të mundshme.

Miti 4: Disa njerëz torturohen pas vdekjes.

Shumë fe mësojnë se të ligjtë do shkojnë në një ferr të zjarrtë dhe do të torturohen përgjithmonë. A është logjik dhe biblik një mësim i tillë? Jetëgjatësia e njeriut kufizohet në 70 ose 80 vjet. Edhe nëse dikush do të ishte fajtor për ligësi tejet të mëdha të kryera gjatë gjithë jetës së tij, a do të ishte torturimi i përhershëm një dënim i drejtë? Jo. Do të ishte një padrejtësi shumë e madhe të torturohej një njeri përgjithmonë për mëkatet e kryera gjatë një jete të shkurtër.

Vetëm Perëndia mund të na tregojë se çfarë ndodh pasi njerëzit vdesin dhe ai e ka bërë këtë në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël. Në Bibël thuhet: «Ashtu si vdes [kafsha], kështu vdes [njeriu]. Po, të gjithë kanë po atë frymë; . . . Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.» (Predikuesi 3:19, 20) Këtu nuk përmendet ndonjë ferr i zjarrtë. Njerëzit kthehen në pluhur​—nuk ekzistojnë më​—kur vdesin.

Që të torturohet, një person duhet të jetë i vetëdijshëm. A janë të vetëdijshëm të vdekurit? Bibla jep përsëri përgjigje: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë [nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, BR], për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.» (Predikuesi 9:5) Është e pamundur që të vdekurit, të cilët «nuk janë të vetëdijshëm për asgjë», të provojnë dhembje në ndonjë vend.

Miti 5: Vdekja nënkupton fundin e përhershëm të ekzistencës sonë.

Ne pushojmë së ekzistuari kur vdesim, por kjo nuk do të thotë se medoemos ka marrë fund gjithçka. Burri besnik Jobi e dinte se do të shkonte në varr, në Sheol, kur të vdiste. Por kushtojini vëmendje lutjes që i bëri Perëndisë: «Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje! Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? . . . Do të më thërrisje dhe unë do të përgjigjesha.»​—Jobi 14:13-15.

Jobi besonte se, nëse do të qëndronte besnik deri në vdekje, Perëndia do ta kujtonte dhe në kohën e duhur do ta ringjallte. Ky ishte besimi i të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë në kohët e lashta. Vetë Jezui e përforcoi këtë shpresë dhe tregoi se Perëndia do ta përdorte atë për të ngritur të vdekurit. Vetë fjalët e Krishtit na japin këtë siguri: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin [e Jezuit] dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra në një ringjallje gjykimi.»​—Gjoni 5:28, 29.

Shumë shpejt Perëndia do të eliminojë gjithë ligësinë dhe do të vendosë një botë të re nën sundimin hyjnor. (Psalm 37:10, 11; Danieli 2:44; Zbulesa 16:14, 16) Përfundimi do të jetë një parajsë që do të shtrihet në mbarë tokën, ku do të banojnë njerëz që i shërbejnë Perëndisë. Në Bibël lexojmë: «Dëgjova një zë të fortë nga froni të thoshte: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.’»​—Zbulesa 21:3, 4.

Të çliruar nga frika

Njohuria për shpresën e ringjalljes së bashku me njohurinë për Atë që është burimi i kësaj mase mund t’ju japë ngushëllim. Jezui premtoi: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Kjo përfshin çlirimin nga frika e vdekjes. Jehovai është i vetmi që mund ta ndryshojë me të vërtetë procesin e plakjes dhe të vdekjes dhe të na japë jetën e përhershme. A mund të keni besim te premtimet e Perëndisë? Po mund të keni, sepse Fjala e Perëndisë del gjithmonë e vërtetë. (Isaia 55:11) Ju nxitim të mësoni më shumë rreth qëllimeve të Perëndisë për njerëzimin. Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të kënaqur t’ju ndihmojnë.

[Diçitura në faqen 6]

Problemi është se frika nga vdekja mund të na pengojë ta gëzojmë jetën

[Tabela në faqen 7]

DISA MITE TË ZAKONSHME RRETH VDEKJES ÇFARË THONË SHKRIMET?

● Vdekja është fundi Zanafilla 1:28; 2:17;

i natyrshëm i jetës Romakët 5:12

● Perëndia i merr njerëzit me Jobi 34:15;

anë të vdekjes, që të jenë me të Psalmi 37:11, 29; 115:16

● Perëndia i merr fëmijët e Psalmi 51:5; 104:1, 4, BR;

vegjël që të bëhen engjëj Hebrenjve 1:7, 14

● Disa njerëz torturohen Psalmi 146:4; Predikuesi 9:5, 10

pas vdekjes Romakëve 6:23

● Vdekja nënkupton fundin e Jobi 14:14, 15; Gjoni 3:16;

përhershëm të ekzistencës sonë 17:3; Veprat 24:15

[Figura në faqen 8]

Njohja e së vërtetës rreth vdekjes na çliron nga frika

[Burimi i figurës në faqen 5]

Barrators​—Giampolo/Doré Illustrations për Komedinë Hyjnore të Dantes/Dover Publications Inc.