«Poshtë shkonin»
«Poshtë shkonin»
«Ujërat vërshuese i mbulonin; si një gur thellësirave poshtë shkonin.»
DUKE kënduar këto fjalë, Moisiu dhe izraelitët festuan çlirimin e tyre përmes Detit të Kuq dhe shfarosjen e faraonit dhe të forcave të tij ushtarake, pra, të armiqve egjiptianë që i ndiqnin.—Dalja (Eksodi) 15:4, 5, BR.
Për këdo që pa me sytë e vet atë ngjarje madhështore, mësimi ishte i qartë. Askush nuk mund të ketë sukses dhe të jetojë kur sfidon ose i kundërvihet autoritetit të Jehovait. Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, disa izraelitë të shquar—Korahu, Datani, Abirami dhe 250 përkrahës të tyre—sfiduan hapur autoritetin që Perëndia i kishte dhënë Moisiut dhe Aaronit.—Numrat 16:1-3.
Sipas drejtimit që i dha Jehovai, Moisiu i paralajmëroi izraelitët të largoheshin nga tendat e rebelëve. Datani dhe Abirami, së bashku me pjesëtarët e familjeve të tyre, me kokëfortësi qëndruan në të tyren. Atëherë Moisiu deklaroi se Jehovai do t’ia bënte të qartë popullit sipas mënyrës së Tij, se këta burra e ‘kishin përçmuar Zotin’. Në atë çast, Jehovai hapi tokën poshtë këmbëve të tyre. «Kështu, ata dhe tërë ata që u përkitnin atyre zbritën të gjallë në Sheol; toka i mbuloi.» Po Korahu dhe rebelët e tjerë? «Një zjarr erdhi nga Jehovai dhe përpiu dyqind e pesëdhjetë burrat që paraqitnin temjan.»—Numrat 16:23-35; 26:10, BR.
Faraoni me ushtrinë e tij, si dhe rebelët në shkretëtirë u shfarosën që të gjithë sepse nuk pranuan autoritetin e Jehovait dhe faktin që ai interesohet për çështjet e popullit të tij. Pra, të gjithë ata që duan të kenë mbrojtjen e Jehovait në këto ditë kritike, është urgjente të mësojnë për Jehovain dhe t’i binden Atij si «Shumë të Lartit» e «të Plotfuqishmit». Duke bërë kështu, mund të marrin për zemër fjalët siguruese të Jehovait: «Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde por aty nuk do të të afrohet. Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e tu dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. Duke qenë se ke thënë: ‘O Zot, ti je streha ime dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde.’»—Psalmi 91:1, 7-9.