Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A është e domosdoshme zhytja e plotë në ujë nëse një person dëshiron të pagëzohet, por ka ndonjë paaftësi të rëndë fizike ose është me një shëndet shumë të dobët, gjë që do ta bënte zhytjen të vështirë?
Fjala «të pagëzohesh» është një përkthim nga folja greke baʹpto që do të thotë «të futesh brenda» si në një lëng. (Gjoni 13:26) Në Bibël «të pagëzohesh» është e njëjtë me «të zhytesh». Në lidhje me pagëzimin e eunukut etiopas të bërë nga Filipi, The Emphasised Bible e Rotherhamit thotë: «Zbritën në ujë që të dy, Filipi me eunukun, dhe ai e zhyti.» (Veprat 8:38) Pra, personi që pagëzohet, në të vërtetë futet brenda në ujë.—Mateu 3:16; Marku 1:10.
Jezui i urdhëroi dishepujt e tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar.» (Mateu 28:19, 20) Në përputhje me këtë, Dëshmitarët e Jehovait marrin masa që t’i bëjnë pagëzimet në pishina, në liqene, në lumenj ose në vende të tjera ku ka mjaft ujë për t’u zhytur plotësisht. Meqenëse pagëzimi me anë të zhytjes së plotë është një kërkesë biblike, njerëzit nuk kanë autoritet të çlirojnë dikë nga kryerja e pagëzimit. Pra, një person duhet të pagëzohet edhe kur është e nevojshme të merren masa të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së tij. Për shembull, pagëzimi në vaska të mëdha ka qenë praktik për ata në moshë të shkuar ose për ata me një shëndet veçanërisht të dobët. Uji i vaskës mund të ngrohet dhe kandidati për pagëzim mund të futet në ujë dalëngadalë dhe me qetësi. Kur të jetë mësuar me ujin, mund të bëhet pagëzimi.
Janë pagëzuar edhe njerëz me paaftësi të rënda fizike. Për shembull, janë zhytur individë që për shkak të trakeotomisë, kanë një çarje të përhershme në fyt ose individë që duhet të përdorin një aparat mekanik për frymëmarrjen. Natyrisht, për pagëzime të tilla është e nevojshme të bëhen përgatitje të kujdesshme. Do të ishte mirë që një infermiere e kualifikuar të ishte në dispozicion ose nëse është e mundur një mjek. Gjithsesi, nëse merren masa dhe tregohet përkujdesje e veçantë, pagëzimet mund të kryhen pothuajse në të gjitha rastet. Kështu pra, duhet të bëhet çdo përpjekje e arsyeshme që një person të pagëzohet në ujë, nëse kjo është dëshira e sinqertë e tij dhe ai është gati të pranojë rreziqet që përfshihen në të.