Tetragrami në Septuagintë
Tetragrami në Septuagintë
EMRI hyjnor Jehova paraqitet me tetragram, domethënë me katër shkronja hebraike יהוה (JHVH). Për shumë kohë mendohej se Tetragrami nuk gjendej në kopjet e Septuagintës, pra, në përkthimin e hershëm grek të Shkrimeve Hebraike. Si rrjedhim, arsyetohej se kur shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke citonin nga Shkrimet Hebraike, nuk duhet të kenë përdorur emrin hyjnor në shkrimet e tyre.
Një numër kërkimesh të bëra gjatë afro njëqind vjetëve të fundit, zbuluan se emri i Perëndisë gjendet në Septuagintë. Në një vepër referimi thuhet: «Kaq e madhe ishte dëshira që të ruhej i saktë emri i shenjtë i Perëndisë saqë judenjtë helenistë, kur përkthenin Biblën Hebraike në greqisht, kopjonin shkronjat e Tetragramit në mes të tekstit greqisht.»
Fragmenti i papirusit i treguar në të majtë është vetëm një nga dëshmitë që kanë mbetur deri më sot. Kjo pjesë e gjetur në Oksirinkus të Egjiptit daton që nga shekulli i parë i e.s. dhe i është caktuar numri 3522. * Me përmasa afro 7 me 10,5 centimetra, ajo përmban një pjesë nga Jobi 42:11,12. Tetragrami, që në fotografi është futur në rreth, është me shkronja të hebraishtes së hershme. *
Kështu, pra, a gjendej emri hyjnor në kopjet e hershme të Shkrimeve të Krishtere Greke? Studiuesi Xhorxh Hauard thotë: «Meqenëse Tetragrami shkruhej ende në kopjet e Biblës Greke [Septuagintës] të cilat përbënin Shkrimet e kishës së hershme, është e arsyeshme të besojmë se shkrimtarët e B[esëlidhjes] së R[e], kur citonin nga Shkrimet, e ruanin Tetragramin në tekstin biblik.» Duket se shumë shpejt pas kësaj kopistët e zëvendësuan emrin hyjnor me tituj të tillë si Kyʹrios (Zotëri) dhe Theosʹ (Perëndi).
[Shënimet]
^ par. 4 Për më shumë informacion rreth papirusit të gjetur në Oksirinkus, shih Kullën e Rojës, të 15 shkurtit 1992, faqet 26-28, anglisht.
^ par. 4 Për rastet e tjera të shfaqjes të emrit hyjnor në versionet e lashta në greqisht, shih Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, me referime, shtojca 1C, anglisht.
[Burimi i figurës në faqen 30]
Me mirësjelljen e Egypt Exploration Society