Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndiq modelin e lënë për mbretërit

Ndiq modelin e lënë për mbretërit

Ndiq modelin e lënë për mbretërit

«Ai duhet të shkruajë për vete në një libër një kopje të këtij ligji . . . Duhet ta mbajë atë me vete e duhet ta lexojë për sa ditë të ketë jetë.»​—LIGJI I PËRTËRIRË 17:18, 19, BR.

1. Si kush mund të dëshirojë të jetë një i krishterë?

VËSHTIRË se do ta vije veten në vendin e një mbreti ose mbretëreshe. Cili i krishterë besnik dhe cili student i Biblës do ta përfytyronte veten duke vepruar me autoritet mbretëror, siç bënin mbretërit e mirë David, Josia, Hezekia ose Jehozafat? E megjithatë mund dhe duhet të jesh si ata të paktën në një drejtim të veçantë. Në cilin drejtim? E përse duhet të dëshirosh të jesh si ata në këtë drejtim?

2, 3. Çfarë parashikoi Jehovai lidhur me mbretërit njerëzorë dhe çfarë duhej të bënin këta mbretër?

2 Në ditët e Moisiut, shumë kohë para se të miratonte caktimin e një mbreti njerëzor për izraelitët, Perëndia parashikoi se në popullin e Tij do të lindte dëshira për të pasur një mbret. Prandaj e frymëzoi Moisiun që të përfshinte në besëlidhjen e Ligjit udhëzime lidhur me këtë. Këto ishin udhëzime për mbretërit.

3 Perëndia tha: «Kur më në fund të hysh në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, . . . dhe të kesh thënë: ‘Do të vë një mbret mbi vete si të gjitha kombet që kam rreth e përqark’, duhet që patjetër të vësh mbi vete mbretin që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt. . . . E duhet të ndodhë që, kur të ulet në fronin e mbretërisë së tij, ai duhet të shkruajë për vete në një libër një kopje të këtij ligji . . . Duhet ta mbajë atë me vete e duhet ta lexojë për sa ditë të ketë jetë, që të mësojë t’i frikësohet Jehovait, Perëndisë së tij, kështu që të mbajë të gjitha fjalët e këtij ligji bashkë me këto rregulla, duke i zbatuar.»​—Ligji i përtërirë 17:14-19, BR.

4. Çfarë përfshinin udhëzimet që dha Perëndia për mbretërit?

4 Po, mbreti që do të zgjidhte Jehovai për adhuruesit e tij duhej të bënte një kopje personale të shkrimeve që ne i kemi në Bibël. Më pas, duhej ta lexonte atë kopje çdo ditë, vazhdimisht. Ky nuk ishte një ushtrim për kujtesën. Ishte një studim dhe kishte një synim dobiprurës. Mbreti që do të kishte miratimin e Jehovait duhej ta bënte këtë studim për të zhvilluar e për të mbajtur qëndrimin e duhur të zemrës. Gjithashtu, duhej t’i studionte ato shkrime të frymëzuara, me qëllim që të ishte një mbret i suksesshëm e me gjykim të thellë.​—2 Mbretërve 22:8-13; Fjalët e urta (Proverbat) 1:1-4.

Mëso veten siç bënin mbretërit

5. Cilat pjesë të Biblës i kishte në dispozicion për t’i kopjuar e për t’i lexuar mbreti David dhe si ndihej për këtë?

5 Çfarë mendon se do të ketë nënkuptuar kjo gjë për Davidin kur u bë mbret në Izrael? Duhej të bënte një kopje të librave të Pentateukut (Zanafilla, Eksodi [Dalja], Levitiku, Numrat, Ligji i përtërirë). Mendo se sa shumë duhet t’i jetë ngulitur në mendje e në zemër Davidit fakti që po përdorte sytë dhe duart e tij për të shkruar një kopje të Ligjit. Ka të ngjarë që Moisiu të ketë shkruar edhe librin e Jobit, si edhe Psalmin 90 e 91. A do t’i ketë kopjuar edhe këto Davidi? Ndoshta. Veç kësaj, ka shumë të ngjarë të ketë pasur në dispozicion librin e Jozueut [Josiut], të Gjykatësve dhe të Ruthës. Pra, mund ta vësh re se mbreti David duhet të ketë pasur një pjesë të mirë të Biblës për ta lexuar e për ta përvetësuar. Kemi arsye të besojmë se ai veproi pikërisht kështu. Për këtë mjafton të shqyrtojmë komentet që bënte për Ligjin e Perëndisë, të cilat tani gjenden në Psalmin 19:7-11.

6. Si mund të jemi të sigurt se Jezui, ashtu si Davidi, paraardhësi i tij, kishte interes për Shkrimet?

6 Davidi më i Madh, domethënë Jezui, Biri i Davidit, ndoqi një model të ngjashëm. Jezui e kishte zakon të shkonte çdo javë në sinagogën vendëse. Atje dëgjonte kur lexoheshin dhe komentoheshin Shkrimet. Përveç kësaj, nganjëherë vetë Jezui lexonte me zë para të tjerëve Fjalën e Perëndisë dhe shpjegonte se si zbatohej ajo. (Luka 4:16-21) S’është e vështirë të kuptojmë se sa i familjarizuar ishte me Shkrimet. Mjafton të lexojmë tregimet e Ungjijve dhe të vëmë re se sa shpesh Jezui thoshte «është shkruar» ose u referohej në ndonjë mënyrë tjetër fragmenteve të veçanta nga Shkrimet. Për shembull, në Predikimin në Mal sipas asaj që dokumentoi Mateu, Jezui citoi 21 herë nga Shkrimet Hebraike.​—Mateu 4:4-10; 7:29; 11:10; 21:13; 26:24, 31; Gjoni 6:31, 45; 8:17.

7. Si ndryshonte Jezui nga udhëheqësit fetarë?

7 Jezui ndoqi këshillën e Psalmit 1:1-3, ku lexojmë: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve . . . por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë [lexon nën zë, BR] ditë e natë mbi ligjin e tij. . . . Gjithçka bën do të ketë mbarësi.» Sa ndryshonin në këtë drejtim udhëheqësit fetarë të kohës së tij, të cilët ‘e kishin ulur veten në ndenjësen e Moisiut’, por shpërfillnin ‘ligjin e Jehovait’!​—Mateu 23:2-4.

8. Përse nuk kishte asnjë dobi kur udhëheqësit fetarë judenj lexonin dhe studionin Biblën?

8 Mirëpo, disa ndoshta hutohen nga një fragment i cili mund të interpretohej sikur Jezui po i shkurajonte të tjerët lidhur me studimin e Biblës. Te Gjoni 5:39, 40 lexojmë se çfarë u tha Jezui disa njerëzve në ditët e tij: «Ju po shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se me anë të tyre do të keni jetë të përhershme; dhe këto janë pikërisht ato që japin dëshmi për mua. E megjithatë, ju nuk doni të vini tek unë, që të keni jetë.» Me këtë koment Jezui nuk po i shkurajonte dëgjuesit e tij judenj lidhur me studimin e Shkrimeve. Në vend të kësaj, po demaskonte mungesën e sinqeritetit ose të koherencës nga ana e tyre. Ata e kuptonin se Shkrimet mund t’i udhëhiqnin drejt jetës së përhershme, por tamam Shkrimet që po shqyrtonin duhej t’i kishin drejtuar te Mesia, Jezui. Megjithatë, nuk donin ta pranonin Jezuin. Prandaj studimi nuk kishte asnjë dobi, sepse nuk ishin të sinqertë, të gatshëm për të mësuar.​—Ligji i përtërirë 18:15; Luka 11:52; Gjoni 7:47, 48.

9. Cilin shembull të shkëlqyer lanë apostujt dhe profetët e mëparshëm?

9 Sa ndryshe ishte gjendja me dishepujt e Jezuit, duke përfshirë edhe apostujt! Ata i studionin «shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të bëjnë [dikë] të mençur për shpëtimin». (2 Timoteut 3:15) Në këtë drejtim ishin si profetët e mëparshëm, të cilët bënin ‘shqyrtime me ngulm dhe kërkonin me kujdes’. Ata profetë nuk e shihnin këtë kërkim thjesht si një shpërthim të zellit për të studiuar, i cili zgjaste disa muaj ose një vit. Apostulli Pjetër thotë se «ata vazhdonin të hulumtonin», sidomos për Krishtin dhe për lavditë që ishin përfshirë në rolin e tij si shpëtimtar i njerëzimit. Në letrën e tij të parë, Pjetri citoi 34 herë nga dhjetë libra të Biblës.​—1 Pjetrit 1:10, 11.

10. Përse secili prej nesh duhet të jetë i interesuar për studimin e Biblës?

10 Është e qartë, pra, se studimi i kujdesshëm i Fjalës së Perëndisë ishte një caktim për mbretërit në Izraelin e lashtë. Jezui e ndoqi këtë model. Studimi i saj ishte një punë që duhej ta bënin edhe ata që do të sundonin me Krishtin si mbretër në qiell. (Luka 22:28-30; Romakëve 8:17; 2 Timoteut 2:12; Zbulesa 5:10; 20:6) Ky model që ishte lënë për mbretërit është po aq i domosdoshëm për të gjithë ata që sot presin me padurim bekimet në tokë nën sundimin e Mbretërisë.​—Mateu 25:34, 46.

Një punë për mbretërit dhe për ty

11. (a) Cili rrezik ekziston për të krishterët për sa i përket studimit? (b) Cilat pyetje do të ishte mirë t’i bënim vetes?

11 Mund ta themi me vendosmëri dhe me ndershmëri se çdo i krishterë i vërtetë duhet ta shqyrtojë personalisht Biblën. Kjo nuk nevojitet vetëm kur e studion fillimisht Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Secili nga ne duhet të jetë i vendosur për të mos qenë si disa veta në kohën e apostullit Pavël, të cilët me kalimin e kohës e lanë pas dore studimin personal. Ata i mësuan «gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë», siç është për shembull ‘doktrina fillestare lidhur me Krishtin’. Megjithatë, nuk vazhduan të studionin e prandaj nuk u ‘sulën drejt pjekurisë’. (Hebrenjve 5:12–6:3) Kështu që mund të pyesim veten: Çfarë mendoj për studimin personal të Fjalës së Perëndisë, pavarësisht nëse kam pak kohë ose disa dhjetëvjeçarë që shoqërohem me kongregacionin e krishterë? Pavli u lut që të krishterët në kohën e tij të vazhdonin ‘të rriteshin në njohurinë e saktë të Perëndisë’. A tregoj se kam të njëjtën dëshirë?​—Kolosianëve 1:9, 10.

12. Përse është e rëndësishme që të kemi një përzemërsi të vazhdueshme për Fjalën e Perëndisë?

12 Një çelës për të pasur shprehi të mira studimi është që të zhvillojmë përzemërsi për Fjalën e Perëndisë. Psalmi 119:14-16 tregon se një mënyrë me të cilën arrijmë të gjejmë kënaqësi në Fjalën e Perëndisë është meditimi i rregullt rreth saj, i bërë me një qëllim. Edhe një herë, kjo vlen pavarësisht nga sa kohë jemi të krishterë. Për të theksuar këtë, sill ndër mend shembullin e Timoteut. Ndonëse ky plak i krishterë po shërbente tashmë si «ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu», Pavli e nxiti që të bënte çmos për ta ‘përdorur drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:3, 15; 1 Timoteut 4:15) Është e qartë se të bësh «çmos» kërkon që të kesh shprehi të mira studimi.

13. (a) Si mund të gjesh më shumë kohë për studimin e Biblës? (b) Çfarë rregullimesh mund të mendosh vetë të bësh për të fituar kohë për studimin?

13 Një hap drejt shprehive të mira të studimit është që rregullisht të lësh kohë për studimin biblik. Si po shkon në këtë pikë? Cilado qoftë përgjigjja jote e sinqertë, a mendon se do të nxirrje dobi po të kaloje më shumë kohë duke bërë studim personal? ‘Si t’ia bëj që të gjej kohë për këtë?’​—mund të pyesësh. Disa, për shembull, e kanë rritur kohën e studimit të frytshëm biblik duke u ngritur pak më shpejt në mëngjes. Mund të lexojnë Biblën për 15 minuta ose mund të punojnë me një program që kanë bërë në studimin personal. Si një mundësi tjetër, po sikur të bëje një rregullim të vogël në programin që ke për javën? Për shembull, në qoftë se e ke zakon të lexosh gazetën pothuaj çdo ditë ose të shikosh lajmet në televizor mbrëmjeve, a do të ishte e mundur të mos e bëje këtë qoftë edhe një ditë në javë? Atë ditë, kohën mund ta përdorësh për të bërë më shumë studim biblik. Po t’i lësh lajmet një ditë dhe t’i kushtosh një kohë prej rreth 30 minutash studimit personal, do të fitoje më shumë se 25 orë në vit. Përfytyro dobitë që do të kesh nga 25 orë më shumë lexim ose studim të Biblës! Ja dhe një mundësi tjetër: javën që vjen, në fund të çdo dite analizo veprimtaritë që ke bërë. Shiko se mos gjen diçka që mund ta mënjanosh ose ta pakësosh, për të lënë kohë që të lexosh ose të studiosh më shumë Biblën.​—Efesianëve 5:15, 16.

14, 15. (a) Përse synimet janë të rëndësishme kur bëhet fjalë për studimin personal? (b) Cilat janë disa synime të mundshme lidhur me leximin e Biblës?

14 Çfarë do të ta bëjë studimin më të lehtë e më tërheqës? Synimet. Çfarë synimesh realiste mund të vësh për studimin? Është për t’u admiruar që shumë veta kanë vënë si synim të parë të lexojnë gjithë Biblën. Ndoshta deri tani ke lexuar me raste disa pjesë të Biblës dhe ke nxjerrë dobi nga kjo. A mund të marrësh një vendim që ta lexosh të gjithë Biblën? Për këtë, një synim fillestar mund të jetë të lexosh katër Ungjijtë, i ndjekur nga një synim i dytë, pra, që më pas të lexosh pjesën tjetër të Shkrimeve të Krishtere Greke. Pasi të kesh provuar kënaqësinë dhe dobitë që vijnë si pasojë, synimi tjetër mund të jetë leximi në vazhdim i librave të Moisiut dhe i librave historikë deri te libri i Esterës. Pasi të kesh arritur këtë, do të të duket një synim realist ta përfundosh pjesën tjetër të Biblës. Një grua, e cila ishte rreth 65 vjeçe kur u bë e krishterë, shkroi në kapakun e brendshëm të Biblës së saj datën kur filloi ta lexonte Biblën dhe, më vonë, datën kur e mbaroi leximin. Tani, në atë kapak ka pesë çifte datash. (Ligji i përtërirë 32:45-47) Veç kësaj, për të lexuar ajo nuk përdori ekranin e ndonjë kompjuteri ose fletë me pjesë të shtypura, por kishte vetë Biblën në dorë.

15 Disa që e kanë arritur tashmë synimin për ta lexuar të gjithë Biblën, ndërmarrin hapa të tjerë që studimin e tyre të vazhdueshëm ta bëjnë gjithnjë e më frytdhënës e shpërblyes. Një mënyrë është të përfshish një material të zgjedhur studimi para se të lexosh çdo libër biblik. Në librat «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» si edhe Gjykim i thellë për Shkrimet mund të gjesh të dhëna të shkëlqyera për sfondin historik, për stilin e shkrimit dhe për dobitë që mund të nxjerrim nga çdo libër i Biblës. *

16. Cilin shembull duhet të përpiqemi të shmangim për sa i përket studimit të Biblës?

16 Gjatë studimit, mos përdor metodat që zakonisht përdorin shumë të ashtuquajtur studiues biblikë. Ata përqendrohen së tepërmi në analizimin e shkrimeve sikur Bibla të ishte një libër i bërë nga njerëzit. Disa prej tyre përpiqen të gjejnë një auditor të veçantë për të cilin ishte shkruar çdo libër. Mund të përpiqen edhe të përfytyrojnë një ide e një pikësynim të supozuar që kishte ndër mend autori njerëzor i çdo libri. Pasojë e këtij arsyetimi njerëzor mund të jetë që ata i lidhin librat e Biblës thjesht me historinë ose i shohin ata libra si mjete që pasqyrojnë përpjekjet për të zhvilluar fenë. Studiues të tjerë i përkushtohen studimit të fjalëve, siç është filologjia e literaturës biblike. Ata merren më shumë me studimin e origjinave të fjalëve dhe me citimin e përkufizimeve në hebraisht e në greqisht, sesa me rëndësinë e mesazhit të Perëndisë. A mendon se metoda të tilla mund të krijojnë një besim të thellë e që të motivon?​—1 Selanikasve 2:13.

17. Përse duhet ta shohim Biblën si librin që ka një mesazh për të gjithë?

17 Pastaj, a janë të vlefshme përfundimet që nxjerrin studiuesit? A është e vërtetë se çdo libër i Biblës ka vetëm një pikë kryesore ose vetëm një auditor të veçantë për të cilin është shkruar? (1 Korintasve 1:19-21) E vërteta është se librat e Fjalës së Perëndisë kanë vlerë të qëndrueshme për njerëz të çdo epoke dhe prejardhjeje. Edhe nëse një libër i drejtohej fillimisht një personi të vetëm, si Timoteut ose Titit ose një grupi të veçantë, ndoshta galatasve a filipianëve, që të gjithë mund dhe duhet t’i studiojmë këta libra. Ata janë të rëndësishëm për gjithsecilin prej nesh. Po ashtu, një libër mund të trajtojë shumë tema e t’u sjellë dobi shumë lexuesve. Po, mesazhi i Biblës është universal e kjo na ndihmon të kuptojmë përse është përkthyer në gjuhët e njerëzve përreth globit.​—Romakëve 15:4.

Dobi për veten dhe për të tjerët

18. Rreth çfarë gjëje duhet të meditosh kur lexon Fjalën e Perëndisë?

18 Kur studion, do të nxjerrësh shumë dobi po të përpiqesh të fitosh kuptueshmëri për Biblën, si edhe po të përpiqesh që hollësitë t’i kuptosh në lidhjen e duhur që kanë me njëra-tjetrën. (Fjalët e urta 2:3-5; 4:7) Ajo që ka zbuluar Jehovai me anë të Fjalës së tij lidhet ngushtësisht me qëllimin e tij. Prandaj, kur lexon, lidhi me këtë gjë faktet dhe këshillat që gjen. Mund të mendosh thellë se si lidhet me qëllimin e Jehovait një ngjarje, një ide ose një profeci. Pyet veten: Çfarë më tregon kjo për Jehovain? Si lidhet me qëllimin e Perëndisë që po përmbushet me anë të Mbretërisë së tij? Gjithashtu, mund të mendosh: Si mund ta përdor këtë informacion? A mund ta përdor kur mësoj ose kur këshilloj të tjerët në bazë të Shkrimeve?​—Jozueu (Josiu) 1:8.

19. Cilët nxjerrin dobi kur u tregon të tjerëve gjërat që ke mësuar? Shpjego.

19 Të mendosh për të tjerët të sjell dobi edhe në një drejtim tjetër. Kur je duke lexuar e duke studiuar Biblën, do të mësosh gjëra të reja dhe do t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim i ri. Përpiqu t’i përfshish këto në bisedat ndërtuese me familjarët e tu ose me njerëz të tjerë. Nëse e bën këtë në një kohë të përshtatshme e në një mënyrë modeste, biseda të tilla do të jenë pa dyshim shpërblyese. Komentet e tua të sinqerta dhe entuziaste për atë që ke mësuar ose për disa veçori që të janë dukur interesante, ka të ngjarë t’ua ngulitin më shumë në mendje të tjerëve këto informacione. Përveç kësaj, do të të sjellë dobi ty personalisht. Në ç’mënyrë? Specialistët kanë vënë re se një person e mban mend më gjatë atë që ka mësuar ose lexuar nëse, kur e ka ende të freskët në mendje, e përdor ose e përsërit atë, duke ua treguar të tjerëve. *

20. Përse na sjell dobi leximi i vazhdueshëm i Biblës?

20 Sa herë që të mbarosh së lexuari një libër të Biblës, do të kesh mësuar me siguri gjëra të reja. Do të habitesh me fragmentet që më parë nuk të tregonin ndonjë gjë. Ato fragmente do të marrin një domethënie të re për ty. Kjo duhet të tregojë qartë se, në vend që të jetë thjesht literaturë njerëzore, librat e Biblës janë thesare të vlefshme për t’i studiuar e për të nxjerrë dobi sa herë që t’i lexosh. Mos harro se mbretërit, siç ishte Davidi, duhej ta ‘lexonin [ligjin] për sa ditë të kishin jetë’.

21. Çfarë shpërblimi mund të presësh nëse e studion më shumë Fjalën e Perëndisë?

21 Po, ata që gjejnë kohë për të bërë një studim të thellë të Biblës nxjerrin dobi jashtë mase. Fitojnë thesare dhe gjykime të thella frymore. Marrëdhënia që kanë me Perëndinë bëhet më e fortë e më e ngushtë. Gjithashtu, bëhen gjithnjë e më të dobishëm për familjarët, për vëllezërit e motrat në kongregacionin e krishterë dhe për ata që do të bëhen adhurues të Jehovait në të ardhmen.​—Romakëve 10:9-14; 1 Timoteut 4:16.

[Shënimet]

^ par. 15 Këta libra ndihmës për studim janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe janë në dispozicion në shumë gjuhë.

^ par. 19 Shih Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1993, faqet 19-20.

A ju kujtohet?

• Çfarë duhej të bënin mbretërit në Izrael?

• Cilin shembull siguroi Jezui dhe apostujt për sa i përket studimit të Biblës?

• Çfarë rregullimesh mund të bësh për të shtuar kohën e studimit personal?

• Me cilin qëndrim mendor duhet ta studiosh Fjalën e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 15]

«Ta kemi në dorë»

«Nëse duam . . . një indeks për Biblën, s’ka mjet më të mirë se Interneti. Por, nëse duam ta lexojmë Biblën, ta studiojmë, të mendojmë për të, të meditojmë rreth saj, duhet ta kemi në dorë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për ta çuar në mendje e në zemër.»​—Gertrud Himelfarb, me titullin profesoreshë e merituar, City University, Nju-Jork.