Po vjen ndihma për të shuar urinë!
Po vjen ndihma për të shuar urinë!
Ç’LLOJ urie?—mund të pyetni. Uri për ushqimin frymor! Një profet i lashtë hebre e paratha këtë uri: « Ja, do të vijnë ditët,—thotë Zoti, Zoti,—gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.» (Amosi 8:11) Si ndihmë për të shuar urinë frymore, 48 pjesëtarët e klasës së 112-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e cila gjendet në Paterson, Nju-Jork, do të shkojnë në 19 vende që gjenden në pesë kontinente dhe ishuj.
Do të shkojnë të pajisur jo me mish e me grurë të mirëfilltë, por me njohuri, përvojë dhe me stërvitje. Për pesë muaj, bënë një studim intensiv të Biblës me qëllim që të forconin besimin e tyre, për të shkuar në shërbimin misionar në vende të huaja. Më 9 mars 2002, programin e diplomimit e dëgjuan me kënaqësi 5.554 të pranishëm.
Programin e hapi me entuziazëm Stiven Leti, i cili shërben si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. U uroi një mirëseardhje të veçantë mysafirëve të shumtë që vinin nga vende të ndryshme të botës. Më pas vazhdoi të tregonte se si zbatoheshin fjalët e Jezuit ‘ju jeni drita e botës’ për veprën e misionarëve të ardhshëm. (Mateu 5:14) Ai shpjegoi: ‘Në caktimet tuaja, do të ‘hidhni dritë’ mbi veçori të ndryshme të veprave të mrekullueshme të Jehovait, duke u dhënë mundësi njerëzve me zemër të çiltër të shohin bukurinë e Jehovait dhe të qëllimeve të tij.’ Vëlla Leti i nxiti misionarët që të përdornin dritën e Fjalës së Perëndisë për të demaskuar errësirën e doktrinave të rreme dhe për t’u siguruar udhëheqje atyre që kërkojnë të vërtetën.
Qëndrimi i duhur është thelbësor për të pasur sukses
Pas komenteve hyrëse të drejtuesit, një anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara, Baltasar Perla, mbajti fjalimin e parë në serinë e fjalimeve të përgatitura për t’i ndihmuar të diplomuarit që të bëhen misionarë të suksesshëm. Ai trajtoi temën «Jini të guximshëm e të fortë dhe veproni». (1 Kronikave 28:20) Mbreti Solomon në Izraelin e lashtë mori një caktim të vështirë, për të bërë diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë: të ndërtonte një tempull në Jerusalem. Solomoni ndërmori veprime dhe, me mbështetjen e Jehovait, tempulli u përfundua. Vëlla Perla tha se ky mësim zbatohej edhe për klasën dhe vazhdoi: ‘Keni marrë një caktim të ri, caktimin si misionarë, prandaj duhet të jeni të guximshëm dhe të fortë.’ Studentët gjetën vërtet ngushëllim në sigurinë se Jehovai nuk do t’i lërë ose nuk do t’i braktisë për sa kohë që qëndrojnë afër tij. Vëlla Perla i preku të pranishmit në auditor me fjalët personale me të cilat e mbylli fjalimin: ‘Mund të bëni shumë të mira si misionarë. Ishin misionarët ata që i sollën të vërtetën familjes sime dhe mua.’
«Drejtojuni Jehovait për të pasur sukses» ishte tema e fjalimit që mbajti Samuel Herdi, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës. Studentët do të nisin një karrierë në veprën misionare dhe suksesi që do të kenë varet shumë nga marrëdhënia e tyre me Jehovain. Vëlla Herdi i këshilloi: ‘Keni grumbulluar shumë njohuri nga Bibla në studimin që keni bërë në Galaad. Keni marrë me gëzim. Por tani, që të keni sukses të vërtetë, do t’ju duhet të filloni të jepni atë që keni mësuar.’ (Veprat 20:35) Misionarët do të kenë shumë mundësi për ta bërë këtë, duke u ‘derdhur’ në dobi të të tjerëve.—Filipianëve 2:17.
Cilat do të ishin këshillat e fundit që instruktorët do t’u jepnin studentëve? Mark Numari e bazoi temën e tij në shkrimin e Ruthës 3:18, «Rrini të qetë, derisa të merrni vesh se si do të dalë kjo punë». Duke përdorur shembullin e Naomit dhe të Ruthës, oratori i nxiti të diplomuarit që të kenë besim të plotë te masat që ka marrë organizata tokësore e Perëndisë dhe të respektojnë autoritetin teokratik. Vëlla Numari u preku zemrën studentëve kur tha: ‘Ndonjëherë mund t’ju ndodhë të mos e kuptoni përse u mor një vendim që ka të bëjë edhe me ju ose mund të ketë raste kur mendoni vërtet se diçka duhet bërë ndryshe. Çfarë do të bëni? Do të ngriheni e do t’i merrni vetë gjërat në dorë apo do të ‘rrini të qetë’, duke besuar në drejtimin e Perëndisë, të sigurt se në kohën e duhur ai do të bëjë që të dalë vetëm ajo që është e mirë?’ (Romakëve 8:28) Këshilla për ‘t’u përqendruar në çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë, duke parë atë që po bën organizata e Jehovait e jo ndryshimet midis personaliteteve’ do të jetë patjetër e dobishme për misionarët e ardhshëm në caktimet e tyre në vende të huaja.
Uollas Livërënsi, i cili kishte qenë vetë misionar e që tani shërben si instruktor i Galaadit, mbajti fjalimin e fundit në serinë e fjalimeve hapëse. Tema e fjalimit të tij ishte «Qëndroni të përqendruar, qëndroni në shërbim të Perëndisë». Ai tregoi se profeti Daniel, kur pa rënien e Babilonisë dhe atë që kishte parathënë Jeremia, e kuptoi se çlirimi i izraelitëve nga robëria ishte afër. (Jeremia 25:11; Danieli 9:2) Danieli ishte i vetëdijshëm për kohën që kishte caktuar Jehovai, dhe kjo e ndihmoi të qëndronte i përqendruar për të parë se si do të zhvillohej qëllimi i Perëndisë. Ndryshe nga ai, izraelitët në ditët e profetit Hage thoshin: «Nuk ka ardhur ende koha.» (Hagai [Hageu] 1:2) Ata nuk u përqendruan në kohën në të cilën po jetonin, por në rehatitë dhe në vetëkënaqjen, duke hequr dorë nga vepra për të cilën ishin çliruar nga Babilonia, domethënë rindërtimin e tempullit. Vëlla Livërënsi përfundoi: «Prandaj, qëndroni të përqendruar duke mbajtur gjithnjë në mend qëllimin e Jehovait.»
Lorenc Boueni, instruktor i Galaadit, prezantoi pjesën me temë «Jehovai i bekon ata që përdorin Fjalën e gjallë». (Hebrenjve 4:12) Kjo pjesë fliste rreth përvojave në fushë që kishte pasur klasa dhe theksonte se si i bekon Jehovai ata që përdorin Biblën kur predikojnë dhe mësojnë. Prezantuesi theksoi se Jezu Krishti la një shembull të shkëlqyer për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë: ‘Jezui mund të thoshte me të vërtetë se ajo që mësonte nuk ishte nga vetja e tij, por se thoshte Fjalën e Perëndisë.’ Njerëzit me zemër të ndershme e pranonin të vërtetën dhe i përgjigjeshin pozitivisht. (Gjoni 7:16, 17) E njëjta gjë është e vërtetë sot.
Stërvitja në Galaad i pajis njerëzit për çdo vepër të mirë
Më pas, Riçard Abrahamsoni dhe Patrik La Franka, pjesëtarë të familjes Bethel nga shumë kohë, intervistuan gjashtë të diplomuar të Galaadit që tani po shërbejnë në fusha të ndryshme të shërbimit special në kohë të plotë. Të diplomuarit e klasës së 112-të morën zemër kur dëgjuan se edhe vite më vonë, pavarësisht nga caktimi i tyre i tanishëm, këta të gjashtë vazhdojnë ta përdorin stërvitjen që morën në Galaad për sa i përket studimit biblik, projekteve të kërkimeve personale dhe për sa i përket marrëdhënieve me të tjerët.
Teodor Xharazi, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin kryesor të programit. Ishte titulluar «Çfarë arrijmë duke duruar urrejtjen satanike?» Gjatë pesë muajve që kishin kaluar, studentët kishin qëndruar në një mjedis të dashur dhe teokratik. Por, siç u theksua gjatë studimeve që u bënë në klasë, ne jetojmë në një botë armike. Në mbarë botën populli i Jehovait po sulmohet. (Mateu 24:9) Duke përdorur tregime të ndryshme biblike, vëlla Xharazi tregoi se ‘jemi një shënjestër e veçantë e Djallit. Duhet ta forcojmë marrëdhënien tonë me Jehovain dhe të jemi të fortë për të përballuar sprovat’. (Jobi 1:8; Danieli 6:4; Gjoni 15:20; Zbulesa 12:12, 17) Vëlla Xharazi përfundoi duke thënë se pavarësisht nga urrejtja që vazhdon kundër popullit të Perëndisë, ‘siç thotë Isaia 54:17, asnjë armë e sajuar kundër nesh nuk do të ketë sukses. Jehovai do të kujdeset që të çlirohemi në kohën dhe në mënyrën e duhur sipas tij’.
‘Plotësisht të pajisur’, të diplomuarit e klasës së 112-të të Galaadit pa dyshim që do të bëjnë shumë për t’i lehtësuar njerëzit nga uria për ushqim frymor, në vendet ku do të shërbejnë. (2 Timoteut 3:16, 17) Presim me padurim raporte që do të tregojnë se si po ua shpërndajnë këta misionarë mesazhin ushqyes njerëzve në këto vende.
[Kutia në faqen 23]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 6
Numri i shteteve ku u caktuan: 19
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 33,2
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 15,7
Mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor: 12,2
[Figura në faqen 24]
Diplomimi i klasës së 112-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Parotte, M.; Hooker, E.; Anaya, R.; Reynolds, J.; Gesualdi, K.; Gonzalez, J. (2) Robinson, C.; Phillips, B.; Maidment, K.; Moore, I.; Noakes, J.; Barnett, S. (3) Stires, T.; Palmer, B.; Yang, C.; Groothuis, S.; Groppe, T.; Bach, C. (4) Anaya, R.; Soukoreff, E.; Stewart, K.; Simozrag, N.; Simottel, C.; Bach, E. (5) Stewart, R.; Yang, H.; Gilfeather, A.; Harris, R.; Barnett, D.; Parotte, S. (6) Maidment, A.; Moore, J.; Groothuis, C.; Gilfeather, C.; Noakes, S.; Stires, T. (7) Gesualdi, D.; Groppe, T.; Soukoreff, B.; Palmer, G.; Phillips, N.; Simottel, J. (8) Harris, S.; Hooker, P.; Gonzalez, J.; Simozrag, D.; Reynolds, D.; Robinson, M.