Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Problemet e njerëzimit: A do të marrin fund ndonjëherë?

Problemet e njerëzimit: A do të marrin fund ndonjëherë?

Problemet e njerëzimit: A do të marrin fund ndonjëherë?

«NJË e katërta e popullsisë së botës jeton në varfëri, 1,3 miliardë mbahen me më pak se një dollar në ditë, 1 miliardë janë analfabetë, 1,3 miliardë nuk kanë ujë të pijshëm të pastër dhe 1 miliardë mbeten pa ngrënë çdo ditë.» Kështu thuhet në një raport nga Irlanda për gjendjen e botës.

Sa të trishtueshme janë pasojat e paaftësisë së njeriut për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet në botë! Këto probleme duken edhe më tragjike kur kuptojmë se shumica dërrmuese e njerëzve të përshkruar në atë raport janë gra e fëmijë të pambrojtur. A nuk është e tmerrshme që edhe tani në shekullin e 21-të, të drejtat e tyre vazhdojnë të «dhunohen çdo ditë në një shkallë kaq të madhe, saqë është e pamundur të numërohen rastet»?​—The State of the World’s Children 2000.

«Një botë të re në një brez të vetëm»

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët ka shprehur sigurinë se «hija e zymtë që këto dhunime . . . kanë hedhur mbi jetën anembanë tokës mund të largohet». Kjo organizatë thotë se kushtet e tmerrshme që duhet të durojnë këta miliarda të mjerë nuk janë «as të pashmangshme, as të pandryshueshme». Në të vërtetë, ajo ka drejtuar një thirrje që «të gjithë njerëzit të krijojnë një botë të re në një brez të vetëm». Sipas shpresave të saj, kjo do të jetë një botë ku i gjithë njerëzimi do të jetë «i lirë nga varfëria e nga diskriminimi, i lirë nga dhuna e nga sëmundjet».

Ata që shprehin ndjenja të tilla frymëzohen ngaqë edhe tani, njerëz të dhembshur bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të lehtësuar pasojat e trishtueshme të shkaktuara nga «një seri konfliktesh dhe krizash që duket sikur s’do të mbarojë kurrë». Gjatë 15 vjetëve të fundit, për shembull, Projekti për Fëmijët e Çernobilit «ka ndihmuar për të lehtësuar vuajtjet e qindra fëmijëve të prekur nga kancere që la si pasojë reja bërthamore». (The Irish Examiner, 4 prill 2000) Organizatat humanitare, të vogla e të mëdha, patjetër që bëjnë një punë të madhe për të ndihmuar viktimat e panumërta të luftërave e të katastrofave.

Megjithatë, ata që marrin pjesë në këto përpjekje humanitare janë realistë. E dinë se problemet që po hasen tani «janë më të përhapura e të rrënjosura më thellë sesa ishin qoftë edhe një dhjetëvjeçar më parë». Dejvid Begu, drejtor i përgjithshëm i shoqatës bamirëse irlandeze Concern, thotë se kur Mozambiku u godit nga një përmbytje katastrofike, «ekipi, përkrahësit dhe financuesit u përgjigjën në mënyrë të mrekullueshme». «Por,​—shton ai,​—nuk mund t’ia dalim dot mbanë vetëm, duke parë shkallën jashtëzakonisht të madhe të këtyre katastrofave.» Lidhur me përpjekjet humanitare në Afrikë, ai pranon me ndershmëri: «Edhe ato pak shkëndija shprese që ekzistojnë, janë si qirinj që lëshojnë një dritë të dobët.» Shumë do të mendonin se komenti i tij përmbledh në mënyrë të saktë edhe gjendjen e botës mbarë.

A mund të presim në mënyrë realiste që të shohim ‘botën e re në një brez të vetëm’, për të cilën shpresohet? Edhe pse përpjekjet humanitare që bëhen tani janë vërtet për t’u lavdëruar, patjetër që është e arsyeshme të shqyrtojmë një mundësi tjetër për një botë të re të drejtë e paqësore. Bibla e drejton vëmendjen te kjo mundësi, siç do të trajtohet në artikullin vijues.

[Burimi i figurës në faqen 2]

Faqja 3, fëmijë: UN/DPI fotografi nga Xhejms Bu