Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Nëse dikush kryen vetëvrasje, a do të ishte e këshillueshme që një vëlla i krishterë të mbante fjalimin e funeralit?
Çdo vëllai të krishterë do t’i duhej të vendoste vetë nëse, me ndërgjegje të plotë, mund të mbajë një fjalim funerali për dikë që duket se ka kryer vetëvrasje. Kur të marrë vendimin, ai duhet të shqyrtojë pyetjet vijuese: Si e sheh Jehovai vetëvrasjen? A ishte vdekja e tij vërtet një vetëvrasje? A u shkaktua vetëvrasja nga një çrregullim mendor ose emocional? Si shihet vetëvrasja në vendin ku jetoj?
Si të krishterë, neve na intereson pikëpamja që ka Jehovai për vetëvrasjen. Për Jehovain jeta njerëzore është e çmuar dhe e shenjtë. (Zanafilla 9:5; Psalmi 36:9) Vetëvrasja e qëllimshme është e papëlqyeshme në sytë e Perëndisë. (Eksodi 20:13; 1 Gjonit 3:15) A e përjashton ky fakt mbajtjen e një fjalimi funerali për një viktimë që ka kryer vetëvrasje?
Shqyrtoni rastin e mbretit Saul të Izraelit. Kur e kuptoi se nuk do të dilte gjallë nga beteja e tij e fundit kundër filistenjve, në vend që t’i linte armiqtë ta masakronin, «Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të». Kur filistenjtë gjetën kufomën e tij, e varën në murin e qytetit të Bet-Shanit. Pasi morën vesh se çfarë kishin bërë filistenjtë, banorët e Jabesh-Galaadit e hoqën trupin që andej dhe e dogjën. Pastaj, morën kockat e tij dhe i varrosën. Madje agjëruan shtatë ditë për të, një rit tradicional vajtimi ndër izraelitët. (1 Samuelit 31:4, 8-13; Zanafilla 50:10) Kur Davidi, i mirosuri i Jehovait, mori vesh atë që kishin bërë banorët e Jabesh-Galaadit, tha: «Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur! Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush.» (2 Samuelit 2:5, 6) Bibla nuk tregon që banorët e Jabesh-Galaadit u dënuan se kryen atë që mund të quhet një rit funerali për mbretin Saul. Krahasojeni këtë me rastin e atyre të cilëve iu mohua varrimi për shkak të shkeljeve që kishin kryer. (Jeremia 25:32, 33) Një vëlla i krishterë mund të marrë parasysh tregimin për Saulin kur të vendosë nëse mund të mbajë ose jo një fjalim funerali për një viktimë që ka kryer vetëvrasje.
Vëllai mund të dojë të shqyrtojë edhe qëllimin për të cilin do të mbahet një fjalim funerali. Ndryshe nga njerëzit që besojnë në pavdekësinë e shpirtit, Dëshmitarët e Jehovait nuk kryejnë funerale me idenë e gabuar për ta dërguar të vdekurin në një botë tjetër. Në vend që të ketë ndonjë dobi për të vdekurin, qëllimi kryesor i një fjalimi përkujtimor është që të ngushëllohen personat të cilëve u ka vdekur një njeri i dashur. Po ashtu, u jepet dëshmi të pranishmëve lidhur me gjendjen e të vdekurve. (Predikuesi 9:5, 10; 2 Korintasve 1:3-5) Një arsye tjetër e rëndësishme përse mbahet një fjalim funerali është që të gjithë të pranishmit të ndihmohen për të medituar se sa kalimtare është jeta. (Predikuesi 7:2) A do të përmbushen këto qëllime duke mbajtur një fjalim përkujtimor për viktimën që ka bërë vetëvrasje?
Kuptohet se disa mund të mendojnë që ai person e bëri qëllimisht vetëvrasjen, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se po mëkatonte kundër Jehovait. Por, a është gjithnjë e mundur të provohet ky mendim? A mund të ketë qenë një veprim i shtyrë nga momenti? Disa që tentojnë të kryejnë vetëvrasje pendohen dhe nuk e bëjnë atë. Një person që ka vdekur nuk mund të pendohet dot për atë që ka bërë.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është ai i çrregullimeve mendore dhe emocionale që përfshihen në shumë vetëvrasje. Këta persona mund të quhen me të vërtetë viktima të vetëvrasjes. Sipas disa statistikave,
90 për qind e atyre që kryejnë vetëvrasje kanë një lloj problemi mendor, emocional ose një varësi ndaj ndonjë substance. A do t’ua falë Jehovai vetëvrasjen personave që ishin në një gjendje të tillë mendore? Ne nuk jemi në gjendje të gjykojmë nëse i vdekuri ka kryer ose jo një mëkat të pafalshëm në sytë e Jehovait. Një vëlla i krishterë mund të marrë parasysh rrethanat dhe të kaluarën shëndetësore të të vdekurit, kur mendon të mbajë ose jo një fjalim funerali për viktimën që ka bërë vetëvrasje.Ka edhe një anë tjetër për të shqyrtuar: Si e shohin njerëzit në atë vend vetëvrasjen dhe vdekjen e personit? Kjo është një çështje veçanërisht me interes për pleqtë, të cilët janë të interesuar për emrin e mirë të kongregacionit vendës të Dëshmitarëve të Jehovait. Në varësi të qëndrimit të përgjithshëm që kanë njerëzit në atë vend ndaj vetëvrasjes, e sidomos ndaj rastit në fjalë, pleqtë mund të zgjedhin që të mos përfshihen në një funeral të tillë në mënyrë të hapur ose të mos e mbajnë atë në Sallën e Mbretërisë.
Gjithsesi, në qoftë se një vëllai të krishterë i kërkohet të mbajë fjalimin e një funerali të organizuar nga të tjerët, i nisur mbi baza personale ai vetë mund të mendojë se mund ta bëjë këtë. Në rast të tillë, duhet të jetë i matur e të mos bëjë pohime të prera nëse mund të ketë ringjallje për viktimën. Çdo mundësi e ardhme për të vdekurin është në duart e Jehovait dhe askush s’mund ta thotë me siguri nëse do të ringjallet ose jo. Vëllai mund të përqendrohet në të vërtetat biblike rreth vdekjes dhe t’u japë ngushëllim familjarëve të të vdekurit.