Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I forcuar nga vëllazëria jonë mbarëbotërore

I forcuar nga vëllazëria jonë mbarëbotërore

Jetëshkrim

I forcuar nga vëllazëria jonë mbarëbotërore

TREGUAR NGA TOMSON KANGALE

Më 24 prill 1993 më ftuan të ndiqja programin e përurimit të kompleksit të ri të zyrave të degës, i cili përbëhej nga 13 ndërtesa, në Lusakë, Zambie. Meqë ecja me vështirësi, motra e krishterë që po na shoqëronte për të vizituar ndërtesat më pyeti me njerëzi: «A dëshiron që të mbaj me vete një karrige për ty, që të ulesh herë pas here?» Unë jam zezak dhe ajo e bardhë, por kjo s’kishte rëndësi për të. I prekur thellë, e falënderova, sepse falë dashamirësisë së saj pata mundësi t’i vizitoja të gjitha ndërtesat e degës.

NËPËR vite, përvoja të tilla më kanë ngrohur zemrën, duke më forcuar bindjen se brenda shoqatës së krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait ekziston vërtet dashuria që Krishti tha se do të dallonte ithtarët e tij të vërtetë. (Gjoni 13:35; 1 Pjetrit 2:17) Do të doja t’ju tregoja se si u njoha me këta të krishterë në vitin 1931, kur ata shpallën botërisht dëshirën për t’u njohur me emrin biblik Dëshmitarët e Jehovait.​—Isaia 43:12.

Shërbimi i hershëm në Afrikë

Në nëntor të vitit 1931 isha 22 vjeç dhe jetoja në Kitve, i cili gjendej në rajonin Koperbelt, në Rodezinë Veriore (tani Zambie). Një mik me të cilin luaja futboll më prezantoi me Dëshmitarët. Ndoqa disa nga mbledhjet e tyre dhe i shkrova zyrës së degës në Kejptaun të Afrikës së Jugut, duke kërkuar një mjet ndihmës për studimin e Biblës, librin Harpa e Perëndisë. * Libri ishte në anglisht dhe e kuptoja me vështirësi, sepse nuk e dija shumë mirë këtë gjuhë.

Rajoni Koperbelt ndodhej rreth 240 kilometra në jugperëndim të liqenit Bangueulu, afër të cilit u rrita. Shumë veta nga provinca të tjera ishin punësuar në minierat e bakrit që ndodheshin në këtë rajon. Atje mblidheshin rregullisht disa grupe Dëshmitarësh për të studiuar Biblën. Pas pak, u transferova nga Kitve në qytetin e Ndolës aty afër dhe fillova të shoqërohesha me një grup Dëshmitarësh atje. Në atë kohë, isha kapiteni i një skuadre futbolli të quajtur «Princi i Uellsit». Punoja edhe si shërbëtor në shtëpinë e një të bardhi, i cili ishte administratori i African Lakes Corporation, një firmë që kishte një sërë dyqanesh në Afrikën Qendrore.

S’kisha bërë shumë shkollë dhe atë pak anglishte që dija e kisha mësuar nga evropianët për të cilët punoja. Mirëpo doja me çdo kusht që të vazhdoja të arsimohesha, prandaj bëra kërkesë për të studiuar në një shkollë në Plumtri, në Rodezinë Jugore (tani Zimbabve). Por ndërkohë i shkrova për herë të dytë zyrës së degës në Kejptaun. I njoftova se e kisha marrë librin Harpa e Perëndisë dhe se doja t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë.

U habita kur mora përgjigjen e tyre, e cila ishte: «E vlerësojmë dëshirën tënde për t’i shërbyer Jehovait. Të nxitim që ta parashtrosh këtë në lutje dhe Jehovai do të të ndihmojë ta kuptosh më mirë të vërtetën dhe do të të gjejë një vend ku t’i shërbesh.» Pasi e lexova disa herë me radhë letrën, pyeta disa Dëshmitarë se çfarë duhej të bëja. Ata thanë: «Nëse dëshira jote është vërtet t’i shërbesh Jehovait, vazhdo, bëje që tani.»

Një javë të tërë u luta për këtë çështje dhe, më në fund, vendosa të hiqja dorë nga arsimimi në botë e të vazhdoja studimin e Biblës me Dëshmitarët. Vitin që pasoi, në janar të 1932-shit e simbolizova kushtimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë. Nga Ndola u transferova në një qytet aty afër, në Luanshë. Aty takova Zhanetën, një bashkëbesimtare dhe u martuam në shtator të vitit 1934. Zhaneta tashmë kishte një djalë dhe një vajzë kur u martuam.

Dalëngadalë bëra përparim frymor dhe në vitin 1937 fillova shërbimin e plotkohor. Pak kohë më pas më caktuan si shërbëtor udhëtues, që tani quhet mbikëqyrës qarkor. Mbikëqyrësit udhëtues vizitojnë kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait për t’i forcuar frymësisht.

Predikimi në vitet e hershme

Në janar të vitit 1938 më udhëzuan të vizitoja një prijës fisi afrikan me emrin Sokontve, i cili kishte kërkuar që Dëshmitarët e Jehovait t’i bënin vizitë. Udhëtova tri ditë me biçikletë për të arritur në zonën e tij. Kur i thashë se më kishin dërguar në përgjigje të letrës që ai i kishte çuar zyrës në Kejptaun, reagoi me shumë mirënjohje.

Shkova kasolle më kasolle te njerëzit e fisit të tij dhe i ftova në insaka (në kasollen publike). I fola gjithë turmës kur u mblodh. Si rrjedhim, u filluan shumë studime biblike. Prijësi i fshatit dhe këshilltari i tij ishin të parët që u bënë mbikëqyrës kongregacionesh atje. Sot ka më shumë se 50 kongregacione në atë zonë, e cila tani njihet si krahina Samfja.

Nga viti 1942 deri në vitin 1947 shërbeva në rajonin përreth liqenit Bangueulu. Kaloja dhjetë ditë me çdo kongregacion. Meqë atëherë punëtorët që punonin në të korrën frymore ishin pak, ndiheshim tamam si Zotëria ynë, Jezu Krishti, kur tha: «Po, e korra është e madhe, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë të së korrës të dërgojë punëtorë në të korrën e tij.» (Mateu 9:36-38) Në ato kohë të hershme, ishte e vështirë të udhëtoje, kështu që zakonisht Zhaneta qëndronte në Luanshë me fëmijët, kurse unë vizitoja kongregacionet. Në atë kohë, unë dhe Zhaneta ishim bërë me dy fëmijë të tjerë, por njëri prej tyre vdiq kur ishte dhjetë muajsh.

Atëherë automobilat ishin të paktë e po ashtu edhe rrugët, vetëkuptohet. Një ditë, u nisa me biçikletën e Zhanetës në një udhëtim prej më shumë se 200 kilometrash. Nganjëherë, kur më duhej të kaloja ndonjë lumë të vogël, e vija biçikletën mbi shpatulla, e mbaja me një dorë dhe notoja me dorën tjetër. Me kalimin e kohës, numri i Dëshmitarëve në Luanshë u rrit shumë dhe në vitin 1946 Përkujtimin e vdekjes së Krishtit e ndoqën 1.850 veta.

Përballojmë kundërshtimin ndaj veprës

Në një rast gjatë Luftës II Botërore, shefi i policisë i krahinës në Kauambua më thirri dhe më tha: «Nuk dua që t’i përdorësh më librat e Shoqatës Watch Tower, sepse tani janë të ndaluar. Por mund të të jap vepra referimi që t’i kesh për të shkruar libra të tjerë, që t’i përdorësh për punën tënde.»

«Jam i kënaqur me literaturën që kemi,​—iu përgjigja.​—Nuk më duhet asgjë tjetër.»

«Ti nuk i njeh amerikanët,​—më tha (në atë kohë literatura jonë shtypej në Shtetet e Bashkuara).​—Do të të mashtrojnë.»

«Jo, ata me të cilët kam të bëj unë nuk do të më mashtrojnë»,​—iu përgjigja.

Pastaj më pyeti: «Nuk mund t’i nxitësh kongregacionet e tua që të bëjnë kontribute në para për të ndihmuar luftën, siç bëjnë fetë e tjera?»

«Kjo punë u përket atyre që dërgon qeveria»,​—iu përgjigja.

«Pse nuk shkon në shtëpi e të mendohesh për këtë?»​—më tha.

«Tek Eksodi 20:13 dhe te 2 Timoteut 2:24, Bibla na urdhëron të mos vrasim e të mos luftojmë»,​—iu përgjigja.

Ndonëse më lanë të ikja, më vonë më thirri shefi i policisë i krahinës në Fort-Rozberi, një qytet që tani quhet Mansa. «Të thirra për të të njoftuar se qeveria i ka ndaluar librat tuaj»,​—më tha.

«Po. E kam dëgjuar këtë»,​—i thashë.

«Atëherë, duhet të shkosh në gjithë kongregacionet e tua dhe t’u thuash bashkadhuruesve të tu që t’i sjellin të gjitha librat këtu. Qartë?»

«Kjo s’është puna ime,​—iu përgjigja.​—Është përgjegjësia e atyre që ngarkon qeveria.»

Një takim i frytshëm

Pas luftës vazhduam të predikonim. Në vitin 1947, sapo kisha mbaruar shërbimin në një kongregacion në fshatin Muanzë dhe pyeta se ku mund të shkoja për të pirë një filxhan çaj. Më drejtuan te shtëpia e zotit Nkonde, ku kishte një sallon për të pirë çaj. Zoti Nkonde dhe e shoqja më pritën me përzemërsi. E pyeta zotin Nkonde nëse, ndërsa unë pija çaj, mund të lexonte kapitullin «Ferri, një vend prehjeje me shpresë», në librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë».

«Pra, si e kupton ti ferrin?»​—e pyeta pasi mbarova çajin. I mahnitur nga ajo që kishte lexuar, ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët dhe më vonë u pagëzua së bashku me të shoqen. Edhe pse ai nuk vazhdoi si Dëshmitar, e shoqja dhe disa nga fëmijët vazhduan. Madje, një nga fëmijët e tij, Pilni, e bija, shërben ende në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Zambie. Edhe e ëma e Pilnit është ende Dëshmitare besnike, ndonëse tani është mjaft e moshuar.

Një qëndrim i shkurtër në Afrikën Lindore

Zyra jonë e degës në Rodezinë Veriore, e cila ishte ngritur në fillim të vitit 1948 në Lusakë, më caktoi në Tanganikë (tani Tanzani). Një Dëshmitar tjetër më shoqëroi mua dhe time shoqe në udhëtimin përmes terrenit malor, të cilin e bëmë në këmbë. Na u deshën tri ditë udhëtim dhe u lodhëm shumë. Unë mbaja librat, ime shoqe mbante rrobat dhe Dëshmitari tjetër mbante shtresat për të fjetur.

Në mars të vitit 1948, kur shkuam në Mbejë, kishte shumë punë për t’i ndihmuar vëllezërit që të bënin ndryshime për t’u përputhur më shumë me mësimet biblike. Para së gjithash, në atë zonë na njihnin si njerëzit e Watchtowerit. Ndonëse vëllezërit e kishin pranuar emrin Dëshmitarë të Jehovait, nuk ua kishin bërë të njohur të tjerëve. Përveç kësaj, disa Dëshmitarë duhej të braktisnin ca zakone që lidheshin me nderimin e të vdekurve. Por ndoshta ndryshimi më i vështirë që duhej të bënin shumë prej tyre ishte të celebronin martesën, duke e bërë të nderuar para të gjithëve.​—Hebrenjve 13:4.

Më vonë pata privilegjin të shërbeja në zona të tjera të Afrikës Lindore, duke përfshirë edhe Ugandën. Kalova rreth gjashtë javë në Entebe dhe në Kampalë, ku u ndihmuan shumë veta që të merrnin njohuri për të vërtetën biblike.

Ftesa për në qytetin e Nju-Jorkut

Pasi shërbeva në Ugandë për ca kohë, në fillim të vitit 1956 arrita në Dar-es-Salam, në kryeqytetin e Tanganikës. Atje më priste një letër nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait. Përmbante udhëzime që të filloja përgatitjet për të shkuar në Nju-Jork, që të ndiqja një kongres ndërkombëtar, i cili do të mbahej në datat nga 27 korrik deri më 3 gusht 1958. S’ka nevojë të thuhet se isha shumë entuziast për këtë.

Erdhi koha dhe unë e një mbikëqyrës tjetër udhëtues, Luka Muango, udhëtuam me avion nga Ndola në Sollsberi (tani Harare), në Rodezinë Jugore, e më pas në Najrobi, Kenia. Që atje shkuam në Londër, Angli, ku na pritën me përzemërsi. Para se të flinim atë natë që mbërritëm në Angli, ishim entuziastë dhe s’pushonim së foluri se si neve, afrikanëve, na pritën me kaq përzemërsi njerëzit e bardhë. Morëm shumë zemër nga kjo përvojë.

Më në fund arritëm në Nju-Jork, ku mbahej kongresi. Në një nga ditët e kongresit, dhashë një raport për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Rodezinë Veriore. Kishte afro 200.000 të pranishëm atë ditë, të mbledhur në Stadiumin Polo Graunds dhe në Stadiumin Jenki në Nju-Jork. Atë natë s’më zinte gjumi, ngaqë mendoja për privilegjin e mrekullueshëm që kisha pasur.

Si pa e kuptuar, kongresi kishte mbaruar dhe u kthyem në shtëpi. Në udhëtimin e kthimit, provuam përsëri mikpritjen e dashur të vëllezërve dhe motrave në Angli. S’do ta harrojmë kurrë unitetin e popullit të Jehovait pavarësisht nga raca ose kombësia e tyre, i cili u shfaq kaq shumë gjatë këtij udhëtimi!

Vazhdon shërbimi dhe sprovat

Në vitin 1967 më caktuan shërbëtor krahine, i cili është një vëlla që udhëton nga një qark në tjetrin. Numri i Dëshmitarëve në Zambie ishte rritur në atë kohë në më shumë se 35.000. Më vonë, meqë shëndeti po më keqësohej, më caktuan përsëri mbikëqyrës qarkor në Koperbelt. Me kalimin e kohës, Zhaneta pati probleme shëndetësore dhe në dhjetor të vitit 1984 vdiq besnike ndaj Jehovait.

Pas vdekjes së saj, u lëndova shumë kur familjarët jobesimtarë të Zhanetës më akuzuan se i kisha shkaktuar vdekjen asaj duke përdorur magjinë. Por disa që ishin në dijeni për sëmundjen e Zhanetës dhe kishin folur me mjekun e saj, u shpjeguan këtyre familjarëve të vërtetën për çështjen. Më pas erdhi një sprovë tjetër. Disa familjarë donin që të ndiqja zakonin e quajtur ukupyanika. Në krahinën time, ky zakon kërkon që, kur dikujt i vdes bashkëshorti ose bashkëshortja, duhet të ketë marrëdhënie seksuale me një të afërm të të vdekurit. Sigurisht që nuk e pranova një gjë të tillë.

Pas ca kohësh presioni nga të afërmit mori fund. Isha mirënjohës që Jehovai më ndihmoi të mbaja një qëndrim të vendosur. Një muaj pas varrimit të sime shoqeje, një vëlla m’u afrua dhe më tha: «Vëlla Kangale, na ke dhënë zemër vërtet kur të vdiq gruaja, sepse nuk re pre e asnjë zakoni të paperëndishëm. Duam të të falënderojmë shumë.»

Një e korrë e mrekullueshme

Tani u bënë 65 vjet që kur kam filluar shërbimin e plotkohor si Dëshmitar i Jehovait. Çfarë gëzimi ka qenë për mua që gjatë këtyre viteve të shoh se janë formuar qindra kongregacione dhe janë ndërtuar shumë Salla Mbretërie në zona ku një herë e një kohë shërbeja si mbikëqyrës qarkor! Nga rreth 2.800 Dëshmitarë që ishim në vitin 1943 në Zambie, tani jemi rritur në më shumë se 122.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Madje, vitin e kaluar Përkujtimin e ndoqën më shumë se 514.000 veta në këtë vend, i cili ka një popullsi me më pak se 11 milionë banorë.

Ndërkohë, Jehovai është kujdesur shumë për mua. Kur kam nevojë për mjekim, një vëlla i krishterë më çon në spital. Kongregacionet ende më ftojnë të mbaj fjalime publike dhe falë kësaj kam shumë çaste ndërtuese. Kongregacioni në të cilin bëj pjesë kujdeset që motra të krishtere të vijnë me radhë e të më pastrojnë shtëpinë, si edhe vëllezër të ndryshëm dalin vullnetarë të më shoqërojnë në mbledhje çdo javë. E di se nuk do të kisha pasur kurrë një kujdes të tillë të dashur, po të mos i shërbeja Jehovait. E falënderoj që më përdor ende në shërbimin e plotkohor, si edhe për përgjegjësitë e shumta që kam mundur të mbaj deri tani.

Shikimi më është dobësuar dhe më duhet të pushoj disa herë rrugës kur eci për në Sallën e Mbretërisë. Këto ditë çanta më duket më e rëndë, kështu që e lehtësoj duke hequr prej saj ndonjë libër që mund të mos më nevojitet në mbledhje. Shërbimin në përgjithësi e bëj duke drejtuar studime biblike me ata që më vijnë në shtëpi. Megjithatë, ç’kënaqësi është të mendoj për vitet e shkuara dhe të meditoj për rritjen e mrekullueshme që ka ndodhur. Kam shërbyer në një fushë ku fjalët e Jehovait të shkruara te Isaia 60:22 janë përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme. Aty thuhet: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.» Me të vërtet, e kam parë me sytë e mi që pikërisht kjo gjë ka ndodhur jo vetëm në Zambie, por anembanë botës. *

[Shënimet]

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk është më në qarkullim.

^ par. 50 Mjerisht vëllanë Kangale e lanë fuqitë dhe vdiq besnik në kohën që ky artikull po përgatitej për botim.

[Figurat në faqen 24]

Tomsoni dhe në sfond dega e Zambias

[Figura në faqen 26]

Dega e Zambias sot