Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ikonat fetare: Rrënjët e tyre të lashta

Ikonat fetare: Rrënjët e tyre të lashta

Ikonat fetare: Rrënjët e tyre të lashta

«Ikonat janë një mënyrë për të na bashkuar me mirësinë dhe me shenjtërinë e Perëndisë e të Shenjtorëve të Tij.»​—ARKIDIOQEZA ORTODOKSE GREKE E AUSTRALISË

NË KËTË ditë të nxehtë gushti, rrezet e diellit bien pingul mbi shkallët prej çimentoje që të çojnë në manastirin «Nëna shumë e shenjtë e Perëndisë» në ishullin Tinos, në detin Egje. Nxehtësia përvëluese nuk ua dobëson vendosmërinë më shumë se 25.000 pelegrinëve të përkushtuar ortodoksë, të cilët ecin ngadalë me synimin që të arrijnë ikonën e nënës së Jezuit, një ikonë e rënduar me zbukurime.

Një vajzë e re, e çalë, me një pamje të dëshpëruar në fytyrë dhe me siguri me dhembje, zvarritet me gjunjët e gjakosur keqazi. Jo shumë larg saj, një zonjë e moshuar e rraskapitur, e cila ka ardhur nga ana tjetër e vendit, lufton për të vazhduar rrugën edhe pse këmbët i ka të lodhura. Me padurim dhe qull në djersë, një mesoburrë përpiqet me ankth të çajë rrugën përmes turmës së ngjeshur. Synimi i tyre është të puthin një ikonë të Marisë dhe të gjunjëzohen para saj.

Sigurisht që këta njerëz shumë fetarë kanë dëshirë të sinqertë që të adhurojnë Perëndinë. Por, sa prej tyre e kuptojnë se ky përkushtim ndaj ikonave ka rrënjët në praktika që ekzistonin shekuj para krishterimit?

Përhapja e gjerë e ikonave

Në botën ortodokse, ikonat i gjen kudo. Ikonat e Jezuit, të Marisë dhe të shumë «shenjtorëve» zënë një vend kryesor nëpër kisha. Besimtarët shpesh i nderojnë këto ikona duke i puthur, duke djegur temjan dhe duke ndezur qirinj. Veç kësaj, pothuajse në çdo shtëpi ortodokse ka një kënd me ikona, ku bëhen lutjet. S’është një gjë e pazakontë që të krishterët ortodoksë të thonë se kur adhurojnë ikonat, ndihen afër Perëndisë. Shumë veta besojnë se ikonat kanë përkrahjen hyjnore dhe fuqi mrekullibërëse.

Ndoshta këta besimtarë do të habiten po të mësojnë se të krishterët e shekullit të parë nuk miratonin që të përdoreshin ikonat në adhurim. Në librin Byzantium thuhet: «Të krishterët e hershëm, duke trashëguar nga judaizmi një neveri për idhujtarinë, e kishin parë me përbuzje çdo përnderim të pikturave të njerëzve të shenjtë.» Në të njëjtin libër komentohet: «Që nga shekulli i pestë e më tej, ikonat ose shëmbëlltyrat . . . u përhapën gjithnjë e më shumë në adhurimin publik e privat.» Nga e kishte origjinën përdorimi i ikonave fetare, nëse nuk vinte nga krishterimi i shekullit të parë?

Të zbulojmë rrënjët

Kërkuesi Vitali Ivanoviç Petrenko shkroi: «Përdorimi i shëmbëlltyrave dhe tradita e tyre e ka origjinën shumë kohë para epokës së krishterë dhe e ka pasur ‘prejardhjen nga paganizmi’.» Shumë historianë janë të këtij mendimi, duke thënë se rrënjët e adhurimit të ikonave gjenden në fetë e Babilonisë, të Egjiptit dhe të Greqisë së lashtë. Për shembull, në Greqinë e lashtë shëmbëlltyrat fetare gjendeshin në formë statujash. Besohej se këto ishin veshur me fuqi të mbinatyrshme. Njerëzit mendonin se disa nga këto shëmbëlltyra nuk i kishin bërë njerëzit, por kishin rënë nga qielli. Gjatë disa festave të veçanta, këto shëmbëlltyra adhurimi i nxirrnin në një procesion rreth e qark qytetit dhe u bëheshin flijime. «Njerëzit e përkushtuar e mendonin shëmbëlltyrën që adhuronin si një hyjni më vete, ndonëse bëheshin përpjekje . . . për të bërë një dallim ndërmjet hyjnisë dhe shëmbëlltyrës që e paraqiste atë»,​—tha Petrenko.

Si u futën në krishterim këto ide dhe praktika? I njëjti kërkues komentoi se në shekujt që pasuan vdekjen e apostujve të Krishtit, sidomos në Egjipt, «idetë e krishtere u ballafaquan me ‘përzierjen pagane’. Kjo përzierje përbëhej nga praktikat e bindjet egjiptiane, greke, judaike, lindore dhe romake, të cilat njerëzit i ndiqnin së bashku me praktikat e krishtere». Për pasojë, «mjeshtrat e krishterë përshtatën një metodë [të bashkimit të feve] dhe filluan të përdornin simbolet pagane, duke i vendosur në një kontekst të ri, ndonëse nuk i pastruan krejtësisht nga ndikimi pagan».

S’kaloi shumë e ikonat u bënë qendra e jetës fetare, të asaj private e publike. Në librin The Age of Faith, historiani Uill Durant përshkruan se si ndodhi kjo, duke thënë: «Me shumëfishimin e numrit të shenjtorëve që adhuroheshin, lindi nevoja për t’i identifikuar e për t’i mbajtur mend. Piktura të këtyre shenjtorëve dhe të Marisë po prodhoheshin me shumicë; kurse në rastin e Krishtit, jo vetëm shëmbëlltyra e tij fizike, por edhe kryqi i tij u bë objekt adhurimi, e madje, për njerëzit naivë u bë hajmali me fuqi të mbinatyrshme. Njerëzit, me lirinë e tyre të natyrshme të përfytyrimit, i kthyen reliket e shenjta, pikturat dhe statujat në objekte adhurimi. Ata u përkuleshin, i puthnin, ndiznin qirinj dhe temjan para tyre, i zbukuronin me lule dhe shpresonin për ndonjë mrekulli nga fuqia e mbinatyrshme e këtyre objekteve. . . . Edhe pse Etërit dhe këshillat e Kishës vazhdimisht shpjegonin se shëmbëlltyrat nuk ishin hyjni, por vetëm përkujtues të tyre, gjithsesi njerëzit s’donin t’ia dinin për dallime të tilla.»

Sot, shumë veta që përdorin ikona do të thoshin në mënyrë të ngjashme se shëmbëlltyrat janë vetëm objekte për t’i respektuar, jo për t’i adhuruar. Ndoshta do të pohonin se pikturat fetare janë mjete të ligjshme e madje të domosdoshme për të adhuruar Perëndinë. Ka mundësi që edhe ju të mendoni kështu. Por pyetja është: Si mendon Perëndia për këtë? A mundet që përnderimi i një ikone të jetë në të vërtetë adhurim i saj? A mund të ketë rreziqe të fshehura pas këtyre praktikave?

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Çfarë është një ikonë?

Ndryshe nga statujat, të cilat përdoren gjerësisht në adhurimin katolik, ikonat janë shëmbëlltyra me dy përmasa që paraqesin Krishtin, Marinë, «shenjtorët», engjëjt, personazhe dhe ngjarje të Biblës ose ngjarje në historinë e kishës ortodokse. Zakonisht janë pikturuar në pllaka druri që mund të lëvizen.

Sipas kishës ortodokse, «në Ikonat e Shenjtorëve, pikturat nuk duken si piktura të njerëzve të zakonshëm». Gjithashtu, nëpër ikona «perspektiva vjen nga sfondi drejt fillimit», domethënë piktura bëhet më e gjerë në sfond. Zakonisht «nuk përdoren hije ose ndonjë mënyrë tjetër që të tregojë nëse është ditë a natë». Besohet edhe se druri dhe boja e përdorur për ikonat mund «të mbushen me praninë e Perëndisë».

[Figura në faqen 4]

Përdorimi i shëmbëlltyrave i ka rrënjët në praktika pagane

[Burimi i figurës në faqen 3]

© AFP/CORBIS