Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e zbukuron popullin e tij me dritë

Jehovai e zbukuron popullin e tij me dritë

Jehovai e zbukuron popullin e tij me dritë

«Ngrihu, o grua, rrezato dritë, sepse drita jote ka ardhur dhe mbi ty ka ndriçuar vetë lavdia e Jehovait.»​—ISAIA 60:1, BR.

1, 2. (a) Cila është gjendja e njerëzimit? (b) Kush qëndron pas errësirës që ka mbështjellë njerëzimin?

«AH, SIKUR të kishte një Isai ose një Shën Pavël!» Kështu thirri përvajshëm presidenti i Shteteve të Bashkuara Herri Truman, në vitet 40 të shekullit të kaluar. Pse i tha këto fjalë? Sepse e ndiente që bota e kohës së tij kishte nevojë për udhëheqës moralë të nivelit më të lartë. Njerëzimi sapo kishte kaluar periudhën më të errët të shekullit të 20-të, Luftën e Dytë Botërore. Megjithatë, edhe pse lufta kishte mbaruar, në botë nuk kishte paqe. Errësira vazhdonte. Në të vërtetë, 57 vjet pas përfundimit të kësaj lufte bota është ende në errësirë. Nëse do të ishte gjallë sot, pa dyshim presidenti Truman do ta vinte re ende nevojën për udhëheqës moralë si Isaia ose apostulli Pavël.

2 E dinte apo jo presidenti Truman, apostulli Pavël foli për errësirën që mundonte njerëzimin dhe në shkrimet e tij paralajmëroi për këtë errësirë. Për shembull, ai i paralajmëroi bashkëbesimtarët: «Kemi një përleshje, jo kundër gjakut e mishit, por kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Me këto fjalë, Pavli tregoi jo vetëm se ishte i vetëdijshëm për errësirën frymore që mbulonte botën, por edhe se e njihte burimin e vërtetë të saj. Ishin forcat e fuqishme demonike të përshkruara si ‘sundimtarët e botës’. Meqë pas errësirës së botës qëndrojnë frymëra të fuqishme, çfarë mund të bëjnë njerëzit e thjeshtë për ta larguar këtë errësirë?

3. Edhe pse njerëzimi është në gjendje errësire, çfarë paratha Isaia për njerëzit besnikë?

3 Edhe Isaia foli për errësirën që mundonte njerëzimin. (Isaia 8:22; 59:9) Megjithatë, duke pasur parasysh ditët tona, nën frymëzim ai paratha se edhe në këto kohë të errëta Jehovai do ta ndriçonte perspektivën e atyre që e duan dritën. Prandaj, edhe pse Isaia dhe Pavli nuk janë këtu me ne, kemi shkrimet e tyre të frymëzuara që na udhëheqin. Për të kuptuar se çfarë bekimi është ky për ata që e duan Jehovain, le të shqyrtojmë fjalët profetike të Isaisë që i gjejmë në kapitullin 60 të librit të tij.

Një grua profetike rrezaton dritë

4, 5. (a) Për çfarë e urdhëron Jehovai një grua dhe ç’premtim i bën? (b) Cilin informacion emocionues përmban kapitulli 60 i Isaisë?

4 Fjalët e para të kapitullit 60 të Isaisë (BR) i drejtohen një gruaje që ndodhet në një gjendje shumë të trishtueshme. Ajo dergjet në errësirë, e shtrirë përmbys përtokë. Papritur, drita përshkon errësirën dhe Jehovai thërret: «Ngrihu o grua, rrezato dritë, sepse drita jote ka ardhur dhe mbi ty ka ndriçuar vetë lavdia e Jehovait.» (Isaia 60:1, BR) Ka ardhur koha që gruaja të ngrihet dhe të rrezatojë dritën e Perëndisë, lavdinë e tij. Përse? Përgjigjen e gjejmë në vargun vijues: «Ja, errësira do të mbulojë tokën dhe terri i dendur grupet kombëtare, por mbi ty do të ndriçojë Jehovai dhe mbi ty do të shihet lavdia e tij.» (Isaia 60:2) Kur gruaja i bindet urdhrit të Jehovait, i jepet siguria se do të ketë një përfundim të mrekullueshëm. Jehovai thotë: «Me siguri, kombet do të vijnë te drita jote dhe mbretërit te shkëlqimi i ndriçimit tënd.»​—Isaia 60:3.

5 Fjalët emocionuese të këtyre tri vargjeve janë një hyrje dhe një përmbledhje e asaj që përmban pjesa tjetër e kapitullit 60 të Isaisë. Në këtë kapitull parathuhen përvojat e një gruaje profetike dhe shpjegohet se si mund të banojmë në dritën e Jehovait, pavarësisht nga errësira që ka mbuluar njerëzimin. Por çfarë përfaqësojnë simbolet në këto tri vargje hyrëse?

6. Kush është gruaja e kapitullit 60 të Isaisë dhe cilët e përfaqësojnë atë në tokë?

6 Gruaja e përmendur tek Isaia 60:1-3 është Sioni, organizata qiellore e Jehovait e përbërë nga krijesa frymore. Sot, Sioni përfaqësohet në tokë nga mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’, kongregacioni ndërkombëtar i të krishterëve të mirosur me frymë, të cilët kanë shpresën të sundojnë me Krishtin në qiell. (Galatasve 6:16) Ky komb frymor ka gjithsej 144.000 pjesëtarë dhe përmbushja e kapitullit 60 të Isaisë në kohët e sotme përqendrohet tek ata që janë gjallë në tokë gjatë ‘ditëve të fundit’. (2 Timoteut 3:1; Zbulesa 14:1) Profecia ka shumë për të thënë edhe për shokët e këtyre të krishterëve të mirosur, për ‘shumicën e madhe’ të ‘deleve të tjera’.​—Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16.

7. Cila ishte gjendja e Sionit në vitin 1918 dhe si ishte profetizuar kjo?

7 A është dergjur ndonjëherë ‘Izraeli i Perëndisë’ në errësirë, siç u tregua simbolikisht nga kjo grua profetike? Po, kjo ka ndodhur më shumë se 80 vjet më parë. Gjatë Luftës I Botërore të krishterët e mirosur kishin bërë përpjekje të fuqishme që vepra e dëshmisë të vazhdonte. Por në vitin 1918, në vitin e fundit të luftës, vepra e organizuar e predikimit pothuajse u ndërpre. Xhozef F. Radhërfordit, i cili mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të predikimit, si edhe disa të krishterëve të tjerë që merrnin drejtimin u dënuan me burgime të gjata, në bazë të akuzave të rreme. Në librin e Zbulesës, të krishterët e mirosur që ishin atëherë në tokë përshkruheshin në mënyrë profetike si kufoma që dergjeshin «në udhën e gjerë të qytetit të madh, i cili në kuptimin frymor quhet Sodoma dhe Egjipti». (Zbulesa 11:8) Ajo ishte vërtet një periudhë e errët për Sionin, i cili përfaqësohej në tokë nga fëmijët e saj të mirosur!

8. Cili ndryshim i jashtëzakonshëm ndodhi në vitin 1919 dhe me çfarë përfundimi?

8 Megjithatë, në vitin 1919 ndodhi një ndryshim i jashtëzakonshëm. Jehovai hodhi dritë mbi Sionin. Të mbijetuarit e Izraelit të Perëndisë u ngritën dhe pasqyruan dritën e tij, duke rifilluar pa frikë shpalljen e lajmit të mirë. (Mateu 5:14-16) Falë zellit të ripërtërirë të këtyre të krishterëve, pranë dritës së Jehovait janë afruar edhe të tjerë. Në fillim, të sapoardhurit u mirosën si pjesëtarë të mëtejshëm të Izraelit të Perëndisë. Tek Isaia 60:3 ata quhen mbretër, pasi kanë për t’u bërë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 20:6) Më vonë, pranë dritës së Jehovait filloi të afrohej një shumicë e madhe nga delet e tjera. Këto janë «kombet» e përmendura në profeci.

Fëmijët e gruas kthehen në shtëpi

9, 10. (a) Ç’pamje që të ngroh zemrën pa gruaja dhe çfarë përfaqësoi kjo? (b) Ç’arsye ka Sioni për t’u gëzuar?

9 Tani Jehovai fillon të japë më shumë hollësi për informacionin që gjejmë tek Isaia 60:1-3. Ai i jep gruas një urdhër tjetër. Dëgjoni se çfarë i thotë: «Ngriji sytë rreth e përqark dhe shiko!» Gruaja bindet dhe, ç’të shohë, para saj shfaqet një pamje që të ngroh zemrën! Po i vijnë fëmijët në shtëpi. Shkrimi vazhdon duke thënë: «Janë mbledhur të gjithë; kanë ardhur te ti. Nga larg vazhdojnë të vijnë bijtë e tu dhe bijat e tua, për të cilat do të tregohet përkujdesje, ndërkohë që do të mbarten në ijë.» (Isaia 60:4) Shpallja mbarëbotërore e Mbretërisë që filloi në vitin 1919 bëri që mijëra veta të hynin në shërbim të Jehovait. Edhe këta u bënë ‘bij’ e ‘bija’ të Sionit, pjesëtarë të mirosur të Izraelit të Perëndisë. Kështu, Jehovai e ka zbukuruar Sionin duke sjellë pranë dritës pjesëtarët e fundit të 144.000-ve.

10 A mund ta përfytyroni gëzimin e Sionit kur pa që i kishte fëmijët pranë? E megjithatë Jehovai i jep Sionit arsye të mëtejshme për t’u gëzuar. Lexojmë: «Në atë kohë do të shikosh e me siguri do të bëhesh rrezatuese dhe zemra jote me të vërtetë do të drithërohet e do të zgjerohet, sepse te ti do të drejtohet pasuria e detit; të ardhurat e kombeve do të vijnë te ti.» (Isaia 60:5) Në përputhje me këto fjalë profetike, që nga vitet 30 të shekullit të 20-të, drejt Sionit ka vërshuar një mori të krishterësh që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Ata kanë dalë nga ‘deti’ i njerëzimit të larguar nga Perëndia dhe përfaqësojnë të ardhurat e kombeve. Ata janë «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve». (Hageu 2:7, BR; Isaia 57:20) Vini re, gjithashtu, se këto ‘gjëra të dëshirueshme’ nuk i shërbejnë Perëndisë secili sipas mënyrës së vet. Përkundrazi, ata ia shtojnë bukurinë Sionit, duke u mbledhur për të adhuruar së bashku me vëllezërit e tyre të mirosur e duke u bërë me ta «një kope e vetme nën një bari të vetëm».​—Gjoni 10:16.

Në Sion vijnë tregtarë e barinj

11, 12. Përshkruani turmat që shihen të lëvizin drejt Sionit.

11 Një fryt i këtij grumbullimi të parathënë është rritja e jashtëzakonshme e numrit të lavdëruesve të Jehovait. Kjo parathuhet në fjalët vijuese të profecisë. Përfytyroni sikur po qëndroni me gruan profetike në malin Sion. Çfarë shihni kur hidhni vështrimin nga lindja? «Masa valëzuese e deveve do të të mbulojë, devetë e reja të Midianit dhe të Efahut. Do të vijnë të gjithë ata të Shebës. Do të sjellin ar dhe temjan të bardhë. Dhe do të shpallin lëvdimet e Jehovait.» (Isaia 60:6) Turma tregtarësh me karvanet e tyre me deve po udhëtojnë nëpër rrugët që të çojnë në Jerusalem. Devetë janë si një përmbytje që ka mbuluar vendin. Tregtarët transportojnë dhurata të çmuara, «ar dhe temjan të bardhë». Edhe këta tregtarë vijnë pranë dritës së Jehovait për t’i dhënë lavdi botërisht, ‘për të shpallur lëvdimet e Jehovait’.

12 Tregtarët nuk janë të vetmit që janë vënë në rrugë. Edhe barinjtë po mblidhen në Sion. Profecia vazhdon me fjalët: «Të gjitha kopetë e Kedarit do të mblidhen te ti. Deshtë e Nebajotit do të të shërbejnë.» (Isaia 60:7a) Fiset që merren me blegtori po vijnë në qytetin e shenjtë për t’i dhënë Jehovait më të mirën e kopeve të tyre. Madje ofrojnë edhe vetveten për t’i shërbyer Sionit! Si i pret Jehovai këta të huaj? Vetë Perëndia përgjigjet: «Me miratim do të ngjiten në altarin tim dhe unë do të zbukuroj shtëpinë time të bukurisë.» (Isaia 60:7b) Jehovai i pranon me dashamirësi blatimet dhe shërbimin e këtyre të huajve. Prania e tyre e zbukuron tempullin e tij.

13, 14. Çfarë shihet të vijë nga perëndimi?

13 Tani ktheni kokën dhe këqyrni pjesën perëndimore të horizontit. Çfarë shikoni? Larg, atje tej, shihet diçka që duket si një re e bardhë e përhapur mbi sipërfaqen e detit. Jehovai bën po atë pyetje që keni ju ndër mend: «Kush janë këta që vijnë duke fluturuar si një re dhe si pëllumba në foletë e tyre?» (Isaia 60:8) Vetë Jehovai i përgjigjet pyetjes së tij: «Ishujt do të vazhdojnë të shpresojnë tek unë dhe edhe anijet e Tarshishit si në fillim, për t’i sjellë bijtë e tu nga larg, e bashkë me ta argjendin dhe arin e tyre, tek emri i Jehovait, Perëndisë tënd dhe tek i Shenjti i Izraelit, sepse ai do të të ketë zbukuruar.»​—Isaia 60:9.

14 A mund ta përfytyroni skenën? Ajo re e bardhë është afruar dhe tani duket si një grumbull pikash tej në perëndim. Duket si një tufë zogjsh që fluturojnë ulët mbi dallgë. Por ndërsa afrohen edhe pak, dalloni se janë anije që i kanë velat të shpalosura për të kapur erën. Kaq shumë anije po lundrojnë drejt Jerusalemit, saqë ngjajnë me një tufë pëllumbash. Që nga porte të largëta, kjo flotë po lundron me gjithë shpejtësinë e saj për të sjellë në Jerusalem besimtarë që të adhurojnë Jehovain.

Organizata e Jehovait zgjerohet

15. (a) Cilën rritje parathonë fjalët e Isaisë 60:4-9? (b) Cilën frymë shfaqin të krishterët e vërtetë?

15 Ç’përshkrim të gjallë profetik që i bëjnë vargjet 4 deri në 9 zgjerimit që ka ndodhur në mbarë botën që nga viti 1919! Përse e bekoi Jehovai Sionin me një rritje të tillë? Sepse, që nga viti 1919, Izraeli i Perëndisë e ka rrezatuar dritën e Jehovait në mënyrë të bindur dhe të pareshtur. Por, a e vutë re që, sipas vargut 7, të sapoardhurit «ngjiten në altarin [e Perëndisë]»? Altari është vendi ku bëhen flijime dhe ky aspekt i profecisë na sjell ndër mend se shërbimi ndaj Jehovait përfshin flijimet. Apostulli Pavël shkroi: «Ju përgjërohem . . . t’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Në përputhje me fjalët e Pavlit, të krishterët e vërtetë nuk mjaftohen thjesht duke ndjekur disa shërbesa fetare një herë në javë. Ata japin nga koha, energjia dhe të ardhurat e tyre për të përkrahur adhurimin e pastër. A nuk e zbukuron shtëpinë e Jehovait prania e këtyre adhuruesve të përkushtuar? Në profecinë e Isaisë thuhej se do ta bënte këtë. Mund të jemi të sigurt se adhurues të tillë të zellshëm janë po ashtu të bukur në sytë e Jehovait.

16. Kush ndihmoi në punën e rindërtimit në kohët e lashta dhe cilët e kanë bërë këtë në kohët tona?

16 Të sapoardhurit duan të punojnë. Profecia vazhdon me fjalët: «Muret e tua do t’i ndërtojnë në të vërtetë të huajt dhe mbretërit e tyre do të të shërbejnë.» (Isaia 60:10) Në përmbushjen e parë të këtyre fjalëve në kohën e kthimit nga mërgimi në Babiloni, mbretërit dhe të tjerë nga kombet ndihmuan me të vërtetë në rindërtimin e tempullit dhe të qytetit të Jerusalemit. (Ezdra 3:7; Nehemia 3:26) Në përmbushjen e sotme, shumica e madhe e ka mbështetur mbetjen e mirosur për vendosjen e adhurimit të vërtetë. Ata kanë ndihmuar për ndërtimin e kongregacioneve të krishtere dhe, në këtë mënyrë, kanë forcuar «muret» e organizatës së Jehovait, e cila është ngjashëm një qyteti. Gjithashtu, punojnë në mënyrë të mirëfilltë në ndërtim: në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe të ndërtesave Bethel. Në të gjitha këto mënyra, ata mbështetin vëllezërit e tyre të mirosur për të përmbushur nevojat e organizatës gjithnjë në rritje të Jehovait.

17. Cila është një mënyrë se si e zbukuron Jehovai popullin e tij?

17 Sa na e ngrohin zemrën fjalët e fundit të Isaisë 60:10! Jehovai thotë: «Në zemërimin tim unë do të të kem goditur, por në vullnetin tim të mirë, me siguri, do të kem mëshirë për ty.» Po, në vitet 1918-1919, Jehovai e disiplinoi popullin e tij. Por kjo ka ndodhur në të kaluarën. Tani është koha që Jehovai t’u shprehë mëshirë shërbëtorëve të tij të mirosur dhe shokëve të tyre nga delet e tjera. Një provë për këtë është rritja e jashtëzakonshme me të cilën i ka bekuar ai, si të thuash duke ‘i zbukuruar’.

18, 19. (a) Cilin premtim u bën Jehovai atyre që vijnë në organizatën e tij? (b) Çfarë na tregojnë vargjet e tjera të kapitullit 60 të Isaisë?

18 Çdo vit, qindra mijë ‘të huaj’ të tjerë shoqërohen me organizatën e Jehovait dhe rruga do të mbetet e hapur edhe për shumë të tjerë. Jehovai i thotë Sionit: «Portat e tua me të vërtetë do të mbahen hapur vazhdimisht; nuk do të mbyllen as ditën e as natën, me qëllim që të sjellin te ti të ardhurat e kombeve dhe mbretërit e tyre do të marrin drejtimin.» (Isaia 60:11) Disa kundërshtarë përpiqen t’i mbyllin këto ‘porta’, por ne e dimë që s’kanë për t’ia arritur. Vetë Jehovai ka thënë se në një mënyrë a në një tjetër, portat do të mbeten hapur. Rritja do të vazhdojë.

19 Ka edhe mënyra të tjera se si e ka bekuar Jehovai popullin e tij në këto ditë të fundit, duke e bërë të bukur. Vargjet e tjera të kapitullit 60 të Isaisë zbulojnë në mënyrë profetike se cilat janë ato.

A mund ta shpjegoni?

• Kush është ‘gruaja’ e Perëndisë dhe kush e përfaqëson atë në tokë?

• Në cilën kohë fëmijët e Sionit dergjeshin të shtrirë përtokë dhe kur e si u ‘ngritën’?

• Si e paratha Jehovai rritjen e sotme të numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë, duke përdorur simbole të ndryshme?

• Në cilat mënyra ka bërë Jehovai që drita e vet të ndriçojë mbi popullin e tij?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

‘Gruas’ së Jehovait i jepet urdhër që të ngrihet

[Figura në faqen 12]

Flota e anijeve duket si pëllumba në horizont