Kongrese ndërkombëtare në vitin 2003
Kongrese ndërkombëtare në vitin 2003
TË SHTUNËN, më 7 tetor 2001, u mbajt në qytetin e Xhersit në Nju-Xhersi të SHBA-së mbledhja vjetore e anëtarëve të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Pas mbledhjes anëtarët dhe të ftuarit e tyre u kënaqën me një program të veçantë. Ditën tjetër në mbledhjet që vijuan, të mbajtura në katër qytete të Kanadasë dhe në Shtetet e Bashkuara, pas fjalimit përmbyllës anëtarët e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait bënë njoftimin e mëposhtëm:
«Teksa mbajmë sytë nga e ardhmja është tepër e rëndësishme që të gjithë në popullin e Perëndisë të mos braktisin mbledhjen e tyre së bashku. Apostulli Pavël bëri thirrje që kjo të bëhet gjithnjë e më shumë së bashku me nxitjen e njëri-tjetrit, sepse e shohim të afrohet dita e madhe e frikësuese e Jehovait. (Hebrenjve 10:24, 25) Në përputhje me këtë urdhër nga Shkrimet vitin që vjen [2002] shpresojmë të kemi kongrese krahinore në të gjitha pjesët e botës. Më pas, në vitin 2003, nëse është vullneti i Jehovait, ndoshta do të mbahen kongrese të veçanta ndërkombëtare në disa vende të botës. Tani është koha për të qëndruar zgjuar dhe për të ndenjur vigjilentë, duke kuptuar se si zhvillohen ngjarjet në skenën botërore.»
Edhe pse ankthi dhe pasiguria po shtohen, ndërsa këtij sistemi të tanishëm po i afrohet fundi, veprimtaria e popullit të Perëndisë duhet të ecë përpara. Lajmi i mirë i Mbretërisë, përfshirë edhe mesazhin paralajmërues të Biblës, i duhet shpallur çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, duke u bërë thirrje ‘të kenë frikë Perëndinë dhe t’i japin lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij’. (Zbulesa 14:6, 7) Prandaj, në përputhje me vullnetin e Atit tonë qiellor dhe sipas pëlqimit të tij, po planifikohen kongrese ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës për vitin 2003.
Së pari, këto mbledhje janë programuar tani për tani në disa qytete në Amerikën e Veriut dhe menjëherë pas tyre në Evropë. Pak më vonë, gjatë 2003-shit do të merren masa që grupe delegatësh të udhëtojnë për në disa qytete të Azisë dhe nga fundi i vitit, grupe të tjera do të shkojnë në Afrikë, në Amerikën e Jugut dhe në vendet e Paqësorit. Disa degëve do t’u kërkohet të dërgojnë një numër të kufizuar delegatësh në vende të veçanta ku do të mbahen kongreset, kështu që nuk do të jetë e mundur t’u bëhet të gjithëve një ftesë e hapur për të marrë pjesë. Sidoqoftë, do të jetë ndërtuese që në secilin nga këto vende do të ketë grupe me një numër të kufizuar delegatësh e që përfaqësojnë shtete të ndryshme.
Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait do të marrin së shpejti informacione për këto grumbullime. Informacioni për datën e saktë dhe qytetet e veçanta ku do të kenë mundësi të marrin pjesë delegatët e ftuar do të sigurohet nga degët e tyre përkatëse. Për këtë arsye kërkohet që për momentin të mos shkruani ose të mos bëni pyetje rreth kësaj çështjeje.
Delegatët që më vonë do të zgjidhen duhet të jenë Dëshmitarë që ia kanë kushtuar jetën Perëndisë e janë pagëzuar. Ata do të jenë shembuj të shkëlqyer dhe do t’u tregojnë përzemërsi vëllazërore vëllezërve vendës. Këta, nga ana e tyre, do të kenë mundësi të shkëlqyera për t’u shprehur vizitorëve një mirëseardhje të ngrohtë dhe për t’u treguar mikpritje të sinqertë. (Hebrenjve 13:1, 2) Kjo do të çojë në një «shkëmbim inkurajimi». (Romakëve 1:11, 12) Hollësitë e mëtejshme për këto masa do të jepen nga degët që janë ftuar për të dërguar delegatë në një vend ose në disa vende të veçanta.
Në shumë vende kongreset krahinore triditore për vitin 2003 do të mbahen si zakonisht. Duke u mbledhur së bashku, të gjithë do të kenë mundësinë ‘të dëgjojnë, të mësojnë dhe të jenë të inkurajuar’. (Ligji i përtërirë 31:12; 1 Korintasve 14:31) Kjo do t’i japë tërë popullit të Perëndisë mundësinë ‘për të provuar e për të parë që Zoti [Jehovai BR] është i mirë’. (Psalmi 34:8) Në të gjitha kongreset ndërkombëtare, si edhe në shumë kongrese krahinore, do të jenë të pranishëm misionarët, disa prej të cilëve do të kenë pjesë në program.
Gjatë vitit kalendarik 2002, ne po gëzojmë Kongreset Krahinore «Lajmëtarë të Zellshëm të Mbretërisë», të cilat na nxitin të japim një dëshmi më të madhe. Ndërsa bëjmë këtë, pritja jonë do të bëhet më e sigurt në lidhje me atë që Jehovai ka menduar për ne për vitin që vjen. Kjo do të na ndihmojë ‘të qëndrojmë vigjilentë, të rrimë zgjuar dhe të tregohemi gati’ në këto kohë kritike dhe me rëndësi të veçantë.—Mateu 24:42-44.