Mos lejoni që t’ju mashtrojnë
Mos lejoni që t’ju mashtrojnë
MASHTRIMI është thuajse po aq i vjetër sa edhe njerëzimi. Një nga ngjarjet e para në historinë e dokumentuar ishte një mashtrim. Kjo ndodhi kur Satanai mashtroi Evën në kopshtin e Edenit.—Zanafilla 3:13; 1 Timoteut 2:14.
Ndonëse në tokë nuk ka pasur asnjë periudhë kur mashtrimi të mos ketë qenë i përhapur, sot ai është veçanërisht mbizotërues. Duke folur për kohët tona, Bibla paralajmëroi: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë.»—2 Timoteut 3:13.
Njerëzit mashtrohen për shumë arsye të ndryshme. Njerëzit që bëjnë dredhi dhe ata që i gënjejnë të tjerët me premtime të rreme i mashtrojnë viktimat me qëllim që t’u marrin paratë. Disa politikanë mashtrojnë zgjedhësit e tyre, duke qenë të vendosur që të qëndrojnë me çdo kusht në postet e tyre. Njerëzit madje mashtrojnë edhe vetveten. Në vend që të shohin në sy realitetin, edhe pse mund të jetë i pakëndshëm, ata bindin veten se nuk ka asgjë të keqe nëse vazhdojnë me praktika të rrezikshme, siç janë duhani, abuzimi me drogën ose imoraliteti seksual.
Pastaj kemi edhe mashtrimin në çështjet fetare. Udhëheqësit fetarë në kohën e Jezuit i mashtronin njerëzit. Jezui tha për këta mashtrues: «Udhërrëfyes të verbër, ja ç’janë. Nëse, pra, një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.» (Mateu 15:14) Për më tepër, njerëzit mashtrojnë edhe vetveten në çështjet fetare. Te Fjalët e urta 14:12 thuhet: «Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.»
Si në kohët e Jezuit, edhe sot shumë veta mashtrohen në çështjet fetare dhe kjo nuk na habit. Apostulli Pavël tha se Satanai «ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve, me qëllim që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë».—2 Korintasve 4:4.
Po të na mashtrojë ndonjë njeri me dredhi, mund të humbasim para. Po të na mashtrojë një politikan, si pasojë mund të humbasim një pjesë të lirisë sonë. Por, po të na mashtrojë Satanai e të na bëjë që të hedhim poshtë të vërtetën për Jezu Krishtin, do të humbasim mundësinë e jetës së përhershme! Prandaj, mos lejoni t’ju mashtrojnë. Jini me mendje e zemër të hapur ndaj të vetmit burim të padiskutueshëm të së vërtetës fetare, Biblës. Rreziku do të ishte tepër i madh po të veprohej ndryshe.—Gjoni 17:3.