Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta adhurojmë Perëndinë «në frymë»

Ta adhurojmë Perëndinë «në frymë»

Ta adhurojmë Perëndinë «në frymë»

«Kë të gjeni që t’i përngjasë Hyjit? O ç’shëmbëllesë mund t’i vëni përbri?»​—ISAIA 40:18, «DOM SIMON FILIPAJ»

NDOSHTA jeni vërtet të bindur se përdorimi i ikonave është i pranueshëm në adhurimin e Perëndisë. Mund të mendoni se kjo ju afron më shumë me Dëgjuesin e lutjes, i cili është i padukshëm e prandaj mund të duket i largët e abstrakt.

Por, a na është lënë një liri e plotë që të zgjedhim metodën që na pëlqen neve për t’iu afruar Perëndisë? A nuk duhet të jetë vetë Perëndia autoriteti më i lartë që vendos se çfarë është e pranueshme e çfarë nuk është? Jezui e shpjegoi pikëpamjen e Perëndisë për këtë çështje kur tha: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.» (Gjoni 14:6) * Këto fjalë janë më se të mjaftueshme për të mos e lejuar përdorimin e ikonave ose të ndonjë objekti tjetër të shenjtë.

E vërteta është se Perëndia Jehova pranon vetëm një lloj të veçantë adhurimi. Cilin lloj? Në një rast tjetër, Jezui shpjegoi: «Po vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.»​—Gjoni 4:23, 24, Dio.

A mundet që Perëndia, i cili «është frymë», të paraqitet me një shëmbëlltyrë fizike? Jo. Sado madhështore të jetë një ikonë, ajo s’mund të krahasohet kurrë me lavdinë e Perëndisë. Prandaj shëmbëlltyrat që i bëhen Perëndisë nuk mund ta paraqesin kurrë me të vërtetë atë. (Romakëve 1:22, 23) A do të ishte duke ‘adhuruar në të vërtetën’ dikush, në qoftë se do t’i afrohej Perëndisë nëpërmjet ndonjë ikone të bërë nga njerëzit?

Një mësim i qartë biblik

Ligji i Perëndisë e ndalonte bërjen e shëmbëlltyrave si objekte adhurimi. I dyti nga Dhjetë Urdhërimet thoshte: «Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi.» (Dalja [Eksodi] 20:4, 5) Edhe Shkrimet e Krishtere të frymëzuara urdhërojnë: «Ikni nga idhujtaria!»​—1 Korintasve 10:14.

Është e vërtetë se disa mund të ngulin këmbë që nuk po bëjnë idhujtari duke përdorur shëmbëlltyrat në adhurim. Të krishterët ortodoksë, për shembull, shpesh e mohojnë që në të vërtetë i adhurojnë ikonat të cilave u përkulen, u gjunjëzohen dhe u luten. Një prift ortodoks shkroi: «Ne i respektojmë ato sepse janë objekte të shenjta dhe sepse adhurojmë atë që ikonat paraqesin.»

Mirëpo, pyetja vazhdon të jetë: A e miraton Perëndia përdorimin e ikonave, qoftë edhe për të adhuruar në një mënyrë të ashtuquajtur jo të drejtpërdrejtë? Bibla nuk e lejon asgjëkundi një praktikë të tillë. Kur izraelitët ngritën shëmbëlltyrën e një viçi, gjoja me qëllimin për të adhuruar Jehovain, ai e shprehu me forcë mosmiratimin e tij, duke thënë se ishin bërë apostatë.​—Eksodi 32:4-7.

Rreziku i fshehur

Përdorimi i objekteve konkrete në adhurim është një praktikë e rrezikshme. Mund të jetë shumë e lehtë që njerëzit të tundohen për të adhuruar objektin në vend të Perëndisë që supozohet se paraqet. Me fjalë të tjera, ikona bëhet objekt idhujtarie.

Kjo gjë ndodhi me disa objekte në kohën e izraelitëve. Për shembull, gjatë Daljes nga Egjipti Moisiu bëri një gjarpër prej bakri. Fillimisht, simboli i gjarprit në një shtyllë shërbeu si mjet shërimi. Ata që ishin kafshuar nga gjarpërinjtë si një ndëshkim, mund të shihnin gjarprin prej bakri dhe të merrnin ndihmë nga Perëndia. Por, pasi u vendosën në Tokën e Premtuar, njerëzit, me sa duket, e kthyen këtë shtyllë në një idhull, sikur vetë gjarpri prej bronzi të kishte fuqi për të shëruar. Digjnin temjan para tij e madje i vunë edhe një emër, Nohestan ose Nehushtan.​—Numrat 21:8, 9; 2 Mbretërve 18:4.

Izraelitët u përpoqën, gjithashtu, ta përdornin edhe arkën e besëlidhjes si një hajmali kundër armiqve të tyre, dhe për këtë patën pasoja shkatërrimtare. (1 Samuelit 4:3, 4; 5:11) Veç kësaj, në ditët e Jeremisë, banorët e Jerusalemit merakoseshin më shumë për tempullin, sesa për Perëndinë që adhurohej atje.​—Jeremia 7:12-15.

Prirja për të adhuruar objektet në vend të Perëndisë është ende shumë e përhapur. Kërkuesi Vitali Ivanoviç Petrenko tha: «Ikona . . . bëhet objekti i adhurimit dhe rrezikon të kthehet në idhujtari . . . Duhet pranuar se kjo është në thelb një ide pagane që është sjellë në adhurimin e ikonave nëpërmjet bindjeve të përhapura.» Në mënyrë të ngjashme, në librin e tij Understanding the Greek Orthodox Church (Të kuptojmë Kishën Ortodokse Greke), prifti ortodoks Demetrios Konstantelos thotë: «Ekziston mundësia që një i krishterë ta kthejë ikonën në objekt adhurimi.»

Pohimi se ikonat janë vetëm mjete ndihmëse për adhurimin relativ është shumë i diskutueshëm. Përse? Po ja, a nuk është e vërtetë se disa ikona të Marisë ose të «shenjtorëve» mund të shihen si më të efektshme dhe si të denja për më shumë përkushtim se ikona të tjera që paraqesin po atë person të vdekur prej shumë kohësh? Për shembull, në Tinos të Greqisë një ikonë që paraqet Marinë ka pasuesit e vet të përkushtuar ortodoksë, kurse një ikonë po e Marisë në Soumela, në veri të Greqisë, ka besimtarët e vet po aq të përkushtuar. Secili nga grupet beson se ikona e tyre është më e mirë dhe kryen mrekulli më mahnitëse se tjetra, edhe pse që të dyja paraqesin të njëjtin individ të vdekur prej shumë kohësh. Prandaj, e vërteta është se njerëzit i veshin me fuqi reale disa ikona dhe i adhurojnë.

T’u lutemi «shenjtorëve» ose Marisë?

Por, ç’të themi për adhurimin e individëve, siç është adhurimi i Marisë ose i «shenjtorëve»? Duke iu përgjigjur një tundimi nga Satanai, Jezui citoi Ligjin e përtërirë 6:13 dhe tha: «Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij!» (Mateu 4:10) Më vonë, ai tha se adhuruesit e vërtetë do të adhuronin «Atin» dhe askënd tjetër. (Gjoni 4:23) Duke e ditur këtë, një engjëll e qortoi apostullin Gjon që për pak e adhuroi, duke thënë: «Assesi mos bëj ashtu! . . . Hyjin adhuro!»​—Zbulesa 22:9.

A është e përshtatshme t’i lutemi Marisë, nënës njerëzore të Jezuit, ose «shenjtorëve» të veçantë, duke u kërkuar të ndërhyjnë për ne te Perëndia? Përgjigjja e drejtpërdrejtë e Biblës është: «Një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu​—Jezu Krishti.»​—1 Timoteut 2:5.

Ta ruajmë marrëdhënien tonë me Perëndinë

Duke qenë kundër mësimit të qartë të Biblës, përdorimi i ikonave në adhurim nuk mund t’i ndihmojë njerëzit që të fitojnë miratimin e Perëndisë dhe të marrin shpëtimin. Përkundrazi, Jezui tha se do të kemi jetën e përhershme vetëm po të marrim njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë, duke njohur personalitetin e tij të pashoq, si edhe qëllimet dhe mënyrën se si vepron me njerëzit. (Gjoni 17:3) Ikonat, të cilat nuk shohin, nuk ndiejnë e nuk flasin, nuk ndihmojnë askënd për të njohur Perëndinë dhe për ta adhuruar atë në mënyrë të pranueshme. (Psalmi 115:4-8) Kjo njohuri shumë e rëndësishme gjendet vetëm duke studiuar Fjalën e Perëndisë, Biblën.

Përveçse nuk sjell asnjë dobi, adhurimi i ikonave mund të jetë i rrezikshëm frymësisht. Në ç’mënyrë? Para së gjithash, mund të krijojë çarje në marrëdhënien e një personi me Jehovain. Për Izraelin, i cili ‘e zemëroi me idhuj të neveritshëm’, Perëndia paratha: «Do ta fsheh fytyrën time prej tyre.» (Ligji i përtërirë 32:16, 20, The New American Bible) Nëse donin ta rivendosnin marrëdhënien e tyre me Perëndinë, duhej ‘t’i flaknin idhujt mëkatarë’.​—Isaia 31:6, 7, NAB.

Prandaj, sa e përshtatshme është këshilla biblike: «Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve!»​—1 Gjonit 5:21.

[Shënimi]

^ par. 4 Nëse nuk shënohet ndryshe, të gjitha citimet biblike janë marrë nga Bibla Dom Simon Filipaj.

[Kutia në faqen 6]

Të ndihmuar që të adhurojnë «në frymë»

Olivera ishte një besimtare e përkushtuar e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Kur feja u nxor jashtë ligjit në vitin 1967, Olivera i vazhdoi fshehurazi praktikat e saj fetare. Pothuajse gjithë pensionin e vogël që merrte e përdorte për të blerë ikona ari dhe argjendi, temjan dhe qirinj. Këto i mbante të fshehura në krevatin e saj dhe shpesh flinte në një karrige afër krevatit, nga frika se mos ia shihnin ose ia vidhnin ato. Në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, kur e vizituan Dëshmitarët e Jehovait, Olivera e dalloi tingullin e së vërtetës biblike në mesazhin e tyre. Pa se çfarë thoshte Bibla për adhurimin e vërtetë, i cili bëhet «në frymë» dhe mësoi se si ndihet Perëndia rreth përdorimit të ikonave. (Gjoni 4:24, Dio) Dëshmitarja që studionte Biblën me Oliverën vinte re se çdo herë që i shkonte në shtëpi, shihte më pak ikona rreth e qark. Më në fund, s’kishte mbetur asnjë. Pas pagëzimit, Olivera tha: «Sot, në vend të ikonave të pajeta, kam frymën e shenjtë të Jehovait. Jam shumë mirënjohëse që fryma e tij nuk ka nevojë për ikonat që të arrijë tek unë.»

Athinaja nga ishulli Lesbos në Greqi ishte një besimtare shumë aktive e Kishës Ortodokse. Bënte pjesë në korin e kishës dhe i ndiqte deri më një traditat fetare, duke përfshirë edhe përdorimin e ikonave. Dëshmitarët e Jehovait e ndihmuan Athinanë që të kuptonte se jo çdo gjë që i ishte mësuar ishte në përputhje me Biblën. Këtu përfshihej edhe përdorimi i ikonave dhe i kryqeve në adhurim. Athinaja nguli këmbë që të bënte vetë kërkime për origjinën e këtyre objekteve fetare. Pasi kërkoi me imtësi në vepra të ndryshme referimi, ajo u bind se origjina e këtyre objekteve nuk ishte e krishterë. Dëshira për ta adhuruar Perëndinë «në frymë» e bëri që t’i hiqte ikonat, pavarësisht se sa kushtonin. Athinaja ishte e lumtur të pranonte çdo humbje vetëm për të adhuruar Perëndinë në një mënyrë të pastër e të pranueshme nga ana frymore.​—Veprat 19:19.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

A janë ikonat vepra arti?

Vitet e fundit, përreth botës ikonat ortodokse janë grumbulluar si koleksione. Në përgjithësi koleksionistët nuk i shohin ikonat si objekte të shenjta fetare, por si vepra arti që pasqyrojnë kulturën bizantine. S’është çudi të shohësh shumë ikona të tilla si zbukurime në shtëpinë ose zyrën e dikujt që pohon se është ateist.

Mirëpo, të krishterët e vërtetë nuk harrojnë se cili është qëllimi kryesor i ikonave. Ato janë objekte adhurimi. Ndonëse nuk e vënë në diskutim të drejtën e të tjerëve për të mbajtur ikona, vetë të krishterët nuk mbajnë ikona, as edhe si sende koleksioni. Këtë e bëjnë në përputhje me parimin që gjendet te Ligji i përtërirë 7:26, Dom Simon Filipaj: «Mos shtjer ndyrësi [shëmbëlltyra të përdorura në adhurim] në shtëpinë tënde që të mos jesh edhe ti i ngarkuar me mallkim siç janë ata. Përbuzi nga fundi i zemrës e mbaji për të fëlliqur e të ndytë.»

[Figura në faqen 7]

Perëndia nuk e lejoi përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim

[Figura në faqen 8]

Njohuria e Biblës na ndihmon që ta adhurojmë Perëndinë në frymë